back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Pak dritë mbi figurën intelektuale Izet Bebeziqi – përgaditi Fatmira Allmuça

Gazeta

Izet Bebeziqi (1905-1982)
Izet Bebeziqi (1905-1982)

…e ke parë Wikipedian se ç’kanë shkruar për Izetin!?
Na kanë bërë muhaxhirë boshnjakë… jo se kam gjë kundra boshnjakëve,
por nuk është e vërtetë… dhe për më tepër, ngul këmbë që ka burime të sakta,
pavarësisht faktit që i tregova për lidhjet e gjakut…
Ishte kjo biseda në messenger që më bëri të postoj një bibliografi të Izet Bebeziqit,
të cilën e kisha shkruar për V. A. për një kumtesë që do të mbahej në Vienë… 
Ndërkohë që pas një bisede me miken time J. M. pasi më nisi disa paragrafe
për Izet Bebeziqin, me dashamirësi më shkruante:
“Mira, paragrafët e mësipërm i nxorra nga një shkrim me kujtime
që ka botuar Nasho Jorgaqi tek DITA të dielën…”
Pimë kafe që atë ditë dhe u ndamë me premtimin se duhet të shkruajmë
për gjakun tonë… të mos e lemë në dorën e të tjerëve… Po e mbaj premtimin…
Para se të shkruaj “Si e kam njohur unë Izet Bebeziqin”,
kërkoj mir’kuptimin tuaj që po shkruaj kaq gjatë jetëshkrimin e tij… 
Fatmira Allmuça

Izet Bebeziqi - Mësues i Popullit
Izet Bebeziqi – Mësues i Popullit

Pak dritë mbi figurën intelektuale Izet Bebeziqi

përgaditi Fatmira Allmuça

Izeti Bebeziqi lindi në Shkodër më 11 tetor 1905, në një familje tregtarësh të pasur manifakture. Origjina e familjes ishte nga Podgorica, të ardhur në Shkodër që në vitet 1870. Në një kohë mjaft të shkurtër, falë emrit të tyre shumë të njohur shqiptarësh të Podgoricës si dhe falë lidhjeve nëpërmjet krushqive, arritën të përfshiheshin në elitën e qytetit të Shkodrës dhe të gëzonin respekt të thellë. Familja e madhe Bebeziqi ishte arsimdashëse. Të gjithë djemtë e familjes u arsimuan në shkolla jasht’ vendit si në Austri, Turqi e Bullgari. Izeti spikati që në fëmijërinë e tij të hershme me një inteligjencë të jashtëzakonëshme, çka e detyroi të jatin e tij, Hysenin, që ta dërgonte për studime në Austri që në moshën 13 vjeçare. Në Austri, Izeti përfundon liceun klasik dhe regjistrohet në Universitetin e Vjenës për mjekësi, ashtu siç dhe ishte dëshira e prindërve. Falë rezultateve të larta i ishte akorduar edhe një bursë studimesh, ashtu siç dhe ishte vepruar me të gjithë studentët shqiptarë që studjonin jasht’ vendit, nga administrata e Mbretit Zog. Pa e mbaruar vitin e parë, si i përfshirë në lëvizjet që shprehnin simpati ndaj Fan Nolit si dhe duke qenë mik i Riza Danit (që njihej për veprimtarinë e tij si opozitar i qeverisë së mbretit Zog) dhe i mjaft të intelektualëve të tjerë me të njëjtat ide, u konsiderua si kundërshtar i Mbretit Zog dhe ju prè bursa si dhe nuk u lejua të kthehej në atdhe. Në këto kushte, duke ju trembur edhe ndonjë burgosjeje apo internimi të mundshëm, Izeti nuk u kthye në Shqipëri, por vazhdoi jetën në Austri duke shkruar në shtypin e kohës. Ai shkroi jo vetëm në Austri, por edhe në shtypin italian e rumun. Kjo gjë i shërbeu për të siguruar jetesën si dhe për të kuptuar që duhej të ndiqte ëndrrën e tij, atë të studimit filologjik, pasionin për njohjen e sa më shumë gjuhëve të huaja dhe të shkrimit. Me sqarimin e situatës së krijuar për të, falë ndërhyrjeve nga ana e personaliteteve të kohës, i riakordohet bursa dhe Izeti fillon studimet, por këtë herë në Universitetin e Gracit dhe diplomohet për filologji në vitin 1934. Është kjo arsyeja që megjithëse me diferencë moshe ai ishte mik me shumë figura të shkëlqyera të kohës, me disa prej të cilëve mbaruan shkollën bashkë dhe me disa të tjerë e kishte lidhur ngushtësisht aktivitetin letrar dhe atdhetar si Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci, Hamdi Sulçebej, Skënder Luarasi, etj. Po këtë vit, 1934, kthehet në Shqipëri për t’i shërbyer atdheut që adhuronte. Izeti qëndroi në Austri në vitet 1918-1934, vite kur kreu shkollën e mesme klasike dhe ndoqi studimet e larta universitare. Në këto vite qëndrimi në atë mjedis të ngritur kulturor dhe shkencor mori formimin dhe përgatitjen e duhur që e shpalosi në vite nëpërmjet aktivitetit të tij si profesor në shkollat e Tiranës, Vlorës, Korçës, Pejës dhe shkrimeve studjuese me vlerë të botuara në gazetat dhe revistat më në zë të kohës si: “Kombi”, “Ylli i Dritës”, “Kultura Islame”, “Fryma”, “Fjala e Korçës”, “Revista Letrare”, etj.

