back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Oriental apo Okcidental? nga Krist Maloki

Gazeta

Oriental apo okcidental - Krist Maloki
Oriental apo okcidental – Krist Maloki

Oriental apo Okcidental?

nga Krist Maloki

“Nji nga shkrimet ma të lexueme
dhe ma të diskutueme
të të gjitha kohnave…”

Qeverija shpëtimtare e Mehdi beut shkaktoi dobarem një të mirë: i dha fund një herë e mirë luftës qesharake – që vazhdoi afro 3 vjet resht dhe me aq nxehtësi – ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve. Sepse brenda njaj vjeti, kur sundoi – apo donte të sundonte – rinia shqiptare, u muer vesh se në Shqipni s’ka as Pleq as të Rinj, por ka vetëm Orientala e Okcidentala…
Dhe nder këta – si u kuptue fare kjartas – ka… nga mosha… pleq e të rinj…
E kuptuet?

***
Deviza luftarake “Pleq apo të Rinj?” – aty para 3 vjetsh – mori fund papritë e pakujtue. Së paku aty kah pranvera dinamike e vjetit 1934 s’ju mbush mâ mendja ndokuj me e shkarravitë kalemin rreth njatij problemi që u paraqitë e u trumbetue mas parë – nga autorët e ndryshëm, pleq e të rinj, – si “me një rëndësí vitale për kombin shqiptar”. Me një fjalë: Pleqt dhe të Rinjt zhbrazne sa zhbrazne – shumë herë mâ fort në havá dhe me fishekë qorrë – dhe pa me e pritë fitoren – në një ditë të bukur pranverore dinamike – i futne dyfeket ner arka të harrimit…
Dhe shkaku i vërtet i asaj disfate plot paknaqësi – per të dyja anët – s’u mur vesh ashtu fare mirë. Shumkushi mund të kujtonte se autorëve të ndryshëm – pleqt apo të rinj – ju sos fitili i kandilit të mendimeve apo ju këputë pêji i Ariadnes për labirinthe të problemit të vet…; dikush mund të kujtonte bilè se njaj pêj u këput para kohe nga forza maggiore e rrethanave tona…
Sido kjoftë: problemi “Pleqt apo të Rinjt” vojt nër ne – me sa e sa probleme tjera – si qeni në rrusht. Dhe mjerisht tepër shpejt! Sepse mu n’at moment që po fillonte masllahati me u bâ i interesançëm, – kur doktorët e ndryshëm literata (Zavalani në “Illyria”, Sh. Samiu në “Kuvend. Kombëtar”, Z. Psimi në “Leka”) po mundoheshin me i dhanë shpirt njaj embrioni, të dalun keqas nga barku i s’amës, – mu n’at moment pothuej ngordhi edhe kreatura. Dhe – helbetè – redaktorët e revistës “Leka” s’u kursyene, simbas zakonit, me i bâ asaj shërbimet e fundshme, funerale e pershpirtnije, në numrin V të përkohshmes së vet e në mâ të bukren kohë, në Majin e pranveres dinamike të vjetit 1934…

***
Na pëlqen këtu para së gjithash të shfaqim mendimin se problemi “Pleqt apo të Rinjt” u kap nga autorët e ndryshëm – me pak e aspak përjashtime – si gomari i Qerosit, për bishti e jo për kapistre. Nuk âsht vendi këtu t’i njohim një nga një fajtorët e atij keqpërdorimi fatal. Fakt asht vetëm që pothuej te secili autor – plak apo i ri – nuk shihet një bazë e sigurtë filozofike, sociologjike apo edhe historike, mbi të cilën të jetë përqendrue problemi ashtu si duhej. Përkundrazi pothuej te secili autor – plak apo i ri – shohim vetëm interesa e inate të ditës, interesa e inate efemere, të shfaquna aty për aty sa me shfrye kundra ndoj kundershtari a armiku vocrak, sa me e lajkatue vetdijen literale apo edhe sa me u mbrojtë para një sulmi të paqenun. Vjen mandej që e shumta e autorëve të ndryshëm – pleq apo të rinj – as s’e kishin mendjen me u shtërngue (= koncentrue) rreth ndoj pike të caktueme, dhe kësodore, tuj rrahë secili (ujë) në havan të vet, u pshtjellue problemi “Pleqt apo të Rinjt” dhe u bâ një kaçamak turli-turli pikëpamjesh, një çorbë derri me gjithëfarë nënkuptime e prapamenime, një tutti-frutti orientalo-okcidentale, a mâ mirë: një olla-podrida komiko-tragjike e shpirtit tonë të pacaktim e të padrejtim…
Don Quichotte par exellence!…

