Dua t’ju përcjell Ju, njohjen time me nji Njeri…
rrëfim nga Viola Doko
S’e mbaj mend mirë, nëse duhet të ishte viti ’74 o ’75, por di që mama ime ishte shtruar at vit për të tretën herë nga 6 muaj në Sanatoriumin e Tiranës, mbas nji periudhe gjashtëmujore në dispancerinë e Durrësit… Mbaj mend gjithashtu, që për mua ishte një periudhë shumë e vështirë… sepse më duhej çdo ditë mbasi mbaroja shkollën të mos kthehesha në shtëpi, por të vrapoja drejt stacionit për të kapur trenin e rradhës dhe të shkoja në Tiranë… dhe prej stacionit në Sanatorium… që ishin në sy skaje të qytetit… Në mëngjes, së bashku me çantën e shkollës merrja me vete dhe një strajcë doku ngjyrë bezhë, ku kisha pak ushqime dhe ndonji ndërresë për mamën.
Kam nisë qysh herët të lexoja libra, falë një biblioteke modeste që e kishim në shtëpi, dhe mbaj mend se në atë kohë s’e kuptoja mirë fjalën “roman”, po mendoja se do të kishte lidhje me Romën… e dija që Roma ishte një qytet në Itali, pra mosha e leximeve të mia ka nisur kur s’isha fort e mirëformuar, veçse e di që isha kaq shumë kureshtare për librat sa s’më hynin fort në sy lodrat… Në moshën 11 vjeçare, nisa me hedhë fjalët e para në copa letrash, duke u përpjekë të formoja vargjet e para, e ma pas strofat e para… E mbaj mend mirë, vargjet e para që kam shkruar s’kanë pasë lidhje me dashurinë…!! Me kohë m’u bë “ves” dhe kudo që të ndodhesha, kur më vinte pëer të shkruar, s’mund të rrija pa e shkruar… i kisha mbushë librat, fletoret, copat e letrave me fjalë, me vargje, me “marrina”…
Kështuqë, udhëtimet me tren sa herë shkoja e vija në Tiranë, ishin diçka fantastike për të menduar dhe shkruar…
Më rastiste që të prisja shumë jashtë spitalit, derisa mama dilte dhe vinte ulesh me mua në stolat e parkut të Sanatoriumit… Po unë qetësisht dhe pa mërzi e prisja ashtu vetëm, e ulur në stol, me nji laps që për t’i shijuar si duhet mendimet e mbaja në gojë… Në ato pritje, aq të dhimbshme dhe të pafundme për mua, unë veç shkruaja…
Vjeshte duhej të ishte… Ashtu e ulur në stol, duke pritë si gjithnji të më shfaqesh mama, që atë ditë vonohesh, mbasi kishin pasë një kontroll, unë e kisha nxjerrë fletoren dhe në faqen e pasme të saj i kisha shkruar ca vargje… Kur mbarova së shkruari ndjeva një dorë që më preku lehtë në sup… S’e kisha ndjerë fare që aty në stol mbas meje qe ulur dikush… Ktheva kokën e hutuar dhe pashë një Burrë trupmadh me flokë të thinjur, me tipare të forta e të rreshkuna nga dielli… Si duket ai më pa që u tremba dhe më buzëqeshi dashamirësisht duke më pyetur për emrin… Kur i tregova emrin, ai më pyeti se ku i kisha lexuar vargjet që kisha shkruar në të pasmen e fletores… i thashë se i kam krijuar vetë…
Ai shtangu dhe më kqyri me habi! (Ende sot, në sytë e kujtesës më përsëritet çdo detaj të atij takimi me at Burrë që u përndrit i gjithi…) Jam rikthyer shumë netë me radhë te ai çast që t’mos më shpëtonte asgjë, as detaji më i vogël i asaj dite… dhe e mbaj mend si sot, se kur ia përsërita, që: “E kam shkruar vetë, dhe ky është krijim i imi…!” sytë e atij Burri më vështruan me nji gëzim të çuditshëm, po edhe me mjaft frikë, aq sa lëshoi mbi mua një hije trishtimi…
Mbasi i lexoj edhe nji herë ato vargje më tha: “Ndigjoje axhën, ke ba shumë mirë që i ke shkrue, po asht ma mirë me i mësue përmendësh këto vargje… Lexoji disa herë mos me i harrue kurrë, dhe mbasi t’i kesh mësue, grise fletën ku i ke shkrue, që gjanat e tua mos t’i lexoj askush tjetër veç teje…!” E pashë me habi… dhe s’e di pse i premtova se do të bëja ashtu si më kish porositë ai. Biseda mes nesh vazhdoi ndër tema të tjera, po ashtu qetë e shtruar ai burrë i sjellshëm mori vesh se unë isha vajza e një mikut tij të vjetër, që ishte jo veç mik, por mes tyre ishte edhe një lidhje e vjetër, të cilën unë kurrë s’e mësova… Di që poezitë e asaj dite i kam mësuar përmendësh dhe s’i kam harruar kurrë:
***
O kohë, o shekull intrigash
Zot ti që vërtet egziston
falja mëkatet kësaj bote
nuk dinë se ç’bëjnë
nuk e dinë dhe gabojnë
O perëndi zhduki lëkundjet në jetë
zhduki të gjitha padrejtësitë
që të jetojmë të lirë e të qetë.
