back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nxjerrja e gegnishtes jashtë ligjit mohim i shqipes së përdorun nga 75% e shqiptarëve… – Gjokë Vata në përgjigje të Rexhep Qoses

Gazeta

Gjokë Vata
Gjokë Vata

Nxjerrja e gegnishtes jashtë ligjit

mohim i shqipes së përdorun nga 75% e shqiptarëve…

Gjokë Vata në përgjigje të Rexhep Qoses

Gazeta “Telegraf” në numrin e saj të 8 dhjetor 2020, boton nji artikull të z. Rexhep Qosja me titullin: “Kongresi i drejtshkrimit, 30 vjet pas”. Pra, siç shihet artikulli asht botue në 2002-shin dhe gazeta “Telegraf” e bindun se z. Qosja e meriton me ju ribotue ky artikull e ven edhe në numrin e saj të sotëm. Siç do ta shohim, shkrimi që sjell ky gjuhtar nuk e ka asnji pikël bindjet, por ngasa duket dëshira e pasjes së nji Shqipeje si kjo e përdorimit të sotëm quhet bindje, ngase tashma siç dihet, imponimit i ngjitet emni bindje, e imponuesit që përpiqet me ia ba bindje edhe të imponuemit. Në fillim të artikullit të tij, Qosja ankohet: “Ne jemi vonuar për të bërë gjuhën standarde!” Asht e çuditshme se si nuk e din ose nuk don me e dijtë se at kongres e organizoi politika e asaj periudhe që kishte si parullë kryesore “Politika në plan të parë” e siç e dinë të gjithë ata që e kanë përjetue atë periudhë si në çdo fushë tjetër të jetës edhe linguistikës i ka marrë frymën e ka folë n’emën të sajë, e prandej gjuhtarët pjesmarrës n’at kongres, kush prej qejfit e kush prej friket, u banë mikrofoni i politikës së kohës, prandej ai kongres nuk standardizoi gjuhën Shqipe, por siç shkruen kryegjuhtari jonë në kumtesën e tij të mbajtun n’at kongres; “Standradizuen dialektin e epërsisë politike!”
Për me qenë sa ma i qartë po përsëris edhe në ktë shkrim fjalët nji për nji të kumtesës së Eqerem Çabejt mbajtë në kongresin politiko-gjuhsor të 1972-shit: “Standardizimi i një gjuhe bazohet në krijimtarinë e shkrimtarëve më të mëdhenj të një vendi si shembull kemi Toskanën e Italisë dialekt në të cilin kanë shkruar letrarët më të mdhenj të Italisë. Standardizimin e gjuhës mund ta bëjë edhe epërsia politike e një krahine…” Tani ky zotni që mori pjesë n’at kongres për me u ujdis me politikën e asaj kohe vazhdon të mbetet kundërshtar i kryegjuhtarit tonë, i atij kryegjuhtari që ju vunë të zgjidhte ose firmën në vendimin e atij kongresi ose prangat e pasojat e tyne. Nuk ka gja ma të kuptueshme se trajtimi që ju ba e po i bahet Gjuhës Shqipe, e ky trajtim të çudit ngase edhe në ktë kohë gjoja demokratike fanatikët e vendimit t’atij kongresi vazhdojnë kambnguljen mbrojtse t’atij vendimi famkeq që do t’duhej qenë i shlyem me 23 mars 1992-shit, e jo të mbetej edhe peridha e tashme skllave e periudhës paraardhëse.
.
Rexhep Qosja
Rexhep Qosja
Z . Qosja në ktë artikull të tij e justifikon ecjen e ktij standardi me kto fjalë: “Pretenduesat e një kongresi tjetër gjuhësor, nuk e kanë gjetë përkrahjen në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Shqipëri…”, kjo e vërtetë asht nji nga të vërtetat që e turpnon të vërtetën mbasi jo vetëm gjuhtarët, por edhe ai që sado pak din nga gjuhësia e sheh fare qartë padrejtsinë që i asht ba gegnishtes e kjo do t’thotë se politika e ktyne vendeve nuk ka kurrfarë ere demokracie, mbasi edhe sikur vendimi i kongresit të 1972-shit të ishte 99% i drejtë demokracia e ka për detyrë me e rrumbullakosë të drejtën 100%, pa le pastaj kur vula e ksaj Shqipe të ashtuquejtun standarde asht vula e politikës Shqiptare të 1972-shit.
