back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nuk ka problem none… nga Lili Kristuli

Gazeta

Lili Kristuli
Lili Kristuli
Këtë përjetim nga nëntë ditë në Tiranë i doktoreshës Lili Kristuli e lexova sot në ag.
Sa kam qesh në pjesën e parë aq edhe trishtim pata duke lexuar më tej.
Tek këto ndjesi derdhur në letër gjej edhe përjetime vetiake
si dhe ato të plot miqve që si unë nga larg vinë. Nga thellësitë e mia vinë imazhe të hershme,
si pas një velloje të lagësht shiu Tirane, që bie e bie pa rreshtun. Kujtime…
Tonat dhe ato të brezave para nesh, të tjerave para tyre, e kështu me rradhë.
Ku mbetën ajo bukuri e fshehur, ajo dhimbje e hare, ato aroma malli?☘️
gentiana kone
 

Nuk ka problem none…

nga Lili Kristuli

Taksia mer djathtas, e qëndron para një pallati diku aty te Zogu i Zi. Nuk është këtu hoteli, them. Dy minuta, sa të takoj një shok. Taksisti ul xhamin, seç flet më një tip që pi cigare mbështetur te një shtyllë. Tipi nxjerr nga xhepi një zarf, ia jep taksistit, përshëndet, haj shnet e mbështetet përsëri te shtylla. Jam vonë, them. Nuk ka problem none (none? më marsh të keqen ) e i jep gaz taksisë. Papritur bëhet elokuent.
-Sa kohë ke që nuk ke ardhur në Shqipëri?
-Dy vjet. Që para Kovidit.
-E sheh si ka ndryshuar Tirana ? Edi ka bërë shtet, bravo i qoftë.
-Kjo është sikur të të them ty, bravo të qoftë që ngave taksinë e me çove në destinacion.
Nuk e kapi metaforën, ndaj vazhdoi:
-Sipas një organizate, nuk me bie ndër mend emri, Shqipëria ze vendin e parë në botë për sigurinë e turistave. E kam dëgjuar me k’ta veshë.
Në radio japin lajmin se te Komuna Parisit kishin qëlluar një shqiptar.
-Oh! të paktën turistët janë të sigurt!
-Mos kujto se në Itali janë më mirë, ma preu taksisti, aty s’guxon të dalë gruaja vetëm se është plot me talebanë.
-Nga e di ti?
– Aty kam gruan dhe gocat. Do iki edhe unë. K’tu nuk rihet…
Të nesërmen, mora vesh se kishin vrarë katër turistë. Ishallah nuk e merr vesh ajo organizata që na kish dhënë vendin e parë.
Taksia ndaloi para një pike Vodafon afër hotelit. Një vajzë e re, zësherbetosur-përshëndetje, me se mund t’u ndihmoj-m’a komplikoi të qenët.
I kërkova paketë për Italinë dhe Shqipërinë. Më duhet edhe një telefon.
-Ne nuk kemi telefona.
-Ku mund ta gjej?
-Te rruga Muhamet Gjollesha.
-Është larg!
-Nuk ka problem none (ja dhe kjo, none, u më març pleshtat!) Dil te sheshi Uilson e merr taksi.
-Te sheshi më duket se ka një pikë Vodafoni apo jo?
-Ah po, edhe aty ka.
Dal me nxitim, po me aq nxitim le valixhen te hoteli e nisem për ke sheshi. Rrugës, as 50 metra më tej se pika ku shërben zësherbetosura, ka një dyqan që shet telefona. Ble të parin që më ze syri e kthehem te Vodafoni. Ia përsëris se më duhet paketë për Shqipërinë dhe Italinë. Ma kish bërë vetëm me Shqipërinë. E kuptova kur shkova në dhomë e i telefonova sime bije d.m.th. nuk i telefonova dot. Shkova për herë të tretë te Vodafoni. Duhet paketë me Italinë, thotë pa të keq vodafonistja sheqerpare. Ime bije kishte telefonuar ndërkaq në hotel se ishte merakosur që nuk ishim dëgjuar akoma. Po shkonte ora 21. Nuk i telefonova që të mos zgjoja nipat ( e mori vesh nga punonjësja e hotelit që kam mbërritur e jam mirë). Të nesërmen, sidoqoftë nuk i telefonova dot. Pres sa hapet Vodafoni. Një tjetër punonjëse zësherbetosur-përshëndetje, me se mund t’ju ndihmoj-më sqaroi, fillimisht ëmbëlsisht, pastaj gjithnjë e më e nxehur, meqë unë nuk e kuptova me herë të parë, as me të dytë, e në doni ta dini, as me të tretën herë, se oferta ishte 4G, ndërsa telefoni im 3G, ndaj nuk i përballonte dot telefonatat. Nuk ka problem none (nona e sat’ ëme!) bli një paketë të re. As tani që po shkruaj nuk e kuptoj se ç’do me thënë ajo 3G e përse ma bënë ofertën 4G mbrëmë. Me sa duket ato gocat gojësherbet kishin ndonjë pikë G tepër.
