back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Nusërimi i dytë”… dhe i fundit i Sali Berishës! Jozef Radi

Gazeta

Sali Berisha 2013
Sali Berisha 2013

“Nusërimi i dytë”… dhe i fundit i Sali Berishës…

nga Jozef Radi

(Nji kqyrje pak ma e thellë se qindra shkrimet e atyne që s’lodhen në shamje…)

Kët shkrim e kisha nisë gati nji vit ma parë…
po siç më ndodh kur prej diçkaje s’jam fort i kënaqun,
e lashë diku me nji qoshe në pritje…
Sot rastësisht iu riktheva leximit dhe
me pak retush mendoj se ia vlen të lexohet
dhe të gjykohet edhe prej të tjerëve…
sekush simbas dëshirës së vet…!

Qarkun e historisë së nji Shekulli Shtet Shqiptar, i takoi me e mbyll nji njeri i quejtun Sali Berisha, nji personazh tashma historik, i cili në njizet e tre vitet e tij politike pati nji karrierë ambicioze, të fuqishme, ambigue, duke prekë herë apogjeun e lavdisë e herë humnerën e disfatës. Ai qe Njeriu i Turmave të Paqme, dhe i Andrrave të Mbetuna Andrra, emni i tij u ciklue e riciklue si i askujt tjetër, në nji itinerar politik nga ma të pazakonshmit: prej të thjeshtit në gjithçka, prej gjithçkaje në humnerë, prej humnere në ringjallje, e prej ringjalljes në heshtje… e mandej sigurisht në muzeun ende të përçudun të kujtesës sonë historike… për të cilin dikur, ai duhet të ndjehet edhe pak përgjegjës…
Energjia dhe vullneti i tij politik edhe pse sot janë në pikën më të ulët të shpërblimit, ende s’lejojnë që ai të ndjehet nji kufomë politike… ndoshta edhe për faktin se Pushtetit të Ri (Rilindjes!!!) i nevojitet nji figurë kundërshtuese si ajo e Berishës, për ta pasë pak ma të lehtë qeverisjen, dhe sa ma gjatë t’jetë e mundshme… Pra, ende sot mbas perendimit të yllit të tij… ky personazh mbetet nyje e randsishme dhe aspak ashtu si mbushin rradhorët e fyemjeve nji aradhe kulishash gazetarie që meritojnë nji rrahje t’paqme mbrapanicash me thupër lagët shelgu pranë ndonji breglumi, atje ku romët gazmorë thurin shporta e kanistra.
Sali Berisha e fitoi kokfortësisht shansin e shprehjes aq e goditun ndër shqiptarë që: “T’bahem edhe nji herë nuse, pa e di unë si nusëroj!”, gja e cila s’i ka ndodhë ndokujt tjetër prej paraardhsave të vet. Të gjithë ata, i janë gëzue nji nusërimi të vetëm!!!
Shteti i parë i Sali Berishës u ngrit si frymë masive rebelimi, si jehonë mitingjesh madhështore, ai qe shtet shpresash dhe andrrash lirie, po edhe shtet që i nevojitej ekuilibri dhe paqja shoqnore, shtet që rrëzimin e nji kaste dhe kthimin e legjitimitetit e kishte në kufijtë e së domosdoshmes po edhe të nji truku quasi teatral, (diçka jo fort e lehtë me qenë bindëse), sepse si duket duhej zhba vetëm fasada e regjimit dhe jo thelbi i tij, pra edhe doza e kujdesit dhe porosive duhej të ishte ma shumë se kirurgjikale… Dhe kjo detyrë i takoi atij dhe askujt tjetër… Sali Berishës… Nji nga detyrat ma t’vështirat në histori; ndoshta nji eksperiment i ri, mbi nji eksperiment të vjetër… diçka e ngjashme me mishin që piqet dhe hellin që s’duhej me u djegë… Dhe ai u shfaq, erdhi, u ngrit dhe premtoi ashtu siç ishte… njeri i veprimit dhe i kurajos, njeri njohjesh të thella dhe lidhjesh okulte, nacionalist kur ia kërkonte hesapi, dhe liberal kur e shtrëngonin të tjerët, pokerist në tavolina politike ku fjala e vendit te tij s’çonte asnji peshë, po që ai asnjiherë s’lejoi që të liheji pavenëre o i harruem! Pa droje Ai mund të shenjohet si njeriu i hapjes së dyerve hekurta po edhe i lirive të përgjysmëta të fjalës, mund edhe të konsiderohet demagog “par exellance”, sepse midis krimeve komuniste dhe “armiqve të popullit” vuni guximshëm shenjën e barazimit, duke u ba që shumë prej angazhimeve ekuilibruese të shpalluna me ligje, të zbatoheshin me shkelje syni…!! Ai s’do të harrohet edhe për faktin se mjaft prej ligjeve të “epokës së tij” nuk e prodhuen dot paqen shoqnore… dhe loja e famshme piramidale me paret e qytetarve nji ditë e ktheu përmbys piramidën e pushtetit të tij presidencial po edhe ato ekuilibre ende të brishta sociale…
Kështu nisi për të dhe krejt ndjeksat e tij, koha e trishtë po e lavdishme e opozitare… gjithnji i bindun se do ta prekte sërish pushtetin…! Ajo e tija do të mbahet mend si opozita ma luftarake dhe ma vërtetë deri sot, edhe pse taksat si opozitë, mbi shpinën e saj u banë të randa… Tetë vitet opozitare, përgatitën refleksionin e thellë të Sali Berishës, dhe i hapën rrugë “nusërimit të dytë” të tij…