Në vijim, z. Qosja na thotë: “Eshtë e drejtë themelore njeriu të flasë e të shkruajë në dialektin e tij ose të saj…” E pyes ktë zotni: -Ku asht themeli i ksaj të drejte? Mos vallë respekti i ksaj të drejte themelore qenka i mjaftueshëm se pranohet në shtypin tonë nji artikull gegnisht ndër 20 mijë artikuj të shkruem në Shqipen e përdorimit të sotëm?! Kjo a nuk asht si me moderue detin tuj i hjedhë nji gotë ujë të amël? Shpesh herë ka ndodh m’u përpjekë me e vu në loje nji deputet a deputete gege, që në vend me than dyzet ka thanë katërdhetë kur siç shihet katërdheta asht etimologjike e jo dyzeta, e prandej të gjitha gjuhët e thonë katërdhjetë. Le të jetë dyzeta, por nuk ka asnji të drejtë me u konsiderue ma letrare se katërdheta, përkundrazi. Që t’ia ngjesish nji gjuhe standarde letrare e çfarë u shkrepet asht puna ma e thjeshtë, ashtu siç asht e thjeshtë t’ia ngjesish foshnjes ma të shëmtueme emnin ma të bukur, por kjo nuk i shkon fare gjuhës. Ta konsidereosh standarde atë gjuhë që i zavendsohen 3000 germa ”A” me 3000 ”E” pazane e të mos e konsiderosh letrare gjuhën që i ka pasë kto 3000 ”A” nga e cila u hoqën, standardi merr shejën e barazimit me gafë. ”E” në pazane e quejnë kështu, ngaqë në asnji gjuhë nuk shqiptohet. Ta heqësh paskajoren që asht shtylla vertebrale e gjuhve ma të përparueme të Botës e ta zavendsosh me lidhore nuk ka se si konsiderohet veprim gjuhsor, sepse veprimit që nuk i prin justifikimi nuk quhet veprim ndërtues por shkatrrues, si veprimet e kohës së kongresit të 72-shit. Në vazhdim z. Qosja thotë: “Gjatë këtyre 30 viteve, shqipja standarde është bërë gjuhë e qëndruar…” Edhe vetë kjo fjali na tregon njanën nga mangsitë e shqypes së përdorimit të sotëm, pra nuk thuhet “është bërë gjuhë e qëndruar, por gjuhë e qëndrueshme!” Unë në ktë shkrim nuk do t’merrem me shqyrtimin e nji numrit mjaft të madh gabimesh gjuhsore të shqipes së përdorimit të sotëm, por numri i tyne përban nji çudi të madhe së si mund të lejohen e madje edhe të përpiqen me i justifikue me mnyra ma të pa justifikueshme . Z. Qosja thotë edhe: “Gjatë këtyre 30 viteve – asht gjithnji fjala për 72 – 2002, – janë bërë shkrime shumë ma shumë se gjatë gjithë kohës nëpër të cilën është shkruar shqip…”
.
Cabej dhe Qosja në Kongresin e Drejtshkrimit, në mes Bedri Dedja
Cabej dhe Qosja në Kongresin e Drejtshkrimit, në mes Bedri Dedja
