back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pagjumësia e diktatorit dhe pagjumësia e përkthyesit…

Gazeta

Stalini, Moxarti dhe Maria Judina
Stalini, Moxarti dhe Maria Judina

Pagjumësia e diktatorit dhe pagjumësia e përkthyesit…

parathënie nga Visar Zhiti

***
Nji nga shqetësimet e antistalinizmit tim djaloshar qëndronte në kët pyetje retorike: “Kush ia ka dhanë të drejtën Stalinit me më disponue?”
Kësaj pyetjeje, hetuesi, në Ljubjanka, i dha gjithashtu nji përgjigje retorike: “Populli!”
Unë qesha, sikur desha me i thanë:
– Jam i stërngopun me k’si demagogjinash?
– Ti je nji qen e bir qeni – më tha qetë-qetë hetuesi – Ti ende s’e ke kuptue se ç’asht populli dhe ç’asht pushteti! Mbaje mend se shprehja «anmik i popullit» nuk asht nji trillim propagandistik, as nji përgjithësim abstrakt, por asht nji koncept i përcaktuem saktë dhe me shumë përmbajtje. Ai shpreh krejt thelbin e epokës sonë: kush ngrihet kundra Stalinit, ngrihet edhe kundra popullit, ai asht pikërisht «anmiku i popullit». Ti je ende i ri dhe je nji torollak kokbosh. Ja, njerëz si ti ne po edukojmë. Njerëz si ti, ne po i mbrojmë prej urrejtjes popullore!
Aleksandër Zinovjev

Visar Zhiti 1952
Visar Zhiti 1952

Parathënia e poemës “Stalini, Moxari dhe Maria Judina…”

Jevrem Bërkoviq i përkthyer nga Dr. Lazër Radi

Ishte një kohë kur statuja e Stalinit në Tiranë, e errët, më këmbë, (sikur vinte direkt nga skëterra) endej kudo nëpër Shqipëri, hynte pa trokitur nëpër zyrat komode të Komitetit Qendror të PPSH-së, bisedonte me diktatorët tanë, dilte nga universiteti, zbrazte një leksion si breshëri automatiku, ngjiste shkallët e pallatit arkiv(ol) të kulturës, kontrollonte një opera për gabime ideologjike; me gazetë në dorë u avitej periferive të shkreta, aty ku ankthi bëhej më i rëndë e, nëse do të hipte në ndonjë tren, do shtirej si naiv për të mbledhur pakënaqësitë antisocialiste të udhëtarëve për t’ia raportuar vetes e në muzg (gjithmonë muzg prej bronzit të tij ishte andej) e do të bujte në ndonjë fermë internimesh.
Aq shumë do t’i përbalteshin çizmet, gati sa shpirti!
Do bënte apelin e familjeve të disidentëve, do caktonte se kush duhej çuar përsëri në burg; gjithë natën si fantazmë do hynte në gjumin e secilit e në mëngjes do porosiste brigadat: sa kuintal frikë të mbillnin për hektar.
Andej jetonte edhe Lazër Radi, vazhdimisht rob që nga Lufta e Dytë Botërore. Kurrë s’e kishin parë njëri-tjetrin, por njiheshin.
Sidomos Lazër Radi, i doktoruar në Filozofinë e së Drejtës në Romë, gazetar, i burgosur politik, memorialist, i internuar, përkthyes, punëtor krahu, me trup dy herë më të madh se të Stalinit e ky i fundit, dikur i përjashtuar nga shkolla, ajo e murgjve, sepse vidhte, sidomos lavdinë e të tjerëve në artikuj gjysmakë shkencoro-filozofik, ndërsa inati i egër e çonte deri në krye të perandorisë.
Urrente gjithçka. Edhe statujat e veta që vazhdimisht mundoheshin të korrigjonin shkurtësinë e tij dhe ballin e tij të ngushtë.
Thashë, të dy s’e njihnin njëri-tjetrin; por gjithë jetën njëri-tjetrin do të luftonin.
Stalini kish në dorë gjysmën e botës, Lazri një gjysmë barake me qira në humbëtirat, rrëzave të Malit Tomor, Olimpit të braktisur të shqiptarëve ku digjej një si zjarr. Nuk ishte muzë… ishte drita e një reparti ushtarak?
Armatimi i Stalinit ishte i jashtëzakonshëm: ushtritë milionëshe, tanke, avionë, valë, rreze, nëndetëse, shkolla, gjyqe, tradhëtira, helme; do të vriste dhe të shoqen, ndërsa Lazër Radi veç prangat, kishte tre fëmijë të lindur në internim, gruan të burgosur, një kazmë dhe talentin.
I pari ishte idhull sllav, i dyti përzënë nga Kosova e pushtuar prej sllavëve të jugut.
Çizmet e Lazrit, çizme të çara bujku, do të ishin në armiqësi të përjetshme me çizmet diktatoriale.
Ndërsa Stalinin e njihte gjithë bota; statujat e tij shtoheshin kryeqyteteve, glorifikohej korpusi i veprave plot me poezi që i stërkushtoheshin atij, përkthehej kudo; Lazër Radi braktisej, harrohej me heshtje, anonimohej e përgjohej si një potencial i rrezikut intelektual, dhe vjershat e tij klandestine s’mund të botoheshin kurrë!
Njërit i qe caktuar pavdekësia; kurse tjetri nuk duhej të kish lindur. Kështu ishin vendimet e atyre kongreseve… Dhe për çudi fitoi Lazër Radi.
Statujat e Stalinit shkuleshin nga nofullat e rrugëve si dhëmbë përbindshërore, Lazër Radi na jep sot një poemë kundër tij, të cilën, për çudi, e përgatiti që kur Stalini ishte “gjallë”.
Ku e gjeti? Si? E kujt është? Kush ja dha?
Fjala është për poemën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e shkrimtarit të njohur bashkëkohës malazes, autor i mbi pesëdhjetë librave: Jevrem Berkoviç.