Azem Hajdari, Sali Berisha e Gramoz Pashko (12 dhjetor 1990)
Azem Hajdari, Sali Berisha e Gramoz Pashko (12 dhjetor 1990)

Mbas nji fitoreje edhe pse të ndërdyshtë, shpesh edhe i akuzuem, Ai u ringjit në pushtet trimfator duke humbë edhe nji pjesë të elegancës politike… Zbriti prej postit të dikurshëm të Presidentit dhe u ngjit hareshëm te posti i ri kryeministror, dhe siç ndodh në ksi rastesh, ky Njeri autoritar i jep çdo posti vulën e autoritetit të vet, dhe jam i bindun se nji ditë nëse ndodh!’! dhe bahet qoftë edhe Ministër i Industrisë së Lehtë e Ushqimore, ai institucion do t’ket hije Presidenciale!!!
Tetë vitet e dyta të Sali Berishës janë vite dinamike po edhe tejet të vështira… Si nji “nusërim i dytë” atij s’i lejohej as keqardhje e as ndërdyshje, sepse koha kalont dhe ciklet mbyllen, dhe deri sot ende s’ka dalë dot kush mbi ciklet…!! Vërtet “ligjet e vjetra të fillimit”, që u shpallën me aq ngut, (mbasi qenë studiue hollësisht dhe imtesisht krejt efektet ekonomike që do të prodhonin ndër kohra), kishin sjellë nji kaos shoqnor, dhe askush as e gjeti dhe s’ka me gjetë guxim me i rikqyrë ato; tash fryma klanore e interesave të ndërthurna po bahej asfiksuese; besimi te drejtësia dhe gjykatat zbriti nën zero; sistemi arsimor jepte diplloma, po jo dije; e kriza e fqinjësive herë mbas here lshonte gjuhë zjarri dhe urrejtjeje mbi qeverisjen; dhe ai entuziazëm i dikurshëm që shpërndante Figura e Prijsit, u pa që s’po i mbushte edhe aq lehtë pjatat e shqiptarëve të lodhun prej premtimesh politike…
Asht e vërtetë se ne ende jemi nji popull tifoz dhe nji shoqni kafehanesh e muhabetesh shterpe, aq sa shpesh, në vend të interesimit për të dobishmen e vogël të mbijetesës, pyesim njeni tjetrin: “Hë mo, ç’a na bëri ai Miku Juaj?” (Pushteti pra) dhe harrojmë se ajo çka duhej të bante çdonjeni nga ne, mund ta linte në paqe at “Mikun”, dhe të merrej pak ma mirë, pak ma shumë e pak ma saktë me projektet afatlargëta të mbijetesës së këtij populli shpirttrazuem!
Asht e vërtet që ne duhet të kuptojmë se politika shqiptare, s’mund të jetë e krahasueshme me politikën angleze, e cila i ka përcaktue me vakt e me kohë binarët dhe oraret e trenave të saj dhe e ka krejt të lehtë e të natyrshme të jetë njiherësh edhe demokraci edhe mbretni… por politika shqiptare asht ende llavë… pse asnjiherë s’ka qenë as tamam republikë, as tamam mbretni, as tamam komunizëm e as tamam demokraci… thjesht nji amalgamë qeverisësish herë nga Jugu e herë nga Veriu, që ia përputhnin shtatit të tyne Shtetin!!! E thanë ma thjesht: Shteti shqiptar, duhej t’ishte veç nji kostum që t’u shkonte mirë Atyne!!!
E Sali Berisha ishte nji prej tyne… ai jo thjesht e rastësisht pati fatin historik të jetë në krye të këtij shteti Njiqindvjeçar, po kishte edhe misionin historik t’i fuste shqiptarët në shekullin e dytë të shtetit të tyne me ide, me frymë, me ligje dhe me mendësi të reja… e me gjithë përpjekjet e tij po i quejmë të mëdha, s’besoj se ia ka mbrritë këtij qëllimi… Ky fat i papërsëritshëm në histori, që solli edhe “nusërimin e dytë” të tij, mbas tetë vitesh pushtet solli edhe nji pakënaqsi aq masive, sa ai iu nënshtrue humbjes së madhe, dhe pa me sy edhe perëndimin e ngadaltë të yllit të tij, në politikën shqiptare, tashma të kapërthyeme keqas …
gusht 2012 – korrik 2013

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Përshëndetje Jozef!
    Jo se unë kam pak debolesë për Salën, por shkrimi Yt është sa i kuptueshvm dhe i vërtetë në thjeshtesinë e tij: Rendja me vrap për t’ia faturuar (edhe nga te vetët) humbjen Atij, është e njëanshme, pasi ato që shkruajnë për Të dhe që janë mbështetur prej Tij për të kryer detyrën: nuk bënë asnjë gjë, thjesht mbushën xhepat e tyre me para, madje edhe në shumë funksione njeherësh! Urime… Urime për këtë shkrim realist, të bukur, të kuptueshëm!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.