Pessoa me poezitë e tij hapë dyer të mbrendshme.
E bukura e poezisë së tij na merr përdore e na nxitë me zbulue e me shkelë shtigje të reja të vedit,
duke na çue kështu drej nji perceptimi e mendimi ndrysh’.
elona culiq
Pak Pessoa i Përbashkët…
nga përkthimi i Elona Culiq dhe Astrit Cani
Asnji Krisht nuk ka vdekë për mue…
nga Elona Culiq…
Tue ditë sak se si gjanat pa ndo’j randsi kanë aftësi me m’torturue, kastile shmangu kontaktin me gjanat e parëndësishme. Kush, ashtu sikur unë, vuen kur nji re kalon para diellit, si do të mundtte mos me vuejtë n’terrin e ditës përjetësisht rembulueme të jetës së tij?
Vetmia jeme nuk asht në kërkim të lumtunisë, që nuk kam forcë me e arritë; as në qetinë, që arrihet atëherë kur asnjiherë s’e ke humbë. Por asht nji kërkim për gjumë, mohim, dorëheqje t’vogël.
Katër muret e dhomës teme t’zhdeshun janë për mue njikohësisht burg e largesë, shtrat e arkivol. Orët e mia ma të lumtuna janë ato në t’cilat nuk mendoj asgja, ku nuk due asgja, në t’cilat as nuk andrroj, i humbun n’nji mpimje tanësore të nji bime t’gabueme, thjeshtë myshk rritun n’sipërfaqen e jetës. Dhe pa idhnim shijoj vetëdijen absurde e t’kenunit asgja, shije e mbramë e vdekjes e mohimit.
Kurrë nuk kam pasë dikë me e thirrë “Mjeshtër”. Asnji Krisht nuk ka vdekë për mue. Asnji Budë nuk ma ka tregue udhën. Në naltinën e andrrave të mia asnji Apollon e asnji Minervë nuk janë përshfaqë me dritue shpirtin tem.
nga Astrit Cani…
Tue ditë ma së miri sesi gjanat mosdomethanëse kanë aftësinë me më torturue, e mënjanoj qëllimisht kontaktin me gjanat mosdomethanëse. Ai që, sikundër un, vuen kur një ré kalon para diellit, si mundet mos me vuejtë n’errninë e ditës vranësuemun prorë nga jeta?
Vetmia ime nuk qëndron në një kërkim lumtunie, që nuk kam forcën me e arritë; as qetësia, që përfitohet vetëm kur s’e ke humbë kurr. Por asht një kërkim gjumi, anullimi, dorëheqjeje të vogël.
Katër paretet e dhomës teme të pastolisun, janë për mue njëherit burg e largësi, shtrat e tabut. Orët e mia ma të lume janë ato kur nuk mendoj për asgja, kur nuk due asgja, kur as nuk andërroj, i tretun në një përhumbje prej bime të gabueme, lmashk i gjallë rritë në syprinën e jetës. Dhe pa idhnim shijoj vetdijen absurde se nuk jam asgja, shije paraprake e vdekjes dhe e fshimjes.
Nuk kam pasë kurr dikë me e quejtë “Mjeshtër”. Asnjë Krisht s’ka vdekë për mue. Asnjë Budë s’ma ka shenjue ndonjë rrugë. Në majën e andrrave të mia asnjë Apollon e asnjë Minervë s’më janë shfaqë për me ma ndriçue shpirtin.
(marrë nga Muri fb i Elona Culiq, 12 maj 2015)