back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Oborret e Korçës… nga Ilia V. Ballauri – “Bota ime e djeshme – Korça ashtu si e jetova unë”

Gazeta

Perkthyesi Ilia Ballauri
Perkthyesi Ilia Ballauri

Një përshkrim mbresëlënës dhe artistik i “Oborreve të Korçës” – nga Ilia V. Ballauri, miku dhe shoku im i viteve të rinisë. Gjej rastin ta përgëzoj për këtë sjellje-kujtesë plot krenari dhe nostalgji për qytetin tonë të lindjes.
Të përshëndes Ilia V. Ballauri, mik i dashur dhe i shtrenjtë!
Klodi Stralla

Rrugicë në Korçë nga Vangjush Mio
Rrugicë në Korçë nga Vangjush Mio
Mbi Oborret e Korçës… nga Ilia V. Ballauri

Nxjerrë nga shkrimet në punë e sipër: I.V.B. “Bota ime e djeshme – Korça ashtu si e jetova unë”(Kujtime, ngjarje, përshtypje, mbresa, mendime, skica, etj.)

Në Korçë gjatë shek. 20-të, duke përjashtuar apartamentet, nuk ka patur shtëpi, ose për të qënë më të saktë, numëroheshin me gishtat e dorës ato shtëpi, që nuk kishin oborr dhe që delnin drejt e në rrugë. Shtëpitë e qytetit tonë, shumë a pak që të gjitha kanë patur oborr, kush në një sipërfaqe më madhe dhe kush, në një sipërfaqe më të vogël. Oborret e shtëpive të Korçës kanë qenë të thjeshta, kryesisht në trajtë katërkëndëshi, pra nuk kanë patur konfiguracione të komplikuara. Ekspozimi i tyre ndaj pikave të horizontit ka qënë i lidhur me ekspozimin e shtëpisë apo të kuartierit, ku ato ndodheshin. Sipërfaqja e tyre, në një mesatare hamëndësonjëse(!), mund të ketë qënë rreth 50 m2. Një pjesë e oborrit të shëpive tona ka qënë e mbuluar me plloça shtufi ose plloça të gdhëndura graniti (shtëpitë e vjetra, të familjeve që dikur ishin në gjendje të mirë ekonomike), të vendosura këto shpesh edhe në formë dekori, shumë bukur, ndërsa në dhjetvjeçarët e fundit të shek. të 20-të, me pllakosjen e varfërisë së tallonave, për mbulimin e oborreve ka qënë përdorur edhe çimentoja edhe kjo, shpesh e zbukuruar me dekor të shënuar por që, jo gjithmonë ky i fundit (pra dekori), ka qënë i arritur dhe me një gusto të hollë.
Pavarësisht, një pjesë e oborrit ka shërbyer gjithmonë si kopsht ose siç i themi ne, si bashtë, që në fakt në gjuhën shkencore, këto copa bashte në shumicën dërmuese, do të mund të konsideroheshin shumë mirë si parterre. Në Korçë nuk ka qënë zakon që bashta prej oborrit të ndahej me gardhe të larta. Gjithmonë parterret tona ndaheshin prej pjesës së mbuluar, me anën e një pragu të ulët, i cili mund të ishte prej gurësh të rregullt të gdhendur, prej betoni, prej tullash të vendosura më këmbë dhe pjerrtas në rradhë ose, edhe prej shishesh qelqi të të njëjtit stil, po ashtu të vendosura në rradhë, të ngulura me grykë në bordurë përmbys dhe me fundin përpjetë, një lloj dekoracioni ky, shumë i vjetër dhe karakteristik i bashtave tona, që sot gjendet shumë rrallë por, që dikur, ishte shumë i shpeshtë. Në oborr thuajse në të gjitha shtëpitë, ka patur një çezmë, ose dikur kish një tullumb dhe më rrallë pus.
