back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

O ç’ditë të bukura që ishin ato! nga Vedat Kokona

Gazeta

Vedat Kokona 1913-1998
Vedat Kokona 1913-1998

O ç’ditë të bukura që ishin ato!

nga Vedat Kokona

…Dhe atëherë
më mbërthen një melankoli
që as vetë s’e di si ta shpjegoj.
 
Ajo ndjenjë shkrehjeje dhe këputmënie që më mbërthen sa herë që flladi i asaj parajse më freskon sadopak në zagushinë e këtyre kohëve që jetojmë, më kapërthen si një mengene edhe më shumë kur dal nga shtëpia dhe s’di ku të vë këmbët nga plehrat që na kanë mbuluar dhe kur më duket se jam burgosur ngaqë, ngado që shkoj, s’shikoj gjë tjetër veçse hekura…
Më kujtohen ato ditë të lumtura të kohës së Partisë kur rrugët ndritnin si pasqyrë nga pastërtia, kur kishe mall të shihje një veturë apo motoçikletë, kur ajo e uruara jetë rridhte ngadalë, monotone, e qetë, si një lumë qumështi i mëllënkshur; kur e merrje rrogën edhe pa punuar, apo duke spiunuar; kur, sa veje në punë për t’u dukur, dilje për të pirë kafe me fërnet me ata që të prisnin; kur shkoje për pushime në Bogë a në Voskopojë me një shpenzim qesharak; kur të vinte ajo mandatë e ururar se do të shkoje të punoje në aksh kantier për muajin e punës fizike; kur shkoje në Festivalin folklorik të Gjirokastrës, në Festivalin e këngës së pranverës, në Festivalin e filmit, në Festivalin e këngës më të bukur të vitit; kur shkoje në ato mbledhjet e lagjes, pothuaj çdo javë, për t’u sqaruar për çështjet politike të ditës, ku do të ndaheshin triskat e Frontit që s’u hynin fare në punë atyre që e kishin dhe që u prishnin shumë punë atyre që s’e kishin; mbledhje për të ngritur antenat, mbledhje për të zbritur antenat; mbledhje për të diskutuar për rezolucionet e Kongreseve të Pëpëshësë, Rëpëshësë, Bërëpëshësë dhe të Bëgëshësë; mbledhje për të demaskuar poliagjentin pas tridhjetë vjet veprimtarie pranë udhëheqësit të madh; mbledhje për aksionet e mbledhjes së kallinjve të misrit; mbledhje të punës vullnetare, të dielave, të të shtunave komuniste; mbledhje të zgjedhjeve, mbledhje të ngjitjeve në pushtet; mbledhje të zbritjeve në terren; mbledhje për gatitë që duheshin bërë për të pritur sa më mirë ditën e 1 Majit, festën e “kllasës punëtore”; mbledhje për t’u grumbulluar në qendrat e punës për të marrë pjesë në parakalimine 1 Majit që do të bëhej në orën dhjetë, pasi ishim grumbulluar që në orën pesë të mëngjesit, të parakalonim para “udhëheqësve të ndritur” që vetë s’kishin punuar dhe që nusëronin përpara zorrëtharëve që punonin për aq sa u paguanin; kur ngriheshim në orën tre të mëngjesit për të zënë radhën e qumështit që vinte në orën pesë, apo të mishit, apo të vezëve, apo të makinës larëse, apo të frigoriferëve, apo të… apo të… apo të…
Ah, moj qepë, ç’të të kujtoj më parë!
.
Darka e Komunizmit
Darka e Komunizmit

Ç’kohë të bukura që ishin ato, more shokë! Zemra më fërgëllon si gjethi i plepit kur i kujtoj… Të kishte lezet shpirti që i jetoje! Thoshin se edhe jashtë shtetit jetonin bukur. S’besoj. Një jetë të tillë s’ka si shijohet nga të tjerët!… Të dridhej zemra nga gëzimi kur të trokitnin në portë që pa gdhirë, se pandehje se kishte ardhur miku i dashur që prisje, kurse të lajmëronin se mos harroje të veje në qendrën e punës për t’u grumbulluar se do të dilnin të prisnin mysafirin e shquar Hrushovin, Ho Shi Minin, Kim Ir Sellin, Sianukun, Çin Man Çinin… Eh, moj qepë ç’të të kujtoj më parë!…

Më kujtohen ato ditë të paharruara të zgjedhjeve. O ç’ditë të bukura që ishin ato! O ditë të uruara që u zhdukët si uji në rërë! Ishim ngritur që në orën tre të mëngjesit për të zënë radhën e mishit, apo të qumështit, apo të vezëve, apo të fasuleve, apo të gjizës dhe, nga radha, fishek në Qendrën e votimit, të përcjellë nga tingujt e muzikës popullore që buçiste nga altoparlanti që e kishim te rrëza e veshit.
Për atë ditë të madhe vishnim kostumin më të ri që kishim prerë njëzet vjet më parë, mbathnim këpucët e kohës së luftës dhe shkonim tërë gaz për të votuar. Te Qendra e votimit na prisnin valltarët që hiqnin valle popullore në tingujt zvarritës të zurnasë dhe në gjëmimin shurdhues të daulles. Takoheshim me ata më të zellshmit që kishin ardhur aty para teje, shend e verë se kishin ardhur para teje për të treguar gatishmërinë e tyre ndaj Partisë dhe, me një “Gëzuar zgjedhjet!” dhe buzëqeshje mahmurie prisnim të futeshim në sallën e votimit.
Dy minuta para orës gjashtë lejohej hyrja dhe, me një shtysë energjike siç ishim mësuar prej shumë vjetësh duke mbajtur radhën për bukë, vajguri, qepë, vezë, prasë, gjizë, futeshim në sallën e zbukuruar me flamurë, me portretet e udhëheqësve të Byrosë Politike, me tryezën e Komisionit të votimit të mbuluar me cohë të kuqe dhe me kutinë e votimit, ku të vështronte portreti i kandidatit të Frontit, të cilit do t’i jepje votën kundër dëshirës ngaqë s’e njihje fare, merrje fletën e votimit dhe, pa u futur prapa perdes së kuqe të ndarjes ku duhej të shkruaje emrin e kandidatit për të cilin votoje, ose për ta shuar emrin e tij, i drejtoheshe kutisë ku futje fletën e votimit, përshëndetje me një buzëqeshje të shtirur njeriun që rrinte më këmbë pranë kutisë, me buzë në gaz të shpifur edhe ai me një “Gëzuar!” dilje fësht nga dera, i përcjellë nga daullja shurdhuese që s’pushonte një minutë.
Në orën gjashtë e tridhjetë të gjithë zgjedhësit kishin votuar dhe, në orën shtatë, radioja në fillim dhe televizori pas disa vjetësh, lajmëronte se cila lagje kishte qenë më e shpejta në mbylljen e Qendrës së votimit që, ligjërisht, duhej të kryhej në orën tetëmbëdhjetë. Dhe çudia më e madhe ishte se përfundimet e votave, që mund të merreshin vesh pas njëzet e katër orëve, diheshin pa u hapur kutitë e votimit: 99,99%! Dhe ky përfundim dihej pa u shpikur ende ai qerrata kompjuter! Hajde mos u çudit po deshe!
Marrë nga gazeta Shekulli, 14 nëntor 2008 (sh)
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.