back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nuk ju harroj Kurrë! – Helena Luli (Mirakaj) – nga Fritz Radovani

Gazeta

Fritz Radovani
Fritz Radovani
Nuk ju harroj Kurrë! – Helena Luli (Mirakaj
nga Fritz Radovani

E Nderueme e përjetëshme Helena Luli (Mirakaj), s’ka shkodran që t’harron Ty, o Ndera e Shkodrës së masakrueme si asnjë qytet tjetër i yni, e ndoshta, edhe i krejt atij kontinentit të vjeter Europian!
Jo, jo asnjëherë nuk mund t’Ju harrojnë Ju Rozafa e Shkodrës apo rruga Badra, dhe kthesa e saj rruga Marvukaj, ku gurtë e saj edhe sot shndrisin si t’ishin shtrue me gurë të çmueshem prej lotve Tueja o zonja Helena!
Nuk asht e largët jo, ajo kohë kur këto poete aq shumë të dashtuna dhe aq shumë të nderueme do të hyjnë në zemrat e Vajzave Shqiptare! Ato do të studjohen ndër shkollat Shqiptare, se janë nanat e paharrueshme të atyne breznive të 50 vjetve vuejtje, tortura, uri, interrnime dhe burgosje me masakrat e izolimet ma barbare komuniste që njef historia jonë!
Prej tyne sot vajzat tona do të mësojnë persekucionin barbar komunist, po ma e randsishmja që duhet përjetsue, asht qëndresa e Atyne fatzezave dhe përballimi i së keqes me krenari dhe nderim të përjetshëm. Vlerat morale të atyne Nanave Heroina asnjëherë nuk i kalb dheu i Rrëmajit se Ato, janë të skalituna ndër gurtë e atyne Alpeve të nalta që jo vetëm s’njohin mort po, as s’e njohin fjalën harresë të Historisë së lavdishme!
Nana ime njihej me Ju zj. Helena që në kohën kur ajo ishte e re dhe Ju Zonjë e Nderueme Helena ishit ndër mësueset e para në Shkodër, po për fatin e keq. “historia e arsimit kërkon me Ju harrue edhe pse gabon!”
Ju kishit një natyrë joshëse e shumë tërheqëse, gjithmonë e buzqeshun!
Vetëm kjo më shtyu me e pyet Nanën se, kush ishte kjo grue e re Helena, gjithmonë e qeshun dhe e veshun me tesha të zeza? Nana më shpjegoj se asaj grue i kanë vra burrin komunistët në mal se asht kenë oficer Gjelosh Luli, i fisit njoftun të Ded Gjò Lulit që ngriti Flamurin në 1911, që ua çoj atje At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, me e ngritë në Malin e Bratiles, pranë Hotit. Ndërsa, kjo asht edhe e Fisit Mirakaj, me disa vetë të vramë e të mbytun edhe Ata, nga barbarët kriminela komunistë mbas 1944. Ajo kishte dy vajza me emnat Klara dhe Izabela, njenën ma të bukur se tjetrën, janë fise të bukra. Në të vertetë vajzat i njifshe të dyja. Ishin afër moshës sime dhe shumë të sjellshme. Ma vonë më pat shpjegue Nana se: Helenën e njifte që në moshë të re në shkollën e Motrave Stigmatine të Shkodrës ku edhe Ajo vazhdonte mësimet dhe binte në sy për bukurinë e Saj. Nana e kujtonte dhe më shpjegoi edhe një prirje të Helenës që, Ajo asht kenë vajzë e re kur ka fillue me shkrue vjersha shumë të bukra.
Shumë vonë, gati aty mbas viteve 1980, një ditë e pyeta: “Zonja Helena, a vazhdon me shkrue edhe tashti poezi? – Ajo buzqeshi dhe tue më dhanë dorën shumë miqsisht, më dha me kuptue se vazhdonte me shkrue sa me kalue mërzinë që nuk i ndahej prej vitit 1945, kur ishte e interrnueme.
Asaj jeta i solli aq telashe sa vjershat e shkrimet u harruene krejtësisht mbas vrasjes së Burrit saj, të ndjerit Gjelosh në 1947 dhe interrnimeve e burgosjes së Helenës krejt e pafajshme, vetëm pse ishte e motra e Kol Bib Mirakaj dhe Zonja e oficerit Gjelosh Luli, i vramë tradhëtisht në Mal. Pak ditë përpara se të nisem për Australi, unë kam shkue një ditë tek e bija Izabela për me takue zonjën Helena dhe, kemi kalue disa orë bisedë me të. Nuk i mbajti lotët kur i tregova se shpejtë do t’iku për Australi. Ma mori dorën dhe ma shtrëngoi fort tue më pyet me një dhimbje të thellë në shpirt: A thue premton Zoti që të shihemi prap ma vonë?
Unë nuk i premtova asgja, sikur t’ma ndinte zemra se nuk shihemi ma!!
Në vitin 2001, mora vesh se zonja Helena Luli e kishte mbyllë jetën e saj.
Dhimbja me pushtoi shpirtin se nuk më pëlqente me ndigjue vdekjen e saj mbas aq shumë vuejtjesh që, ajo Zonjë e Nderueme kishte kalue në jetë!
Sot, Vjershat e Poetes së paharrueshme Helena Luli, xanë një vend nën tokë nder shkambijt’ e groposun të kujtesës sonë shqiptare.
Edhe ato janë të daltueme vetëm ndër gur! Vlerat e tyne janë aq sa të mëdha aq, edhe të domosdoshme për edukimin e rinisë sonë, ku Poetja Helena, me një mjeshtri ka mbrrijtë me qendisë dallgët e jetës së një grueje së vejë me dy vajza jetime, nën peshën e randë të diktaturës së pashpirtë vrastare ateiste dhe kriminale antikombtare komuniste.
Sot vlerat e atyne poezive kuptohen shumë mirë nga të gjithë ata mija e mija qytetarë që lindën, u rritën dhe u plakën të rrethuem ndër tela me ferra, pa asnjë shpresë se do të jetojnë ndonjëherë në paqë dhe të lirë.
Lexoni ju lutem!