Shkodra e viteve '30
Shkodra e viteve ’30

Izet Bebeziqi ishte një poliglot që zotëronte 13 gjuhë të huaja. Fliste dhe shkruante rrjedhshëm gjuhet: gjermane, italiane, serbokroate, turke, arabe, spanjolle, frenge, rumune, ruse, greke si dhe njihte thellësisht tre gjuhët e “vdekura”: greke të vjetër, latine dhe gjuhën sanskrite.
Njohja e dy gjuhëve të “vdekura” siç ishin Greqishtja e vjetër dhe latinishtja, nëpërmjet të cilave njohu dhe studjoi thellësisht letërsinë e vjetër greke dhe romake, e bënë Izet Bebeziqin të analizonte e veprën e Homerit “Iliada” dhe të Virgjilit “Eneida”, që në rininë e tij të hershme. Që në fund vitet ‘20 dhe fillim vitet 30, Izet Bebeziqi filloi të publikojë me sukses në gazetat e kohës si në Austri po ashtu edhe në Itali. Ky aktivitet i tij u shtua më së shumti gjatë kohës që i ndërpritet bursa dhe i duhej, ndër të tjera, të siguronte jetesën në një farë mënyre. Në Bukuresht botoi me pseudonimin “Bartholutus” dhe “Milosao Kuka” në gazetën “Shqipëria e Re” e Konstancës, aty ku botonte dhe miku i tij Lasgush Poradeci. 
Duke qenë student i Norbert Jokl-it, njohësit të shkëlqyer dhe të apasionuar të Albanologjisë shqiptare dhe më pas mik i ngushtë me të, me nxitjen dhe rekomandimet e tij, Izet Bebeziqi do të shkonte në ngulimet arbëreshe në Itali ku studjon thellësisht, analizon dhe shqipëron De Radën. Shqipërimet e Izet Bebeziqit “gabimisht” u përshinë në Antologjinë e Letërsisë Shqipe, në vitin 1956, për t’u hequr dhe “zhdukur” shumë shpejt nga qarkullimi. Izet Bebeziqi deri në fund të jetës së tij u konsiderua “armik” nga regjimi komunist duke i mohuar të drejtën e shkrimit dhe publikimit. Ndonjeri, “mik” i dikurshëm, duke ja njohur vlerat si dhe duke e ditur që nuk kishte mundësi kundërshtimi edhe ja “përvetësoi” punimet si dhe u kujdes “mjeshtërisht” për të mos lënë gjurmë nga punimet analitike të Izet Bebeziqit, por, e drejta vonon por nuk harron. Ka ardhë momenti që t’i jepet vendi që meriton këtij burri me integritet, që nuk bëri kompromis me idealet e tij deri në fund të jetës së vet. Ky shkrim i shkurtër është vetëm fillimi i kësaj rruge të gjatë por jo të pamundur.  
Përveç De Radës, Izet Bebeziqi ka studjuar Santorin, Seremben, Krispin e të tjerë arbëreshë të shquar. Ai është shquar edhe në punën e tij për mbledhjen e këngëve popullore në shumë krahina të vendit. 
Në gazetat dhe revistat shqiptare do të botonte rregullisht që nga vitet 30 e deri në vitin 1944. Brenda shkrimeve të tij, ai është filozof erudit, letrar, kritik, historian, sociolog, duke treguar qartë për formimin shumëdimensional të Izet Bebeziqit. Së bashku me Branko Merxhanin janë konsideruar si intelektualët me “pena të forta kritike”.
Analiza e thellë që i bëri veprës së Dante Aligierit “Komedia hyjnore”, shkruar në gazetën “Kombi” apo Friedrich Schiller “Vilhelm Tel” e tregojnë më së miri këtë. Analizën për veprën e Schiller, një ndër më të preferuarit e tij, e ka përmendur studjuesi edhe miku i tij Skënder Luarasi në publikimin e tij për Vilhelm Tel. 
“Pra, mund të thuhet se “Hapësira e studimeve e Izet Bebeziqit përfshin një periudhë të gjatë kohore, nga mesi i vitive 1920 deri më 1944. Brenda këtij kuadri, ai njihet si një nga gazetarët më në zë nështypin e huaj dhe vendas, aq sa Petrota tek studimi “Popolo, Lingua e Literatura Albanese” në vitin 1932, do ta cilësonte atë, ndër “penat më të forta kritike”. Përkthente në gjuhën shqipe nga gjermanishtja, turqishtja, italishtja dhe shumë gjuhë të tjera”. 