Krist Maloki, mes studentësh në Grac
Krist Maloki, mes studentësh në Grac

***
Por për hatrin e së vërtetës duhet të pohojmë prapseprap se brenda gjithë njaj tymi e pshtjellimi të luftës tragji-komike ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve mund të dallohen nja dy-tri rryma pak a shumë karakteristike. E para qe ma fort me një ngjyrë thjesht politike dhe kishte për objekt sulmimi kolltuket qeveritare. Bajraku i të Rinjve (neoshqiptarë të Tiranës!) kishte mbishkrimin e padukshem: “Ulu, ti, të hypi unë!”… dhe flamuri i Pleqve ishte… “Besa!”. – Rryma e dytë u kanalizue në një mënyrë misterioze nëpër fletët e revistës “Leka”. Koncepsioni i asaj reviste serioze – rreth temës perkatëse – u duk ma fort se i çuditshëm dhe i pa vend, sepse ajo e vetmja, në të gjithë miletin shqiptar, e kuptoi luftën ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve si një luftë ndërmjet generacioneve të ndryshme, d.m.th. ndërmjet pleqve dhe të rinjve nga mosha; a thue se s’e di gjithë bota se lufta ndërmjet generacioneve, se lufta ndërmjet atit e të birit (Filipit e Lekës!) s’âsht tjetër veçse një luftë e dhanun prej Zotit e një luftë e amshueme, për të cilën na flet me aq dramaticitet historia e letratura. Jo, kurrsesi, problemi Pleqt apo të Rinjt s’ka punë me njat luftë e me generacione në pikëpamje biologjike-sociologjike! – Por, nejse, s’âsht puna jonë e as vendi këtu me hulumtue hollë e stërhollë se deri ku kanë dashtë redaktorët e revistes “Leka” me çue húta kah Athina apo me humbë shteg në fushën e gjanë të realitetit ndërmjet Sham-it e Bagdat-it. – Rryma e tretë mandej qe e vetmja, e cila iu afrue pak a shumë thelbit të problemit, tuj e cilësue luftën ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve si një luftë mendsinash e botëkuptimesh, a ma mirë: si një luftë ndërmjet Orientalizmës dhe Okcidentalizmës në vendin tonë. Mjerisht vetëm që kjo rrymë nuk pati jetë të gjatë dhe u zhduk aty shpejt – ndo nga mungesa e forcës së mendimeve, ndo edhe nga forza maggiore e rrethanave të ndryshme – si njato ujna që shkojn e vdesin në shkreti…
Me t’ardhmen e qeverisë shpëtimtare të Mehdi beut morën hov përsëri njato tri rryma; porse me ndrrimin e rrethanave ndrruen edhe koncepsionet dhe lufta ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve u përzie me sa e sa deziluzione t’idhta – nga të dyja anët – dhe flaka e saj u shue aty shpejt nga një lodhje shpirtnore dhe nga një rezignacion tragjik e moral…

