back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nuk ra kurrë një kambanë! – nga Ilir Demalia

Gazeta

At Anton Harapi (1888-1946)
At Anton Harapi (1888-1946)

Nuk ra kurrë një kambanë!

nga Ilir Demalia

E vërteta e bashkëpunimit të At Anton Harapit me nazistët,
si u pushkatua me 24 plumba në 1946,
mospranimi për të ikur nga Shqipëria,
me avionin e diplomatit Herman Neubacher.
.
Ilir Demalia
Ilir Demalia
Prej një jave, prej ditës së Shën Valentinit, ka pllakosë një heshtje varri për atin, të cilit iu derdhën 23 plumba më 14 shkurt 1946 mbi veladonin e tij, me urdhër të prokurorit Misto Treska, i cili i dha plumbin e 24-t në kokë, për të konfirmuar vdekjen e tij me “Colpo di Grazia”. Prokurori Misto Treska është dekoruar nga Demo(n)kracia në vitin 2004 “Qytetar nderi i Korçës”. Në vitin 2006, librarisë së lagjes numër 5 në qendër të Tiranës i vihet emri Misto Treska, me vendim të Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Edi Rama. Në vitin 2010, po Edi Rama, në nder të veprës së Misto Treskës, me vendim bashkiak i vendos emrin një rruge në qendër të Tiranës. Në 2018, ministri Ditmir Bushati e nderon me “Medalje mirënjohjeje”. Heshtja prej vlerësuesve të Misto Treskës për atin është krejt normale, si vazhdimësi trashëgimore e së njëjtës kulturë dhe filozofi politike. Por nuk mund të pranohet të heshtë një media e tërë. Nuk mund të pranohet mos dalë një zë intelektuali e të kujtojë këtë figurë intelektuale kalibri dhe nacionalisti të pashoq, edukuesi dhe shërbëtori për popull të vet. Është mëkat i rëndë dhe i pashlyeshëm për Kishën Katolike Shqiptare dhe klerin françeskan, që nuk u mbajt një meshë, nuk ra një kambanë për birin e saj që vdiq me fjalët: “Për Krisht e Atdhe”.
 
Përse? E quajmë akoma kolaboracionist!? Dritëshkurtësi. Injorancë. Mosnjohje historike si vazhdimësi e luftës së fitimtarëve. Mosndërgjegje dhe trushpëlarje shoqërore.
Kush ishte Patër Anton Harapi dhe vepra e tij, ligjëratat, politikat ideologjike, mësimet pedagogjike, analizat e një syri të hollë dhe e një mendjeje të ndritur për problemet e çështjet sociale, në kontributet e çmueshme në kulturën shqiptare dhe ndriçimin që i dha me sivëllezërit e tij paraardhës françeskanë kulturës shqiptare dhe ngjizjes së tharmit kombëtar në edukimin e rinisë?
Anton Harapi lindi më 5 janar 1888. Emri i shugurimit në urdhrin françeskan ishte Anton dhe emri i pagëzimit Gaspër. I biri i Loros dhe Çile Koliqit, një tjetër familje me vlera në ndriçimin dhe edukimin e kombit. Së bashku me të vëllanë Markun, të thirrur nga rruga e kishtarisë, hyri në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore, pastaj kaloi në gjimnazin e françeskanëve. Shkëlqeu në këtë gjimnaz si një gjeni dhe kështu iu mundësuan studimet e larta në Salsburg, Schwac e Villach të Tirolit të Austrisë dhe më pas në Romë për teologji. Në 1910, kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar. U kushtohet shërbesave fetare deri më 1913, në kishën “Zoja Rruzare” në Shkodër, vite dramatike për shqiptarët mbas pavarësisë. Shkodra po copëtohej nga Fuqitë e Mëdha për t’ua dhënë serbëve e malazezëve. Në 1916, ky frat i vogël në trup, por me një zemër mal e me një formim e bindje shërbëtori për grigjën e tij, në moshën 25-vjeçare, me zhgunin e tij e sandalet e atit, vraponte katund- m’katund të Dukagjinit për me ndihmue dhe me shpëtue njerëzit e prekun prej murtajës së kolerës.
Patër Anton Harapi është organizatori i tri bajraqeve Hot, Grudë e Triepsh, që i dorëzuan komandantit francez në Shkodër memorandumin e përgatitur nga vetë Padre. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe P. Gjergj Fishtën harton peticionin e nënshkruar nga paria e 200 përfaqësuesve të tre bajrakëve të lartpërmendur, drejtuar përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër organizuan demonstratën tek Ura e Maxharrit, duke brohoritur: “Hot e Grudë ishin betua/Pa gjak malet mos me i l’shue…”
.
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist

Në mars-prill të 1923, merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të rinjtë E. Koliqi dhe Z. Harapi, të shoqërisë “Bogdani”, gjegjësisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, qe bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë.

Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij te Lëvizja e Qershorit, me fitoren e Legalitetit, më dt. 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për do kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femërore të Motrave Stigmatine, po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”, siç kishte shkruar gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe më tej te “Zani i Shna Ndout”, ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Më 1937, kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë. Ai ishte kundër fanatizmit, ishte për edukimin rinisë me frymë aksidentale, që vinte jo vetëm nga besimi i tij si fe, por edhe formimi dhe kultura e tij dhe kjo ishte fryma e klerit katolik. Jo më kot Enver Hoxha e shkatërroi me themel klerin katolik, sa sot nuk kujtohet kush me i ra kambanës për një nga njerëzit më të lartë të klerit katolik Patër Anton Harapit!
Libri i tij i parë është “Edukata ase mirërritja e fëmijëve” në 1925. Por “Andrra e Pretashit” është vepra e tij e plotë dhe më e arrira. Pa dyshim, Patër Harapi mund të quhet njohësi më i mirë i mendimit filozofik, atij klasik dhe atij bashkëkohor, dëshmuar përmes punimeve të tij. Në dhjetor të 1937 u formua “Veprimi Katolik”, ose siç u quajt më vonë Partia Demokristiane, ku kryetar u zgjodh imzot Gaspër Thaçi dhe nënkryetar Patër Anton Harapi. Gjyqit të tij nga komunistët në janar-shkurt 1946 do t’i printe një artikull i Enver Hoxhës në gazetën “Bashkimi”, artikull që ishte dhe pretenca e Patër Anton Harapit. Hoxha kishte qenë në një ballkon me të në Shkodër, në ceremoninë e varrimit të eshtrave të Çerçiz Topullit e Muço Qullit, ku Patër Antoni mbajti fjalën e lamtumirës. Enver Hoxha jo vetëm që do të retushonte foton në ballkon, ku ishte duke folur Patër Harapi, por nuk do të përmendej asnjë germë nga fjala e tij për 50 vjet. Në fjalën e tij, Patër Anton Harapi do të thërriste:
“Ndaluni! Ku veni burra?!
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!
…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin tuej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë. Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”
Është akuzuar si fashist, por ky fakt bie në kundërshtim nga arkivat dhe dokumentet e Romës, nga del qartësisht që Patër Anton Harapi, Fishta dhe të tjerë klerikë ishin kundër pushtimit dhe organizuan protestat e para në Shkodër, kur komunistët ishin kurrkund në ndonjë aksion. R. M della Rocka shkruan në veprën e tij (f.74) “Ipeshkvit shqiptarë nuk ishin në gjendje të kontrollonin françeskanët, krenarë që vareshin vetëm nga superiorët e tyre shqiptarë, të cilët ishin tej mase autonomë ndaj tutelës së superioritetit të përgjithshëm që ndodhej në Romë. Në Këshillin e Regjencës, Patër Anton Harapi nuk u zgjodh për interesa të tij apo për karrierë si gjermanofil”. Jo, ai sakrifikoi veten dhe nderin e tij për gjendjen në të cilën ndodhej kombi. Po të lexohet fjala e tij kur mori regjencën, është një traktat që duhet studiuar në katedrat filozofike, politike, diplomatike. E kuptojnë qartë atë traktat ata që kanë sy e arsye, jo ata historianët e shpëlarë trush prej dogmës dhe shërbimet ndaj regjimit komunist, që nuk kanë as sy e as arsye. Patres, i dhimbet kombi, atdheu, populli. Në një kohë që përpos shqelmave të të mëdhenjve, siç shkruante Padre, nji katakombe dhe më rrënuese ishte lufta vëllavrasëse e nxitur nga komunistët.