Izet Bebeziqi u burgos disa herë gjatë jetës së tij, për arsye patriotike dhe si kundërshtar i regjimeve: si kundërshtar i mbretërisë, i burgosur dhe internuar nga italianët në kohën e pushtimit fashist në Shqipëri dhe për shtatë vjet nga dikatura komuniste. Diktatura komuniste i ndaloi gjënë më të shtrenjtë: të drejtën e botimit deri në ndarjen nga jeta në vitin 1982.  
Fakti që artikujt e tij konsiderohen së fundmi nga Rexhep Qosja në vepren e tij “Panteoni Rralluar” apo “Porosia e Madhe” kushtuar Naimit dhe përshtatur për botim në vitin 1989, tregojnë qartë për vlerat e padiskutueshme të Izet Bebeziqit por, nga ana tjetër, këto citime më së shumti kanë ndihmuar në shkundjen e “pluhurit” të thellë që i bënë këtij studjuesi erudit, albanologu dhe intelektuali patriot që nga viti i largët 1944. Me dixhitalizimin që po kryhet nga biblioteka kombëtare do të jetë një mundësi e madhe për daljen në dritë të veprimtarisë së Izet Bebeziqit.
Izet Bebeziqi në rininë e tij
Izet Bebeziqi në rininë e tij

Jeta dhe aktiviteti i Izet Bebeziqit

(11 Tetor 1905-22 Qershor 1982)