***
Lufta ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve ka marrë fund përgjithmonë…
Lufta ndërmjet pleqve dhe të rinjve – nga mosha – ka per të vazhdue simbas ligjeve t’amshueme – (dasht Zoti!) – deri në mbarimin e botës…
Por lufta, ma e rrepta që e pret djalërin shqiptare asht ante portas! Kjo luftë dallohet nga tjerat nëpër drejtimin e saj kundrejt një anmiku të padukshem, por aq ma të rrezikshëm për qindresën e saj e për shpëtimin e kombit. Lufta e ardhme asht luftë e djalërisë shqiptare kundra anmikut në zemër të vet, asht luftë mendsie krijuese kundra një mendsie destruktive, asht luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errsine, asht lufta e Okcidentalizmës shqiptare kundra Orientalizmës shqiptare…
Dy fronte anmiqsore e shkyjnë sot zemrën e Kombit tonë. Asht mirë që t’i rrëfejmë djalërisë shqiptare se ku gjinden shatoret e llogoret e saj…

***
Orientalizma shqiptare asht padyshim një sistem mendimesh, ndjenjash edhe instinktesh, si çdo sistemi tjetër jeteset, me një botëkuptim dhe filozofi të tijën. Dhe si dallohet dhe veçansohet secila filozofi e secili botëkuptim nëpër disa pikëpamje karakteristike ashtu dallohet e karakterizohet edhe orientalizma shqiptare nëpër disa shprehje simptomatike e jetë filozofike.
Si ma të paren karakteristikë t’orientalit shqiptar duhet t’a marrim proverbin e çdo qelepirxhiu të pashpirt – (një bonmot mjerisht që asht bâ bilè fjalë popullore!):

Haja qenit, pija qenit
Edhe bjer’ karadyzenit!

Orientali shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete – qelepir – nga të tjerët; bota për tê asht një burim i pashterrun mjetesh, qejfesh e lezetesh, të cilët aj i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyetë se ku nget e ku vret. Detyrë të ndershme apo sakrifica vetmohuese karshi botës përanë s’njef kurr jo, orientali shqiptar. Përkundrazi ushujza orientale, e pangijshme, i ngjitet trupit kolektiv dhe shoqnor dhe ja thith gjakun pa asnjë droje e skrupull. Dhe në vend që t’u turpnonte për veprën shkatrrimtare të veten, orientali shqiptar bahet edhe ma kryenalt, ma kapadaí, ma qejflí… dhe i bje karadyzenit.
Orientali shqiptar s’njef turp a marre, a ma mirë: aj s’ka cipë që t’i nxihet. Prandej karakterizohet edhe nga thanja – pothuej popullore;

Atje posht, ner ata ripa,
Her’ ma hipe, her’ ta hipa!

Orientali shqiptar asht i zoti për të gjitha… turpet. Shet bab’ e nanë, dín e imán, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e përvetëm që t’i shkojë kungulli mbi uj, vetëm që mos t’i prishen telat e karadyzenit.
Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku e llokma; për t’i sigurue vehtes këto të mira përdor aj çdo mjet: bâhet, kur e do nevoja, edhe patriot e tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar… e bilè edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet asht orientali kryekëput rrënimtar, asht destruktiv… dhe bashkohet me të tjerët si njata ujq që vehen së bashku në pre… porse edhe si njata ujq që e shkyjn shokun e vet kur dobsohet apo plagoset udhës.
Sepse orientali shqiptar i ka instinktet e ujkut monoambulant, t’ujkut tek. Dhe deviza e tij karakteristike që e percjell nër shtegtime të jetës asht – prap një thanje pothuej popullore:

Kudo rafsha, mos u vrafsha!

me kuptimin: Ubi bene, ibi patria! Vendi, ku ushqehet dhe mâjet orientali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për tê. Jo sepse e don, por sepse e shfrytëson. Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje dhe skrupull. “Sepse u shkatrrue një shtet, sepse u shprish një komb, sepse u rrënue një botë… ç’ka?”…

“Après moi le déluge!”