Tani, për hir të së vërtetës duhet thënë se në Korçë, kopshtet e shtëpive, deri aty nga vitet ’60, thuajse krejtësisht, ishin të mbjella me lule dhe pemë. Nuk kish në qytet bashta me perime. Bashtat e tilla, brenda në qytet filluan të çfaqen, me çfaqjen e problemeve ekonomike dhe të varfërisë edhe për një kokërr domate. Në Korçë perimet i prodhonin bostanxhinjtë në bostanet e tyre, aty ku mbaronte qyteti, në perëndim ose jug-perëndim. Bostanxhinjtë tanë ishin mjeshtra të mbaruar në artin e tyre, ishin të njohur dhe me nam në gjithë vendin dhe më gjerë. Një pjesë e tyre kishin punuar si bostanxhinj deri në Stamboll, në Izmir, në Aleksandri të Egjiptit dhe gjetkë. E pra në ato kohë, nuk kish kuptim që t’u dilje përpara atyre, ata ishin mjeshtra të nderuar. Prej tyre, aq sa i arrita, unë kam mësuar shumë dhe për ta kam patur gjithmonë një respekt të thellë, veçanërisht për dijet e tyre praktike aq të përkryera, për mënyrën e thjeshtë dhe sigurinë e patundur me të cilën ata i shpjegonin fenomenet e bimëve, fenomenet e tokës, të farës, të motit, etj, gjëra këto të përvojës, që tashmë humbën dhe që brezat që vijnë, nuk do të kenë mundësi t’i dëgjojnë më. “Toka duhet punuar kur mbi të lëviz merimaga”, theshin ata, “Maruleja e mirë duhet të ngjasë me fustanin e balerinës”, “Gishti e mbjell farën”, “Toka është nënë që gjithmonë mbetet me barrë, por duhet ta dish si ta lesh me barrë”, etj, etj, janë disa prej aksiomave të tyre.
Duke u kthyer përsëri tek bashtat e oborreve të shtëpive tona, theksojmë se jashtë grupit të luleve, në to mund të gjeje ndonjë copë të mbjellë me lëpjeta, aty këtu ndonjë tufë me merudhi (majdanoz), ose najazmë dhe gjatë dimrit ndonjë transhe me presh në ruajtje, të ngulur në dhè, të mbuluar dhe me fletët jashtë.
Ndër lulet që mbilleshin dhe që ndofta mbillen akoma pjesërisht në oborret e Korçës kanë qënë: nga bulboret, shpatoret, zambakët, tulipanët dhe më pak zymbylat, etj, nga grupi i shkurreve, trëndafilat, landrot, protomajaja, shekaikët, etj, nga shtat-ultat, mëllagat, karafilat, borziloku, lule Shën-Mitri, më pak margaritat, të quajturat “lule patate”, etj, nga tuloret, gjëmbat aloe, atlasitë, të quajturat “vesh-gomari”, si dhe kohët e fundit edhe kaktuse të ndryshme. Një pjesë e grupit të fundit mbilleshin dhe ndofta mbillen akoma edhe sot në saksi, të cilat shpesh i gjejmë edhe këto nëpër oborre, rreth parterreve.
Ndër pemët, më të përhapura, të mbjella në oborret e Korçës kanë qënë: dardhat, kumbullat, qershitë, ftonjtë, kajsitë dhe më pak mollët e pjeshkat. Ndërkaq historikisht, kohët e fundit pra rreth para pesëdhjetë vjetësh, pjergullat u bënë dominuese, në oborret tona. Vërtet që kish pjergulla edhe më parë por ato, u përhapën me shumicë dhe thuajse derë e portë, në kohën e vështirësive ekonomike kur, rakija shitej më rrallë dhe më shtrenjtë në treg, në atë kohë pra, kur në oborret e qytetit hynë pjesërisht edhe perimet.

