back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Nuk ndalet shkatrrimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve – nga Frank Shkreli

Gazeta

Dom Nikë Ukgjini pranë Kishës 700-vjeçare të shembur në Lezhë, shpallur “Monument Kulture”, nga viti 1973 (Fotot Dom Nikë Ukgjini)
Dom Nikë Ukgjini pranë Kishës 700-vjeçare të shembur në Lezhë, shpallur “Monument Kulture”, nga viti 1973 (Fotot Dom Nikë Ukgjini)

Nuk ndalet shkatrrimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve

nga Frank Shkreli

Shembet kisha 700-vjeçare në Zejmen, Bashkia Lezhë!

Lexuesve mund t’u kujtohet se një ndër çeshtjet për të cilat kam shkruar gjatë viteve është edhe subjekti i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, ose më mirë e thenë, shkatërrimi i saj, anë e mbanë trojeve shqiptare. Megjithëse larg trojeve shqiptare përpiqem të ndjekë zhvillimet dhe ndodhitë në atdhe – të mirat e të këqiat. Trashëgimia kulturore e shqiptarëve është një ndër subjektet që e kam mbuluar nga koha në kohë, duke përfshir lënjen pas dore të “Kishave të Shasit” (të shekullit IV-V) në rrethin e Ulqinit, ku për vite tani, Kisha Ortodokse serbe përpiqet t’i shpallë si të sajat, Shtëpia e harruar ku ka jetuar Poeti i Kombit, At Gjergj Fishta e deri në jug në Frashër, “Vendin e Shenjtë të shqiptarëve”, vendlindjen e tre vëllezërve të mëdhenj, Avdyli, Naimi dhe Sami Frashëri. Këta shembuj, ndër të tjerë, që unë dhe të tjerë kemi trajtuar gjatë viteve, shumica gjënden brenda kufijve të Shqipërisë, siç është shtëpia e Fishtës dhe Frashëri, vendlindja e tre vëllezërve të mëdhej të Kombit, por edhe monumente historike anë e mbanë trojeve shqiptare siç është “qyteti i kishave”, në Shas nën Malin e Zi – për të cilët nuk kujdeset askush, megjithëse janë pjesë e pandarë e trashëgimisë kulturore, fetare, historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Të gjitha këto monumente historike, shumë prej të cilave janë shpallur zyrtarisht monumente të Kulturës nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, e cila ka si mision të veçantë ruajtjen dhe përkujdesjen për momente të tilla, janë në mëshirën e kohës dhe të individëve që i kanë venë vetes detyrën si shqiptarë për të bërë çmosin për ruajtjen dhe për informimin e publikut të gjerë për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden sot monumentet historike, të cilat përbëjnë trashëgiminë kulturore dhe historike të Kombit shqiptar. Njëri prej këtyre aktivistëve mbrojtës të trashëgimisë kulturore të Kombit shqiptar është edhe Dom Nikë Ukgjini, i dalluar për veprimtarinë e tij në këtë fushë, më njoftoi para disa ditësh se Kishës së Shën Nikollës në Zejmen, Bashkia Lezhë e shpallur “Monument Kulture” që në vitin 1973, nën regjimin komunist, i janë shembur muret anësore, ku në pjesën e murit verior mbante në vete gjurmë të konsiderueshme të afreskeve të shekullin e XIII. (Shikoni disa foto më poshtë). Pak histori, sipas Dom Nikës, për Kishën e shembur si pasojë e harresës dhe mos-kujdesjes nga autoritet qeveritare shqiptare të Ministrisë së Kulturës:
Mbi fushën shkëmborë të Zejmenit, përballë, Kishës se Pllanës, gjendej Kisha më mure të plota, e ndërtuar dhe rindërtuar disa herë për shkak të dëmtimeve që i janë berë gjatë pushtimeve Osmane për 500 vite me radhë. Kjo kishë përmendet në relacionet e Marin Bicit në vitin 1610, si objekt kishtar me vlera të mëdha arkitekturore, me hajat për 200 persona. Dom Nika raporton nga vend-ngjarja se dhe më shume afreske të shpërndara në gjithë ambientin – tashmë pjesët e rëndësishme të saj, për shkak të mosmirëmbajtjes nga Ministria e Kulturës – mjerisht nuk ekzistojnë më, njofton Dom Nikë Ukgjini. I ndihmuar edhe nga tërmeti gjatë këtyre ditëve dhe dëmtimi i kohës, benë që dy muret të jenë rrafshuar për tokë, shtoi ai.
Dom Nikë Ukgjini thotë se, sidomos, gjatë vitit të kaluar e ka vizituar disa herë atë kishë-monument kulture, më qëllim që t’i përvisheshin punës së bashku me bashkëpuntorin e tij, Fra Landin, për përforcimin dhe restaurimin e mureve dhe për vendosjen e një çatie provizore në mënyrë që të ruhej nga shkatërrimi i mundshëm ajo pasuri me vlera të mëdha kulturore dhe historike për Kombin shqiptar. Por, sipas, Dom Nikës, ndodhi ajo që ndodhi. Ai raportoi se kishën e rrënuar e vizitoi me18 janar 2022 së bashku me bashkpuntorët e tij, Fra Landin dhe Dom Pashkun. E vizituam, tha ai, “Me zemër të plasur për ta parë ashtu të shtrirë për tokë, por me shprese se do gjejë forcë për t’i ringritur ato mure edhe njëherë dhe për t’i kthyer ato në gjendjen siç kanë qenë, por, njëkohësisht, i vetëdijshëm se asnjëherë nuk do jetë ajo zonjë që ishte si dëshmitare e një historie 700 vjeçare të dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar”, u shpreh me dhimbje në zemër Dom Nikë Ukgjini për shembjen e Kishës së Shën Nikollës në Zejmen, Bashkia Lezhë e shpallur “Monument Kulture” që në vitin 1973.

