back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Odhise Paskali (1903-1985) – babai i skulpturës shqiptare – ese nga Luan Çipi

Gazeta

Odhise Paskali (1903-1985)
Odhise Paskali (1903-1985)

Odhise Paskali (1903-1985)

– babai i skulpturës shqiptare

ese nga Luan Çipi

Odhise Paskali lindi në në fshatin Kozhan, Përmet më 22 Dhjetor 1903.
Artisti i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa mëdyshje si themelues i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Familja u vendos në Koblarë dhe Paskali i ri, mori mësimet e para nga i ati, që ishte prift dhe mësues në atë fshat. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet, por edhe qyteti i Përmetit ishte i vogël për të. Pas shumë vështirësive ekonomike dhe pengesave të tjera, me ndihmën e një miku arbëresh, në vitin 1916, u nis në Itali. Pasi kreu liceun, në vitin 1920, filloi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e Torinos dhe më pas, në vitin 1927, mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit me historianin e njohur A. Venturi. Gjatë viteve që ishte në Torino, krahas studimeve në universitet, Odhise Paskali gjendej çdo ditë në studion e artistit italian Rubino, ku mësoi mjeshtërinë e skulpturës, që e tërhiqte veças. U bë i njohur që me krijimet e para, kur ishte ende student. “I Urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare. U realizua në 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror. Më pas u mor nga Italianët si plaçkë lufte dhe ende gjendet atje.
Për këtë vepër me vlerë vet Odise Paskali tregonte:“Jam frymëzuar nga plaku, që pashë të vdiste nga uria, në ullishtat e Vlorës, në vitet kur shqiptarët iknin nga Pogradeci, Përmeti e qytetet e tjera dhe gjenin strehim në Vlorë, nga ku kishin shpresë të kalonin në Itali. Po punoja këtë portret, që është me madhësi reale, kur nga porta që ishte gjysmë e hapur mu afrua një vajzë 5-vjeçare. Ajo u afrua te puna që po punoja dhe më pyeti:
-Ç’ka ky plak që është kështu?
-Është i uritur, i thashë, nuk ka të hajë.
Nuk tha asnjë fjalë dhe doli. Pas pak u kthye me një copë bukë në dorë dhe tha:
-Jepja ta hajë, dhe doli.
Ngela i emocionuar me copën e bukës në dorë, por me kënaqësinë se ishte një ogur i mirë për rrugën e artit që kisha zgjedhur”
Odhise Paskali qysh herët shkroi artikuj, poezi dhe tregime; përktheu novela dhe ese për artin dhe artistët. Në vitin 1929, nxori numrin e parë të revistës “Studenti Shqiptar”, të cilën e drejtoi derisa u mbyll, pas shtatë numrash. Krahas krijimeve letrare, aty botoi foto nga punimet e tij në skulpturë, si dhe nga tablotë e kolegëve artistë si: Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, etj. Në vitin 1935, nga biblioteka e njohur Argys në Tiranë u botua një libër me tri novela të përkthyera nga Odhise Paskali. Për disa vite, artisti i ri u end midis letërsisë dhe artit, ende pa e përcaktuar drejtimin e ardhshëm të krijimtarisë së tij. Viti 1928 shënon kthesën dhe përkushtimin e plotë ndaj skulpturës. Bashkia e Korçës e porositi për një monument kushtuar luftëtarëve të lirisë. Skulptura “I urituri” e kish bërë të njohur si një talent që rrezatonte dritë për artin kombëtar, ndërsa pas realizimit të monumentit “Luftëtari Kombëtar” në qytetin e Korçës (1932), Odhise Paskali do të bëhet skulptori më i njohur në Shqipëri. Në të njëjtën ditë, u përurua edhe statuja tjetër e tij “Flamurtari” në qytetin e Vlorës. Më pas u ngritën edhe tri vepra të tjera në bronz po nga Paskali: “Mihal Grameno” (Korçë, 1932), “Çerçiz Topulli” (Gjirokastër, 1934) dhe “Skënderbeu” (Kukës, 1939). Me statujat e Odhise Paskalit, disa nga qendrat në qytetet kryesore shqiptare morën një pamje të re, duke fituar edhe një identitet të tyre. Pas vitit 1927, Odhise Paskali angazhohet plotësisht në jetën artistike shqiptare dhe për disa vite do të jetë në krye të shumë veprimtarive të rëndësishme kombëtare. Në vitin 1931, bashkë me akuarelistin Qenan Mesareja, themeloi shoqërinë “Miqtë e Artit”, ku u mblodhën artistë të të gjitha fushave që jetonin në Tiranë. Po atë vit, Odhise Paskali organizoi Ekspozitën e Parë Kombëtare të Artit në Shqipëri, që u hap në Tiranë, në maj të vitit 1931. Ekspozita ndikoi edhe për themelimin e Shkollës së Vizatimit.
