back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pak dritë mbi Robert Priftin e pak nga poezia e tij nga Jozef Radi

Gazeta

Poeti dhe Shkrimtari Robert Prifti (1925-1993)
Poeti dhe Shkrimtari Robert Prifti (1925-1993)

Pak dritë mbi Robert Priftin e pak nga poezia e tij

nga Jozef Radi

Robert Prifti (1925-1993) mbetet një prej figurave më enigmatike të letërsisë, (s’po them asaj shqipe) mbasi krejt vepra e tij është shkruar nën diktaturë, është shkruar si përballje me diktaturën, dhe është maskuar në Shqipërinë e diktaturës, duke mos u shkruar në shqip, aq sa askush s’e kish ditur se Robert Prifti ishte shkrimtar, ishte shkrimtar i spikatur në heshtje, dhe se vepra e tij mbetet antipod i asaj çka shkruhej e botohej me aq zulme në Shqipërinë realsocialiste. Më së pari, mendoj se kjo vepër solide kërkon disa përcaktime të veçanta e të qarta para se të flitet për të. E dyta, Robert Prifti s’është persekutuar nga diktatura, në kuptimin e një shkrimtari të pabotuar per shkaqe biografike, ai është vetpersekutuar, duke i ndrydhur krejt ato cilësi të veta prej artisti të rradhë, duke jetuar nën përmasën e një maske, që unë s’besoj të ketë të dytë në botë: një shkrimtar askush s’e dinte se ai është shkrimtar, edhe pse për fatin e tij të keq (po edhe tonin) ai shpejt iu dorëzua vdekjes së beftë.
Robert Prifti është eseist, shkrimtar, poet dhe filozof! A është ndokush i kësaj përmase në letrat shqipe, s’po paraqes faktin se ai vetë është përkthyesi ose më mirë shkruesi në gjuhë të huaj, i asaj që është shpirtërisht dhe kulturalisht vepër shqiptare…
Robert Prifti nuk komunikoi dot me kohën e vet, po as koha jashtë tij s’po dëshiron të komunikojë me të!!
Sigurisht kjo ishte zgjedhja e tij, e vullnetshme dhe heroike, sepse ai s’mund të pranonte ta përdorte talentin e vet, si një shërbesë ndaj pushtetit! Kjo njëhersh përbën edhe një fatkeqsi e madhe, sepse ai iku shpejt, e s’pati kohë, e s’arriti t’i japë veprës përmasën që ajo e kishte fshehur nën diktaturë. Ndërsa sot, as  lexuesit e tij dhe as kjo kohë, duket që s’ka asnjë dëshirë të komunikojë me Robert Priftin! Sepse, koha që shpresohej ta ridimensiononte të vërtetën, po u kërkon sërish shqiptarëve të kthehen te Robert Prifti, e të shkruajnë në gjuhë që s’janë të tyre, po që shndërrohen në gjuhë të shpëtimit të tyre, së paku të shpëtojnë sakrificat shpirtërore…
Robert Prifti me veprën e lënë, (rreth 8 libra të botuar) përmbys disa ekuilibre të letrave shqipe, të lidhura me diktaturën. Unë mendoj se ai s’mund të trajtohet me idenë e tradhtuesit të gjuhës shqipe e t’i gjeje një atdhe letërsisë së tij!!! Ai duhet të trajtohet si një fenomen i shtegdaljes ose arratisë letrare e gjuhsore përmes mospajtimit intelektual, po edhe asgjesimit të diktaturës përmes shpërfilljes dhe konsiderimit asgjë të asaj çka prodhonte ai realitet.
Në larminë e cilësive të Robert Prifti ndoshta më e rëndësishmja, dhe më pak e vërejtura është të qenit poet dhe poet cilësisht i spikatur; edhe pse mendoj, që nëse poezia e tij do të kishte pasur mundësi komunikimi, qoftë edhe mes miqsh e nën dorë, do të ishte shumë më e pasur e me larmi formash…
Nuk e kam lexuar krejt poezinë e Robert Priftit mbasi janë rreth 500 poezi dhe poema të tij, por kam lexuar mjaft nga poezia e tij, për të pasur një koncept relativisht të qartë, se cila mund të jetë vlera e tij…
Para do kohësh, në mirëkuptim e komunikim të vazhdueshëm me të birin e tij, Edgarin, (i cili kuron me mjaft kujdes veprën e të atit) mora guxim t’i kërkoja leje të përktheja disa poezi të tija, që më pëlqyen shumë… Sigurisht, u dhashë pak atë ngjyrosje time, siç ndodh rëndom në kësi rastesh… Janë poezi që edhe pse të shkruara në italisht, kanë frymë Shqipërie, kanë hijen e diktaturës, dhe atë shpirtin rebel të autori. I solla në shqip, që edhe lexuesit, atë më të rafinuarit të kenë njëfarë ideje mbi poezinë e Robert Priftit. Ajo që më dhemb shumë, është se edhe një tjetër brez po largohet prej letërsisë së Robert Priftit, pa pasur një ide dhe pa kërkuar të thellohet në veprën e tij. Institucionet kulturore, akademia, univerisitetet janë tejet larg kësaj vepre dhe këtij fenomeni, si të ishte fjala për diçka të paragjykuar
Me sjelljen në shqip të këtyre katër poezive, (të përkthyera edhe nga i biri, Edgari) po e sjell Robert Priftin, ashtu siç unë e kam të filtruar brenda meje, me shpresë që ata që s’e njohin, të krijojnë një skicë sado fluide, mbi vlerat e tij të padiskutueshme…
jozef radi, tetor 2020
.
Robert Prifti - Tre vepra te tij Poetika dhe Aforizmat
Robert Prifti – Tre vepra te tij Poetika dhe Aforizmat