Kisha e rrenuar e Shën Nikollës në Zejmen
Kisha e rrenuar e Shën Nikollës në Zejmen

Top Channel/ Shembet kisha 700 vjeçare. Lezhë, dëmtohen afreske të vjetra të kishës.
Janë disa mënyra se si zhduket trashëgimia kulturore dhe historike e një vendi, ose e një kombi. Monumentet historike ose vendet e trashëgimisë kulturore të një kombi shkatërrohen si përfundim i ndonjë lufte ose konflikti, ose edhe nga fatëkeqsitë natyrore. Por, në shumë raste, për fat të keq, shkatërrimi dhe zhdukja, me kohë, e trashëgimisë kulturore ndodhë edhe nga edhe pakujdesia njerëzore ose mosinteresimi zyrtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të një kombi. Dihet se kur bëhen përpjekje dhe thirrje për të ruajtur dhe mbrojtur nga shkatërrimi trashëgiminë kulturore të një vendi ose kombi, kjo bëhet me qëllim për të mbrojtur identitetin kombëtar të një populli dhe, natyrisht, si rrjedhim, që të ruhet dhe të mbrohet edhe kultura dhe historia kombëtare e një vendi.
Alarmi i Dom Nikë Ukgjinit me shokë për shembjen e Kishës 700-vjeçare në rrethin e Lezhës, mund të konsiderohet si një zë nga shkretëtira që nuk e dëgjon kush. Por, ama, Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe organet e tjera përgjegjëse të shtetit shqiptar duhet të dëgjojnë urgjentisht, zërin e këtyre aktivistëve dhe mbrojtësve të monumenteve dhe vendeve historike në trojet shqiptare, që janë pjesë dhe që me ekzistencën e tyre, flasin për një qytetërim të lashtë e të pasur të Kombit shqiptar në ato anë. Në një citim në portalin e UNESCO-s lexova: “Shpesh herë është e pamundur të dihet se ç’drejtim do merrash në të ardhmen, pa reflektuar se nga vjen. Njohja e trashëgimisë kulturore, e rrënjëve stërgjyshore dhe trashëgimisë kombëtare, është shumë me rëndësi për të vendosur të ardhmen.”