.
Monumenti Heroit Kombetar - Skanderbeg - Odise- Paskali
Monumenti Heroit Kombetar – Skanderbeg – Odise Paskali
Odhise Paskali, që në fillim, ishte një ndër mësimdhënësit kryesorë, ndërsa më vonë u caktua drejtor i saj dhe luajti rol të rëndësishëm në konsolidimin e shkollës, si dhe në zbulimin dhe përgatitjen e artistëve të rinj. Pas vitit 1944, ndaj Odhise Paskalit në fillim u mbajt një qëndrim i rezervuar. Nuk u ftua të merrte pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Pasçlirimit, në prill të 1945-ës, meqenëse kishte realizuar më parë statujën e mbretit Zog, si dhe buste të figurave të tjera të mbretërisë. Por, duhet thënë se punimet kryesore te tij, vlerat e statujave në bronz, të ngritura në sheshet e qyteteve, e ruajtën të pacënueshme figurën e Odhise Paskalit dhe ndikuan që ai të rikthehet përsëri në art. Rifilloi krijimtarinë në skulpturë me bustet e heronjve “Misto Mame” (1948), “Vojo Kushi” (1949), që u vlerësuan midis punimeve më të bukura të atyre viteve. Më pas, realizoi disa monumente si “Partizani Çlirimtar” dhe “Ndihmë Shokut” (Përmet, 1964), “Partizani Fitimtar” (Mathausen, Austri, 1968), “Skënderbeu” (Bashkautor Janaq Paço, Andrea Mano, Tiranë, 1968), bustet “Dy Heroinat” (Gjirokastër, 1974) “Vëllezërit Frashëri (bashkautor Thoma Thomai, Tiranë, 1978), “Idriz Seferi”, (Prishtinë, 1980), etj. Në vitin 1965 realizoi variantin më të arrirë të bustit të Enver Hoxhës, që u riprodhua në qindra e mijëra kopje. Ajo u çmua si vepra që pasqyroi dhe i shëmbëllente më mirë figurës së udhëheqësit komunist të Shqipërisë. Për Odhise Paskalin u ngrit studioja e parë, më e madhe në Tiranë, për skulpturë dhe, gjatë gjithë kohës, ai ka qenë një nga artistët më të vlerësuar në Shqipëri. Studioja e tij u kthye në një shkollë për artistët e rinj, si dhe për studiuesit dhe historianët e artit, pasi Odhise Paskali ka qenë gjithashtu edhe një njohës i mirë dhe studiues i zhvillimeve artistike botërore. Punoi pak vite si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në krijimtari të lirë. Gjithnjë i angazhuar në realizimin e statujave dhe monumenteve. Vazhdoi të shkruante artikuj dhe ese për artin. Duhet thënë se edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ’60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë Jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.
Odhise Paskali , modest, përsëriste shpesh:
“Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr.
-Linda, jetova dhe do të vdes i varfër!”
.
Odise Paskali - Statuja e Luftetarit Kombtar
Odise Paskali – Statuja e Luftetarit Kombtar
Ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave, i pari për shumë vite nga fusha e arteve dhe ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit”. Krijimtaria e Odhise Paskalit, ndonëse përshkohet e gjitha nga e njëjta frymë romantike, nga studiuesit ndahet në dy periudha. Në periudhën e parë, para vitit 1945 (ku veç statujave që përmendëm më lart, bëjnë pjesë edhe disa buste dhe figurina në bronz) veçohet për vlera më të spikatura artistike. Statujat dallohen për siluetat e bukura, modelim harmonik sipas konceptimit skulpturor të antikitetit klasik. Në bustet e asaj periudhe