1905 Në 11 tetor, lindi në qytetin e Shkodrës. 
1918-1934 Studimet e mesme dhe të larta në Austri, Universiteti i Grazit për Filologji.
Gjatë kësaj kohe (1921), krijoi bibliotekën e tij personale “Biblioteka Illyria – Bebeziqi” me një koleksion të pasur veprash dhe që u konsiderua si një ndër më të mëdhatë në Ballkan.
1934-1936 – Shërben si profesor në Shkollën Teknike në Tiranë 
1936-1939 – Shërben në Shkollën Tregtare të Vlorës, në Korçë, në Tiranë dhe në Kosovë. 
Që në fund vitet 20, Izet Bebeziqi ishte i përfshirë dhe botoi në revistat dhe gazetat më në zë të kohës si: Kombi”, “Ylli i Dritës”, “Kultura Islame”, në këtë të fundit “u trajtuan edhe mjaft argumenta të etikës, sociologjisë, arsimit, letërsisë, (vepra origjinale dhe përkthime), probleme gjuhësore, trajtesa historike, folklor, etnografi etj. Mes trajtesave nuk mund të lamë pa përmende edhe trajtesat me karakter albanologjik, mes te cilave spikasin edhe studimet mbi arbërëshët. Kjo temë, e trajtueme gjansisht edhe në revista të tjera të kohës, (si “Leka” nga Kolë Kamsi), nën trajtimin e Izet Bebeziqit në disa numra të vitit 1939, me titull: “Shqiptarizmi jashta dhe brenda atdheut”, i rizbulon shkencës shqiptare mendimet e një personaliteti, të formuem jashtë vendit, (Austri, Itali) ish – nxënës i të famshmit Nobert Joklit, i fshehun dhe i panjohun, i mohuem e i nëpërkambun thjesht për arsye politike të majta në absurdin komunist. Me sygjerimet dhe rekomandimet e N. Joklit, Izet Bebeziqi, zbriti në vendbanimet arbëreshe për me studiue në vend letersinë e tyne, çka i dha landën e duhun me realizue të parin trasliterim të Milosao-s, punim i botuem në revistën “Shqipnia e Re” në Konstancë, në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluem. Transliterimi u përfshi edhe në antologjinë “Bota shqiptare”, të Filip Fishtës, tekst shkollor për shkollat e mesme. I. Bebeziqit i dedikohet, edhe organizimimi për herë të parë në Shkodër, i një veprimtarie përkujtimore kushtue Jeronim De Radës. Bashkëpunëtori i vyem i “Kulturës Islame”, miku i Hafiz Ali Korçës, Arshi Pipës, Skënder Luarasit, Mons.Vicenc Prendushit, e sa të tjerëve, me përgatitjen e tij teologjike (pasi në fletët e revistës ka edhe polemika te karakterit fetar), dhe filologjike, jetën ja kushtoi, dijes dhe përhapjes së saj, tek të interesuemit.”
Lidhur me këtë aktivitet të përkujtimit të 100 vjetorit kushtuar Jeronim De Radës, Persida Asllani do të shprehet: “Asnjëherë më parë e më pas në letrat shqipe e në shtypin shqip nuk qe kremtuar e nuk do të përkujtohej më 100-vjetori i botimit të një vepre letrare. Dhe kjo ndodhi me ‘Këngët e Milosaos’, nën penën e Karl Gurakuqit. Një numër i plotë përkujtimor do t’i kushtohet më 1938-n. Asnjëherë më parë debati filologjik nuk qe ndezur me aq pasion për të shtjelluar potencialet kuptimore të një teksti poetik. Interpretojnë dhe e çmojnë sivëllezër shkrimtarë