back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ode Skënderbeut – nga Pierfranco Bruni – Përktheu Jozef Radi

Gazeta

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (1405-1468)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468)

Ode Skënderbeut

nga Pierfranco Bruni – Përktheu Jozef Radi

(Recitim i një shkrimtari
që s’e pranon historinë
si nji gjurmë të racionales)
.
Koha e ka tha Historinë
dhe qytetnimet kanë ndigjue kujtime të pafundme
E nëse kërkimi i lirisë
s’asht nji metaforë
tensioni i epokave
ka kapërcye n’eksodin e popujve
 
Në këto arrati
s’ka pasë udhëtime
n’erë
po era
i ka shkye dallgët
dhe deti
asht shfaqë i çamë në përmbytje
t’ekzistencave
 
Këta njerëz janë nji popull që ikën
po kurrë nomadë, as bij të erës
n’vuejtje e ecejake të pafundme midis Lindjes dhe Perëndimit
Troja e kujtimeve të kujtueme
asht nji qytet që s’shuhet kurrë
n’kufijtë midis detnave dhe maleve
n’ecejake të heronjve dhe miteve
përcaktue kaherë prej Homeri
 
Fate shtegtimesh
Etër dhe Brezni janë në gjakun tand
e ndër tokat ku ke dëshmue
në nji të shkueme
nji trashëgimi midis vendesh të ripopullueme
 
E n’se besimi asht liri
mos ta harrojmë
frikën prej hanave të çame më dysh
dhe në natën e Krojës
nji heshtje e vetme
në klithmën e thekshme
prej nesh
që vazhdojmë me t’kërkue
ndër kujtime që s’i kemi ma
dhe në shije të nostalgjive
që s’i njohim ma
veçse në dritë të ngjyrave, n’muzikë e në valle
prej ditve që ndigjojnë zanet e qëndresës
po miti q’u shndërrue në simbol
asht ma i fortë se çdonjena fjalë
 
Fantazia
asht vesh me fat
fantazia përcjell fatet e njerëzve
n’diasporë
e synon me mbledhë dhimbje të përbashkëta
 
Nëse ky Perëndim
ndërthuret me Lindje
asht ende në ty
 
Qytetnimi në Krisht
dishiron m’u bashkue tuj i mposhtë vetmitë
dhe për ne
ka gjithmonë kuptim
m’u ndodhë midis eksodit dhe diasporës
me jehonën e kangës së Uliksit
që shoqnon
vajtimet e mbramjeve
dhe perëndimet që shenjojnë horizontin.
 
Ndër brigjet italike
hapi yt s’ka lanë hije
po ka me ta gdhendë mendimin n’shkamb
e ka me përshkue trishtime dhe rikthime
ndër epoka t’largëta.
 
Dhe shifen flamuj t’naltuem në port
dhe ndigjohen tinguj ndër rite ballkanase
festa ka nisë ndër vende që vishen gjith’ ngjyra
e prej frengjive n’duhmë temjani
preken paksa n’maje të gishtave
fluturime fjalësh ku ndihen thekset posa flasin.
.
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - pikturë nga Ndoc Gajtani
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – pikturë nga Ndoc Gajtani
Ata vijnë prej larg
e largësitë e historisë i masin
me rrahjen e daulleve
Prekjet e kujtesës
janë si me kërkue me mbyllë n’nji gjest
nji dashni ma t’lashtë se lashtsia.
 
Ndër rrugë të fëminisë kërkojnë njeni-tjetrin
e në lojën rrethore të valleve
palët e fustanellave u shfaqen ylberë
 
Buzëqeshje të trishta
në sytë e yjeve
midis kalimtarësh – që ndeshen
në sfidën e orëve
 
Tashma edhe historia asht nji lojë
po n’epikë të peisazheve
e n’kornizë të ditëve
unë vizatoj nji shqiponjë
midis ngjyrash që ndjekin shtegëtimet
 
Ti ke qenë
ti mbetesh
nji shtegtar
midis trojesh dhe breznish
e i kushton jetës dhe vdekjes
përlotje e përmallim.
 
Jeton n’madhështi
të gjuhëve
që ruejnë shikime
agonish e përrallash
po edhe rrudha gurësh
n’at shikim
grrye prej betejash t’shumta.
 
N’teposhtën e ditëve
unë ndihem nji keqpërdorës
ndoshta e keqpërdor edhe historinë
po gjurmat që ruej mbrenda vedit
kanë currila gjaku
e brazda të lashta
dhe qëndrojnë si përplitje zemre
në pritje t’nji Mesdheu
ku të tjetërsohet fyemja
në duershtrëngime t’nji takim
 
Ti
Aleksandër
njashtu si na të thrrasim n’shtegtime metaforash
ti pararendës
që na shfaqesh bashkohës
ke nji jetë
që na shtyn mos m’u dorëheqë
e na përcakton nji shteg
n’vetëdijen që na pret
 
Nëse je në histori
e je pjesë e Historisë
unë të përjetsoj si nji endës kujtese
n’nji tendosje shpirti
përtej çdo dokumenti
thellë ndjesive
 
t’nji qytetnimi që kurrë s’u trumhas
ndër kujtime
e kurrë s’u humb
në t’ardhme
 
Kanga e Uliksit
asht nji profeci
si vajtimi Eneas
mes flakve të qytetit të shkatërruem
dhe ikja detnave
ndër brigje të reja e udhtime ndër toka t’nji drite tjetër
Ti je përtej historisë
n’ernat që shtyjnë
veliera të pafundme
drejt nji porti
që ti e njeh aq mirë.
Ode Scanderbeg - Pierfranco Bruni
Ode Scanderbeg – Pierfranco Bruni

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.