back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Orlandi i çmendun”… mund të gjendet në Google Lek Pervizi

Gazeta

Lek Pervizi i ri
Lek Pervizi i ri

Përshëndetje me nji lajm të mirë…

nga Lek Pervizi

Mund ta gjeni në Google “Orlandi i çmendun”!

Nji kryevepër tjetër e poezisë italiane e botnore i dhurohet lexuesve dhe studiuesve shqiptarë në përkthimin mjeshtror shqip prej të ndjerit Prof. Guljelm Deda, “L’Orlando Furioso” i Lodoviko Ariostos, (shqip, Orlandi i Çmendun) në dy vëllim nga 750 faqesh secili. Ky botim u ba i mundun nga Instituti i Studimeve të Krimëve e Pasojave të Komunizmit me drejtor z. Agron Tufa, i cili menjiherë e burrnisht e mori përsipër botimin, duke qenë se ai i përkiste punës së një ish të burgosuni politik të randësishëm, siç ishte Prof. Guljelm Deda. Kishte afro 40 vjet që kjo vepër ishte radhitë në dorëshkrim prej katër vëllimesh 400 faqesh, dhe depozitue pranë Akademisë Shkencave të asaj kohë (1975-80), pa gjetun asnjë mbështetje për botim. Arsyeja kryesore si duket ishte se përkthimi ishte në gegnishte letrare dhe koincidonte fill pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe me fushatën e “revolucionit kulturor kinez”, që dënonte e përjashtonte veprat letrare të vendeve perëndimore të cilsueme me frymë borgjeze, kapitaliste, imperialiste e fetare. Sa që në Kinë ato u dogjën publikisht në mënyrë demostrative.
Përkthimi i një vepre të tillë në kondita normale nuk do të kishte aq shumë efekt, sepse nuk asht e thanun që njerzit të mos merren me një punë të tillë, por në rastin tonë çeshtja qëndron krejt ndryshe… Kjo vepër u përkthye në kondita që quhen të pamundshme…. Nuk ka mendje të shëndoshë njeriu që të besojë se ky përkthim të jetë krye në kondita dënimi, burgjesh e kampesh internimi, ku Prof. Deda ishte katandisë të vuente e të rraskapitej për 45 vjet rresht, pjesën ma të madhe të jetës, i izoluem e i ndamë krejtësisht e rrebtësisht nga jeta e lirë shoqnore e kulturore shqiptare. Në kto kushte të paimagjinueshme për papërshtatshmëninë e tyne, ky intelektual i shquem shkodran, i pajisun me nji kulturë të fortë klasike dhe i dipllomuem në Universitetin e njohun të Padovës, me vlersimin ma të naltë “Summa Cum Laude”, mori përsipër të përkthejë Orlandin e Ariostos, me nji guxim e forcë vullneti të pathyeshëm dhe me durim prej murgu të manastirëve mesjetare, kur i shkruenin librat me pupël pate. Ndryshim ishte se Lemi përdorte lapsin dhe majën e penicës.
Jam nji shoqnues i jetës, vuejtjeve dhe punës kolosale që ai nisi të përballojë ne përkthimin e 40 mijë vargjeve të ndamë në 5000 strofa tetë vargjesh me rimë, të cilat Kritiku i Madh De Sanctis i ka quejti “Tetëshe t’arta” (Ottave d’oro), për nga përsosmënia e tyne. Guljelm Deda i ato vargje dha edhe ai po në strofa “tetëshe t’arta” shqip, dhe kjo asht merita e padisktueshme e tij, me të cilën ai radhitet ndër përkthyesit ma të shquem, në mos ma i shquemi për punën e stërmundimshme që përballoi, dhe anën artistike që arriti duke e dhanë shqip, po në stilin e rimën e Ariostos… Kjo merr randësi edhe ma të madhe se rezulton se Orlandin e Ariostos nuk ka mundun ta përktheje kush me vargje të rimueme në asnjë shtet evropian, përveçse të rradhituna në prozë. Aq e zorshme dhe voluminoze paraqitej ajo vepër poetike epiko-heroike. Kjo gja e naltëson edhe ma tepër punën e Guljelm Dedës, dhe gjuhën shqipe, si gjuhë që ka mundësinë me u përkthye kryeveprat e letërsisë botnore, në po at nivel të origjinalëve.
Nji tjetër randësi të padiskutueshme merr kjo vepër, sepse hedh poshtë vendimin e të ashtuquejtunit “Kongres i Drejtshkrimit” 1972, që gegnishten e dënoi me vdekje, por ajo si Feniksi mitik, po ringjallet prej hinit të vet në madhështinë e bukurinë e saj të pavdekshme. Kjo nuk asht vetëm nji shuplakë, po nji dajak, në shpinë të atyne që mbahen si gjuhëtarë, si dijetarë dhe s’janë aspak shqiptarë, se po t’ishin, s’do ta kishin ba at gabim fatal e të turpshëm të ndasisë gjuhësore dhe përjashtimit të gegnishtes nga lëvrimi i saj i lirë.