Se ashtu siç janë tallur me ne kur kemi lindur
e që pa na pyetë na sollën në jetë
tjerë do të qeshin me vdekjet tona
po t’mos harrojnë një ditë do t’japin llogari
e gjyqtare do të kenë Ty o Perëndi,
Se çdo qenie e gjallë dhe e ndjeshme
që përpiqet vërtetë të jetojë
ta bashkojë mendimin me Zotin
me pak mundim, po një ditë do t’fitojë!!
Kurse vjersha tjetër ishte kjo:
***
S’e di kam shpresë
një rreze po shoh
diku po shkëlqen,
k’to vargje që shkruaj
do të dalin në dritë
se forca e dashnisë
për ju triumfoi
mbi gjithë forcat tjera
zotnon veç ajo.
Se çdo qenie e gjallë
dhe e ndjeshme
që përpiqet në një formë të jetojë
ta bashkojë zemrën me qiellin
do të ketë shumë mundime
por, një ditë do të fitojë…
Si e mori vesh ai Burrë, se vajza e kujt isha, më pyeti nji per nji për krejt familjen…!! E ndezi cigaren dhe nji trishtim i thellë iu shfaq në sytë e tij kur i tregova se vija çdo ditë nga shkolla drejt e në Tiranë, fillikat vetëm… Ato duart e tij të ashpra m’i ledhatuan flokët dhe ndjeva prej tij nji dashuri të përzier me dhimbje… po, me shumë dhimbje që atëherë s’e kuptoja, se nuk isha ma shumë se 12 vjeçe…
Edhe ai Burrë i fisshëm kishte aty në Sanatorium të shtruar gruan… dhe at ditë takimi mes tij, mamës time dhe gruas së tij… u shëndrrua papritmas në nji skenë sa të dhimbshme aq edhe ttë shtruar lumtur… duke u ba nji nga habitë e mia më të çuditshme… Kishte mjaftuar aq pak, ajo bisedë midis meje dhe atij Burri… dhe të tre ata, ta gjenin njeri-tjetrin, mbas ma shumë se njëzet viteve…
Kur u ndamë porosia e tij qe: “Violë, lexo libra dhe shkruej sa ma shumë… Shkruej dhe mos rresht së shkruemi…!”
Mbas do kohe, ai burrë u shfaq në shtëpinë tonë në Durrës, dhe për të parën gjë që u interesua isha unë. Nuk mund ta besoni se si u ndjeva kur ai përmendi emrin tim!!! Më përqafoi dhe më pyeti nëse kisha shkruar diçka të bukur, a jo?… Për t’i dëshmuar se fjalën e tij e kisha ngulë në mendje: ja thashë me recitim dy tri vjersha, mbasi sipas porosisë së tij i kisha grisur fletët e shkruara… Po e vërtetë është se edhe shumë vjersha s’i mbaja mend… Trishtohesh, kur i thoja se nuk e mbaj mend kët varg… po ai përsëri më porositi: “Ti shkruaj dhe mësoji… Edhe po harrove ndonji varg s’prish punë, se ma vonë ka me t’u kujtue, se jam i sigurt se do ta bash edhe ma t’bukur se ai që e ke harrue…!” Sinqerisht, për shumë vite ashtu bëra: i shkrova, i mësova dhe i grisa krejt fletët ku ishin vargjet e mia…
Një herë tjetër ai Burrë ishte te ne në shtëpi. Unë isha ulur dhe po rrija në ballkon të pallatit, vetëm… në terezi time! Si m’u afrua dhe më pyeti:
“Çfarë do të kishe dashtë ti Violë?”
“Me qenë zog… – i thashë pa u menduar fare, – zog që fluturon natën…!” dhe mbas disa muajsh, Burri i thinjur e me fytyrë të rreshkur nga dielli dhe era, me duar të ashpra nga jeta, me gishtat gjithë kallo, të zvedhur e të djegur nga cigaret, me solli një tablo të punuar mbi një copë të zezë atllazi kthyer nga e mbrapshta, ku paraqitej silueta e një zogu… Ishte një zog i verdhë, që spikaste dukshëm në atë sfond të zi dhe një hënë që rrekesh ta ndriçonte natën!! Kuadri ishte vendosë në dy ristela të holla druri, të punuara me kujdes dhe një mbajtëse teli për ta varur në mur… Atë natë errët, ai burrë i thinjun dhe ai shpend që rrihte krahët drejt nji fluturimi të paditur u bënë thelbi i krejt jetës sime…
Unë vazhdova të lexoj… Lexoja çdo libër që më binte në duar, aq shumë dhe aq libra me rrezik lexoja, sa librat u bënë shkaku i përjashtimit tim dy herë nga shkolla… Armiqësinë e shtetit me fëmijët që lexonin libra, s’kam për ta kuptuar kurrë… Ndoshta i duheshin fëmijë vetëm për të brohoritur në sheshe!!! Ndoshta!!!