gjen trajtim më të thelluar të psikologjisë së personazheve, më shumë interpretim artistik nga autori. Me ato vlera të çmuara, Odhise Paskali përcaktohet si themelues i skulpturës realiste shqiptare. Edhe për periudhën e dytë, pas vitit 1945, ai vlerësohet midis skulptorëve më të shquar të vendit. Në disa nga krijimet e kësaj faze, vërehet pasurim i shprehjes artistike, ndërkohë që në disa të tjera gjen edhe skema pompoze të realizmit socialist, skema që pushtuan edhe skulpturën e atyre viteve, sidomos ato monumentale, ku mund të përfshijmë edhe disa punime të Odhise Paskalit. Në krijimtarinë e pasur të këtij mjeshtri, monumenti “Luftëtari Kombëtar” i Korçës, është vlerësuar si një ndër statujat më të bukura të së gjithë skulpturës shqiptare. Në zhdërvjelltësinë e figurës së luftëtarit, ndihet më shumë jetë dhe madhështi, ndërsa ritmi që krijohet nga palat e gjera të gunës, flokët e hedhura dhe lëvizja e kokës, në kontrast me lartësinë e figurës, i japin më shumë jetë dhe dinamizëm. E realizuar në përputhje me përfytyrimin popullor për luftëtarët e lirisë, ky monument, si dhe sheshi ku është vendosur, është kthyer prej vitesh në një simbol të përpjekjeve për liri. Në vitin 1986, statujën e zhvendosën në një shesh tjetër të Korçës, për të ngritur në vendin e saj monumentin e Enver Hoxhës. Por, pas vitit 1990, “Luftëtari Kombëtar” u vendos po atje ku ishte, në krye të bulevardit, ku qëndron edhe sot.
Odise Paskali - Jeronim De Rada
Odise Paskali – Jeronim De Rada
Veprat e tjera të Odhise Paskalit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe në disa muze dhe institucione qendrore të vendit. Pas vdekjes, studioja e tij u kthye në studio-muze, ku ishin vendosur vepra origjinale, si dhe variante dhe replika në gips të disa monumenteve, statujave dhe busteve, origjinalet e të cilave ndodheshin në ambiente të tjera, në rrugë e sheshe të Tiranës dhe qyteteve të tjerë. Në studion-muze ruhej edhe arkivi i pasur i OP me shënime, dokumente dhe materiale të tjera me interes për historinë e zhvillimeve artistike në Shqipëri. Nga trazirat pas vitit 1990, studioja u dëmtua bashkë me pjesën më të madhe të veprave. Një pjesë e arkivit tani ruhet nga fondacioni “Paskali”, që u krijua nga vajza e skulptorit, studiuesja e spikatur e artit, Floriana Paskali. Pas titujve Skulptor i Popullit dhe Akademik, Odhise Paskali është vlerësuar edhe me titullin Nderi i Kombit. Emrin e tij e mban sot një shkollë arti në Pejë dhe sheshi i qytetit në Përmet. Ai ndërroi jetë në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme. Skulptori i Popullit Odise Paskali është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat:
 
“Monumenti i Pavarësisë, Vlora”
“Gjergj Kastrioti”, dhuruar më 1968-n qytetit arbëresh Hora e Arbëreshëve, Siçili
“I urituri”,
“Keti”,
“Malësori”,
“Luftëtari Kombëtar”, Korçë;
“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;
“Ushtari i panjohur”,
“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;
“Naum Veqilharxhi”, bust në bronc , në Korçë;
“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;
“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”
“Isa Boletini”
“Fan Noli”
“Onufri”
“Jeronim De Rada”
“Pashko Vasa”
“Zef Skiroi”
“Çerçiz Topulli”
“Naim Frashëri”
“Ahmet Zogu”
“Vojo Kushi”
“Migjeni”
“Enver Hoxha”
“Idriz Seferi” e shumë vepra të tjera.
 
Për të gjithë ata që e kanë vlerësuar, vepra e tij mbetet një shkollë e vërtetë arti.
Këto mund te nxirrja përmbledhtas nga interneti dhe botimet për skulptorin e madh nga Admirine Peçi, Shaban Cakelli, Dashnor Kaloçi, Stilian Adhami etj.
Tiranë, më 01 Tetor 2018
Marre nga Gazeta Telegraf – 2 Tetor, 2018
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.