Guljelm Deda & Marie Muzhani
Guljelm Deda & Marie Muzhani

Si përmbyllje shtojmë se për të krye at përkthim, n’ato kondita aq të vështira, siç ishin kampet me baraka, kasolle e kotecë, ku Lemi me shokë rrinin të mbyllun, atij iu deshën 17 vjet punë. Vlen të theksohet në veçanti, heroizmi i bashkëshortes së tij, znj. Marie Muzhani, e bija e Prof. të mirënjohun shkodran, Luigj Muzhani, e cila i ndejti pranë gjithë kohën, duke nda vuejtjet me të dhe duke e lehtesue e ndihmue në punën që bante. Të pllakosun për 25 vjet, (1964-1989) në nji kooperativë të humbun, siç ishte fshati Ndërnenas i Fierit, Maria kryente edhe normën e të shoqit në bujqësi, që ai të mos i ndahej përkthimit. Heroizma të rralla, të pa thana, të pashkrueme… por që kanë ndodhë realisht…!
Heroizmi shfaqet në mënyra të ndryshme, dhe kjo që përmendëm hyn në at radhë. Pa lëne mandej sa fletore e letra shkrimi u deshën për atë punë vërtet kolosale! Për të cilën u mobilizuen vllaznit e Maries në Tiranë… Edhe shifrat marrin randsinë e tyne. Që të dihet mirë, ato 40 mijë vargje, duke i llogaritun ne 5000 strofa tetëvargjesh, njimbëdhjetrrokshe, zinin së paku nji faqe fletoreje, pra u deshën rreth 500 fletore, shto ma tepër ato për shënime e korigjime të vazhdueshme. Mandej atij iu desh me radhitë me bukurshkrim me penë katër vëllime prej 400 faqesh format A4 pra 1600 faqe… Që edhe cilido murg i manastirëve mesjetare, s’do të kishte arritë, pa ç’ka se murgjit kishin qelitë e tyne të qeta e të rehatshme, me tavolinë e plot kondita të tjera ku s’i trazonte kush në at vetminë e tynë. Ndërsa Profesorit tonë iu deshtën të ndërronte disa herë kampet e interrnimit dhe të detyrohej të punonte në bujqësi ose ndërtim.
Nji kopje te atyne katër vëllimëve ai ma pati dorëzue kur filloi ta ndiente veten të sëmurë keq. Ishte nji amanet i heshtun që duhej çue në vend, dhe fatmirësishtn, ndonse me vonesë, ai amanet asht realizue. Meritë ka edhe nipi i znj. Marie, Leka Muzhani, i cili arriti ta kompjuterizojë veprën që shërbeu për botimin e librit, që po ju paraqesim si njoftim. Nji njoftim me randësi të madhe, sepse vepra e Prof. Guljelm Dedës do të ndikojë thellësisht për nji kthesë të dobishme në çështjen e gjuhës e letërsisë shqipe. Patjetër se në kët vështrim u bajmë thirrje gjithë intelektualëve me përvojë gjuhësore dhe letrare, që të japin kontributin e tyne në favor të vumjes rregull në gjuhën dhe letërsinë shqipe, ku nuk duhet të ketë e të lejohën përjashtime e dallime, në dam të njenit apo tjetrit dialekt. Gjuha shqipe mbetet nji dhe e pandame siç ka qëndrue ndër shekuj.
Shtoj edhe nji kuriozitet nga jeta jonë në kampin e Kuçit të Vlorës ku Prof. Guljelm Deda e nisi kët përkthim… siç ishim mbledhë në dhomën ku ai rrinte me bashkëvuejtës të tjerë, ai na mori leje dhe u çue dhe me na recitue përkthimin e vargjeve të para. Aty, përveç nesh, shokët e tij të dhomës, ishin të pranishëm figura të njoftuna të kulturës shqiptar, si Prof. Dr.-ët: Mit’hat Araniti, Lazër Radi, Ali Erebara, Zef Shiroka, Ibrahim Sokloli, Mark Temali, Lin Deda, Nedim Kokona, Sandër Saraçi, Loro Muzhani, Salvator Kurti, Baltasar e Zef Benussi, Karlo Çoba, Pandeli Nase, Vasil Avrami, Ali Cungu,etj… Lemi (siç thirrej prej nesh) na tregoi se… ia kishte nis asaj pune i shtytun nga kolegët e tij, Pashk Gjeçi, Mark Dema, Henrik Lacaj, Gjon Shllaku, etj. , si i vetmi që mund t’i dilte në krye asaj pune… “Tash po jua lexoj vargjet e para, për me marrë edhe mendimin tuej! A ia vlen apo të hjeki dorë, sepse edhe konditat s’i kemi fort të mira. A po nuk janë edhe 40 mijë vargje. A kam me ia dalë a jo në krye nuk e di, por njiherëpërnjherë po ia nisi…” Dhe kështu Lemi filloi leximin prej fletorjes ku kishte përkthye strofat e para. Ra nji heshtje e plotë midis atyne burrave:

Ariosto: "Orlandi i çmendun" 2013
Ariosto: “Orlandi i çmendun” 2013

Kanga I:

1.

Gratë dhe kalorsit, armët, dashunitë,
sjelljet këndoj dhe veprat guximtare
që ngjanë kur detin afrikan një ditë
Mauret kaluen e Francën damtuen fare,
mllefin rinor tue ndjekë edhe fuqitë
e mbretit Arraùmant, që u mburr s’e parë
për vdekje të Trojanit me marrë hak
mbi mbretin Karl e përandor romak.

2.

Për Orlandinn do them po në kët rend
sende që n’prozë as varg tregue nuk janë,
si nga dashnija krisi krejt ndër mend,
ai që të urtë gjithë bota e pat thanë;
nëse ajo që gati t’marrë njimend m’bani,
e kto pak tru m’i bre nuk pran,
ka me më lejue që gjatë këtij poemi
të kryej si duhet çka premtue ju kam…

Pra qysh n’ato vargje të para u kuptue se Lemi po kryente nji përkthim të nivelit ma të naltë. Nuk e them thjesht me e thanë, por mue më kapi emocioni, ashtu besoj dhe të tjerët sepse përkthimi ishte i përsosun, dhe u prit me urime e bravo prej të gjithve sa ishim. Kështu Guljelm Deda, Lemi ai shoku jonë i vuejtjeve po kryente nji kryevepër në nji kryevepër. Kjo asht e gjitha…
Ju njoftoj se edhe shtypi i ka kushtue randësinë e duhun, dhe pikërish në Goolge duke kërkue “Orlandi i Çmendur”, asht dhanë lajmi i këtij botimi. Ndërsa mendohet se promovimi do të mbahet nga shtatori e mbas, në nji vend e nji datë për t’u caktue.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.