Pas kafes me krushkën te lokali afër librarisë Art’s, mora një taksi për t’u kthyer në hotel. Sa kaluam semaforin e parë, taksisti më thotë-None nuk e ke problem të zbresësh këtu, se shof që u bë trafik i madh aty te ministritë. (Meqë jam none, duhet ta kam problem apo jo?)
Te konservatori, aty rreth orës 18 kishte një ekspozitë fotografike me veshje popullore. Pjesëmarrës plot. Vetëm unë me maskë. M’u duk vetja si dhia ndër dhen. Hiqe, thotë njëri te hyrja, nuk ka problem. I ktheva krahët me shpejtësi që të mos dëgjoja atë “none” me të cilën nuk po mësohesha dot sa herë nuk kishte ndonjë problem. Pritej të vinte dikush nga qeveria. Ndonjë minister, o Velija dora vetë. Një grup muzikantësh e një këngëtare lezetonin ambientin. Duke qenë astemia nuk përfitoj dot nga shampanja qyl, e shyqyr, se përndryshe, në kthim për në hotel, do më vinte ca si siklet nga lypsi te rruga e Librit Universitar.
Ndeza Tv. Kronikën e ekspozitës nuk e hasa gjëkundi. Me nostalgji shoh filma shqiptarë të viteve 70/80.
Mbasi morali i shëndetshëm socialist i filmave me stërngopi, hedh një sy të shpejtë nëpër stacione të tjera televizive. Në kuvend, kuvendohej. Ndoshta rastisa në momentin e gabuar sepse nuk dëgjoj ndonjë vendim vendimtar të vendosur.
Ndërroj kanal. Analistët, analizojnë të paanalizueshmen në mënyrë analitike. Opinionistët, më venë në gjumë.
Me tu gdhirë nisem për Selitë, te qendra shëndetsore.
Po presim ministren! thotë e egzaltuar infermierja e as që e merr mundimin të dëgjojë përse kam shkuar aty. Vura re dy kameramanë e pesë pararoja të ministres. Prit në korridor, më fton një nga pararojat, se bën numër. Nuk rastisa ta shoh në lajme kronikën e suksesshme të asaj vizite ministreshe. Mos besoni po deshët, po kameramani që filmoi një vajzë me librezën e vaksinimit në dorë, i kërkoi të buzëqeshte. Ajo ishte me maskë, vendosur në mënyrë korrekte, mbi gojë e hundë!
Nuk ia vlente të prisnja sa për numër deri sa të vinte e të ikte ministrja. Nuk do ma varte njeri! U ktheva te hoteli, në fillim të rrugës Komuna e Parisit. Shtëpia ime është diku më lart, afër Qendrës Kristal. Nisem drejt shtëpisë. Duhet të paguaj dritat e ujin dhe t’a mobiloj.
Mbas bustit të Selam Musait rruga bëhet një kalimshe. Megjithatë shoferat kanë nxitim. Më bën përshtypje dyshja makinë-këmbësor. Makinat nxitojnë, nxitojnë gjithmonë për diku. Kalimtarët, të shumtë, ecin ngadalë, të ngeshëm, si dite feste e i kthejnë trotuaret më të trafikuar, më të çoroditur e me kaotikë se rruga. Të quajnë none, por askush nuk të hap rrugë.