Kater poezi nga Robert Prifti

Këmbana

O ti këmbanë
prej bronzi vezullues!
gjëmo sërish
në lagjen e vetmuar
të dashurisë
 
O këmbanë diellore!
Në tingullin tënd të përjetshëm
të mijëvjeçarëve njerëzorë
lumenj shprese i bëjnë jehojnë
lirisë!
Rrahje të gjata ëndrrash
mendime të ëmbla jete
fëmija ka për të kujtuar
kur një i rritur të sodisë
 
O ti këmbanë bronzi vezullues!
Zemër e qiellit
me tingujt e tu
i ke thurur lëvdata
frikës qiellore të njeriut!
O këmbanë e dielli!
Zemra e burrave
me tingullin tënd
e ka ndalur vdekjen
e ka zgjuar jetën
e ka thirrur liriinë!
Jo, s’dua të mendoj
Jo, s’dua të kujtoj
por ah, mjerisht!
Kthehem në ditët e vdekjes
kur njeriu,
ai njeri që të ka dashur
ai njeri që ti e ke shpëtuar
ai njeri të cilit i këndoje
të shkatërroi
t’i shkatërroi tingujt e tu
t’i shkatërroi fjalët e tua
ta shkatërroi këngën tënde
për të shpikur
gjëmimi shurdhues
të luftëtarit metalik!
 
O ti këmbanë bronzi vezullues!
Gjëmoje sërish
në shpirtin e shkretuar të njeriut
dashurinë
Ndoshta koha jote ka mbaruar
në këtë tokën gri
të pakënaqësisë sonë?
Ndoshta tashmë je vetëm
një art i lashtë?
Një histori e vjetër
e vatrës së shuar?
E megjithatë, njeriu këmbanë
prej lartësisë se minareve
i ka thirrur qiejt!
E megjithatë prej heshtjeve më të thella njerëzore
ti jeton
si vegim i përjetshëm
i jetës
-kujtesë shpirtërore
e dashurisë
pikëlzim sublim
i lirisë.
 
