back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pak dritë mbi ekzekutimin e Themistokli Gërmenjit…

Gazeta

Themistokli Germenji (1871-1917)
Themistokli Germenji (1871-1917)

Pak dritë mbi ekzekutimin e Themistokli Gërmenjit…

E dashura ime Evdhoksi,
Rashë dëshmor i çpifjeve.
Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi,
tinë ke të drejt të martohesh,
po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit,
i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash.
Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë.
Dijeni që vdes i pafajshëm.
Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët,
në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.
Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.
Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.” (Wikipedia)

Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit
Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit

Ende sot, mbasi po bëhen 100 vjet nga gjykimi, dënimi me pushkatim dhe ekzekutimi i Themistokli Gërmenjit prej një gjyqi ushtarak të shtabit francez në Selanik të “Armatës së Lindjes”, dosja e procesit të tij ka mbetur “mister”. Me gjithë përpjekjet që bëri qyteti i Korçës për të mësuar të vërtetën e procesit, me gjithë përkushtimin disavjeçar të avokatëve të vejushës Gërmenji që u paguan nga vetë qytetarët korçarë, dosja e procesit u mbajt e mbyllur.
E vërteta është që edhe shteti shqiptar bëri një numër përçapjesh për shqyrtimin e dosjes në fjalë, por Republika Franceze ka ngulmuar ta ruajë të mbyllur me xhelozi atë dosje. Edhe historiani zyrtar që ka mbuluar historinë e “Republikës Autonome të Korçës”, Muhin Çami, është dorëzuar. Në botimin e tij më të fundit “Shqiptarët dhe francezët në Korçë 1916-1920” (Dituria 1999) ka pohuar: “Edhe tani kur po shkruajmë këtë artikull studimi nuk mund të themi se e kemi dokumentacionin në dorë. Na mungojnë, p.sh., aktet e gjyqit të Themistokliut, kërkimi i të cilave ka qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve shqiptarë, por ende pa rezultatet e dëshiruara. Mungesa e tyre përbën një boshllëk të ndjeshëm” (f. 72).

Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit (2)
Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit (2)

E pra: ja më në fund disa të dhëna të nxjerra pikërisht nga dosja “misterioze” e procesit gjyqësor që ruhet aq xhelozisht nga shteti francez. Fotot janë bërë në mënyrë jolegale, d.m.th. pa leje, por edhe kështu ato kanë vlerë për të hedhur pak dritë mbi procesin e gjykimit, të dënimit dhe të ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit.
Prej tyre kuptohet vendimi që procesi i Themistokli Gërmenjit – në akte ky shënohet si “shef i Policisë së Korçës” – të kryhet “me dyer të mbyllura”, si dhe që aktet e tij të mos bëhen publike. Ka pasur disa dëshmitarë, që e kanë ngarkuar Themistokliun me akuzat e tyre. Në proces kanë shërbyer tre përkthyes: i shqipes, i greqishtes dhe i frëngjishtes. Përkthyesi i shqipes, me sa mund të lexohet, quhet Bard (Bardh?) Germani (Gjermeni?). Dëshmitari kryesor i akuzës është një “Demir Hassan”, pra Demir Hasani ose Hasan Demiri, varet nga mënyra frënge e shkrimit të emrave dhe mbiemrave. Ky ka qenë pjesëtar i çetës së Sali Butkës, ndërkohë që ka punuar edhe për organet e sigurimit francez në kuadrin e shërbimi të informacionit të “Armatës së Lindjes”. Me pohimet e tij gjatë procesit gjyqësor ka dëshmuar kontaktet e fshehta që ka mbajtur Themistokli Gërmenji me “anën tjetër” të frontit, atë të forcave ushtarake austriake të pushtimit në Shqipëri. Për komandën e “Armatës së Lindjes” kontakte të tilla trajtoheshin si “tradhti” në kuptimin e “bashkëpunimit me armikun”.
Nga pikëpamja shqiptare kontakte të tilla të Themistokli Gërmenjit përbënin një qëndrim largpamës politik në të mirë të ruajtjes së stabilitetit të “Republikës Autonome të Korçës”, si dhe të së ardhmes së saj kur Lufta (e Parë) Botërore të kishte përfunduar. Më vonë edhe vetë gjenerali francez Decoins, dashamirës i shpallur i Korçës dhe i shqiptarëve në përgjithësi, e ka shprehur hapur këtë pikëpamje: “Themistokliu kishte lidhje tek armiku, çfarë nuk do të thotë me armikun. Ne i kemi shfrytëzuar ato lidhje së bashku në shumë raste…” (Gén. Descoins, Six mois d’histoire de l’Albanie. Novembre 1916-mai 1917, A. Costes 1930, f. 51).
Themistokli Gërmenji, me vendim të gjyqit në fjalë të marrë “en unanimité” më 7 nëntor 1917, u dënua me pushkatim dhe vendimi u ekzekutua më 9 nëntor 1917.
(Fotot dhe postimi janë të Dr. Aurel Plasarit)

Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit (3)
Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit (3)

Gjergji Cikopana
Edhe pse njeherë, por vlen shumë; ish Ambasadori i Francës në Shqipëri Patric …. Në vitet dymijë në Korçë pat thënë: “duhet kërkuar ndjesë për vrasjen e Gërmenjit…” dhe si rastësisht L. Rama ish Ambasador i Shqipërisë në Francë i sponzorizuar mire në përkthimin dhe promovimin e librit për kolonelin e cituar, si për “harresë” i u shmang problemeve të vërtetësisë së ekzekutimit të Themistokliut! Pra; jo vetëm ai 100 vjetëshi i hapjes së arkivave ka “penguar”… por edhe ata shqiptarë që o ka paguar populli shqiptar, e kanë anashkaluar zbardhjen e këtij problemi… Gjithsesi do të duhet shqiptarizëm, që qeveritë mbas atyre të para ’90 që u munduan, por nuk u hapeshin dyert; edhe të tanishmet e mbas ’91, sikur nuk “ju inereson” Në të gjitha rastet shumë keq…!!!

Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit (4)
Dokumente te denimit te Themistokli Germenjit (4)

Pandi Anxhara
Intrigat e mbyllën Themistokli Gërmenjin mbas dyerve të hekurta të ruajtura me ushtarë. Ai u gjykua në Selanik nga një gjykatë ushtarake franceze e Armatës së Lindjes, u deklarua fajtor si bashkëpunëtor me ushtritë e Boshtit Qendror dhe u pushkatua menjëherë më 9 nëntor 1917. Më vonë u deklarua i pafajshëm dhe u varros me një ceremoni madhështore në Korçë. Po asgjëkund nuk thuhet se sa plumba u gjetën në trupin e tij… Kur u largua nga Korça, koloneli francez, Dekoen e mori me vete flamurin e dhjetë dhjetorit të njëmijë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetës, pikërisht atë flamur të parë që ngriti Themistokli Gërmenji në ballkonin e ndërtesë dykatëshe. Me sa duket, ndërgjegjja e pastër e kolonelit Dekoen binte ndesh kryekëput me vendimin e nxituar të Gjykatës Ushtarake të Selanikut. Koloneli Dekoen u tregua shumë dashamirës dhe mirënjohes ndaj Themistokliut dhe sidomos me flamurin, të cilin pasi e mori me vete, shumë shpejt, në vitin 1922, ua dorzoi autoriteteve Shqiptare menjeherë pas hapjes së Muzeut të parë në Tiranë.
(Marrë nga muri i fb Dashamirët e Mendimit, 7 prill 2016)

Monumenti i Themistokli Germenjit ne Korçe
Monumenti i Themistokli Germenjit ne Korçe

Pak rreshta mbi Themistokli Germenjin

Themistokli Germenji lindi në Korçë në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, i biri i Thanasit dhe Katarina. I ati qe themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra në Thrakë…
Më 1892, mërgoi për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve, dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, Manastir. Aty hapën hotelin “Liria” në fillim të vitit 1908, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Qe pikë mbledhjeje për rininë shqiptare që shkollohej atëkohë në qytet. Ndihmoi për organizimin e Kongresit të Manastirit, që u mbajt në hotelin e tij. Në fillim të prillit të vitit 1911, Th. Gërmenji shkoi në Sofje, ku e priti Nikollë Ivanaj. (Wikipedia)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.