back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

O Zot, sa shumë janë 26 dhimbje! nga Mark Simoni

Gazeta

Cikli i Jetës...
Cikli i Jetës…

O Zot, sa shumë janë 26 dhimbje!

nga Mark Simoni

Kisha besue fort se do të ishte nji gëzim tejet i madh,
ardhja e nji libri të pritun aq gjatë e të dëshiruem aq fort,
po jeta në lojën e saj shpesh ta këput fillin ku ti je ma i dobët,
aty ku ti nuk dëshiron me të prekë as me fill floku… te fëmija yt…
Ngushëllime Erenestinë, në kët humbje të pangushllueshme prej Nane
Zoti ju dhantë forcë me e përballue atë çka kurrë s’e kishit mendue…
Në emën të jetës, në emën të atyne që mbetën mbas kësaj humbje tragjike
Ju duhet të vazhdoni me luftue e me besue…
me shume dhimbje Jozef Radi

Mark Simoni
Mark Simoni

Dje, ikën për në qiell djemtë e shkrimtarëve Dashamir Dini dhe Erenestina Halili. Qenë së bashku në të njëjtin motorr, në të njejtin “kalë vdekje”. Qenë në po atë shteg morti, (që para pak vitesh), dërgoi larg dhe djalin e Visar Zhitit.
Jeta nuk është gjë tjetër më shumë se sa një kronikë e gjatë vdekjë. Dhe m’u kujtuan dje Zija Çela, Ali Podrimja, Çajupi, Hile Mosi, Zef Skiroi, Ndoc Gjetja, Zef Serembe, Nikolin Gurakuqi, Giosue Carducci, Ungaretti, Ernesto Sabato, Daniel Still, Izabell Aliende, Eric Clapton, Dashamir Dini, Erenestina Halili…
Të gjithë fatkëqinj me dhimbjen e bijëve të tyre, të mbuluar nga zezona e vdekjes, të shituar nga fati i keq, të plagosur nga mallkimi i ashpër…
Zija Çela librin për Dritanin, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” e shkruan, me një vezullim të zi, gjithë misticizëm, i pushtuar prej simbolesh dhe shenjash, i burgosur prej zërash të largët, i trandur prej jehona shpirtërash që sillen rreth tij:!
“Jetë e vdekje përqafuar” – thotë Lasgushi ynë…
Carducci e varrosi të birin bash në kopshtin e vet, ta kishte aty, për t’i ndenjur te kryet ditë e natë. Mes pemëve i bëhej se ndjente të lëvizte si në loje hija e të birit dhe zëri i tij. Ai shkroi për të birin “Vaji i hershëm” (përkthyer nga Mark Ndoja dhe botuar tek “Cirka” (1936). Një nga poezitë më me pikëllim që kam lexuar ndonjë herë.
Dëgjova disa herë si në përshpirtje mbrëmë këngën e Eric Clepton kushtuar të birit, Okonorit. Kënga është “Lotë në Parajsë”. “A do më thërrisje në emër nëse do takoheshim në parajsë, biri im?” këndon kitarra e mbushur plot vajtim e Cleptonit.
Po “Lum Lumi” a është një nga trandjet më të mëdha që përshkoi jo vetëm të atin Ali Podrimja, por edhe krejt letërsinë shqipe? Djali i vogël Lumi është diku në fund të një pavioni, duke pritur çastin e mbramë.
“Ti je më i madh, voglushi im, më i fortë se ky spital./ Per inat këtë ditë ta sosim deri në fund/ lum Lumi im”
Po libri i Nikolin Gurakuqit a nuk është një piskamë vuajtje, një opus dhimbje, për Marsidin e tij? “Himni i shpirtit” trondit çdo shpirt.
Giuseppe Ungaretti shkruan për Antonion e tij të vogël, birin e tij të vetëm, “Thërrisje po mbytem”, dhe më pas dha dy libra me të njejtin trishtim, dhimbje e mall (“Il dolore” (Dhimbja) dhe “La Pieta” Mëshira).

Nderim për të amshuemit
Nderim për të amshuemit

Ja çfarë shkruan Ungaretti te poezia: “…Unë përherë mundem me i ndje duart e tua në të mijat,/ Duart e tua prej foshnje, që shtrëngojnë të mijat pa i njoftë…”
Hija e djalit, fantazma e vdekjes, janë fshehur me një stil e delikatesë mjeshtrore në poezitë e Ndoc Gjetjes, (kushtuar birit që s’është më). Vetëm një sy i stërvitur mirë nga dhimbjet dhe imazhet e letërsive mortore mund t’i dalloje.
Ndoshta më i pashoqi, përsa i përket dhimbjeve që bien herë pas here mbi të, është Çajupi. Pas vdekjes të së shoqes, ikën nga kjo jetë edhe i biri 19 vjeç. Çajupi i drejtohet hapsirës me pezmin e tij të madh “Doje dritë o diell/ More dritën time”? O zot!
Pas asaj dite Poeti ra në terr, një natë e gjatë dhe e pafund.
Ernesto Sabato, shkrimtari argjentinas me prejardhje nga arbëreshët e Italisë, shkroi librin “Ndoshta Fundi”, në të cilin dallon, lodhjen, pikëllimin dhe vetmimin e tij. Në këtë libër Sabato rënkon për të birin Jorge Federico, që iku nga kjo botë fare i ri.
Po Paola, vajza e Izabel Aliendes a nuk është një ngjarje tragjike, që mamaja e saj e shkroi plot trishtim, pezm e ankth në romanin me të njejtin titull?
A ka libër më me lot se sa libri i Daniell Still që shkroi për të birin Nik Traina dhe titullohet “Një yll i paharruar”. Djali që vdes duke futur në trishtim e zi nënen e vet shkrimtare. Po a nuk është i tillë dhe “Gruaja që i arratisej lajmit të keq” i David Grosman?
Dje ikën për në qiell dy djem të kolegëve tanë të mrekullueshëm, miqve tanë të dashur. Ikën nga një shteg që vetëm ata e dijnë, nga ai shteg që kanë ikur dhe shumë bij shkrimtarësh dhe poetësh.
E zezë rruga, e terrtë ngjarja, e fortë zemra për t’i përballuar.
Marrë nga muri i Fb i Mark Simonit, 23 nëntor 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.