back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nuk shuhet Zeri i Sherif Merdanit – nga Visar Zhiti

Gazeta

Sherif Merdani midis Riccardo Cocciante dhe Visar Zhitit
Sherif Merdani midis Riccardo Cocciante dhe Visar Zhitit

Nuk shuhet Zeri i Sherif  Merdanit

nga Visar Zhiti

Lajmet sot nga Atdheu ishin ende më të trishta, tronditëse, është shuar këngëtari, Princi i muzikës së lehtë, Sherif Merdani…
I dashur për të rinjtë e kohës së tij, i dashur për ata që u zbardhën bashkë me të, zë gjeneratash, që donin të ëndërronin, kur ishte e ndaluar, zëri i dashurisë së tyre, që solli Europën me atë zë dhe prandaj e burgosën…
Në burg e njoha dhe u bëmë miq në ferr. Dhe aty këndonte për ne fshehurazi, anglisht më shumë, këngën e tij, “When I am dead, my dear”… Dhe unë shkruajta një poezi fshehurazi për të në Qafë-Bari, ia dhashë ta lexonte, diku fshehurazi dhe ai dhe kujtoj, erdhi pas pak në dhomën ku isha unë e mes të burgosurve të tjerë, me sytë plot me lotë, më tha se poezia i kishte pelqyer shumë, shumë, nuk e mendonte “t’i thureshin ato fjalë…”. Po e sjell tani prapë poezinë e burgut me dhimbjen se ai s’do ta shohe atë në librin që del së afermi, por që e dinte, se flisnim në telefon e shkembenim mesazhe. Kujtonim takimin tonë me kengetarin italian Riccardo Cocciante, të cilin e kisha ftuar në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, erdhi, lajmërova dhe mikun tim, Sherifin, biseduam të tre. Këngëtari i famshëm italian u trondit që një koleg i tij shqiptar ishte dënuar prej këngëve, edhe ato italiane e mbase dhe prej ndonje te tijën… Pse, pse?? Nga që kendonte këngë të vendeve kapitaliste(?!).
Këngëtari Sherif Merdani - dhe pjesë nga akuza e tij si "armik i popullit"
Këngëtari Sherif Merdani – dhe pjesë nga akuza e tij si “armik i popullit”

.

Sherifi këndoi këngët e popullit të tij, edhe aty ku kënga ka gëzimin, ai hodhi dhimbjen e jetës, shpresën, edhe pse të dëshpëruar, në fund të fundit ai me këngën theu pranga, edhe kur e prangosën…
Nga dashuria për Sherifin, për zërin dhe vuajtjet, unë e kam personazh në burgologjinë time, në romanin “Ferri i çarë”, herë pas herë dilnin në gazetë pjesët për të dhe ai emocionohej gjithmonë si herën e parë. Punuam bashkë dhe në diplomaci, e pa besueshme! E i gëzohej si fëmijë lirisë, skenës, suksesit sërish, harronte vuajtjen… Sherifi mund të shkojë ku të dojë, në skena të tjera, në Qiell, në paqen e tij plot yje, por ai ka lënë zerin me një si mister tempujsh, me atë protestën e muzikës së mirë, që del nga frëngjitë e brinjve, frymë jona. Sherifi këndoi kur ishte e vështirë, me jehonën e bukur – mallëngjim e ngazëllime njëherësh, prandaj dhe mbetet zëri më kuptimplotë i dy kohëve, zë që s’vdes, por tretet me erërat…
29 gusht 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.