Dhe e kërkon e vërteta të deklarojm me kambëngulje që: Kësi farë orientalash gjinden si ner pleq si edhe ner të rinj shqiptarë…

***
Porse e vërteta na detyron edhe per një konstatim tjetër për kah orientalizma shqiptare! Asht një gabim i trash kur thohet shumë herë se orientalizma na ka ardhë sefte nga Azia, apo nëpër religjonin mohamedan, apo edhe nga poplli turk. Jo, kurrsesi, orientalizma e jonë âsht një dhanti (= darovë) fatale e kristianizmit, me gjithë që e një kristianizmi euro-aziatik…
Po spjegohemi!
Në të VIII-tin shekull – aty kah vjeti 740 mb. Kr., do me thanë 600 vjet para se me shkelë Turku n’Atdheun tonë – u bâ Shqipnia provincë e Bizantit, nën Leonin III., të quejtun Isaurios. Dhe nga ky despot i mnershëm u ngushtuen të gjithë shqiptarët me u da ngâ kisha romake (=okcidentale) e me u fundos ner labirinthet e errëta të kishës bizantine (=orientale) s’atëherëshme. Por s’ishte aq fort ndamja (skizma) kishtare sesa njaj shpirt i administratës bizantine, plot angth e myk, që u pllakos si një shpirtër e zezë, si një hije murtaje mbi mbarë kombin shqiptar.
Se shka don me thanë “spiritë bizantine” e di pothuej secili që ka këndue ndopak ner fletët e historisë së kulturës dhe në literaturën kulturë filozofike. Na këtu po mjaftohemi tuj përmendë vetëm se bizantizmi historik âsht po njëlloj me orientalizmën shqiptare që u përshkrue mâ nalt. Shqiptari i shkret ja ka thith langun njasaj bizantinizme shkatrrimtare mrena 12 shekujve të kaluem – qysh nga vjeti 740 – dhe âsht kalbë dalëngadalë në trup e në shpirt të vet, tuj iu shprishë kësodore fuqitë e tija mâ të thjeshtat e mâ fisnike kolektive-kombëtare. Po, shqiptari, dikur, ka qenë kolektivist e universalist; ka pasë një dashtni të përvlueme dhe një besim të pafund ndaj Zotat e qiellit e të tokës, ndaj vendin dhe trashigimin e të Parëve dhe ndaj vllaznit e vet shqiptarë. Vala e nxehtë kolektiviste-aristokratike dhe drita e flakët politike-filozofike që dridhen edhe sot ner amanetet e pluhunosuna të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe ner sa e sa tradita malësore-shqiptare na lanë me kuptue naltsin shpirtnore dhe heroizmën vetflijuese të të Parëve tonë dikur.
Porse të gjitha njato veti, të nalta e ndërtuese-kolektiviste, shkuen dam e huq nëpër helmin shkatrrues të bizantinizmës. Sepse si në mbarështrimin shoqnor e politik, d.m.th. nër marrëdhaniet e shqiptarit me shqiptarin dhe ner marrëdhaniet e shqiptarit me shtetin, eprorët e tij u fut e u përhap spirita bizantine si një epidemi rrënimtare dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit në një bollë amorfe e sisfingore. Genjusi i popullit ja ka gjetë mandej formulën karakteristike, tuj e kristalizue të gjithë filozofinë e saj, perfide e simahore, në thanjen shekullore:

Bugjun jarën!

Si i tha nënprefekti djalit të ri që po hynte rishtas kryetar komuneje! – “Biro, ato që ke mësue ner kurse e ner libra hidhi mënjanë. Po deshte të jesh një nëpunës i mirë, të lavdohesh dhe të nderohesh, mbaje popullin me premtime. Sjelle vërdallë nga një ditë më tjetrën, deri sa të merzitet, dhe mos i kryej asnjë punë…”
Qé shpirti bizantin, mikrobi i demoralizimit e i bastardimit të kombit shqiptar; e qé edhe murtaja shpirtnore e sa e sa kombeve tjerë. Dhe në qoftë se Mohamedanizma heroike e dikurshme, në qoftë se kombi genjal arab dhe turmat hovplote e ngadhnimtare të Turkmenëve u shprishen shpirtnisht dhe ranë poshtë qysh para se me e pushtue Stambollin (1453), kuptohet veten e përvetëm nga fakti që njaj mikrob shkatrrimtar u infiltrue qyshë heret – qysh nga luftimet bizantine-arabe (720 e tëhu!) – ner zemra të tyne. Tyrkia e pastajme s’ka qenë tjeter veçse trashigimtarja dhe kujdestarja e miraz-it bizantin, dhe fesi i kuq – një krijesë greko-bizantine – u pranue si një symbol i atij trashigimi…
Dhe s’âsht çudi që Ataturku genjal – me një gjest prap simbolik – e flaki fesin matanë dhe e shkëputi zemrën e kombit të vet, kryeqytetin, nga pellgu i miazmave pestilence të Stambollit.
Kaq sa për stambollinjtë e Shqipnis së sotshme – pleq apo të rinj!