Trotuari i djathtë te rruga Tish Daija ( kalova menjëherë djathtas, sepse majtas, që nga larg, ndihej duhma e kazaneve te plehrave) pra trotuari i djathtë, fillonte me dy metra gjerësi, ngushtohej papritur në 20 cm nga një cep skiç i një pallati, zgjerohej më tej një metër, por sidoqoftë duhet të bëje dredha për të kaluar sepse mu në mes të tij kishte një rresht me pemë, rrethuar me korniza katrore betoni sipas standartit europian: 60 cm x 60 cm.
Pak më lart, në mënyre alternative , një pemë, një shtyllë, një pemë, një shtyllë nga e cila varej e shtrihej deri përtokë një tel kaçurrel. Nuk duhej të ishte elektrik meqë kalimtaret para meje shkelnin pa teklif mbi të.
Lagja qenka me standart të lartë jetese, më shkoi ndër mend, duke parë sasinë e të pëgërave të qenve çdo dy tre hapa. Dhe kazanet e plehrave dingas.
Bëj një llogari të përafërt se ç’duhej për t’a mobiluar sa më ekonomikisht shtëpinë e u nisa për te QUT ( apo QTU? nejse) Porosita frigoriferin, lavatriçen dhe furrën. Dollapin e guzhinës do ma bënte djali i xhajës, nga java tjetër, sapo të kthehej nga Kroacia.
Elektroshtëpiaket do mbërrinin të martën.
Të martën, aty rreth orës 19 të darkës, mbërriti lavatriçja dhe frigoriferi. Shitësja, gjithmonë me zë të sheqerosur-përshëndetje, me se mund t’ju ndihmoj-kishte harruar ta shkruante furrën në faturën e shpërndarjes. Nuk ka problem none (none je vetë!) ja u sjellim nesër. Nesër nisem. Lerja çelsin komshiut. Cilit komshi? Ka akoma komshij ku mund të shkosh pa ndrojë e të të japin një copë bukë me kripë e zemër? Tani edhe ashensorët janë me çip.
Ishte vonë për të anulluar bileten. Bleva një të re për të premten. Dy ditë më shumë. Tamponi molekular i së martës, të premten nuk kishte më vlerë. Do më duhej ta përsërisja të enjten.
None (none u bëfsh vete!) meqë do rrish dy ditë më shumë, ka problem po ta ndërrosh dhomën? pyet menaxherja e hotelit.
Ndejta që ndejta, vendos të rregulloj disi shtëpinë e prindërve.
Rrëmuja e vërtetë ishte pikërisht para sheshit te pallatet Agimi. Makinat e parkuara kryq e tërthor para hyrjes, nga ku duhej të merrja disa mobilje për t’i hedhur, na detyruan ta parkonim furgonin rreth 6-7 metra më tutje, te tuneli. Nuk ka problem none, ja bënë punëtorët e më kërkuan dyfishin e çmimit. T’u thosha që nona nuk ka më lek?
Pasi punëtoret ikën, ja mbatha për në qendër; dikur e bëja çdo mbrëmje për të dalë në xhiron e madhe. Sapo dola te bulevardi m’u mblodh një kotkë në fyt: ku janë sampietrini? Janë zhdukur nën asfalt. Asfalt i cilësisë më skadente që mund të jetë prodhuar ndonjëherë. Kapërceva urën e madhe të Lanës, u hodha nga ana e Hotel Dajtit (oh si qënka katandisur Dajti!). Ku është ekspozita? Qenka fshehur pas një strukture të çakërdisur hekurash.
Sahati dhe minarja, mu dukën si punime në miniaturë. Më janë dukur mua të larta dikur apo papritur janë tkurrur nga vitet?
Ndërtesat italiane, akoma të bukura, rinin squk para kullave që i sfidonin me garipllëk nga lartësitë marramendëse.
Po mali i Dajtit ku është? Nuk duket më në horizont. Qenka tkurrur edhe Dajti!
Po rruga e maternitetit!?
Ndërtimet vertikale,që kishin marrë përpjetë kot na si koti, i jepnin ish dimensionit horizontal, Stacioni trenit-Universitet, që dikur të mbushte sytë me hapësirë, një pamje të zhubravitur.
U ndala në mes te sheshit: shesh i pakuptimtë, grotesk, pa sens, pa shije. Si të vishesh “dark” e të lyesh buzët me të kuqe.
