back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pa ty, Sevasti Qiriazi – nga Meti Fidani

Gazeta

Parashqevi Qiriazi (1887-1971)
Parashqevi Qiriazi (1887-1971)

Pa ty, Sevasti Qiriazi

nga Meti Fidani

Në 70 vjetorin e vdekjes
Ç’qe ky fat i zi, për ty mësuesja Sevasti?! Unë nuk mundem ta kuptoj! Dikush tjetër po.., por unë nuk mundem, as nuk kam mundur ta kuptoj asnjëherë këtë marrëzi.
Ata sapo kishin zbritur nga malet. Zbritën fitimtarë. Dhe fitimtari nuk gjykohet thonë.
Por jo të zbresë e t’i verë zjarrin bibliotekës!! Ata dogjën historinë e shkronjave, dogjën diturinë. Ata dogjën abetaren tuaj të parë, që me aq mund e sakrifica e botove në Bukuresht.
Ta dogjën bibliotekën fitimtarët, mësuesja jonë e Alfabetit..
Alfabeti ynë, qe ti e qëndise aq bukur. Ashtu siç të porositi mësuesi yt, Naim Frashëri. Dhe ti e mbajte amanetin. Na dhe plot 36 shkronja. Por ata ta dogjën abetaren e parë të shqipes. Tok me qindra e qindra libra të Insitutit të dijes!
Pastaj të lidhën. E lidhën edhe motrën Parashqevi, motër dhe kolege. Të dyjave u futën ne kotecin e pulave, përballë shtëpisë…
Fitimtarët u vërsulën mbi varrin e Kristos, që ndodhej në obor. Ata e dhunuan varrin. Dhe me keq akoma. E nxorrën Kriston e balsamosur që andej… dhe ia prenë kokën dhe luanin futboll, me atë kokë… Dhe ju i shihnit fitimtarët, nga të çarat e dërrasave të kotecit. Edhe Gjergji, edhe Aleksandri, e shihnin kokën e babait të tyre, por ishin të pafuqishëm përpara fitimtarëve me yllin e kuq në ballë!
Ata që shqelmonin Kriston e vdekur nuk di si mund t’i quaj. Njerëz jo e jo! Kafshë patjetër jo! Nuk mund ta shpjegojë askush se çfarë ishin dhe përse. Ata ishin bukëshkelur. Në emër të popullit, thoshin. Në emër të komunizmit..
Në emër të komunizmit? Ndoshta është sëmundje mendore ky komunizmi, se përndryshe njeriu nuk mund të humbasë arsyen deri në këtë shkallë. Të luaje futboll me kokën e një të vdekuri… Pikë respekti s’kishin as për të vdekurin.
.
Qiriazët, Dakot dhe Miqtë e tyre
Qiriazët, Dakot dhe Miqtë e tyre
Komunizmi e mbyti edhe shqiptarizmin. 40 e ca vjet më vonë, më 10 gusht 1988, kam parë me sytë e mi, thuajse të njejten skenë, me Havzi Nelën e varur në litar. Ushtarakët me yll në ballë, loznin me këpucën e mësues Havziut, i cili lëkundej ne litarin e vdekjes. Çmenduri!
Hajde me këpucë e lamë, por me kokën e tjetrit! E me ç’kokë. Me kokën e Kristo Dakos. Patriot i pakursyer, mësues i palodhur, atdhetari më i shquar i gjithë kohrave. Ai i shkroi disa herë fuqive të mëdha, për mbrojtjen e pavarësisë, për respektimin e kufijve, për njohjen e Shqipërisë. Akoma dhe sot janë letërkëmbimet e tij me presidentin amerikan të kohës për masakrat greke. Bile edhe emrat e viktimave të shkaktuara nga andartët grekë, i ka dërguar në Amerikë. Mes tyre dhe shumë prej fisit tim nga Nikolica dhe Kolonja. Ky ishte Kristo Dako!
Po ku pyesnin fitimtarët. Ata luanin futboll me kokën e tij. Dhe motrat Qiriazi shihnin skenën nga koteci. Edhe Aleksandri, edhe Gjergji shikonin babanë e tyre kur shqelmohej. Më vonë edhe ata do të torturoheshin burgjeve. Bile trupi i Gjergjit do mbulohej nga fitimtarët në një arë pranë burgut. Të nesërmen, kufomën do ta coptonin plugjet metalike të traktorit… Tragjedi! Dhe mësuese Sevastia nuk e duroi dot këtë tragjedi. Burgosja e djemve dhe sidomos vdekja e Gjergjit, e mundën legjendën e Alfabetit, Sevasti Qiriazi.
Në varrimin e saj vetëm Parashqevia, Aleksandri e Rukija.
Ja kështu i nderon komunizmi legjendat e historisë e të diturisë!
Pse ky fat kaq i zi për ty mësonjësja jonë e alfabetit, për ty drita jonë e diturisë?!
Ti sot mbush 70 vjet që mbylle sytë. Nuk e di a do të kujtohen bijtë e atyre që të burgosën djemtë, ata që të vranë Gjekën, ata që të mbyllën në kotec, ata që të dogjën bibliotekën e Institutit Qiriazi, ata që luajtën me kokën e prerë të atdhetarit Dako?!
Unë do të kujtoj me mënyrën time, si gjithnjë, duke shkruar diçka për ty, duke komunikuar me ty, me shkronjat e tua që m’i dhurove që në nëntor 1908. Të isha në Shqipëri, sot do të më gjeje në Manastir, në shtëpizën tuaj që ju e falët për shkronjat, do ta merrja foton prej murit, e do ta puthja fort, shumë fort, ashtu si plot herë të tjera. Jam larg, mësonjësja jonë e diturisë, por të betohem se edhe në varr sikur të jem… unë përsëri nuk të le pa të kujtuar!
Meti Fidani – USA, 30 gusht 2019
.
Marrë nga Muri i Meti Fidanit, 30 gusht 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.