back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Nente poezi nga Pablo Neruda… në shqip prej Maks Rakipaj

Gazeta

Pablo Neruda (pikture Guayasamin)
Pablo Neruda (pikture Guayasamin)

Pablo Neruda… në shqip prej Maks Rakipaj…

nga Jozef Radi

Maks Rakipaj, ka vite që merret me përkthime dhe në veçanti me poezinë… Si mik i kahershëm virtual kam mundur të vërej, se shpesh në përzgjedhjet e përkthimeve poetike Maksi priret nga Instikti i tij prej marinari, i atyre djelmoshave të përjetshëm që mbjellin dhe korrin dashuri ngado ku anija e tyre prek tokën… Pikërisht ku shpirt dashurie i këtyre njerzve të detit për tokën, e ka shtyrë ashtu pakuptuar edhe Maksin, në përzgjedhje poetësh dhe poezishndër më elitaret e dashurisë… dhe s’kish si t’i shpëtonte magjiku Pablo Neruda, kthetrave të këtij zgalemi deti, në përzgjedhjet e tij… Kur e pyet Maksin për biografinë e poetit nobelist kilian, ai menjiherë shfaq nji sens ironie, tallje dhe bëhet shpërfillës… po ama kur vjen fjala te poezia e Nerudës, ai  s’mban kapele t’ia heqi Poetit, por fërkon lehtë mustaqet e me buzqeshje thotë se: “…poezia e Nerudës është e gjitha brenda tij…” pra në shpirtin e tij si njeri i detit…! dhe fakt është se në vitin 2003,  Sh.B. Toena botoi nga Pablo Neruda, librin “20 poezi dashurie – dhe një këngë trishtimi” me përkthim e… Maks Rakipajt…
Edhe në kët paraqitje kemi përzgjedhur nëntë poezi të Pablo Nerudës, njëra më e bukur se tjetra, të gjitha të qepura me fillin e ndritshëm të nji sentimenti të thellë edhe në shqip, sjellë me mjaft mjeshtëri prej Maks Rakipaj…
Sigurisht u mbetet lexuesve fjala e fundit, edhe pse jam i bindur se do të jenë të shumtë ata që do të mbeten pafjalë… pse do të ndjehen pjesë e këtyre vargjeve të mrekullueshëm…
Me kët rast sqaroj edhe diçka të veçantë dhe falenderuese për Maksin: faktin që në komunikimin e përditshëm me poezinë e përkthyer, të paraqitur përmës murit të tij në Fb, arrin numri i 2000 poezive të përkthyera, me të cilat shumë prej lexuesve virtualë njihen prej kohësh dhe i vlerësojnë mjaft, duke e konsideruar atë nji mik i mirë me mjaft humor dhe sensibilitet, po edhe nji bashkudhëtar i këndshëm i së përditshmes së gjithë atyre që ashtu si Maksi janë të shpërndarë kudo nëpër botë…  Të Falemnderit Maks, për këtë punë të vyer e të pashpërblyer, ashtu si vitet e dikurshme të burgjeve të padrejta...

Perkthyesi Maks Rakipaj
Perkthyesi Maks Rakipaj

Nëntë Poezi nga Pablo Neruda (1904-1973)

nën përkthimin e Maks Rakipajt

Barkarola

Sikur vetëm t’ma cikje pak zemrën,
sikur vetëm buzët të vije atje,
ato buzë të holla, ata dhëmbtë e tu,
sikur gjuhën si shigjetë të kuqe të vije
atje ku zemra ime e pluhrosur rreh,
sikur t’i fryje pak zemrës sime, ndanë detit, me lot ndër sy,
një zhurmë të errët do të lëshonte, si zhurmë e shurdhët rrotash treni,
si ujra të drithërues,
si gjethe vjeshte,
si gjak,
si zhurmë flakësh të lëngta që qiellin djegin,
si ëndërr ai tingëllim, si bakër, si shi
a si sirena anijesh në një port të trishtë,
sikur zemrës sime t’i fryje ndanë detit,
si fantazmë e bardhë,
pranë shkumbës,
mes erës,
si fantazmë e çakërdisur, ndanë detit duke qarë.