Skeletet e hekurta për festën e zarzavateve, që një grup punëtorësh po i montonin, më pengonin të gjeja një rrugëdalje o të paktën të shihja ku mund të gjeja ndonjë stol. U ula në shesh e lotët që më ishin mbledhur në fyt, rrodhën vetvetiu. M’u dhimbs Tirana e përçudnuar në mënyrën më kriminele, më mizore e më të pashpirt që një mendje djallëzore mund të pjellë; m’u dhimbsën njerzit që ecnin ngadalë, të ngeshëm, të mefshtë, sa dukeshin si të filmuar me ralentator. Lotova për një burrë që me ngjau me tim atë, e për pak i thirra-babi! pastaj i rashë mendjes; duhet të kishte moshën time, nuk mund të ishte im atë. Lotova për faktin se fisi i madh nga ana e babit, që dikur ngatërroheshim duke numëruar, është katandisur kokoshi një thelë. Janë në Angli, Amerikë, Kanada, Greqi, Itali. Dhe e themi sikur të jenë dy hapa larg, ja aty, në Vorë, Kavajë, Rogozhinë. Lotoj sepse nuk më bënin këmbët të shkoja te shtëpia ime, sepse atje nuk ka më njeri. Duhet të shkoj në varreza për t’i takuar. Lotoj për faktin se 30 vjet më parë, ikëm se nuk kishte shpresë, e pas tridhjet vjetësh nuk duam të kthehemi për të njëjtën arsye. Lotoj se ika pa asnje thinjë, e tani me kokë të bardhë, akoma askush nuk përdor fjalën zonjë, si respekt suprem ndaj një gruaje, sepse kësaj fjale i dhamë kuptim pexhorativ, e kjo akoma vazhdon. Lotoj për fytyrën e panjohur, ku me çdo kusht doja të gjeja një të afërm, e pasi i fola me emër, e zhgënjyer i kërkova falje. Nuk ka problem none. Po, po, mosha bën të vetën. Për një kafe të pa pirë me një mik për shkak kovidi. Sa keq që nuk u pamë për një kafe. Nuk ka problem, shifna herës tjetër. Do kemi kohë një herë tjetër?
Ndoshta për faj të muzgut, veshjet e kalimtarëve, bardhë e zi, kafe, bezhë, gri, binin ndesh me ngjyrat e ndezura, të bukura, që m’i kish zënë syri nëpër dyqane. Popull i zbardhëllyer. Milet i çngjyrosur.
Fytyrat verdhacuke, me zgavra të futura, supe të rëna, që mendushëm mbushin tavolinat para lokaleve, mbështjellë nga rrathë tym duhani, duken si figura legjendare të ardhur nga shekujt. Po aq mendushëm rufisin kafenë edhe ata që janë brenda lokalit: nuk na pëlqen jeta që kemi, e dimë që nuk është e drejtë ç’ka po ndodh rreth nesh, thonë sytë e trishtuar. Rini e trishtuar para kohe.
Trishtimi si vuajtje intelektuale, ka aftësinë të të japë një pamje interesante. Duhet pak fare për t’u dukur interesant. Para një filxhan kafeje, mbrapa xhamave ku shkruhet-ndalohet hyrja pa maskë-dhe e vetmja revolte personale për lirine e munguar është hyrja pa maskë, cigarja elektronike, e psherëtima, këtu nuk jetohet. Pa e artikuluar, pa i shkuar deri në fund ; Përse? e Sepse! megjithëse ndoshta sapo i ke bërë 20 vjeç e je student. Trishtimi intelektual është trendy.
Më kapën drithmat nga menderja e plevitosur ulur te pllakat vendosur pjerrtas, te një shesh që duhej të ishte i sheshtë.
I drejtohem një djali të ri, të lutem më ndihmon të ngrihem?
Nuk ka problem none, e më zgjat dorën. Rrofsh o bir!
E premte, ora 5.20 Duhen edhe 10 minuta që të ngrihet avioni.
None, e ke problem të ndërrojmë vend?
Nuk ka problem të keqen nona.
Është akoma errësirë kur avioni ngrihet, e nga dritarja dallohen dritat e Tiranës. Tirana amorfe, si një amebë, përshtatet herë duke u shtriqur, herë duke u kruspulluar, pa Përse e Sepse.
Nuk ka problem o nënokja Shqipëri.
.
Marre nga muri i FB i Lili Kristulit, 26 dhe 27 tetor 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.