back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pak nga Jeta dhe Poezia e Azem Shkrelit (10 shkurt 1938 – 27 maj 1997)

Gazeta

Poeti Azem Shkreli (1938-1997)
Poeti Azem Shkreli (1938-1997)

Pak nga Jeta dhe Poezia e Azem Shkrelit

(10 shkurt 1938 – 27 maj 1997)

Azem Shkrelit
i shpreh respektin ma të madh
dhe i ruej mirnjohjen ma të thellë,
pse në fillimvitet ’70,
antologjinë me poetë të Kosovës
“E di nji fjalë prej guri”,
nji broshurë blu me ma pak se dyqind faqe
që me aq vështërsi e kishte kapërcye
kufinin shqiptaro-shqiptar
m’dha leksionin ma të madh se si mund të shkruhej,
si mund të lexohej dhe të vlerësohej poezia shqipe…
jozef radi, 27 maj 2016

Poeti Azem Shkreli
Poeti Azem Shkreli

Kush është Azem Shkreli

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.
Azem Shkrelí, lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.
Vdiq në pranverën e vitit 1997.
Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes; Shtatë nga ata, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj.
Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.
Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (si Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.
Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektiv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër…

Azem Shkreli (1938-1997)
Azem Shkreli (1938-1997)

Pesë Poezi nga Azem Shkreli

Në vend të Përshëndetjes

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti,
ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde
hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë
më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm
Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër
mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë
në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më
këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën
e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë
Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur.

E di nji fjale prej guri

Kosovës së gjerë valojnë arat e grurit
e u digjet kokrra etit të djersës sate,
Kosovës së gjerë, ballit t’lavruar,
floku i kalliut hidhet si flok vashe.
Ndër logje t’saj, thonë, hapin e ke të erës,
Ndër ara t’saj, thonë, duart i ke të gurit,
ndër suka t’saj, thonë, supet i ke t’Sharrit,
ndaj toka e bukës s’mbetet shterpë. Korriku
shkrep nga syri yt e i merr gjithë fushat
e n’pishë të diellit shkumbon toka shtatzanë
gjithë ditën e lume, derisa një muzgu
s’del një vashë me shtambë nga lulet e gjakut
dhe me dy gishta e ngjyen me të kuq perëndimin
e ta derdh ndër muskuj pak lëng zanash
e t’përbën n’atë benë e lashtë të bukës:
Ngreu, or trim, se plasën kallinjtë e gjinkallat.

Para elegjisë

Një ditë do t’i marrësh ne gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.
Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t’agsholeve t’prenduara
e s’do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh
djelmoshat.

Një ditë dot’i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t’i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nga një pendim që dhemb
e s’do të kesh më as sy deti,
as hap të hedhur sorkadheje
të shohësh si t’përqeshin gonxhet
dhe të ikësh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat ma të bukura
i vret bukuria e vet.

Katër këshilla vetes

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me seicilin varg, të lindësh me seicilën fjalë.

Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut tënd.

N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

Nata ne keshtjelle
Nata ne keshtjelle

Nata në Kështjellë

I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n’rrjeta
po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur
pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë
hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.
Ja, tani kështjellës i kam hypë përmbi
Vonë është terr. Nata, disi lëmekur
merr frymë n’për vrimat që mezi shihen zi
dhe ankthëm m’kundrojnë si sytë e prindit t’vdekur.
Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n’rrasë
e m’duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim
por gjerbë e rigës s’motit gurin do ta plasë
t’parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.
prandaj me dorë, drithtueshëm, pak’ nga pak’
faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi
at marri t’vogël. Vesë? Jo, por gjak
i vokët kullon gishtat t’mij.
Harroj përse, e si, e nga kam ardhë.
Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë
e ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë,
Një gur mbi gur që gurit s’don të ndarë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.