Patër Anton Harapi hyri me regjencën më 13 janar 1944, për me shpëtue të shpëtueshmen. Ai në mendimet dhe bisedat e tij e kishte të qartë që gjermanët e kishin marrë tatëpjetën dhe anglo-amerikanët do të fitonin luftën. Por ishin rrethanat dhe momenti historik, anarkia dhe padija që kishin sunduar vendin, ku çdo horr e quante veten Bonapart! Çdo dallkauk e quante veten Washington! Çdo batakçi e quante veten filozof! Njashtu si sot. Kjo gjendje e detyroi Patren me marr nji vendim të tillë, ku më parë ishte njoftuar dhe Vatikani, pasi, sipas normës kanunore, Patër Harapi nuk mund të vendoste vetë për një vendim të tillë. Ai Vatikan që sot hesht për Patren, për martirizimin e tij! Për turpin e Vatikanit, Patër Harapi jo vetëm nuk u fut në listën e kanonizimit nga Papa, por as nuk u përmend nga ana tyre edhe prej heshtjes së Kishës Katolike Shqiptare sot që… Pse u bë anëtar i regjencës Patre, më mirë se e thotë ai në fjalën e tij, ku nuk lë shteg për interpretim, nuk mund ta thotë askush më qartë. Komunistët, me qëllim falsifikimi historik dhe denigrimi të figurave kombëtare që vunë themelet e kombit, falsifikuan gjatë sundimit të tyre gjithçka si “fitimtarë” të shkatërrimit të vlerave dhe së vërtetës historike, me historiografët e tyre, letrarët e tyre, artin dhe muzikën e tyre, e vazhdojnë ende sot me këmbëngulje mbrojtjen historike të dogmës komuniste si shërbëtorë të denjë, pa një raport me ndërgjegjen për vrasjen e ajkës dhe vlerave të kombit, siç është dhe Patër Anton Harapi, në kurorën e vlerave kombëtare. Më 13 dhjetor 1943, Patër Anton Harapi do të betohej si anëtar i Këshillit të Regjencës. Ishte kohë dramatike. Shumëkush mundohej me iu shmangë përgjegjësisë për me ndejtë “i papërlyem”, siç do të thoshte Patër Anton Harapi në fjalën e tij. Ishte një kohë ku “të ndershmit” kërkonin të justifikoheshin me paanësi, të ruanin “pastërtinë” për një kohë tjetër, kur çdo gjë ishte shkallmuar si funksion shtetëror dhe të mëdhenjtë po kacafyteshin për pazaret në ndarjen e të vegjëlve. Këto pazare e lanë Shqipërinë nën komunizëm. Në këto momente dramatike, Patër Harapi iu gjegj apelit të atdheut, duke “përlye” veten. Ja si do ta fillonte ligjërimin e tij më 13 janar 1944, kur u betua si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës:
“Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin: due ta thom fjalën teme. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa për fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak? – Ja, pra, se nji punë e mirë u ba: mbas sa muejsh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq – kemi nji Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeverí, kemi nji auktoritet shqiptár. Ketë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mij mrrijtën: Shka iu desht Patër Antonit me ia hy kësaj pune? Këtyne due t’iu përgjegji, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin tem dhe të tyne. Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mire të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem. Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta ta shoh Shqipnín n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonín shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejmë fijen lamshit; delikt asht në ketë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.
-Maní… E po, si kujton Patër Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnín?! … Jo, zotní! Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra? …Shqipnín do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon: të përpiqemi me të gjitha fuqit për ta pakësue mjerimin dhe shëmtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë se jemi njerëz nevoje, d. m. th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në ketë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur të vogël për konsolidimin e çështjes shqiptare, do të jemi të lumtun. “- Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni ta baj ketë hap: Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipní burra të zotët, qi të marrin pergjegjësi publike dhe të mos flijojnë vehten për kolektivitetin?! Mospranimi i bashkëpunimit në ketë rasë – me e shikue hollë për mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnísht të jap kontributin tem për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, ma parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin tem personal, se sa me rrezikue veten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija!”.