Nuk jam poete, jam thjeshtë nji admiruese e apasionuar e poezise… Shpesh më pëlqen të shkruaj dhe herë pas here kam mjaft miq e dashamirës që më inkurajojnë ta vazhdoj kët punë… por sinqerisht unë shkruaj vetëm kur e ndjej se duhet ta derdh atë që ndjej…
Sot, në kët ditë të këtij rrëfimi tim, mund të them se njeriu që besoi i pari tek unë, se mund të bëja nji gjë të tillë, pra të shkruaja bukur, ishte ai Burri i thinjun, me tipare të rreshkëta e shikim të butë, më gishta dhe buzë të djegura duhani po me nji mirësi të pakufishme në çdo fjalë që thoshte… aq sa sot ndërsa po e shkruaj për të parën herë kët të vërtetë timen, më kanë pushtuar emocionet dhe djersët… dhe jam kthyer dyzet vite të shkuara kur nuk isha as 12 vjeçe… Jo, s’kam harruar asgjë nga ai njeri, veçse dëshira për ta sjellë sa më të gjallë portretin e tij më çorienton… Po e vërteta mbetet e vërtetë… ai Burrë që më foli më aq dashuri për shkrimet e mia e kishte emrin Lazër Radi, i pari që më stimoj dhe më nxiti të shkruaj… duke mbetur edhe lexuesi i parë i vargjeve të mia…
Të nderoj o njeri, që s’të pashë kurrë më në kët jetë!!!
Zef Nacaj
Sapo e lexova rrëfimin e Viola Dokos. Ishte shumë i bukur. Kam vu re se ajo shkruen poezi shumë të bukura, por një histori e tillë ishte sa e bukur aq edhe njerzore.
(Marrë nga muri i fb. 29 janar 2014)
Viola Doko (fb)
Ju kërkoj ndjesë që s’po mundem me e gjetë fjalën e duhur për t’ju falenderuar për çastet e bukura, për emocionet nëpër të cilat po i kaloj këto ditë. Sinqerisht ndihem me shumë fat që jam mike juaja, privilegj i bekuar dhe mendoj se fillesën na e bëri të mundur ritakimin e familjeve tona pas 24 viteve si dhe njohja ime me atë: Njeriun, Burrin, intelektualin, poetin, shkrimtarin: Lazër Radi. U deshën disa dekada, që te rigjehesha rishtas me ju…
Ju faleminderit… është shumë pak për ju miku im, pasi atë që nisi ati juaj para 35 viteve, e vazhduat Ju me mua, pa e ditur se Ai ishte i vetmi që më mbështeti në “marrëzinë” time.
Sinqerisht ju dua shumë Viola…
Viola, (edhe pse me emër luleje), asht nji rrebele e lindun…
Viola asht edhe grua me shpirt të jashtzakonshëm sakrifice, me nji ndjeshmëri prej artisteje, me nji spontaneitet të pangjashëm me askënd në botë dhe me nji pozitivitet të pakufi…
Viola… asht vjollca, asht manushaqja, në fund të fundit asht konceptue si lule… dhe si gjithë lulet e kësaj bote e jep mrekullinë e vet, pa shpërblim… dhe kjo i mjafton…
Ky shkrim i Violës, asht diçka prej gjithë ktyne që shkrova ma nalt… e nse s’kam thanë të vërtetën… Ju kërkoj ndjesë…
Eh motër,
m’ka met komenti n’gryk t’fytit e nuk due qi t’më largohet.
Kto jan thjesht fjalë qi dalin prej zemret.
Oh Viola!
Më çove edhe mua nëpër ato kohë. Ti ke njoftë Lazrin dhe unë njofta Manën… Më vjen mirë që e mban mend babën tim të dashur të tillë, sepse ai ashtu ishte… për mua, (dhe jo vetëm për mua) më i miri në botë… Shkrimi yt me preku, poezia jote gjithmonë kur e lexoj më duket sikur gjithmonë me bie një mesazh, o ndoshta unë e përceptoj si të tillë… sepse më duken të dhimbshme…
Viola të falenderoj, dhe ishalla lexoj prap e prap veç gjana të tjera të bukura prej teje…
E kam lexuar pothuaj me një frymë kët ngjarje të vërtetë të rrëfyer kaq bukur nga Viola… Talentin e ke pasë që në vogli Viola dhe kjo bëhet e padyshimtë në këto vargje të mrekullushme që lexova më lart, por ke dhe diçka tjetër që të karakterizon si njeri… Mirënjohjen dhe Vlersimin… që ti kurrë s’e harron, për njeriun që të ndihmoi edhe sado pak në hapat e para që bërë në lidhje me poezinë.
Do t’më japje kënaqësi të madhe po të lexoja sërish shkrime dhe poezi të tilla të mrekullueshme!!!