***
Sa per okcidentalizmën shqiptare âsht fort zor me bâ fjalë ner ne; sepse shqiptarët e sotshëm – (përjashtimet e vërtetojnë rregullën!) – gjinden aq larg nga okcidentalizma e vërtetë sa do të na duheshin gjuhënat e meleq-ve apo edhe burizanat e Jeriho-s që të na kuptonte pak a shumë bota arbnore. Vet djelmnia e shkollueme e ka gabim kur kujton se okcidentalizma përmbahet vetëm ner veshje e mbathje europjane, apo në të ndejunit plot kotësi ner sallona, ner danse e “me kafè shantanta e balerina” (si thotë Patër Fishta), apo edhe me kryemjen e ndojë detyre pro forma sa me rrëmbye një rrogë të majme etj. etj… (Na këtu, helbetè, po flasim me popullin xhahil dhe jo me engjikllopedistat e patentuem – dalun zoras nga ndonjë deriçkë universiteti “bon pour l’ Orient!”)…
E prandej po i sjellemi edhe popullit dhe po i themi se okcidentalizma e vërtetë diftohet piksëpari në kryemjen e një detyre të ndershme – fund e maje për hatër t’asaj detyre dhe pa me qenë i shtyem nga zori, nga ndonjë dishir i prujtun apo nga shkëlqimi i ndonjë fitimi materjal. Bilè okcidentali i vërtetë karakterizohet nëpër mënyrën se si aj i ngarkon vetes – fare vetdashas – detyrë të randa, jashta detyrëve ordinare e të domosdoshme. Heroizëm s’kërkohet prej askuj, porse lartësia morale e një okcidentali matet me gradën e vetmohimit dhe vetflijimit rreth një ideje së naltë… rreth një ideje që s’ka punë me kolltukë, me llokma e me meashe…
Si thotë gjermani Emanuel Kant? – “Vepro gjithmonë në një mënyrë t’atillë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtje për të gjithë!” Kështu flet imperativi kategorik, neni i parë i detyrës së përditshme të një okcidentali…
Anglezi e naltëson veten me një sjellje “gentleman like” kundrejt t’tjerëve dhe me parimin: “always fair play!”, d.m.th. pranon, nderon dhe çmon çdo njeri a priori si të një grade me vetvehten… pa qëllime e prapamendime orjentale…
Francezi shtyhet edhe mâ tej dhe kërkon për çdo njerí: “…liberté, égalité, fraternité!…”
Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njerí – i madh a i vogël, pasanik apo i vorfën, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo nëpër friksime të ndonjë gogoli teologjik, por vetëm e përvetëm n’emën të një njerzimi të nalt (höheres Menschentum), i cili pështetet mbi njato të drejta hyjnore (ius divinum sive naturale) që kanë mbijë në zemrën e çdo njeriu – pak a shumë normal…
Dhe karakteristika mâ e flakshme e ndjenjave të një okcidentali âsht mu njajo dhimbje mëshire dhe flijëplote që drejtohet kundrejt çdo kreature nevojare – qoft kjo: njeri, shtazë, zog apo edhe një përdheskë e shkretë – por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjer, kundrejt çdo populli varfanjak… e mâ së forti kundrejt kombit të vet në rezik. Shpirti fisnik (der Adel) i një okcidentali (=njeriu) të vërtetë rrëfehet kryekput në mënyrën se si merr aj pjesë ner dhimbje e brenga të botës pranë!…
Si thotë një Goethe për njeriun e vërtetë? – “Edet sei der Mensch, hilfreich und gut; denn das allein unterscheidet ihn von allen Wesen, die wir kennen!…”
Por nuk qe vetëm një Goethe e nuk qenë shokët e tij, idealista e poetë, e nuk qenë as religjonet europjane vetëm që predikuen per njat shpirt fisnik e të perdhimbshëm. Jo, qysh para Goethe-s ka qenë anglezi David Hume, i cili larg çdo sentimenti fetar, kërkonte përhapjen e ndjenjave shoqnore-njerzore, i cili kërkonte një “fellow-feeling” ndërmjet të madhi e të vogli e ndërmjet zengjini e fukaraje. Mbas tij erdh prap një Adam Smith, një Saint Simon, një Charles Fourrier, një Robert Owen etj. etj., që tuj u pshtetë mbí të drejtat hyjnore-njerzore (les droits des hommes) kërkuen me e përhapë njat fellow-feeling edhe në sheshin mâ materjalistin e jetës sonë: në politikën ekonomike…
Mjerisht historia e ka dashtë ndryshe… dhe çereku i saj mu aty kah fillimi i shekullit të kaluem një rrokullitje të prapshme. Me zmadhimin e industrisë dhe me hovin e tregtisë së pakufijshme u njallën në njerzinë europjane sa e sa dishire e epshe orientale, u përmbysen Zotat e nderit e të pafajnisë dhe bota okcidentale u përmbyt nga valët e kapitalizmit të “naltë” (Hochkapitalismus), të pashpirt e plot grykësi… Dhe pasojat e asaj prapavajtje i ndjen sot çdokush dhe bilé fëmija në barkun e s’amës…
Dhe s’âsht çudi që në kohën e fundit kanë fillue me u përhapë anekand ideologji kolektiviste apo edhe etatiste-diktatoriale, të cilat duen ta bâjn shtetasin me pahir okcidental, çka don me thanë: të vlefshëm për vete e për të gjithë!
Sepse kjo âsht e saktë: okcidentalizma e vertetë përmlidhet në kryemjen e përplotë së një detyre së përshtatshme shejtnisht me vetflijimin për nji idé të naltë shoqnore…
Nga kjo pikëpamje âsht mâ okcidental xhandari shqiptar i detyrës, ushtari biles i rojës kufitare dhe bulku i shkretë dhjetarak… sesa nëpunësi e zyrtari i kafehaneve me një çarçaf diplome “bon pour l’Orient:”…