si Faik Konica, Zef Skiroi, Luigj Gurakuqi, Sterjo Spasse e Kristaq Cipo. Hedhin themelet e studimeve deradiane e arbëreshe studiues të rinj asajbote, si Eqrem Çabej, Namik Resuli, Izet Bebeziqi, Ziaudin Kodra e Arshi Pipa”, thotë ajo. Pipa, me shkrimin e tij të parë për De Radën më 1944-n, nis rrugëtimin e vet të jetës nëpër botën mallëngjyese deradiane, një aventurë leximplotë, të cilën do ta përmbyllë në vitet e largëta të mërgimit politik e kulturor. Në këtë përvjetor është shënuar dhe botimi anastatik antologjik “Jeronim de Rada dhe shtypi shqiptar 1887-1944”. (Persida Asllani – “Kalthëruar te dit’e re”/ De Rada përmes shkrimesh në një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare/ Shkrimet për mjeshtrin e letrave nga viti 1887-1944, “Kur Arshi Pipa joshej nga shkrimet e De Radës”, 17 Dhjetor, 2014).
Në vitin 1939 – u përfshi aktivisht në lëvizjet kundër pushtimit italian të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë në demostratat antifashiste në Tiranë, Vlorë dhe Korçë. Në demostratën antifashiste në Vlorë, gris në mënyrë demonstrative flamurin fashist, gjë që bëhet një ndër shkaqet që më pas të internohet në ishullin Ventotene, Itali si antifashist (1939-1943). 
.
Shqiptarë të internuar në Ventotene
Shqiptarë të internuar në Ventotene
1939-1943 – burgoset dhe internohet në ishullinVentotene si antifashist.
Në Ventotene, ishte bashkë me intelektualë dhe patriotë të tjerë si: Selman Riza, Abaz Ermenji, Myzafer Pipa, Loni Kristo Zef Mala, Masar Shehu, Shefqet Musli, etj.
Meqenëse në ishullin Ventotene ishin dhe të internuar të tjerë antifashistë nga vende të tjera të botës dhe krerët e Partisë Komuniste italiane si Luigi Longo, Pietro Sechia, Mauro Scocimarro, etj., Izet Bebeziqi u njoh dhe u miqësua me Sandro Pertinin, me të cilin e ruajti miqësinë dhe korrespondencën. Pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të burgosjes dhe përndjekjes që ju bë Izet Bebeziqit nga sistemi komunist, rasti dhe rrethanat bënë që kontaktet midis tyre të mundësohen në fundvitet ’60, për të vazhduar letërkëmbin deri në fund të jetës. 
1943-1945 – Drejtor në gjimnazin e Pejës dhe në Pezë të Tiranës. 
Gjatë kësaj kohë burgoset në burgun famëkeq të Prizrenit.
Në vitin 1943 – Izet Bebeziqi së bashku me Riza Danin morën pjesë në Mbledhjen e Tapizës (korrik 1943), si delegatë të Shkodrës, ku në program, ndër të tjera, ishte çlirimi i Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës. Ishte kjo një ndër arsyet kryesore të dënimit të tij në vitin 1946. 
Izet Bebeziqi ka mbrojtur me fanatizëm tezën që Shqipëria nuk do të ishte e plotë pa Kosovën, Çamërinë dhe Metohinë. Në një fjalim të tij në Kafe “Kursal” e ka shpalosur këtë ide, për të cilën pas arrestimit në vitin 1946, ju kërkua ta mohojë që në hetuesi, gjë që ai nuk e bëri kurrë.
.
Tirana vitet '30 - Kafe Kursal
Tirana vitet ’30 – Kafe Kursal