Kisha e rrenuar e Shën Nikollës në Zejmen
Kisha e rrenuar e Shën Nikollës në Zejmen

Në këtë fushatë fisnike, Dom Nikë Ukgjini dhe bashkëpuntorët e tij kanë nevojë, jo vetëm për mirëkuptimin e të gjitha shtresave të shoqërisë që i shqetëson situata në të cilën gjenden monumentet historike të trashëgimisë kulturore të kombit, por kanë nevojë për ndihmën urgjente të enteve qeveritare siç është Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë. “Monumentet janë për të gjallët, jo për të vdekurit. Kujdesuni për to, duajini dhe kalojuani brezave të ardhëshëm, ashtuqë edhe ata të dinë dhe ta njohin rëndësinë e tyre. Nëqoftse ne nuk shqetësohemi dhe nuk kujdesemi për të kaluarën, ne nuk mund të shpresojmë për të ardhmen”, ka thenë dikur, Xhaklinë Kennedy, bashkëshortja e ish-Presidentit amerikan, Xhon Kennedy.
Në mos asgjë tjetër – alarmi i ditëve të fundit nga Dom Nikë Ukgjini dhe kolegët e tij, për ruajtjen dhe riabilitimin e këtyre monumenteve, përfshi edhe Kishën e shembur 700-vjeçare në Lezhë – të paktën shpresoj që të ringjallë një debat aktual, të shkaktuar nga gjendja e mjeruar e trashëgimisë kulturore kombëtare – mbi shqetësimet që duhet të kemi të gjithë për të tashmen dhe për të ardhmen e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore të kombit. Sepse, përsëri, sipas një citimi nga organizata, UNESCO, “Gjërat që një komb vendos t’i ruajë dhe t’i mbrojë si trashëgimi kulturore, janë, pikërisht, gjërat me të cilat ai komb dëshiron ta paraqesë dhe të identifikojë veten para botës dhe para vetes”.

Kisha e rrenuar e Shën Nikollës në Zejmen
Kisha e rrenuar e Shën Nikollës në Zejmen

Raste si shembja e Kishës 700-vjeçare në Zejmen të Lezhës, të paraqitura para publikut shqiptar nga Dom Nika dhe bashkëpuntorët e tij, këto ditë, duhet të alarmojnë të gjithë dhe shpresoj që, njëkohësisht, edhe të zgjojnë interesimin dhe ndërgjegjen por edhe zemërimin mbarëkombëtar për gjendjen aktuale të monumenteve kulturore, madje edhe atyre të shpallura me ligj si, “monumente të kulturës”, e që duhej të mbroheshin nga shteti. Ndërkaq, edhe të bëhet pyetja: Nëse me të vërtetë është duke u bërë mjaft në mbështetje të trashëgimisë kulturore dhe historike, ruajtjes së identitetit kombëtar, traditave dhe vlerave të kombit shqiptar, në përgjithësi, të cilat po vihen në dyshim dhe po sulmohen, madje edhe sot nga ata që me shekuj janë munduar t’i mohojnë Kombit Shqiptar, historinë dhe identitetin kombëtar? Dhe si rrjedhim, të kërkohet llogari nga ata që janë përgjegjës, për situatën e krijuar. Siç kam thenë e dhe herë të tjera në lidhje me këtë subjekt, detyra numër një e çdo qeverie, është mbrojtja e sigurisë së shtetit dhe interesave kombëtare, pjesë e të cilave është edhe mbrojtja e identitetit kombëtar, e kulturës, historisë, gjuhës dhe traditave të një populli, por edhe ruajtja e nderit të emrit shqiptar, do të porosiste Naim Frashëri!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.