Poeti malazes Jevrem Brkoviç
Poeti malazes Jevrem Brkoviç

Një poemë gati delirante, e rreptë, me kapituj si një kronikë e pamëshirshme e vrasjeve të mëdha, me stilin e një proces-verbali, rrëqethëse si hetuesitë, me portrete reale e njëkohësisht narrative, e cila është dhe dëshmi, dhe akuzë sarkastike, dhe art i dëshpëruar, dhe roman.
Stalini sëmuret nga pagjumësia makbethiane, nga ajo pagjumësi që të jep krimi ku përzihen gjysmë-ëndrrat me baltën e varreve bolshevike, leshrat e Trockit, hija e Kremlinit, sekretarët, djajtë, Moxarti, gjaku dhe Maria Judina.
Tufani i revolucionit (që i hijeshoka burrat e i shëmtoka gratë) është shuar, vetëm ngrihen aty-këtu shtjellat artificiale të tij, aspak efimere, zërat meken e dyshimi i Kob Stalinit është më i rrezikshëm se nazizmi.
Mareshallët e ndritshëm që s’ja vrau lufta, i vret ai vetë një e nga një, duke i poshtëruar. Internime të çmendura, vrasje të udhëve që s’mbërrijnë, korrupsion femëror që të kujton jo vetëm gjyqin e Nexhmije Hoxhës tek ne, por gjithë periudhën gjysmëshekullore të atij socializmi barbar që kaluam, me skenat dhe prapaskenat makabre enveriste.
Arti guxon të kundërshtojë.
Atë që duhej të bënin mareshallët, e bën pikërisht një pianiste, ekzekutuese e Moxartit, që futet krejt ndryshe në pagjumësinë e diktatorit, e pikon si hënë e vrerosur brenda në kafkën e tij.
Dhe pikërisht një pianiste tjetër, e largët, (jashtë këtij subjekti?) bëhej shkak që kjo poemë të binte në duart tona si një trakt, atëherë në diktaturë.
Vetë autori, Jevrem Bërkoviç pasionant, gjysëm i shkalur, siç janë poetët, mjekrosh si një re, ia dhuroi librin e tij në Tiranë, ku kish ardhur në një takim ballkanik poetësh (ndërkohë që Ai bëri një akuzë të hapur ndaj qeverisë jugosllave që paturpësisht s’i kishte lejuar kolegët e tij kosovarë të merrnin pjesë), pra, në një takim të tillë ku në sallë më shumë se dashamirës kish njerëz të sigurimit, poeti malazez njihet dhe marroset pas pianistes së bukur, Mira Zy…
Duke qenë shoqe e jona, ajo na tregoi librat e dhuruar me autograf ku kuptuam vetëm fjalët “nga Knjazi i Juaj…”.
Dhe në një natë me shi, në shkuam më këmbë, fshehurazi, në fshatin e internimeve, në Savër për t’ia çuar librat shkrimtarit Lazër Radi, njohës i mirë i disa gjuhëve dhe i serbokroatishtes.

Lazër Radi - Romë 1991
Lazër Radi – Romë 1991

Retë në qiell u ngjanin fantazmave të poetëve të Ballkanit. Vetëtimave rrugës ia kishim frikën se mos nën dritën e tyre të beftë na njihnin informatorët.
Poema u përkthye shumë shpejtë dhe shkëlqyer, redaktimin e së cilës e realizoi me kompetencë i biri, Jozef Radi. Kapitujt e saj u futën në pagjumësinë e shqipëruesit, gjeneralisht ftohët, cinikisht ngjashëm me një dëborë të bukur që ka brenda të mbuluara kufoma të ngrira…
Vetëm kështu mund të ecet nëpër këtë poemë cerebrale, që ne e shpërndamë fshehurazi ta lexonin edhe miqtë tanë – me shpresën se ai emocion do t’i transmetohej edhe lexuesit të gjerë, që të besojmë në rezistencën e njeriut kundra së keqes, që të besojmë se ai kurrë nuk është i vetëm, që të besojmë në pamposhtmërinë e tij, t’i besojmë artit, i cili edhe atëherë kur do të ngriheshin dhe do të binin statujat kobzeza të Stalinit, bëri që të mos vdisnim.
Bekuar qoftë arti! Amen.
Tiranë, 5 Tetor, 1993

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të vlerësosh punën krijuese të Lazrit, është ndër për atë që e vlerëson duke lartësuar edhe vetveten.
    Kujtimet e tua, Visar, janë mbresëlënesë. Hedhin dritë mbi një kohë të errët dhe zbulojnë njerëz që ia vlen t’i njohësh, qoftë edhe kalimthi, si në këtë shkrim të shkurtër.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.