Në vitin 1944 – Izet Bebeziqi ka botuar shkrime, përmbledhje folklori, artikuj për Zef Seremben, të cilin e ka studjuar imtësisht, përkthime nga Nietzsche, etj., në “Revista Letrare” të Mitrush Kutelit, Vedat Kokonës, Sterio Spases e Nexhat Hakiut. Këto shkrime, fatkeqësisht do të ishin ndër të fundit të tij që panë dritën e botimit. 
17 Shkurt 1944 – Izet Bebeziqi ishte pjesë aktive e elitës intelektuale që synoi të ngrinte Shqipërinë në Ballkan e më gjerë. Kështu, Izet Bebeziqi ishte pjesë e intelektualëve që më 17 Shkurt 1944 themeluan Shoqërinë “Kroato-Shqiptare” të përbërë nga Prof. Rexhep Krasniqi, Av. Qazim Bllaca, Eqerem Telhaj, Ing. Gafur Langu, Av. Esat Berisha, Ing. Hivzi Meraku, Prof. Izet Bebeziqi, Mark Temali, Dr. Lazër Radi, Nexhmedin Bej Vrioni, Mentor Çoku, etj., ku si relatorë kulturalë u zgjodhën Prof. Izet Bebeziqi e Dr. Lazër Radi. (F. 149, V. 1944, D. I-1324, fl. 3-4).
1945-1946 – Jetoi dhe punoi në Durrës, ku pasuroi edhe më shumë bibliotekën e tij – “Biblioteka Illyria – Bebeziqi” – e cila u sekuestrua në vitin 1946, pas arrestimit dhe dënimt të tij me 7 vite heqje lirie.
Në fillim të vitit 1945 – u vendos në shtëpinë e vjehrrit të vet, ish-oficerit të naltë, Ibrahim Shpuza, në Durrës, por pushtetarët komunistë nuk e panë të udhës t’i besonin shkollimin e brezit të ri një arsimtari të elitës, një intelektuali shumëplanesh, sepse i trembeshin personalitetit të tij që i kishte e bâ për vedi dikur auditorët e mjediseve të mësimdhënies së gjimnazeve kryesore të vendit.
“Kështu u detyru me bâ një zgjidhje të mençme por praktike: me shitë libra, paisje e mjete mësimore në dyqanin që i vuni në dispozicion miku i tij i ngushtë, Skënder Luarasi, në mënyrë që të përballonte jetesën por që edhe të mos shkëputej nga vokacioni i tij, e njeheri ideali i tij. Intelekti dhe kultura e tij vazhdonin të rrezatonin dashuni për të vërtetën dhe të bukurën. Ishte ky dyqan që e vuni në kontakt me intelektualët dhe studentët duurrsakë, tuj u bâ pikë referimi, e një lloj miniklubi kulturor për një kategori qytetarësh të zgjedhun. Ndër “klientët” e zakonshëm radhiteshin personalitete të nivelit të naltë, si: Vinçenc Prendushi, Hafiz Ali Korça, Arshi Pipa, Preng Kaçinari, Skënder Çela e Beqir Çela etj., (të gjithë ma vonë, viktima të diktaturës e njëkohësisht, “Martira të Demokracisë”). Mes tyne ishte edhe ish-deputeti kosovar i viteve 1920-24 dhe 1945-46, Ibrahim Gjakova. Krahas temave për letërsinë, gjuhën, historinë, filozofinë dhe kulturën, trajtoheshin edhe temat e ditës, veçanarisht ajo e emigrantëve kosovarë, të cilët i kishin shpëtu Masakrës së Tivarit. Simpatitë e vjetra për social-demokracitë perëndimore e nxitën Bebeziqin me formu “Grupin socialist”, së bashku me shkodranin Nush Radovani dhe disa të rinj, njeni prej të cilëve ishte dekonspirues. Ky fakt, si dhe fakti tjetër i abstenimit në mënyrë demonstrative në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, nën shprehjen “justifikuese” se “…pjesëmarrja në zgjedhje nuk është e detyrueshme”, e mbyllën rrjetën që i kishte endun me kohë ish-Sigurimi. U gjykua dhe u dënua politikisht me 7 vjet heqje lirie dhe konfiskim pasurie. Para trupit gjykues ai mbajti një qëndrim dinjitoz dhe burrëror tuj dënue botnisht regjimet totalitare që nuk respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Këtë qëndrim dinjitoz ai e mbajti edhe para Mehmet Shehut, që e provokoi gjatë një vizite në burg”. (Nexhmi Bushati: Izet Bebeziqi Personalitet i përmasave të rralla Gegnia/ e përkohshme kulturore-artistike, 3 – 2017, Vjeti II i botimit, Shkodër, Fq 164-170).