 

Bletë e Bardhë

Bletë e bardhë zukat, dehur me mjaltë, në shpirtin tim
e lehtaz vërtitet nëpër shtjella tymi.

I dëshpëruar jam, fjalë pa jehonë.
ai që gjithçka pat… ai që gjithçka humbi…

I fundmi vrer, shuhet në ty malli im, i fundit.
Në tokën time në shkretim, je i fundmi trëndafil.
Ah ti e heshtura!

Mbylli sytë e thellë. Nata aty flatëron.
Ah, i xhveshur shtati yt, statujë e trëmbur.

Ke sy të thellë ku nata flatëron.
Krahë të freskët lulesh dhe petale trëndafili.
Gjinjtë e tu si guaska të bardha.
Mbi barkun tënd një flutur hijesh vjen e dremit.
Ah ti e heshtura!

Vetminë kam këtu, ku ti mungon.
Shi. Era e detit çafkat endacake gjuan.

Ujët zbathur shëtit nëpër rrugëve të lagura.
Nga ajo pemë, si të sëmura qahen gjethet.

Ku je o bletë e bardhë, zukat në shpirtin tim.
Ndër kohra rijeto, ashtu e brishtë, e heshtur.
Ah ti e heshtura!

Martha Medeiros & Pablo Neruda
Martha Medeiros & Pablo Neruda

Dashuri Kryeneçe

Dashuri kryeneçe, vjollcë me gjëmba rrethuar,
shkurre mes pasionesh kreshpëruar,
heshtë dhimbjesh, kurorë tërbimi,
ç’udhë të solli drejt e në shpirtin tim?

Përse i vure zjarrin e dhimbshëm
beftas, gjethnajës së ftohtë të rrugës sime?
Kush ta mësoi rrugën për tek unë?
Ç’lule, gur a tym të dëfteu se ku unë rri?

Edhe nata vetë u rrënqeth, u trëmb
Agimi kupat i mbushi me verën e tij
e dielli në qiell më s’fundi zuri vend,

Ndërsa dashuria mizore paprerë më ndiqte
me shpata më shqeu, me gjëmba më çponte
gjersa m’hapi në zemër udhën që përvëlonte.

Etja për ty me djeg…

Etja për ty më djeg netëve të zhuritura,
Fërgëllon dorë e nxehtë që deri te beli yt vjen.
Nga etja dehur, nga etja çmendur, nga etja pafund përvëluar,
Etje metali të skuqur, etje rrënjësh të pangopura,
kur netëve sytë e tu nuk vijnë
të takohen me të mijtë që presin me shpresë.

Je plot me hije që më përgjojnë.
Si yjet më ndjek, që natën ndjekin.
Më lindi ime më mbushur me pyetje të stërholluara.
Ti të gjithave u përgjigjesh. Plot me zëra je.
Spirancë e bardhë që zhytet në detin ku po lundrojmë.
Çaj nëpër farën e turbullt të emrit tim.
Që është trualli mi e gjurmën tënde s’e mbulon dot.
Pa sytë e tu endacakë, që netëve enden, kush e di se ku.

Prandaj them: ti je etja që duhet ta shuaj.
S’mundem mos të dua nëse kështu duhet dashur.
Nëse kjo është nyja, si ta këpus, qysh… më thuaj.
Kur edhe eshtrat e mija, etje për eshtrat e tua kanë.
Etje për ty, dredhkëz e egër, e ëmbël.
Etje për ty, që netëve si qen më kafshon.
Kanë etje sytë e mi, sepse të tutë janë këtu.
Ka etje goja ime, pse këtu janë buzët e tua.
Ndizet shpirti nga këta krahë që të duan.
Trupi i gjallë digjet që trupin tënd ta djegë.
Me etje. Etje të pashuar. Etje që tënden etje kërkon.
Dhe në të zhbëhet, si ujët prej zjarrit shterret.

