Ora e ligë e mardhënieve shqiptare amerikane
refleksion nga Ndriçim Kulla
Në kujtimet e Imzot Zef Simonit, prift katolik dhe shkrimtar që ka vuajtur në burgjet komuniste, i cili pas vitit 1990 u bë ipeshkv, në vitin 1976, e përshkruante SHBA me simbolikën e librave të shenjtë të ushtrisë së engjëjve luftëtarë të Zotit, kur gjendej i arrestuar me akuza politike: “Në dhomën e hetuesisë kishte mjaft kohë me u marrë me lamshin tokësuer, me fantastikue. Kisha kohë me ba disa analiza. Politika, simbas truve të mi, shkonte e vinte si një bukë që gatuhej. Kisha dëshirë të kishim globin, hartën. Atëherë me fantazi nisa punën. Vendosa të rendis hartën gjeografike me mend. Imagjinatë mbi imagjinatë. Unë kam qenë edhe mësues gjeografije. Ku ta vendosi? Shkencëtarët kanë krijue hartat. E kanë vendosë në letra. Ku ta vendosi unë? Unë po e shti botën në dhomë. Europën në dysheme. Shtetet e Bashkueme në tavan. Në dy perdet e mëdha anësore Afrikën e dhimbshme e Azinë në ndonjë shtet simpatik. Australinë e pllajave të mëdha në murin karshi portës. Me polet nuk kisha punë se në dimën nuk e çojsha mendjen atje se akull, se brr…. Kur dojsha me u naltue shpirtnisht në dhomë, çojsha kryet përpjetë. Përmbi tavan, mbi pullaz asht qiella e Zotit. Në tavan qielli i armatosun: Shtetet e Bashkueme. E bukur thojsha, sikur të vinte një helikopter në tavanin e dhomës sime…”
Me vizitën e Baker dhe me veçanësinë e mbajtjes të fjalës nga Sekretari i Shtetit të një fjalimi në sheshin kryesor të Tiranës, SHBA donte t’u jepte disa mesazhe shqiptarëve. E para se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të ishin të posaçme. E dyta se SHBA donte që në Shqipëri të kryhej i plotë ndryshimi demokratik, pra të kishte rotacion politik, duke dalë në opozitë partia që kishte sunduar vendin për gjysmë shekulli, që mund të thuhej se ishte bërë ndryshimi i sistemit politik. Këtë mesazh të fundit Baker e shprehu duke përshëndetur turmën me dy gishta, simboli i opozitës.
Ky ishte thelbi i mesazhit që Baker iu dha shqiptarëve me praninë e tij atë ditë në shesh. Meqënëse marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kishin patur një shkëputje të gjatë, Uashingtoni donte që mesazhi për Shqipërinë të jepej në një mënyrë të vecantë, dhe këtij qëllimi iu arrit me vizitën e Baker.
Mesazhi kryesor i fjalimit të Baker ishte në fjalinë e fundit të këtij paragrafi: “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju!” Kjo fjali shpreh atë që kanë të veçantë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si marrëdhënie speciale. Baker u emocionua shumë nga pritja që iu bë në Shqipëri dhe deklaroi: Unë kam 14 vjet që merrem me politikë dhe nuk më kujtohet që të kem parë diçka të ngjashme. Por ja që ndodhi, dhe ky fakt e bën edhe më të jashtëzakonshme. Kjo shprehje simpatie dhe mbështetjeje e sinqertë erdhi ngaqë shihet si simbol i shpresës për një popull i cili për shumë kohë nuk kishte ku të shpresonte.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kishin themele të forta që nuk mund të dëmtoheshin nga këto lëkundje kalimtare.
Konfliktualiteti politik mes palëve në Shqipëri, qeverisë dhe opozitës ka qenë i thellë por gjithmon njohu një ndërmjetësim amerikan, veçse jo një Amerikë të palës.
Po sot cila është situate në mardhëniet shqiptaro-amerikane?!
Ka një situate të çuditshme gati të pabesueshme për çdo kënd në zhvillimin e këtyre mardhënieve, që nuk i korrespondojnë vullnetit të dy popujve, parimeve të demokracisë, sovranitetit shtetëror dhe ndërtimit të shtetit ligjor, pikërisht atyre vlerave që Amerika promovon kudo në botë.
Ambasadorët amerikanë të emëruar në Shqipëri kanë qenë gjithmonë, si individë, njerëz me cilësi profesionale dhe profil, mbi nivelin e ambasadorëve që SHBA dërgon në vende të përmasave të Shqipërisë, gjë që është provë se marrëdhëniet me Shqipërinë trajtohen si të posaçme.
Nuk mendoj se e teproj kur pohoj se ambasadorja amerikane duke mos përjashtuar edhe zyrtar të tjerë të Departamentit të Shtetit si z. Filip Riker dhe z. Mathieu Palmer të cilët kanë dhënë mesazhe imponuese, në mënyrë që të paktën mbi gjysma e shqiptarëve të mos zgjedhin udhëheqësit me vullnetin e tyre, duket se janë përfshirë në një armiqësi të hapur me gjysmën e popullit shqiptar. Është një histori e pështjelluar me intriga dhe interesa të kamufluara që nuk ka të bëj me interesat e dy shteteve.
A nuk ka një rol protagonist në dëmtimin e këtyre mardhënieve ambasadorja aktuale znj. Yuri Kim?!
Shkeli hapur statusin saj diplomatik të ambasadorit, dhe doli posht e lart nëpër Shqipëri duke bërë politikë për njërën palë në kurriz të palës tjetër, dhe nuk shpërtheu qoftë dhe njëherë për drogën, krimin dhe korrupsionin, kur Shqipëria në kohën e saj është kthyer në limanin europian ku trafikantët e saj kanë hedhur hapur spirancat?
Si është e mundur që znj .Yuri Kim nuk i tërhoqi vëmëndjen diktatorit për luftën e klasve që po zhvillon hapur para syve të saj kundra kundërshtarëve të vet?!
Pse e ka nënçmuar në mos të themi e ka rënduar edhe më keq mbarvajtjen e demokracisë znj . Yuri Kim në Shqipëri me mbështetjen që i ka bërë pa rezerva diktatorit ?!
Mos po e teproj vallë me këtë këndvështrim të zymtë?
Mos vallë ka diçka të tepruar dhe unë nuk tregohem objektiv?
E kam të pamundur t’i radhisja në një shkrim me dhjetra nga shkaqet, ku ndihma e abuzuar që ambasadorja znj. Yuri Kim i ka dhënë kryeministrit Edi Rama që ka kapur në mënyrë kapilare të gjitha pushtetet dhe për pasojë ka prishur radikalisht balancën social-politike në këtë vend, duke shkatërruar me pasoja afatgjata opozitarizmin e duke detyruar afërsisht një të tretën e popullsisë të largohen të dëshpëruar nga ky vend?!
Ora e ligë e mardhënieve shqiptaro-amerikane sot kërkon marrëdhëniet e ngutshme diplomatike të Amerikës së vërtetë, që njohim dhe besojmë të gjithë. Ato formalisht janë, por në të vërtet nuk janë si të tilla. Dikush i ka kokolepsur. Sot që po përjetoj gjëndjen në të cilat ndodhen këto marrdhënie më vjen ndërmënd një lëmsh i dredhur dhe i përdredhur thellë që s’ka bërë gjë tjetër veçse i ka zënë fytin tërë sistemit të demokracisë shqiptare.
Ky lëmsh duhet shpërdredhur urgjentisht!
Marrë nga Muri i FB i Ndriçim Kulla, 12 shkurt 2023