1946-1953 – burgoset nga regjimi komunist me 7 vite heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.
Me burgosjet e tij në vitet 1939, 1940-1943, 1943-1944, 1946-1953 – Izet Bebeziqi vërtetoi se është një nga intelektualët patriotë, ndër më të rrallët që u përndoq në të gjitha regjimet. Që nga viti 1946, kur u burgos nga regjimi komunist e deri sa mbylli sytë në vitin 1982, Izet Bebeziqit ju mohua e drejta e shkrimit dhe e publikimit. 
1953-1970 – bibliotekar në biblioteken Marin Barleti (skedat-albanologji) në Shkodër.
Që nga viti 1953 – e deri sa doli në pension, punoi në Shkodër në bibliotekën Marin Barleti. Fillimisht i lejohej të merrej vetëm me skedat dhe më vonë, duke parë vetitë e tij intelektuale dhe vlerësimin e madh që i bënin intelektualët dhe studentët e Shkodrës, të cilët me respekt e thërrisnin me titullin profesor, titull që ja dhanë me të drejtë qytetarët dhe ajka e qytetit të Shkodrës, u lejua të merrej me “dashurinë” e tij – albanologjinë.
“Pas burgut, u vendos në Shkodër ku arriti të punësohej pranë bibliotekës së qytetit. Qenia e tij në këtë bibliotekë i bante nder institucionit dhe njëheri i sillte shërbim të vyer e shumë të kualifikuem profesionalisht lexuesve dhe studiuesve, tuj pasë parasysh bagazhin e tij intelektual dhe eksperiencën e pasun në punën me librin. Jo vetëm kultura e tij e gjanë, por edhe profesionalizmi naltë dhe përkushtimi maksimal në punë ishin karakteristikë e personalitëtit të tij”. 
Shkodra dhe jo vetëm i dhanë titullin “profesor”; “Në ato kohë të errta për Shqipërinë ai nxorri në mënyrën më të qartë shpirtin e tij rebel kundër padrejtësive shoqërore, kundër armiqve të shqiptarisë etj. Nga Shkodra, Tirana, Vlora, Durresi, Korça, nga ngulimet shqiptare në Itali e Greqi, nga Kosova ku jetoi e punoi, në shenjë nderimi të gjithë do ta thërrisnin me titullin Profesor Bebeziqi. Kështu i shkruante miku i tij i ngushtë, poeti i Kombit Lasgush Poradeci, kështu e thërriste shoku i tij i studimeve, Çabej, shoku i punës, Skënder Luarasi e deri tek Presidenti i njohur i Italisë, Sandro Pertini. Ai kishte mik e bashkpunëtor me Safet Butkën, Prek Kaçinarin, Arshi e Myzafer Pipën, Beqir Çelën, Hafiz Ali Korçën, Vinçens Prenushin, Stefan Kaçulinin, Sulejman Kadiun, Skender Çelën, Ibrahim Gjakovën, Riza Danin, Xhevat Danin, Muhamet Shurdhën, Jup Kastratin, Fadil Podgoricën, Luigj Franën e shumë e shumë të tjerë, një pjesë e të cilëve jetojnë ende edhe sot”. (Islam Dizdari, Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare, 3 Qershor 2003).
1982 – 22 Qershor – largohet nga jeta në spitalin e Shkodrës, pas një sëmundjeje mushkërish nga e cila kishte vuajtur gjithë jetën, që nga fillesat e kësaj sëmundjeje në internim në Ventotene të Italisë, sëmundje që agravohet më pas në burgosjet në Kosovë e Shqipëri. 
“…me vdekjen e Izetit edhe Bebeziqt ishin “këputur” në mes. Ishin larguar kollozët. “…Itesh, ky brez nuk i gjan atij t’parit. Ata jan’ ken’ burra t’vërtet’. Kush ka ken’ si Izet Bebeziqi. I kishte të tana. Niri i ditun, i drejtë e me karakter të fortë. Kur e shtine në burg që në vjetin 1946, i thane me mohu fjalën e vet e aj nuk e bani. E dënune 7 vjet at burr’ që kishte ba shkollën n’Austri e flit’te m’i 10 gjuh’ t’huja… Ky ven’ nuk i ka dasht’ kurr’ njerzit me tru’ dhe me karakter. Të tan’ i shtine nëpër burgje e i vranë. Ja murrne pasunin’, i lan’ t’vorfën e i dane prej familjeve… (Fatmira Allmuça pjesë nga rrëfimet e mamasë time Makbule Djepaxhia-Bebeziqi, mbesa e Izet Bebeziqit).
1994 – Dekorohet me titullin “Mësues i Popullit”.