O këmbanë diellore!
Në tingullin tënd të përjetshëm
të mijëvjeçarve njerëzorë
lumenjtë e shpresës i bëjnë jehojnë
lirisë
Hymn i haresë
janë tingujt e tu!
Ngushëllim i trishtimit
është fjala jote
Thirrje për të marrë pjesë
është kënga jote!
 
O kambanë!
Mikeshë e njeriut,
apostull lirie,
fryma jote
shpërthen në hapësirë
dhe më merr dhe mua
drejt lirisë!
 
O ti këmbanë
prej bronzi vezullues!
Gjëmo sërish
në lagjen e vetmuar
të dashurisë!
O kambanë diellore
që ke vjedhur tingujt hyjnorë
të mendjes njerëzore
për t’i dhënë shpresa
lirie.
.
Robert Prifti - Tre vepra te tij Proza
Robert Prifti – Tre vepra te tij Proza

Poetit të Oborrit

I ke vendosë mbi skrivani
stilolapsat e tu.
I ke bërë fletët e virgjëra
t’i këndojnë
natës së parë të dasmës
së mëkatit tënd
Djersa
të rridhte nën sqetullat
dhe mendimet
fluturonin mbi letër
ashtu të sinqertë
me një shpirt të çliruar…
 
Oh ai çast harrese
i të qenit ideolog!
Më shumë poet të bënte të ndjeheshe!
E ai shtrat i bardhë
i letrës së zhvirgjëruar
të ka sjellë tmerr!
Ja mëkati!
U kthye mëkati…
ideologjik.
 
Ndërgjegja
ta shohësh vetveten.
Me frikë prej së vërtetës
Rruga më e drejtë
Dritat sociale
Ide
Ideja e madhe
E shtrydhur mbi fletë
mëkati yt
në grusht,
Grushti i trinisë së shenjtë
ideologjike
dhe je kthyer sërish
në një poet kimist
për të rivendosur atomet në molekulat
e formulave
Inteligjenca juaj
drejtësia juaj
arsyeja juaj
e ke pëshpërirë
e më pas e ke ulëritur
e ke shkruar
dhe rishkruar
ti, poeti ideolog.
E ke stërvitur shpirtin
me bukë
E ke stërvitur mendjen
me përsëritje
E ke ushqyer trupin
me etjen
e një pusi të shterrur.
Ke ngarkuar gurë mbi shpatulla
për ta mbushur
atë pus bosh
me shpresën e një mrekullie sociale,
Ke zbritur
prej pemës së mëkatit tënd
me fruta të ndaluara
dhe mbi tryezën tënde
je dalldisë
mbas frutash plastike
kopje të martirizuara
t’një zejtari të rekomanduar
dhe me shqisa të rrënuara
ke admiruar
gjinjtë shterpë
të natyrës së riprodhuar
dhe i mbushje vargjet e tua
me ideologji të vdekura
dhe fyeje
Lirinë e marrë
Lirinë e çmendur
tekë e çunakëve të droguar
me fantazi të pafajshme
të zjarreve tallëse
në mbrëmjet pa hënë.
 
O ideolog poet
o i pashpirt
o shpirtshitur
në djall vafsh me mësuesin
dhe mbrojtësin tënd
Ke nënshkruar paktin e heshtjes
dhe shkruan
hymne “lëvduese”
pagëzime të lavdishme
Dhe ai të merr përdore
në piedestalin e fuqisë së tij
mes duartrokitjesh qesharake
të popujve të mashtruar
Gjendje të trazuara poeti
frikacakët shuhen
pa zhurmë
dhe ai vjell
farat e pasionit të tij
në vesin më të flliqur të njeriut
shtirjen
Zvarrisesh ndër skaje të gjuhës
e fshihesh ndër folje
me vezir përkulur
e buzëqeshje të shplara
dhe poeti e ndryshon veshjen e tij
si filozof oborri
shfaqet në spitalin e mbijetesës
dhe shkruan gjithëdijen e tij
për arsye shtetërore
për arsye pushteti
për arsye ideshë
dhe jeton i brohoritur
në festën
e fronit “proletar”.
 .
Dorëshkrime të Robert Priftit
Dorëshkrime të Robert Priftit

Mbi varrin e një partizani

Më dëgjo
me kujdes
e mos bërtit
Pushteti i heshtjes ka veshë!
E di mirë
Ke ulëritër në erë
i ke ulëritur shiut
ke ulërirë i uritur
por tani kujdes
pushteti i heshtjes ka veshë.
 
