Pa Prof. Namik Ressulin nuk ka Letersi Shqipe
nga Fritz Radovani
Namik Ressuli – (10 Shtator 1908 – 12 Shtator 1985) Pena e Artë e Beratit…
Ky asht pena e artë e unitetit mendimit letrar, artistik e Atdhetar të popullit shqiptar.
Prof. Namik Ressuli asht dijetar i pakufi në fushat e zhvillimit kulturor të popujve. Asht krejt i veçantë për mendimet e sakta në vlerësimet letrare të veprës së shkrimtarve. Asht jo vetëm njohës i kulturës Europiano-Perëndimore, po edhe zbatues i përpiktë i rregullave të saj historike, letrare, shkencore dhe filozofike të kohës moderne.
E njoha në 1957 prej Antologjisë “Rreze Drite” që më dha me e studiue Prof. Gaspër Ugashi.
Asht le në Berat me 10 Shtator 1908. Studimet i ka përfundue në Torino t’Italisë, me një nga profesorat e njohun atje si linguist, Prof. Matteo Bartoli. Në vitet ’30 asht kthye në Shqipni dhe, ka punue profesor në Normalen e Elbasanit. Ishte edhe në Shkodër dhe së fundi në Tiranë. Në 1939, asht profesor i Gjuhës Shqipe në Romë. Vjen në Shqipni në vitet 1940-44 dhe asht antar i “Institutit Studimve Shqiptare” në Tiranë. Në 1941 asht bashkautor i dy vëllimeve të Antologjisë së Shkrimtarve Shqiptarë. Mendimet kritike e shkencore që jep për Shkrimtarët e Veriut dhe, vlersimi që i ban “Lahutës së Malcis” së At Gjergj Fishtës, e vendosë në grupin e Shkrimtarëve të “përjashtuem” të Veriut, nga “Akademia e shkencave të RPSSh”, e formueme nga sllavokomunistët antishqiptar mbas vitit 1944. Prof. Namik Ressuli largohet nga Shqipnia perfundimisht me pushtimin e vitit 1944. Në Itali i kushtohet qendrës të studimeve Shqiptare e, në 1954 boton në Torino revistën “Shpirti Shqiptar”. Një titull që i përshtatej para gjithkujt tjetër vet Autorit të saj
Nga 1955-1971, asht Profesor në “Institutin Oriental” të Napolit, ku vazhdon me ngulm punën shkencore për Gjuhën Shqipe dhe gramatikën e saj. Ribotoi të përfunduem me sukses “Mesharin” e Buzukut, që mbetet ndër monumentet shkencore të Gjuhës Shqipe.
Prof. Namik Ressuli me të vërtetë e mbylli jetën me 12 Shtator 1985, në Torino…
Po, Ai asht nji shkamb që nuk lejon ndër shekuj me ra një gur nga Kështjella e Beratit!
E Pena e artë e Namik Ressulit, i jep shkëlqim edhe ma shumë gurve t’asaj Kështjelle!
Për Prof. Namik Ressulin brezat e ardhshme nuk do të thonë kurrë ishte… po, Ai asht!
Melbourne, Shtator 2018.