.
Statuja e Masakrimit të Klerit Katolik
Statuja e Masakrimit të Klerit Katolik
U cilësua si antisemit! Komunistët u mburrën për 50 vjet, se në Shqipëri, gjatë pushtimit nazist nuk u vra kurrë një izraelit.
Ishte pikërisht Këshilli i Nalt i Regjencës me Patër Anton Harapin që i shpëtuan izraelitët dhe jo vetëm, por edhe partizanët në shumë raste me ndërhyrjen e autoritetin e tij te gjermanët.
U cilësua kolaboracionist, po kurrë nuk e gjet qoftë dhe një dëm që i bëri Ai kombit e popullit të vet, se për krim as nuk bëhet fjalë. I vetmi dokument si “krim” për Patër Anton Harapin, është një fotografi me gjeneralin Fitstum. Varrosen dokumentet në arkiva dhe Autoritetin e Dosjeve për Patren ende sot?!! Për çfarë ishte ai takim me gjeneralin Fistum? Në atë takim Patre i ka thënë gjeneralit Fistum se:
“Marrveshja me Rajhun ishte që trupat gjermane do ta kishin Shqipërinë si urë kalimi për në Greqi, pa cenuar dhe ndërhyrë në çështjet e brëndëshme shqiptare!”
Se sa kolaboracionist ishte Patër Anton Harapi e vërteton edhe kapitullimi i Gjermanisë, e kjo do të thotë i largimit të trupave të tyre nga Shqipëria, jo nga Lufta Nacionalçlirimtare, por nga fuqitë e mëdha, SHBA, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik, ashtu siç e pati parashikuar Patër Antoni. Në largim të trupave gjermane, diplomati gjerman, Herman Neubacher, i pati vënë në dispozicion avionin Patër Anton Harapit që të largohej me trupat gjermane ashtu siç u larguan shumë nacionalistë të tjerë! Por Patre ju gjegj:
“Kam punue për Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënim nuk ka pse më pret. Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova. Me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do të des nëse do të jetë vullnesa e Zotit, duhet me dekë aty ku më thërret detyrimi im meshtarak!”
Patër Anton Harapi është gur themeli i monumentit kombëtar në luftën dhe gjakun e derdhun për atdhe, komb e fe, në kalvarin e lumenjve të gjakut në Golgotën që kaloi Kleri Katolik si askush tjetër nga komunistët shqiptar. Vrasja e dytë është heshtja e trashëgimtarëve të komunistëve qe sundojnë në demo(n)kraci edhe me bekimin e perëndimorëve, për të cilët u dënuan Patre e të tjerë klerikë nga komunistët. Patër Anton Harapi në fjalën e tij pat parashikuar edhe tragjedinë që do i krijonin komunistët vendit dhe atij vetë së pari:
“Edhe komunistavet due t’ua tham nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata shqiptarë, të cilët vërtè e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashmâ të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipní. Kjo âsht e vërtetë, e kjo don me thanë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bajnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipní, e vetëm për Shqipní. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare – sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë tue dishmue organizatorët komunista – mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rryme shqiptare: Pse vallë komunistat veshën e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina e jo atdheu? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim nuk i lanë vend dyshimit. More, me kubure në gjoks nuk bahet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit… Gjithëmonë tue rrënue, nuk ndërtohet.
.
Pater Anton Harapi (Fotomontazh)
Pater Anton Harapi (Fotomontazh)

