Odisea e doktor Shyqyri Çupishtit
nga Edmond Hasani
Vila Kodra është ndërtuar me stil osman më 1882 dhe rikonstruktuar veç një herë, në vitin 1946. Ajo ka shërbyer si streha e fundit gjatë internimit në Peshkopi, e kirurgut të famshëm vlonjat Shyqyri Çupishti, për të cilin dokumentet rrëfejnë së bashku me të famshmin Ali Mihali e Ismet Gega janë themelues të Spitalit Rajonal të Vlorës, me pasues Azduriani, Dhimitri, Nashua, Agalliu, Çupishti, Dervishi, Fllokua, Pustina, Kauri, Shehi, Hysenbegasi, Kallfa, Shyti, Ashiku, Angjeli, Myrzabegu, Matathia e mjaft të tjerë.1
Ai kishte shërbyer si drejtor i spitalit të Vlorës, në vitet 1933-’35.
“Në mars të vitit 1944, ndërsa lufta ishte në kulmin e saj, në Vlorë po ndërtohej një kinema e re, nga doktori operator Shyqyri Çupishti dhe Kodhel Luari, tregëtar, në krye të rrugës “Zogu I”. Kinemaja ndërtohej pasi prej më shumë se një viti ishte djegur kinema “Nacional”, e cila ndodhej në mes të rrugës Vlorë-Skelë…”2 Mbas kinemasë së ndërtuar prej tij, doktor Çupishti kishte klinikën e tij private spitalore në lagjen “Karabash”.
Enver Memishaj, kur shkruan për tri motrat Lepenica (Teftën, Afërditën dhe Elisabetën) mes tjerash tregon se dy fëmijët e Doktor Çupishtit, Skënderi dhe Shukranja kishin mjaft shoqëri me familjet e hebreje të Vlorës, si Jakoeli, Zevi e Mathatia. “Në këtë shoqëri nuk mungonte asnjëherë Shukrie Çupishti, e cila gjatë viteve 1940-1943, kishte qënë në gjimnaz në Itali, një vajzë tepër e zgjuar. Doktor Çupishti i ati Shukranes u trasferua në Peshkopi, ku mori edhe familjen me vete. Më 28 nëntor 1948, ata familjarisht u arratisën në Shkup, Jugosllavi.3
Nga fundi i vitit 1944, emri i Dr. Shyqyri Çupishtit figuron midis 134 emrave që vuajtën në Kampin e Mat’hauzenit,4 ku është edhe pllaka përkujtimore me emrin e tij… Kurse pas çlirimit e gjejmë sërish të internuar po kësaj here në atdhe, në Dibër. Prej vitit 1945 e deri më 1 maj 1948 ai shërbeu në Peshkopi, kohë kur u arratis në drejtim të Jugosllavisë, duke kaptuar Skërtecin.
.
Në foto duket ende edhe sot shenja e klonit!
Doktori i përmendur Çupishti, u soll në internim sëbashku me kirurgen e parë shqiptare Qemoran (Lona) Toptani, që kishte mbaruar studimet në Vjenë, edhe ajo e internuar në Dibër, kolege me nënën time, por per Doktoreshë Lonën kam një shkrim tjetër!
.
Doktori Çupishti u bë shpejt mik zemrash dibranësh, jo vetem si profesionist i shkëlqyer, por edhe si njeri xhentil, i papërtuar që shpesh shkonte fshatrave në këmbë, sepse dihet se në çfarë gjendjeje ishte vendi në vitet mbas lufte.
Tregohet se: shpesh herë ai operonte edhe në rrugë dhe po aq shpesh paguante edhe recetat e ilaçeve të pacientëve të varfër!
I parë si “armik i partisë” ai është survejuar vazhdimisht si nga bluza te bardha dhe ato të zeza të Sigurimit të Shtetit! Në vjeshtën e vitit 1947, rastësisht e takon dikush, një fshatar dhe i tregon hallin: se kishte filluar gangrena në këmbë! Doktori Çupishti nuk heziton, por e viziton aty në pazarin e ditës së dielë dhe ndërhyn! Këmba i shpëtoi dhe mbas disa ditësh fshatari i shkon në shtëpi doktorit dhe e pyet se sa i kushtonte shpëtimi këmbës! Doktori i thotë: “Nuk dua asgjë, veç nëse ke besë dhe burrni me nxirr jashtë kufirit, për në Jugosllavi!” – meqë ai jetonte afër kufirit në Zagrad.
Fshatari i shkretë mendohet dhe i thotë: “Do të çoj fjalë, por mos fol me njeri!”
Me 28 nëntor 1948, kur kufitarët ishin në festë ata familjarisht e kalojnë kufirin dhe doktori i jep dy napolona flori fshatarit!
.
Mbas një muaji fshatarin e arrestojnë dhe ai tregon historinë… dhe mbas disa vjetësh del nga burgu…
Doktori dhe familja e tij mbasi kalojnë kufirin në Tanushë, në Dibër të Madhe, në Shkup e në Beograd dhe fati e shtyn deri në Arabinë Saudite, ku pranë oborrit mbretëror punonte si shërbyes një i njohur i tij. Mbreti i Arabisë ndërkohë kishte djalin e sëmurë me një gjendër mbi kokë dhe nuk gjente derman nga asnjë mjek.
Doktor Çupishti, me ndihmën e mikut të tij, prezantohet me mbretin dhe mbasi e viziton djalin e sëmurë e shëron atë me një përzjerje gjethesh të ndryshme dhe ndërhyrjes në kokë!
.
Djali jo vetëm shpëtoi, po u bë edhe mbret vite më vonë, ndërsa doktor Çupishti u bë mjeku personal i mbretit deri sa vdiq!
Interesant është fakti se mamaja ime, kishte qënë paciente e tij në Vlorë, kur ishte vajzë dhe nuk arriti ta takonte në Peshkopi, ndërsa si mjek mbretëror, Shyqyri Çupishti, u njoh me gjyshin tim dhe lidhën miqësi në diasporën arabo-egjiptiane! Bile në Kajro ai martoi edhe nji vajzë të tij Shukrien, me Qerim Haxhiun, i cili jetonte në Kajro!
Më 2012, në ceremoninë e dekorimit të disa figurave të shquara të mjekësisë dibrane në komisionin e vlerësimit dhe propozimi im për dekorimin e tij u neglizhua për arsye banale… Për fat të keq, sot e kësaj dite doktor Shyqyri Çupishti, për autoritetet dibrane mbetet i panjohur, dhe i pavlerësuar kurrë!
.
1.https://telegraf.al/speciale/ergys-alushi-haberet-nga-vlora/
2.https://www.fjalaelire.com/post/përpjekje-për-historikun-e-shërbimit-mjeksor-në-vlorë
3.https://histori3.rssing.com/chan-20649236/all_p50.html
4.https://www.pressreader.com/albania/gazeta-shqiptare/20131130/281943130675245
.