back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nuk i shpëton dot lajmit që të përndjek… është me President… nga Visar Zhiti

Gazeta

Poeti Zhiti dhe Presidenti Nishani
Poeti Zhiti dhe Presidenti Nishani

Nuk i shpëton dot lajmit që të përndjek…

është me President…

nga Visar Zhiti

Larg Vendit, përtej oqeanit, në kontinentin tjetër, ku shpreson të përthithësh pak qetësi ndryshe, ku ke shkuar për pushime e vizita mjeksore, zemër, tension, nerva, etj, e ke këtë fat tani, je në Çikago, ku ende ka pllanga bore të pashkrirë dhe pranvera të duket e ftohtë, por e shëndetshme, gjithsesi nuk i shpëton dot “lajmit” të Vendit tënd vogëlan e të varfer, që të ka mashtruar, persekutuar e vrarë, po ti nuk i ndahesh, aq sa nuk të ndahet, e do sa nuk të do, që megjithëse ka ndryshuar shumë e ka bërë përpara, diktaturën e ka kthyer në demokraci, persekutorët në… nuk po flas, thjesht jam i goditur nga lajmi me president…
Ja, që edhe vendi im ka një president, që s’i qe kujtuar të ishte, por është e nuk i iket, fyes ndërkaq, se ikja e tij sa më parë i duhet Vendit,  një hiç-president, kështu thonë për të, që nuk i shpëton dot karikaturës së tij përndjekëse, Klanit të tij, aq sa mizor, po aq dhe mediokër. Kështu thonë. Ai, gjoja president, flet për kushtetutë, se kështu duhet, kur në përmbajtje është kundërkushtetues, flet për rregulla demokratike, kur ai është shkelje e tyre flagrante, flet për diktaturën e dikurshme, kur është vegël e saj e mbetur, flet për të persekutuarit, kur vetë është persekutor, edhe pse i paaftë. Dekoron pa ndërprerje, nga që e di që nuk kanë vlerë, nishane pa nishan, thonë.
Ti nuk do të doje të flisje për të, por ja që flasin, ndjehesh i detyruar, se lajmi i tij ka ardhur deri këtu, i ngjashëm me gjarprin… Po të duhet një antidotë kundër lajmit nga vendi… dhe rishoh dy poezi nga libri që po përfundoj këtu, është me ese, kritikë, përshkrime udhëtimi, me përkthime dhe ka poezi. Një përzierje kundër përzierjes, kujtesë kundër harrresës së keqe, peng dashurie, bashkëbisedim brezash, ati me birin, etj, etj, por ja, si vandal i paditur futet presidenti…
Libri është në proces, drejt fundit, por dy poezi të tij më kanë mbetur në dorë: T’i fut apo jo?! Të parën e kam shkruar unë, nuk do të doja, as s’e di pse u bë… të dytën po, e kam përkthyer me zell, është e Evgenij Jevtushenkos për partitë. Edhe ai këtej është në SHBA, emigranti i madh, poet i njohur ruso-sovjetik, problemor dhe me probleme, kritikues dhe i kritikuar… Edhe unë do të doja të ikja me presidentë si ai nga vendi im  vrastar… por nuk po zgjatem e po them tjetër gjë, që, psh, poezive duhet t’u mjaftojë vetvetja ose le të flasin vetë ato. Janë politike, prandaj vendosni ju, grisini ose shpërndajini…
E si mund t’i përgjigjesh lajmit me Presidentin më absurd që vjen nga vendi yt i pakët? Që e emëruan nga që s’kishte emër, duhej nga që s’duhej.
Poezinë, që nuk është antikushtetuese, po përdor ndaj së keqes…
Chicago, mars 2017
.
Visar Zhiti dhe Bujar Nishani
Visar Zhiti dhe Bujar Nishani

Një demon i vogël i stepës

 
Grotesk që s’e shmanga dot,
ku çdo ngjashmëri me ngjarje
e ndonjë president real është e rastit,
përveç ngjashmërisë time me veten… visar zhiti
 
 
Demon çalaman…
dhe të bënë president.
Brirë s’ke mbi ballë,
por një të rëndë helmetë,
jo se vërtet e mban,
por kokën ke të fortë.
Trishtan komedian,
dinakërisht idiot.
 
Statujën e idolit
mbarte mbi shpinë.
Një këmbë e një dorë
mallkueshëm të ngrinë.
Po s’i ta ngresh natën, –
në ç’shesh a varrezë,
atë që turmat flakën
në ditën bronzzezë?
 
S’duroni dot të gjallët,
nga ferri juaj dalë…
dhe dekoron të vrarët
nga soji yt të vrarë.
Ti vetë je vrasja
e ndërgjegjes së kohës,
ana e prasme –
mashtrim i revoltës…
 
Ç’stepë të dha fat
në dimrin e vonë?
Gropa hap në çdo hap,
demon që çalon.
S’e di përse je,
pse koha u çmend?
President pa atdhe,
atdhe pa president.
.
Evgenij Jevtushenko (1932)
Evgenij Jevtushenko (1932)

Monologu i Njeriut të Pasnesërm

nga Evgenij Jevtushenko

As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie, njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.
Pa parti Noja me atë arkën e tij,
Globi shtyn errësirërat pa parti.
 
Por Djalli, me pikpamje djalliste,
shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!
Në zemër të mollës futi krimbin, –
krim(b)* dhe gjarpër një ishin,-
politikën – profesion me prejardhje djallëzore,
që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.
 
Politika shpiku policinë,
Politika shpiku kryetarët.
Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,
jo partitë dhe nënndarjet.
 
Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,
ku është partia e familjes, e fëmijëve?
Partia e syve të skuqur ku është vallë,
në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?
 
Por një ditë, një ditë, një ditë,
për stërnipërit tanë të gjitha partitë
do të kujtohen si një gjë e tejshkuar
si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.
 
Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,
pa çalamanë moralë në pushtet***,
e gjitha një e asnjë parti,
veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.
 
Shkruar në 1972.
Botuar për herë parë në 1991
______________________________
*) Lojë e përkthimit. Për këtë poezi kemi marrë për bazë dy variante
të botimit të saj. (shën. i përkth.)
**) Aushvic – kamp nazist internimesh në Poloni, Songmi – lokalitet në Vietnamin e Jugut, shkatërruar nga amerikanët, Gulagu: Magadan – lokalitet siberian
i internimeve, (sipas shënimeve të botimit italisht.).
***)…nuk kemi të bëjmë me ndonjë mani të Jevtushenkos për t’u marë me drejtues
të shtetit shqiptar, që të tillë prodhohen herë pas here. Dukuria duket se është e mbarë vendeve totalitariste. (shën. i përkth.)
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.