Në vitin 1994 – Izet Bebeziqit iu dha dha titulli i lartë Mësues i Popullit me këtë shënim: “Mësues i devotshëm dhe plot pasion. Ka dhënë një kontribut të shquar në Lënimin e Kritikës Letrare, Përkthimeve dhe Publicistikës”. Punoi me ndërgjegje të lartë në shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës”.
“Vetëm në vitin 1994, doli në dritë emri i tij. Gazetari i mirënjohur, Besnik Dizdari shkruan artikullin “Përse është i madh Izet Bebeziqi?”; studiuesi i palodhur Fadil Podgorica shkruan tek Shkodra: “Një mik i Sandro Pertinit”; Danish Izet Bebeziqi (i biri) shkruan tek Rilindja “Hapsira e studimeve – atdhedashuria, shqiptarizma”. Nga një skicë të jetës së Bebeziqit do ta gjejmë edhe tek Hamdi Bushati si dhe tek vepra e Prof. Dr. Uran Asllanit”. 
(Izet Bebeziqi, Mësues i Popullit, Shkodra daily, 06 Maj 2013)
.
Fatmira Allmuça
Fatmira Allmuça

Izet Bebeziqi për miqtë e tij: 

“Lene se ç’thojn’ komunistat për Arshi Pipën. Jam g’zu shum’ kur ja kam ni’ zanin tek “Zani i Amerik’s”. Pipejt jan’ familje me emën e të tan’ kan’ studju jasht ven’it. Me Arshi Pipën jam ken mik e kemi bisedue shum’ për arb’resh’t e Italisë. Kisha ba studime të mirfillta e aj ishte shum’ i interesum për kulturën e tyne. Asht’ ken niri me karakter dhe pen’ t’fort’. Vinte shpesh në librarinë teme n’Durrc se nepte m’sim deri në vjetin 1946, kur n’a arrestune. I vllai ma i madh Myzafer Pipa asht’ ken’ avokat dhe jena ken’ bashk’ n’Ventotene. Niri guximtar i madh që e pagoi me jet’. E vrane komunistat n’hetuesi se m’rojti t’arrestumit në gjyqin e vjetit 1946. Po at’ do e vritshin edhe sikur vetëm t’vllan e vet për me mprojt. Zaten kush asht’ intelektual asht’ edhe guximtar për me mbrojt t’vërtetën, e, un’ menoj që nuk mund të ishe intelektual dhe komunist në t’njajtën koh’ n’Shqipni. Kjo për vetë faktin që komunizmi n’Shqipni nuk ishte as idealist. Erdhne katunar’t e vorfën e pa as nji grim shkoll’ e kultur’ e vrane vllaznit e tyne me nji egërsi t’papame. Si mund të ishe me komunistat, kur, që sa pa marr’ pushtetin fillune luftën mes vedit për pushtet!? Vetëm njeni prej miqve t’mij që asht ken edhe n’luftën e Spanjës u ba deputet e aj ishte i biri i Petro Nini Luarasit, Skënder Luarasi. Me t’than’ t’vërtetën mu’ m’ka m’projt me sa ka pas mun’si e në një far’ m’nyret asht’ m’unu me ken’ vetvedi, por edhe aj e ka pagu për i kyt. Ka pshtu mir’ se asht ken’ i biri i Petros e jo i biri i Hysenit (Bebeziqit – babai i Izetit)”. *)
.
“Lasgushin, ashtu si mu’, e luftun me heshtje. Un’ isha ken’ n’burg e njashtu do silleshin por, me Lasgushin n’ryshonte puna, prej tij prit’shin që t’shkrunte për k’ta… e aj kurr’ nuk e bani!. Heshti deri n’fund e heshtja flet ma shum’ se fjala. Aj kishte kasavetin e vajzave. At’ kasavet që kishe un’ për djalin tem Danishin”.**)
.
“Eqerem Çabej asht’ shkenctari ma i madh’ i gjuhës shqipe. Ai asht’ burri ma patriot dhe ma me integritet që kam njoft’ n’jetën teme. E kan’ sulmu’ tan’ jetën, por njofjet e shumta dhe emni i tij, i njoftun ndërkomtarisht e “pshtune” prej persekutimit. Për mue, aj asht’ dasht’ me ken’ kryetari i Akademisë së Shkencave. Do të ishte në n’erin e Shqipnis’ me e ba k’te, se do t’ishte prezantu denj’sisht në të tan’ boten”.***)
.
*) **) ***) Izet Bebeziqi, 1978 pjesë nga dorëshkrimi i Fatmira Allmuças “Si e kam njohur Izet Bebeziqin”.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.