Gjelosh Luli (1912-1947) me bashkëshorten - Lena Bib Mirakaj – Luli
Gjelosh Luli (1912-1947)
me bashkëshorten – Lena (Heena) Bib Mirakaj – Luli

Ja si e shikon jetën Poetja Helena tek vjersha “Lutje”:
“Një tallazi të zi/ E n’gji t’vet don me përpì

Gjithshka n’tokë quhet mirsí”. Poete Helena e vuen në zemër gjendjen ku ka mbrrijtë Atdheu.
Ma poshtë Helena ja çka shkruen: “E dijmë mirë se tokës amtare/ I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”), pikrisht aty ku ajo, nuk pajtohet me shkatërrimin dhe me vorrosjen e të gjitha atyne tipareve burrnore dhe të nderueme të Trojeve tona kreshnike.
Poetja nuk rri me pà por, e vajton gjendjen e Shqipnisë së mjerueme:
“Vendit tonë i hupi ndera/ Si n’për jerm iku lavdia/ T’liga punë bijtën te dera/ Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”).
Vlenë m’u shpjegue kjartë urrejtja për sigurimin, ja edhe nama e saj:
“Kurrë ksi djelmsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”).
E, vazhdon… Edhe pse poetja Helena Luli ka pësue atë çka mundet me e kuptue vetëm kush e ka provue. Ajo deri në fund të jetës i mbështetet Zojës së Shkodrës, ku gjen se aty asht themeli i edukatës së Shkodrës:
“Ty amanet/ Ta lamë Shqipninë/ O Zojë e dashtun/ Na kthe lirinë!”
Shpresa e plotë dhe e palëkundun e një Martirës së Vërtetë Shqiptare!
Vargu ku shihet kjartë madhështia shpirtnore e poetes sonë Helena Luli (Mirakaj)! Ajo asht Përjetësisht ndër shekuj e Paharrueshme!
Poezitë e saj nuk duhet të vonohen pa u studjue ndër shkollat tona!
Detyra kryesore e studimit tyne duhet të fillojnë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe, të hyjë ndër shkollat shqipe jashtë Atdheut, atje ku eksodi dhe persekucioni ka largue breza të tanë të nderuem!
Jo pak shqiptarë i kanë jetue vargjet e poezitë e Helena Lulit (Mirakaj)!
Breznia e Helenës asht ndër ma të nderuemet e Shqipnisë masakrueme!
Nderoni ato Figura që sot e meritojnë o Vllazën e Motra Shqiptarë!
Kujtoni gjithmonë se ndër petkat e zeza të Helena Lulit (Mirakaj), do të gjeni të shkrueme me shkronja të bardha dhe t’arta, kujtimet e një Kalvari të pafund që e vazhdon prap sot populli shumvuejtun i yni!
E pra, Shqiptarët asnjiherë nuk e kanë meritue kët shtypje barbare!
E mos harroni asnjëherë ato nana të vuejtuna të Shkodërloces, që me këto vajza përdore shkonin çdo mëngjes ndër livadhe me ba normat, dhe ndoshta pa pasë se çka me ua lagë as gojën loçkave të veta, u kalonte dita t’unëshme derisa kah darka Nanat e shkreta kthenin në shtëpijat boshe, ku s’kishin asgja me hangër as për vedi e as vocrraket e tyne.
Jo vetëm nji vorfni e skajshme, po edhe e vazhdueshme ndër të gjitha trojet tona pa asnjë shpresë me pa një ditë ma të mirë! Kaluen muej e vjete të zhytuna në skam, vorfni dhe vuejtje po, ajo ma e vështira ishte se: As nuk shihej kund një rreze drite n’at mbretni vorfnije e fukarallëku!
E ndoshta sot, fjalët e mija janë të pabesueshme nga trashigimtarët e atyne katilave barbarë e hajdutë që jo vetem vorfnuen Shqipninë, po edhe e kthyene në Tokë të shkretnueme me shpopullimin kriminal komunist!
Kush e mendonte një qeverisje antikombtare si ajo që ka sot Shqipnia?
Askush! Vetëm tradhëtarët e Atdheut dhe hajdutët e djeshëm vrastarë!
Europa asnjiherë nuk duhet ta pranojnë kët që po ngjet në Shqipni!!
A e kujtoni ndonjëherë ju o europjanë, se Trojet e kujt po mbesin shkret?
Europa asnjëherë nuk duhet pajtohet me atë që edhe po “përsëritet”!!
Si mundet Europa me u pajtue me anijet e mbushuna me shqiptarë, që po largohen nga Atdheu për mos me u kthye kurrma në Trojet e veta?!
E asnjiherë mos i harroni ato Nana të Nderueme për sjellje e nder bash asokohe, kur gjithçka komunistët barbarë e përdornin kundër tyne!
E mos harroni se pa Emnat e Tyne të Nderuem Shqipnia nuk bahet!
E kush ishin Ato që për sa vite e mbajtën Atë Tokë të njomun me lot!
Kurrë mos harroni se ato Shkrimtare, ishin dhe janë edhe sot ndera e lavdia e Shqipes sonë Dykrenare të Gjergj Kastriotit dhe Nanës Terezës!
Melbourne, 10 Gusht 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.