E di mirë
Ke ulëritur me breshëri mitralozi
u ke ulërirë kokave të mbështjella me hekur
u ke ulëritur torturuesve gjaksorë
por tani kujdes
pushteti i heshtjes ka veshë!
Tani hesht
Ke shtratin tënd të lavdisë
dhe nderimet e urdhëruara
nga një bashkëluftëtar i yti
tani Mbret
Kurora letre me ngjyra të mbulojnë
Kurora letre të shkruara të kujtojnë
ashtu siç nuk ishe
por siç dëshiron
Mbreti
Dëgjo!
Jo
mos ulërit
pushteti i heshtjes ka veshë!
 
Ke shtratin tënd të lavdisë,
e në lavdinë tënde
shkëlqen lavdia e tij
prej Mbreti
Në rresht bejlerët e kuq
të sjellin kurora
të sjellin heshtjen e nderimit
heshtjen e mallkimit
Dëgjo!
Jo.
mos ulërit
pushteti i heshtjes ka veshë!
 
Dhe ti e di
se je i privilegjuar
Me vdekjen tënde
ke nënshkruar
kontratën e lavdisë tënde
A e mendon vallë,
që nëse do mbijetoje
do t’i kishe këto nderime falas?
E këtë lavdi tënden
do ta kishe edhe mes të gjallëve?
Lavdi e hipotekuar
atje ku prehen shokët e tu?
Edhe shokët e Mbretit?
Krimba të gropave të panjohura
gropë e panjohur e një qeni të infektuar
me liri,
Dëgjo,
dhe mos qaj
pushteti i heshtjes ka veshë!
 
Ndalu,
një hero nuk vajton.
Kanë qarë mjaft për ta
me zë të shurdhët
nëna e motra, vëllezër e baballarë
edhe shokët
kanë qarë
me një buzagaz mes buzëve.
Dëgjo,
dhe mos qaj
pushteti i heshtjes ka veshë!
 
Do t’i humbësh nderimet e urdhëruara
do t’i humbësh përvjetorët
dhe baldakinin prej mermeri të bardhë
do ta humbësh
edhe emrin e lavdishëm
ngjyer në ar:
hero
edhe kurorët e letrave të ngjyrosura
dhe fletët e letrës së shtypur
Dëgjo!
Çfarë?
Lirinë?
Jo
mos e kërko tënden
as lirinë tonë,
Liria i përket vetëm Mbretit
E di
Ishte klithma jote e betejës
tashmë është vetëm himni yt.
Liria?
Ishte ideali yt
tani është vetëm energjia jote mizore
Ishte ëndrra jote
tani është vetëm nevojë mbretërore
Ishte e vërteta juaj partizane
tani është vetëm realiteti i tij
prej Mbreti
Si?
Do të dëshiroje t’i ulërije popullit
si një herë e në një kohë i ulërije erës
shiut
dhe urisë?
Do të dëshiroje t’i ulërije njerëzve
si u ke ulëritur mitralozave
mortajave
dhe topave?
Do të dëshiroje t’i ulërije Sulltanit
siç i ke ulërirë liktorit
në kryqin e grremçtë?
Hesht,
pushteti i heshtjes ka veshë!
 
Ehhh!
Nuk mundesh
vdekja nuk përsëritet!
Hero i një kohe që shkoi
ishte fati yt
Hero
jo ashtu si ti dëshiroje
po si ai dëshironte
Mbreti!
Ah!
Vdekja nuk përsëritet
dhe e jotja
është lavdia jote!
.