Bota Ime e Djeshme - Ilia Ballauri
Bota Ime e Djeshme – Ilia Ballauri

* * *
Më duhet të them se, mbaj mend nga vitet e mia të fëmijërisë në Korçë, në mëhallën tonë, thuajse pesëdhjet metra më lart, ne kishim komshi Irakliun (I.M.) në atë kohë plak, mezi dëgjonte i cili, mbante shumë lule, madje kish edhe bimë të rralla ekzotike, që theshin se një pjesë i kish sjellë prej Egjiptit, me të cilin kish lidhje, lidhje të cilat unë nuk i di, por që mendoj, me mërgimtarë, mbasi aty, në Misir, si thuhej atëhere, kish të tillë plot edhe nga Korça.
Më kujtohet oborrin i tij, një kopsht botanik i vërtetë, një oborr gjithë lule që deri tani nuk kam parë akoma një të dytë, gjithë jetën time, kudo që kam shkuar e udhëtuar. Shtëpia e tij rrethohej me mure relativisht të larta për Korçën, ndërsa oborri i ishte i madh, i gjatë më tepër sesa i gjerë, i shtruar me plloça, ashtu si edhe oborri tonë. Në thellësi ishte veranda ku hyej në ambjentet e brëndëshme të shtëpisë. Gjithë oborri ishte i mbushur me poçe, me bimë të luleve, bimë jolulore, kaktuse, etj, nga më të ndryshmet dhe një pjesë tepër të rralla, ndërsa veranda, i shërbente si serë. Hera herës ai e linte “derën e sokakut” (derën që të nxirrte në rrugë) të hapur dhe ne si fëmijë shikonim brenda atë kopësht magjik. Irakliu ishte i njohur në gjithë qytetin për lulet e tij, ishte krenar për to dhe shpesh e linte portën e sokakut enkas që, kalimtarët të mund të shikonin atë punë të tij të pa arritëshme, shumë e shumë vjeçare.
Gjithashtu duhet të them se edhe doktor Polena (S.P.), ishte i apasionuar pas natyrës dhe, në kopshtin e madh të shtëpisë së tij po të madhe e të bukur, më të bukurën në gjithë qytetin tonë që, akoma edhe sot, pavarësisht prej kohës dhe ndërhyrjeve me ndërtime të çregullta, prej varfërisë së sjellë prej komunizmit, ajo shtëpi është e veçantë, e pra Polenka (kështu e thëriste gjithë qyteti) kish dikur krahas kafshëve dhe shpendëve të ndryshme që ai i mbante, si një kopësht zoologjik të vërtetë edhe plot pemë, bimë, e lule nga më të ndryshmet. Kopshtin e doktor Polenës, si fëmijë që isha dhe që shtëpia e të cilit ndodhej larg rrugëve, ku unë kalova jetën time fëmijnore, e njoh më pak.

* * *
Oborret e qytetit të Korçës, kanë qënë oborre karakteristike qytetare, nuk ngjisnin me kopshtet e fshatit, kishin lidhje me serenatat e qytetit tonë, kishin lidhje me të dalat e vajzës herë pas here në dritare, tek porta, me tingujt e kitarës, lidheshin me brengat e ëmbla të qëndisjes syulur dhe me zemrën që troket, me të thirrurat e gjyshes “Mbylle portën!”, kishin lidhje me vështrimin vjedhës të djemve të hedhur prej rrugës, brenda në to, kishin lidhje me britmat e gëzuara të fëmijëve, me të shtënat e tyre me gurë për të rrëzuar kumbulla aguridhe, kishin lidhje me të ulurat tek sofati, me thashethemet, me të mbajturat nëpër gojë, etj, ishin pra pjesa e jetës sonë, shpirti tonë, identiteti i qytetit tonë. Sa keq që sot dalëngadalë po harrohen ato, duke imituar oborret e të tjerëve, oborret tona ishin oborret më të bukura në botë… mendoj unë!!!
Ilia V. Ballauri ©
Ilustrimi: Vangjush Mio, “Rrugë në Korçë”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.