E pyes z. Qosja: “A mos valle shqipja e përdorimit të sotëm u ka dhanë shkas gjith atyne shkrimeve? A nuk e din ky zotni se sasia nuk konsiderohet cilësi?! E se prandej ma vlerë ka nji vepër se numri i pafund i librave që s’e meritojnë fjalën vepër! A e din ky zotni se shqipja “standarde” nuk u ka hy në punë gjigandave të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. të 20-të, si Martin Camaj, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, etj… Pseudo-artin e pengon parashtesa me u quejtë art, ajo parashtesë që ja vuni artit realizmi socialist e vazhdojnë me ia vu edhe sot e ksaj dite pas-ardhsat e atyne të realizmit socialist. E shton: “Në këtë shqipe standarde janë përkthyer edhe shumë vepra nga fusha e letërsisë”. Dihet se edhe fjalën përkthim e meriton vepra që e nderon përkthimin e sot edhe përkthimet vuejnë si krijimtaritë që në shum raste konsiderohen prodhime. Zotni Qosja kur flet për përkthimet në shqipen e përdorimit të sotëm harron se ne gegnisht janë përkthye Iliada, “Komedia Hyjnore”, “Orlandi i Çmendun”, “Hermandi e Dorotea”, etj… Përkthime kto që u rrijnë përkrah përkthimeve ma të mira kudo. E quej me vend me theksue ktu se “Orlandi i çmendun” i përkthyem në gegnisht nga përkthyesi i madh Gulielm Deda, asht i vetmi përkthim në botë me rimë, siç asht në origjinal. E se gegnishtja e përdorun në kto përkthime na kujton thanien e saktë: “hallati punon e i zoti lëvdohet”. Megjithktë artikullshkruesi vazhdon: “Kthimi në gjuhë dialektore do të thotë kthim prapa…”. Kthimi i së drejtës së gegnishtes jo vetëm nuk do me thanë kthim prapa, por kthim i së drejtës ma të pamohueshme i mohuem në mnyrën ma të pamohueshme. Kongresi i 72-shit me të drejtë mund të konsiderohet nji gjykatë diktatoriale, ku nuk merren parasysh argumentat, por jepet dënimi sipas dëshirës ma të urryeshme. Nxjerrja e gegnishtes jashtë ligjit nuk ishte vetëm mohimi i shqipes së përdorun nga 75% e popullsisë, por edhe mohimi tjetër ma i pa marrshmi me mend se mund të ndodhë as nga diktatura ma despotike e historisë së njerzimit, u asht mohue e drejta e kryeveprave të letërsisë shqipe me u quejtë letrare. E çka mund të quhet letrare përveçse gjuha e kryeveprave letrare të nji kombi?! E prap se prap z. Qosja thotë: “Kthimi prapa që do t’thotë përdorimi i gegnishtes do t’kishte pasoja të kqija kulturore artistike shkencore e arsimore.” E pyes ktë zotni: – Cila asht ajo pasuni që i sjell pasoja vorfnimi vorfnisë? Çfarë pasojash të kqija kulturore kanë Belgjika, Zvicra që përdorin ma shumë se nji gjuhë në komunikim e në letërsinë e tyne? E çfarë pasojash ka Norvegjia që përdor dy dialekte me të drejta të barabarta? Asht nxjerrja jashtë ligji e gegnishtes ajo që i ka shkaktue shqipes së përdorimit të sotëm nji vorfni të tejskajshme. A nuk e din ky zotni sa të drejtë ka Faik Konica kur thotë se: “gegnishtja asht gjuha e poezisë…” Ktë të vërtetë a e dëshmojnë edhe poezitë e Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Bernardin Palajt, Martin Camajt, Arshi Pipës, Ernest Koliqit, etj… A mos vallë kta poetë e prozatorë, nuk paskan arritë me e dijtë se cila asht gjuha letrare për me përzgjedhë që të shkruejnë veprat e tyne në të? Megjithktë, z. Qosja thotë edhe kto fjalë: “Kthimi i gegrishtes do të ishte nji çmim i rëndë për politikën shqiptare, sepse do të ishte nji tronditje morale!” Moralin e politikës e dëshmon vetëm demokracia e jo vazhdimsia e asaj politike që e sundoi gjuhsinë si tirani skllavin…
.
Marrë nga faqja e Pro Gegnishtes, 8 dhjetor 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.