Pak përpara se të bjerë sipari…
reflektim nga Jozef Radi
Sonte bie sipari i të Njëzetit Botëror të Futbollit, spektaklit më të madh që po njeh bota, përplasjes futbollistike të krejt shteteve të këtij rruzulli që vërtet vërtitet rreth Diellit, po vërtitet edhe rreth vetes (topit)…
Diku në orët pranë mesnate, (me orën e Europës) e diku aty nga mbrëmja (me orën e Brazilit) do të na shfaqet i plotë triumfi i nji prej dy emrave finalistë: Gjermanisë o Argjentinës, duke salduar ndër gjokse të katërtën Kupë Bote… dhe duke i dhënë vetes kështu lavdinë e së tretës skuadër më të fortë të Botës futbollistike (Brazili 5, Italia 4… dhe Argjentina o Gjermania, prej sonte 4).
Brazilin i Botërorit 2014, në historinë e kësaj Kupe, do ta kujtojmë si Skuadër (më zhgënjyesja në histori – dy ndeshje 10 gola të pësuar!!!) dhe si Organizator (vendi ma mikpritës dhe ma i hareshëm sportiv) ku shpirti brazilian me gjithë dhimbjen dhe disfatën që i dhuruan “të blertët e artë” nuk e zbehu aspak entuziazmin e kësaj festë plot ngjyra dhe dritë… Sigurisht nji “Falemnderit” e madhe i takon popullit brazilian, ma e pakta.
Sot në mbrëmje, në të 64 ndeshje, e gjithë Bota do të ndahet midis Gjermanëve dhe Argjentinasve – midis Beckenbauerit dhe Kempesit, midis Maradonës dhe Rummeniges, midis Messit dhe Mylerit… Secili prej nesh i ulur para ekranit do të gjejë motivet për ta vendosë se nga cili kah i ballancës t’i spostojë emocionet dhe dëshirën e fitores, sepse futbolli tashmë s’të lejon as të jesh asnjanës dhe as indiferent, (mbasi tek çdo njeri është nji grimcë sa e arsyeshme aq edhe emotive që e ka të domosdoshme të anojë dikah…)
Ndoshta për kët Futbolli mbetet sporti ma magjik i Botës, pse i bën luftë të hapët indiferencës, së dyti s’i lejon askujt sigurinë e fitores edhe pse mund të jeshë ma i miri ose ma i forti, s’je asgjë derisa tri herë bilbili të shpallë mbylljen e ndeshjes… dhe triumfatorin.
Në një organizim të caktuar, në një kohë të caktuar dhe në kët përballje që vjen si rezultat i nji rruge të gjatë përplot me peripeci, do të shfaqet më së fundi Triumfi dhe Deliri i Fitimtarit të Madh… ku sporti i futbollit të dhuron kënaqsinë e dy krenarive, së pari të krenarisë kombëtare të gjithë atyre që ndjehen të përfaqsuar nga skuadra e vendit të tyre, dhe së dyti të gjithë atyre që edhe pse të shpërndarë nëpër krejt botën, bëjnë tifo për atë skuadër me të cilën ndjehen ma të lidhur shpirtërisht ndër kohra, pa ndonjë motiv të përcaktuar qartë. Të jeshë tifoz i skuadrës triumfuese është emocion i papërsëritshëm, nji magji e rrallë, për të cilën ka nevojë çdonjeri prej nesh, dhe është fatlum kushdo që fati e ka ndihmue ta provojë kët gjë në jetë…
Mbramë, mbas ndeshjes Brazil-Hollandë përjetova nji kënaqësi përlotëse… Në kanalin e Sky-it për Botërorin, qe i ftuar Victor Hygo Morales, komentatori më i madh argjentinas, njëherësh edhe shkrimtar i njohur, “njeriu legjendë që ka komentuar golin historik të Maradonës” ndaj Anglisë, gol në të cilin stilistika e aktrimit futbollistik të Maradonës me stilistikën përshkruese të Moralesit kanë qenë në nji sintoni dhe harmoni të papërsëritshme ekzaltuese.
Sigurisht komentatori Morales, mbrojti Argjentinën, dhe dha të gjitha arsyet pse fitorja i përket asaj… edhe pse ishte mjaft bindës në arsyetimin e tij, unë s’e ndryshova asgja në mendimet e mia, por ama as fjalës së tij nuk i lëviza asnji presje. Sepse ishte arsye dhe emocion bashkë, ndjeshmëri dhe respekt, krenari dhe pasion në përmasa të tilla që ky aliazhi i tij argjentinas ma bëri çelikun gjerman pak ma të dobët… e në përfundim të komentit… ai tha se ishte i bindur se një koment të tillë ai do ta bënte edhe sonte për Messin!!!
Biseda në studio përfshiu mjaft aspekte të jetës së tij futbollistike dhe ishte ndër më të bukurat dhe më prekëset që kam shijuar ndonjëherë përballë ekranit…
Morales jo pa krenari në mbyllje të bisedës shtoi se: Sot në Rio de Zhaneiro kishin zbritur 100.000 argjentinas të bindur se do ta shihnin ndeshjen në stadium, po edhe nëse nuk e shihnin, ata do ta ndihmonin skuadrën edhe aty jashtë stadiumit për nji fitore që iu përket atyre dhe vetëm atyre, të bindur se të gjithë do të ktheheshin në Buenos Aires me triumfin e tyre të katër…!?! “Të fitosh një Kupë Bote në Brazil, për nji argjentinas është diçka përtej të imagjinueshmes është kulmi i kulmeve…!! Andrra janë, – i thashë vetes dhe Moralesit… – nganjëherë edhe dalin!
Gjermanët nuk kanë pasur shumë emocione për të shitur në treg. Ata kanë llogaritë e tyre të zakonshme, dhe bindjen konstante se janë një makinë e palodhur luftarake dhe trofesh… dhe se Gery Lineker së shpejti do të ketë një monument të meritueshëm në Gjermani…
Nuk duhet të harrojmë se Argjentina e sotme është nji skuadër oportuniste dhe cinike dhe më kujton mjaft Gjermaninë dhe Italinë e kohëve të shkuara, ashtu si Gjermania e sotme ka mjaft shpirt latin në futbollin e saj që më kujton mjaft Argjentinën o Brazilin e dikurshëm…
Mendoj se mbas 31 ditësh të ngjeshuna me futboll të bukur, kjo mbetet edhe lamtumira ime e Botërorit 2014… Mbas kësaj çdo shënim ka tjetër shije, sepse do të kemi përballë nji enigmë e zgjidhur… dhe profetët, kur enigmat zgjidhen… s’kanë ndonjë vlerë kushedi se çfarë…!!!
korrik, midis datës 12 dhe 13