Revista "Hylli i Dritës"
Revista “Hylli i Dritës”

Prandej e kanë gabim – bile gabim të trashë – kur thonë disa se shkolla europjane të bân okcidental medoemos.
Jo, kurrsesi! Duhet ditë se edhe n’Europë nuk janë të gjithë okcidentala e të kulturuem. Mana n’Evropë ka njerz (europjanë të lindun!), të cilët me gjithë shkolla të kryme, me deftësa, e doktorata, me diploma e dekorata shkencëtare… janë (njerz) të poshtër e edepsëza, janë vagabonda e mashtrimtarë, e janë kriminela të dorës së parë. Bilé-bilé statistika kriminalistike na difton se krimet mâ të rafinueme e mâ të poshtra janë krye deri më sot nga njerëz me shkollë dhe jo aq nga populli i pakënduem e xhahil…
Të gjitha këto kuptohen nga fakti se shkolla – a mâ mirë: mësimi i shkencave – e zhvillon shumë mâ fort intelektin se karakterin. Dhe meqenëse edhe n’Europë lindin njerz me karaktere të dobët, dhe meqenëse intelekti tërhiqet gjithmonë nga karakteri… ka edhe europjanë që janë mjaft të zot ner shkenca e shkrime publike… por edhe mjaft të zot për çdo krim e poshtërsi orjentale…
Dhe ngjanë edhe n’Europë që shumë herë diploma universitare paraqet vetëm një qyrk deleje okcidentale mbi trup të një ujku oriental!…

(Dr. Krist Maloki, marrë nga revista “Hylli i Dritës”, 1937)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.