back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Origjina, motivet dhe funksioni i Ciklit të kreshnikëve – nga Leka Ndoja

Gazeta

Studiuesi Leka Ndoja
Studiuesi Leka Ndoja

Origjina, motivet dhe funksioni i Ciklit të kreshnikëve
nga Leka Ndoja

Motivet e këngëve të ciklit të kreshnikëve u krijuan në mesjetën e vonë në arealin e veriut të Shqipërisë në shekujt 15-16, si vijim i traditës së kohës bizantine të këndimit të heronjve, si Aleksiada e Ana Komnenës e shek 13, dhe më pas të një tradite të ndikuar nga zhvillimet historike të pushtimit turk të Ballkanit. Këto elementë në botimet divulgative të Eposit, për qëllime shkollore, ose janë lënë pa interpretim ose janë redaktuar e hequr si strategji didaktike e “realizmit socialist”, duke i rënë ndesh teorive shkencore të “shtegtimit të motiveve”, për arsye jashtë letrare.
Botimi i Ciklit të Kreshnikëve, të përshtatur lirisht në prozë, ka patur prekursorë shkrimtarë dhe kritikë të sprovuar si Mitrush Kuteli me 11 këngët e përshtatura të këtij cikli, të përfshira në librin Tregime të Moçme Shqiptare. Gjithshtu Vasil Alarupi, shkrimtar i viteve ‘40 – ‘70, ishte vijues i shkollës folklorike me përshtatjet e përrallave apo motiveve, duke i ripunuar në botimet e tij në diasporë. Ndërsa ka disa sprova të kohëve të fundit nga Anton Papleka si përpjekje për të shtuar diçka të re apo didaktike, nga paraardhësit më të shquar e mbase të pakalueshëm. Nga studimet thelbësore të Ernest Koliqit me tezën e tij të doktoratës Epika popullore shqiptare, të Donat Kurtit, Bernardin Palajt, Stavro Skendit, Arshi Pipës (mbi vargun popullor), kemi mbërritur pas një hiatusi të gjatë: në studimet e Shaban Sinanit, Arbnora Dushit dhe Robert Elsit me rikonceptimin përmes teorisë komparative. Me interes për ne ishte edhe leximi i teorisë homerike të Albert Lord-it & Milman Parry-t; “Dei canti popolari illirici” të A. Mickievic, që jepte hartën e veprimit të këngëve ilirike në kulturën sllave, boshnjake e shqiptare, dhe teorive të fundit të John Foley-t në Universitetin e Missurit – Columbia mbi kufinjtë gjuhësorë dhe të interpretimit të traditës orale. 15 rapsoditë e këtij botimi krijojnë një tablo më pranë receptimit të sotëm, për rijetësimin e akteve të kreshnikëve duke konfiguruar skenat dhe dialogjet në këtë drejtim estetik duke ruajtur elementët thelbësorë të gegnishtes duke i dhënë protazave (hyrjeve) frymën teologjike por sipas stilit postmodern.

Epika Legjendare
Epika Legjendare

Në këtë periudhë të marrëdhënieve historike me orientin, lindi një identitet i ri bizantino-oriental, me një fuqizim të funksionit nacional në motivet e këngëve. Këto këngë përveç motiveve erotike të ndikuara nga eposet e perëndimit, shënuan një funksion dallues të etnive: shqiptarë e shkje, këngë të cilat në motërzimet e ciklit në krahinat e Bosnjes e zonat kufitare kroate-serbe u kufizuan në dallimin fetar turq-sllavë.
[…]

Marrë nga Cikli i kreshnikëve, 2019, fq. 3-5.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.