Preludi

Patër Anton Harapi u arrestua më 6 qershor 1945 në Pult të Dukagjinit i strehuar në shtëpinë e një vejushe katolike. Pas gati shtatë muaj torturash çnjerëzore, Patren e nxorën në gjyq në Tiranë, i gjykuar nga gjykata ushtarake, bashkë me Lef Nosin dhe Maliq Bej Bushatin. Kryetar i trupit gjykues ishte Hirakli Bozo, anëtar Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, sekretar Thoma Rino dhe prokuror Misto Treska. Gjykata speciale në Tiranë, Pater Anton Harapin do ta shpallte kriminel lufte, armik të popullit, sabotator të pushtetit. Në fjalën e fundit si një fuqi hyjnore në misionin e tij, Patre la një testament që bëri si dru trupin gjykues dhe sallën për përballimin me dekën si mbas mësimeve të Jezus. “Falnderoj Drejtësinë Popullit që po më jep fjalën e fundit në këte kohë të kritikshme për mue. Fjala jeme e fundit asht kjo: Nuk shembet Shqipnija pse gjykohet për dekë Padër Anton Harapi. Gjithashtu, nuk prishet Shqipnija nëse nuk gjykohet për dekë Padër Anton Harapi. Kur përpara 40 vjetëve, në Shkodër u përpiqshim me ba Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk duem Shqipni, por na nuk i kena vue këta n’litar. Nuk kërkoj z. Kryetar, nji tolerancë (mëshirë): unë, simbas mundit, kam derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e Revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali, e këte nuk ja njoftën për të keq, por ja njoftën për mirë. Kujtoj se edhe Shqipnija kur gjykon Regjentat, besoj se sikur t’i falin këta, nuk ka me kenë ligësi për Shqipninë, por besoj se ka me kenë mirë. Unë qëkur se kam hy në gojën e ujkut, Hausdingut, etj., jam përpjekë me ba mirë e me pështue ndonji jetë prej egërsinave. Por mekenëse ishin bisha t’egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap, me mundin tem kam pështue mjaft. A ka pasë shqiptarë të marrë si unë që, për me pështue njerëz, me shkue e me u futë vetë në gojën e ujkut?! Ka pasë që sakrifikohen moralisht. Këtë e kam thanë edhe në ligjëratën teme. Mue më shtyni marrija me shkue e me u përpjekë për me lehtësue vuejtjet e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë morale, sikurse e jueja që asht materjale. Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë. Shqipnija u fitue me gjak; me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqe e Drejtësi do të fitohet. Na edhe në vorr do të jemi ma të fortë se ju mbi dhe. Gja tjetër nuk kam me thanë i nderuemi kryetar!”
 
Në orën 6 të mbrëmjes, më 14 shkurt 1946, u hap qelia e Patër Anton Harapit. E mori lidhun këmbësh e duarsh skuadra e pushkatimit me në krye prokurorin Misto Treska. Binte shi, makina ndaloi në lindje të Tiranës, rrëzë Malit të Dajtit. E zbritën Patrën të lidhun këmbësh e duarsh, ai ecte ngadalë, mundohej me duart e lidhuna me ngrejtë veladonin me mos iu stërkalë me baltë, pak metra më tej e priste gropa e hapur. Prokurori Misto Treska i drejtohet: -Pse po ruhesh Patre, në baltë ke me shkue shumë shpejt?! Patre, duke u përpjekë me ngritë përsëri veladonin, i gjegjet: “Atje ku të shkoj biri jem, du me shkue i papërlyem si kam kenë tan jetën teme. Zoti ju mshiroftë!” I dha mëshirën e fundit, atyre, që pas pak minutash do të derdhnin 24 plumba në veladonin që nuk donte me e stërkalë me baltë, me e ruajtur të pastër, ashtu siç e mbajti gjithë jetën si shërbestar i grigjës që i shërbeu, si shërbestar i popullit e kombit vet. E hodhën në gropën e hapur, e mbuluan me baltën në tokën që Ai nuk pranoi të largohet, u shkri me të. Prej kohës së keqe dhe shiut të madh që binte, në nxitim e sipër, i lanë pjesë të trupit jashtë, këmbët. Është folur se egërsinat t’u rrëmue për ushqim e kanë shqye Patër Anton Harapin, ndërsa egërsinat që i derdhën plumbat, qenë kthyer në zyrat e shtëpitë e tyre për me zanë pjellat e tyre që me u nderue edhe sot në demo(n)kraci, kur Patre Anton Harapi është ende pa një bust kujtese edhe në Shkodrën ku ai lindi dhe shërbeu.
Miku i tij At Fishta kishte shkruar kohë më parë: O Zot, që gjuen me rrufe në lisa e male kot,/Tradhtarët na lanë pa atdhe! Ata prapë sot në krye të vendit po detyrojnë shqiptarët me zbrazë Shqipërinë e Kosovën nga shqiptarët.
“Naljinu burra, pash hatrin e Zotit, ku po shkoni!”. Do të thërriste si atëherë edhe sot Patër Anton Harapi, ky gur themeli i historisë dhe kulturës shqiptare dhe shërbestar i devotshëm i popullit të vet e me popull të vet.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.