Robert Prifti mbas viteve '90
Robert Prifti mbas viteve ’90

Lavdi dhe baltë

Isha i vogël
i vogël
një gërmues i tokës
një analfabet
e as fshatar tamam
Më morën përdore
e më mësuan abëcënë
dhe pastaj më dhanë
një libër i kuq
më vendosën
një mikrofon në gojë
e më mësuan
të ulëras,
Dhe unë ulëriva
fyeja
dhe thurja hymne
me urrejtjen e kazmës!
 
Dhe kështu kalova
prej kasolles
ndër pallate
prej karrocës te limuzina
dhe u rrita
dhe u shtova
nën ombrellën e partisë
As shiu më preku
po as breshëri
bora s’guxonte
kështu fillova
të “sundoj”
e të jap urdhra
të thoja psallme
e të këndoja plot pasion
me urrejtjen e kazmës!
 
Në ngjitjen time
mblodha përgjat shkallëve
maskat e mia
të teatrit pushtetor
ndjekësit e djepit tim
pa gramatikë
Burrat
ma kishin frikën
më nderonin
më admironin
më mallkonin
më thurnin lavde
e talleshin me mua
 
Kisha zbuluar
sekretin e burrave
kafshërinë e tyre
tashmë edhe
atë komedi
njerëzore trishtuese:
duartrokitjet.
Tashmë ndjehesha
i paprekshëm
prej zilisë dhe urrejtjes
prej shpifjeve dhe frikës
I a kisha depozituar
çekun
monumentit tim
në bankën e lavdisë.
Njerëzit
në heshtje
e të bindur
dele të rëndomta të guximit
më vinin nga pas
Dhe unë u prija atyre njerëzve
nga kafazi i artë
e armiqtë tashmë të shtypur
madje edhe shokë e rrezikshëm
i shfarosja
me urrejtjen e kazmës!
 
Isha njësh
dhe i vetëm
pronar i pushtetit.
Një ditë
në pragun e kështjellës sime
u shfaq një armik
mysafir i beftë
një armik që kurrë s’shpresonte
në ëndrra!
Dhe filloi
hakmarrja
e kujtimeve të shkelura
Dhe ëndrra m’u fut
në vetëdijen time
fantazma trashëgimtare
e mëkateve!
Dhe ndërgjegja ime
ajo kështjellë e qetë
e kthjellët dhe e heshtur
njëherësh
u pushtua
prej shpirtrash
grabitqarë të pendimit.
Mbas kaq e kaq vitesh
të shkurtra
të dalldisura prej pushteti
filluan ditët
e gjata të ëndrrave
dhe veten e gjeta
në moshën e përgjigjeve
të aq shumë pyetjeve tallëse.
 
Vinin
njëra pas tjetrës
lista të pafundme
me komplotistë ëndrrash,
më kot kërkoja lehtësim
prej turmës së pafundme
nën rrahjet e duarve
nga të vjellat e diskutimeve
 
I lodhur
i mbaruar
i mplakur
nata
bashkë me heshtjen
me ofronte ulërimën
e prokurorëvë të vdekur
armiq dhe shokë.
Dita
bashkë me punën
me ofronte armëpushim me kujtesën
por jo paqen.
Më së fundi ëndrra
ndjeu keqardhje.
E më ktheu sërish
te kazma ime
te lodhja e kallove
te e gjelbërta e pishave
te kaltërsia e qiellit
te flladi i plepave
te uji i freskët
që ma shuante etjen
me kripën e varfërisë
dhe u ndjeva
fëshfërimin
dashurore të fushës
Fryma ime
përhapte
aromën e tokës.
Kështu u ktheva
te jeta e pasvdekjes
së një besimtari.
O ç’fat i tmerrshëm!
Të mos e shohësh funeralin tënd!
Pse kishte aq shumë kurora?
Ishte i gjithë populli i urdhëruar?
Të gjithë bashkë qanin?
Po banda ç’bënte?
Si dukesh ajo ikja ime solemne?
Përgjigjmuni,
përgjigjmuni
për mëshirë s’paku!!