 

Këngë e mashkullit dhe e femrës

Këngë e mashkullit dhe femrës!
frut i shekujve
që lëngun na e shtrydh
ndër damarë.

Shpirti më shkrihet në shtatin tënd të shtrirë,
dhe më i mirë del prej teje,
zemra më përhapet,
e shtriqet si panterë,
është jeta ime e shkërmoqur, që tek ti
kapërthehet si drita te yjet!

Dhe ti më prêt
si velat erën,
të pres
si brazda farën.

Eja, dremit mbi dhimbjet e mija,
nëse këto dhimbje nuk të djegin,
lidhu te flatrat e mija,
ndoshta këto flatra do të të mbajnë,
mendimeve jepmu udhë,
përplasja e tyre ndoshta të lëndon.

Ti je e vetmja që kam,
qyshkur trishtimin humba!

çarvalitmë si shpatë
ose dëgjomë si një antenë!

Puthmë,
kafshomë,
ndizmë,
se unë vij në bref
vetëm për të zhytur sytë e mi prej mashkulli
në pafundësinë e ujrave të syve të femrës!

Neruda & Matilde
Neruda & Matilde

Lamtumirë…

Na vështron një fëmijë i trishtë, si ti.
Për jetën që do të digjet në gjakun e tij,
Që jetët tona duhej t’i bashkonte.

Për ato duar, bija të duarve të tua
që të mijat duhej të vrisnin.
Për sytë e tij, të hapur mbi botën
Ku një ditë një lot tëndin do të shoh.
Unë nuk dua, e Dashur.
Që asgjë të na lidhë,
që asgjë të na bashkojë.
As fjala që në gojën tënde kundërmon,
as ajo çka fjalët nuk e thonë.
As festë e dashurisë që nuk patëm,
as ngashërimet e tua në dritare.
Dashurinë e detarit dua,
që puth e shkon.
Një premtim lë.
Por kurrë s’kthehet më.
Në çdo port, një femër e pret:
detari puth e shkon.
Derisa një natë me vdekjen shtrihet
në shtratin e detit.
Dashurinë që ndahet
në puthje, shtrat dhe bukë.
Dashurinë e përjetshme,
por që dhe kalimtare mund të jetë.
Dashurinë që të çliron
që të shtyn të kthehesh e të dashurosh.
Dashurinë e hyjnizuar që bashkon
Dashurinë e hyjnizuar që ikën e shkon.
S’do të magjepsen më sytë e mi në të tutë,
dhimbja, pranë teje, nuk do të më ëmbëlsohet.
Por kudo që të shkoj vështrimin tënd me vete do ta kem
dhe kudo të shkosh dhimbjen time do të kesh.
Isha yti, ishe imja. E çka tjetër? Sëbashku bëmë
një copë udhë tek kalonte dashuria.
Yti isha, imja ishe. Do të jesh e atij që do të të dashurojë,
e atij që do të korrë, çka unë mbolla.

Po shkoj. I trishtuar ndjehem: por gjithmonë kështu jam
nga përqafimi yt vij. Ku shkoj s’e di.
Lamtumirë një foshnje zemra jote më thotë.
Dhe unë lamtumirë i them.

 

Nëse ti me harron…

Dua të dish
një gjë.
Ti e di si e kam unë:
Sa hedh sytë
nga hëna e kristaltë, a te një degë e kuqërremtë
në këtë fund vjeshte prej dritares sime,
nëse prek,
te zjarri në vatër,
hirin që përvëlon,
a një kërcu që digjet aty,
të gjitha, tek ti më sjellin,
thua se gjithçka përqark,
aromë, dritë, metale,
bëhen barka të vogla e nisen
drejt ishujve tu që më presin.
E mirë pra,
nëse, pak nga pak nuk më dashuron më,
do të pushoj edhe unë së dashuruari, pak nga pak,
“Nëse ti beftas
më harron,
mos më kërko më,
sakaq të kam harruar”.

