back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Pa ty! – poezi nga John Keats

Gazeta

John Keats (1795-1821) pikturë e William Hilton
John Keats (1795-1821) pikturë e William Hilton

Pa ty! John Keats

Në përkujtim të 218 vjetorit të lindjes

nga Jozef Radi

John Keats lindi në Londër, me 31 tetor 1795 dhe vdiq në Romë, me 23 shkurt 1821, poet englez, që edhe pse jeta e tij s’qe aspak ma e gjatë se 26 vite, rreshtohet si nji ndër përfaqsuesve ma në zà të Romanticizmit…
Me gjithë mungesën e suksesit me bashkëkohësit e vet, John Keats, asht konsiderue njizani: “nji prej poetve ma të randsishëm të Romanticizmit englez”, kurse disa prej veprave të tij, e në mënyrë të veçantë “Odet”, e kanë ngjitë atë në famën e pavdeksisë, gjà e cila i qe mohue krejt, gjatë jetës së tij.
Bashkëkohës dhe mik i poetëve të njoftun englezë Percy Bysshe Shelley, George Gordon Byron… ai pati nji ndikim shumë të madh edhe ndër shkrimtarë e artistë të mavonshëm që mbetën të ndikuem thellësisht prej poetikës së Keats-it. I pari, e mbi të gjithë Jorge Luis Borghes, për të cilin: “…’Takimi’ i parë me Keats-in, përban ma të madhen eksperiencë letrare të krejt jetës së tij artistike…” Ndikim të madh ai ka pasë edhe ndër poetë të tjerë të njoftun si William Butler Yeats, Oscar Wilde, Wallace Stevens, e të tjerë.
Vdiq prej nji tuberkoloz galopant, në të zbardhun të 24 shkurtit 1821, në nji dhomë hoteli në Romë që shihte mbi Piazza di Spagna .
Mbi varr shkruhet: “Ky varr ka mbrenda mbetjet e vdekjes së nji Poeti të Ri Englez, i cili në shtratin e vdekjes, në hidhnimin ma të thellë të zemrës së vet, përballë pushtetit dashakeq të kundërshtarve të vet, ka dëshirue që mbi mermer t’i gdhenden këto fjalë:
“Këtu prehet nji njeri, emni i të cilit asht shkrue ndër ujna!”

Varri në Romë i John Keats
Varri në Romë i John Keats

Oscar Wilde ka shkrue mbi John Keats: “…E kush tjetër veç nji artisti të madh e të përsosun mundet me përcjellë prej ngjyrash pothuej banale motive kaq të mrekullueshme: edhe tash ndjehem krejt i dashuruem prej letrës që ka prekë dora e tij, dhe prej bojës që ka ndjekë urdhnat e tij; jam rritë i apasionuem prej asaj lehtësie të ambël të karakterit të tij, qysh kur isha fëmijë, dhe s’kam me dashtë askënd ma shumë, as të afërmit e mi, sa at djalosh hyjnor, Adonisin e vërtetë të kohnave tona… Në parajsën teme ai ecën përjetësisht së bashku me Shakespeare dhe Grekët e Lashtësisë…”
Po mundohem ta përcjell përvjetorin e 218 të John Keats me nji nga poezitë e tij ma të bukura, “Pa ty!” kushtue të dashtunës së tij Fanny Brawne, nji dashni e këputun jo vetëm nga vdekja e tij e shpejtë, po edhe nga pamundësitë e statusit ekonomik që ata kishin…

Pa Ty…

– John Keats (1795-1821)

Oh jo, s’mundem me jetue pa ty,
harroj gjithçka, veç ty me t’pa,
m’duket se jeta ime ndalë asht njaty
dhe ma tej përpara s’sheh asgja.
njaq i përthithun teje ndihem tashma.

Në kët çast kam ndjesinë
se davaritem krejt si nji mjegull:
e do t’isha tmerrsisht i trishtë
pa shpresën se mundem me t’pà sy e vetull.

Oh ç’frikë ndjej i shkëputun prej teje…
ti shpirtin ma ke grabitë, me njat fuqi
me t’cilën s’po mund t’përballem
e prap mundohem me qëndrue disi
derisa t’shof, i sigurt se mbasi t’kem pa
ti tejet ke me ma vështirsue arsyen
kundra arsyes së dashnisë, në t’cilen kam ra…

Tashma s’jam i zoti për asgja.
Ky asht ndëshkimi ma i madh e s’bahet dy!
Pse Dashnia jeme sot e vetme ka mbet…
dhe as frymë s’mundet me marrë pa Ty…

Përktheu Jozef Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.