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Dije Demiri Frangu – Të botohet!

    Jozef Radi: Dije Demiri Frangu, një pjesë e prozës dhe esesistikes është botuar… Poezia Robert Prifti ka rreth 450 poezi dhe është botuar vetëm ashtu siç ai i ka shkruar… në Italisht… Se shpejti, simbas të birit… Do të nisë edhe botimi i poezisë në shqip…

    Gjergji Kosta: Nuk vlen nëse nuk lexohet!

    Irena Stein-steinova: Z. Jozef Radi “Paç bekimin e Zotit!” për nxjerrjen në dritë të këtyre poezive dhe për gjithçka që ban për nxjerrjen në dritë të së vërtetës!

    Jozef Radi: Irena Stein-steinova, Robert Prifti është zë ndryshe në poezinë dhe letërsinë shqipe… Unë, thjesht si lexues i apasionuar dhe ndjekës i kujdesshëm i vlerave, u shpreha atë çka ndjeva dhe e përcolla…!

    Arbër Ahmetaj: I lexova poezitë! Letërsia shqipe duhet të ndjehet në festë me këtë autor!

    Jozef Radi: Arbër Ahmetaj, Robert Prifti ka katër libra me poezi po ende asnjëri prej tyre nuk është botuar në shqip… Në Itali po bëhet një studim i thellë rreth veprës së tij dhe pak kohë më parë mora vesh se një studente italiane kishte mbrojtur doktoraturën me veprën e Robert Priftit…

    Milto Marko: Shumë e bukur lidhja midis këmbanës dhe lirisë!

    Drita Saraçi: Zoti ju shtoftë jetën për të vërtetat e kësaj bote!??

    Jonuz Kulla: Paska patur Lasgushe të tjerë Shqipëria!!! Kanë jetuar me dinjitet dhe nuk i janë nënshtruar diktaturës, megjithë talentin e tyre. Mund të ketë dhe të tjerë duhen zbuluar se vlera e tyre është e madhe.

    Kostandin Lefta: Faleminderit Jozef, që na krijon mundësinë të njohim personalitete të tilla, që kanë ditur të përballojnë mjeshtërisht diktaturën e egër, si Robert Prifti! Mirënjohje për punën tuaj!

    Jozef Radi: Kostandin Lefta edhe unë ju falenderoj jo vetëm për vëmendjen, por edhe për shpërndarjen e herëpashershme të shkrimeve. Robert Prifti është një kënaqësi e imja që herëpashere më rrëmben me veprën e tij…

    Kostandin Lefta: I dashur Jozef! Unë e bëj me shpirt shpërndarjen e postimeve tuaja, pasi jo vetëm më pëlqejnë shumë; por mbi të gjitha e meritojnë! E bëj gjithashtu dhe me qëllimin e mirë, se i shërbejnë të gjithë njerëzve të urtë e të ndershëm! Unë gëzohem sinqerisht me arritjet tuaja Jozef! Suksese pa fund ju uroj!

    Faruk Myrtaj: Ndodhi të dëgjoja bisedën e të Birit për Robert Priftin, krijues në heshtje dhe ndjehej vërtetë diçka e veçantë…
    I veçantë për të bukurën e lirisë së ushtruar, ndaj dhe ende i heshtur në Tiranë, ku janë mësuar të bëjnë pa lirinë…

    Jozef Radi: Faruk Myrtaj, është tejet trishtuese kur numri i universiteteve shtohet dhe atyre që mbarojnë fakultetin e gjuhë letërsisë edhe atyre që doktorojnë dhe nuk dinë thuajse asgjë për Robert Priftin…!