Nëse e quan çmenduri të zgjatur,
valëvitjen e flamujve në jetën time
dhe vendos
të më braktisësh në breg
të zemrës ku kam hedhur rrënjë,
mëso
se po atë ditë,
po në atë çast,
unë do të ngre duart lart,
e prej aty ato rrënjë do të shkulen,
në kërkim të një tjetër toke.

Por nëse çdo ditë,
çdo orë
ndjen që për mua je paracaktuar
dhe ëmbëlsisht,
çdo ditë, një lule çel
në buzët e tua e mua më kërkon,
ah, e dashura ime, ah, ti imja,
zjarri tek unë sakaq do të ndizet prap,
te unë asgjë s’është shuar, asgjë s’është harruar,
dashuria ime nga jotja ushqehet, e dashur,
e sa të rrosh, në krahët e tua do ta kesh,
nga të mijtë pa ikur, kurrë.

 

Trishtimit…

Më duhet trishtim
krahu yt i zi,
shumë diell është, shumë mjaltë në topaz,
çdo rreze buzëqesh
mbi lëndina
dhe vetëm dritë mbështillet rreth meje
dhe gjithçka, lart, si bletë elektrike.
Prandaj
krahun tënd të zi
jepma,
vëlla trishtim;
dua të zhduket ndonjëherë
zafiri dhe të bjerë
i pjerrët, kapërthyes shiu,
vajtim i tokës:
dua
të derdhet rrëmbyeshëm si grykëderdhje lumi,
shtëpi e madhe në terr
dhe ime më
që qirinj kërkon
për dritë
derisa drita
të japë frymën e fundit.

Nata me zor vinte.
Dita rrëshqiste
drejt varrezës së saj të zakonshme
dhe mes bukës dhe hijes
vehten time
kujtoj
kur nga dritarja vështroja asgjënë,
atë asgjë që s’ndodhte,
dhe krahun e zi të ujit që binte
mbi atë zemër dhe atëhere ndoshta,
përgjithmonë harrova dritaren.
Kam mall tani
për atë dritë të errët.
Jepmë gjakun tënd të ngadalshëm,
shi i ftohtë,
fluturimin tënd të topitur jepmë!
Kthema në krahëror
çelsin
e derës së mbyllur,
të rrënuar.
Për një minutë,
për një kohë të shkurtër,
hiqma dritën dhe lermë
të ndjehem i humbur, i mjerë,
të dridhem ndër fijet
e muzgut,
në shpirt
të më hyjnë
duart
fërgëlluese
të shiut.

Neruda & Matilde Urrutia
Neruda & Matilde Urrutia

Sot lermëni të ndjehem i lumtur dhe kaq!

Lermëni i lumtur të jem këtë herë,
asgjë, askujt s’i ka ndodhur
asgjëkund nuk kam shkuar,
por, ja që i lumtur jam,
deri thellë në zemër i lumtur.
Eci, fle a shkruaj,
çfardo që bëj, i lumtur ndjehem.
Më keq se bari lëndinave jam shkelur,
lëkura si lëvore peme m’është bërë
i shkon ujët tek rrënjët dhe zogjtë ka në majë,
deti si unazë e qarkon jetën time,
si tokën, bërë me bukë dhe gurë
dhe ajri si kitarrë këndon.

Ti ulur krah meje mbi rërë, si rëra je,
këndon dhe je kënga.
Bota sot më është shpirti
këngë dhe rërë, bota sot në buzët e tua është,
lermë mbi buzët e tua dhe mbi rërë
i lumtur të jem,
të jem i lumtur… sepse jam,
sepse marr frymë, merr edhe ti,
i lumtur sepse t’i prek gjunjët
si trupin e kaltër të qiellit ta prek
dhe freskinë e tij.
Sot lermëni të jem i lumtur dhe kaq,
vetëm o me të tjerë, i lumtur ndjehem me barin
dhe rëra e lumtur të jetë me ajrin dhe tokën,
të jem i lumtur me ty, me buzët e tua,
të jem i lumtur.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.