    Mirela Papuçiu: Faleminderit për këtë prurje! E lexon dhe ndjehesh kaq mirë që mendimi e ritmi i poezive është i pastër, vërshues, i lire, modern, plot nerv poetik. Pavarësisht gjuhës, kjo është letërsi shqipe!

    Bit Gecaj: Përgëzime, Jozef, për kontributin në pasurimin e letërsisë shqipe! Poezitë e Robert Priftit qenkan të mrekullueshme!

    Jozef Radi: Bit Gecaj, e gjithë vepra e Robert Priftit është e një niveli të lartë letrar dhe filozofik… Ajo ka jetuar në heshtje dhe në mekanzima të pabesueshëm… fjala vjen vepra “Syri i Polifemit” është shkruar në 16 fletë A4, në italisht dhe mund të lexohej vetëm me lente… ndërsa romani i botuar ka 290 faqe…!!

    Ardita Jatru: “Lavdi dhe baltë”, një diamant poetik, tronditëse se sa thellë hyn bisturia e poetit në karakterin e qënies. Si mund të ndrydhet ky poet? Çfarë ka patur mes nesh, dhe ne gjallonim nën hijen mizore të diktaturës, ashtu të vegjël, pa fuqi, meskinë. Është çmenduri, surreale, dështimi i një populli të rritet shpirtërisht.

    Jozef Radi: Ardita Jatru, Robert Prifti është figure e rrallë letrare… Unë jam i bindur që ai do të mbrrijë të lexuesit me gjithë përmasën e vet… Së shpejti unë do të sjell dy letra të tij shkruar se dashurës, në vitin 1952… Me një interpretim timin mbi këto letra… Janë letra të një 27 vjeçar që kërkon të ndërmarrë një mision të madh dhe i duhej një grua në lartësinë e kuptimit të misionit të tij… Letrat janë të pashoqe, jo në historinë e letërkëmbime e sentimentale po në historinë e komunikimeve njerëzore… Kur del nga ato dy letra, ku misteri dhe madhështia e Robert Priftit 27 vjeçar bëhet krejt e qartë se me çfarë lënde kemi të bëjmë…?

    Ardita Jatru: Jozef është një mision hyjnor të nxjerrësh në dritë një shpirt të ndrydhur i blatuar me virtyte të rralla. Të përgëzoj!

    Irma Muça Qesja: Lexova poezinë e parë, “Këmbana”, më pëlqeu kaq shumë sa mendova është e kotë të lexoj të tjerat, është e pamundur të kenë forcën e domethënien e kësaj. Megjithatë vazhdova. Kur mbarova se lexuari të fundit, mendimi i parë që më erdhi ishte: sikur të futeshin në programin mësimor, një mesues/e letërsie vetëm me komentet e këtyre poezive do mund t’i ndërtonte nxënësve ndrydhjen, rropullimin e ëndrrave, vdekjen e lirisë e të së bukurës në 50 vite komunizëm! Sinqerisht faleminderit Jozef për punën e palodhur!

    Jozef Radi: Irma Muça Qesja, secila poezi është më e bukur se tjetra… Besomë… Po lexoji në kohë të ndryshme… Dhe më pas më thuaj… Poezia e tij është e tillë… Dhe të mendosh që është e shkruar nën diktaturë të egër…

    Irma Muça Qesja: Jozef Radi i rilexova Jozef! Një mrekulli! Kush është ky njeriu – poet kaq i madh!? E pashë që e ka botuar në italisht, në mos gaboj!

    Jozef Radi: Irma Muça Qesja – Robert Prifti për të cilin flitet krejt pak… Në mos, aspak! Po nuk ka shkruar asnjë rresht në shqip dhe ka jetuar në Tiranën e KQPPSH…

    Irma Muça Qesja: Jozef Radi më bëhet qefi që paska parë rrëzimin e sistemit.

    Jozef Radi: Irma Muça Qesja, Po e pa tentoj edhe ta botonte veprën jashtë Shqipërie e nxorri në fazën e fundit të diktaturës, po nuk gjeti mbështetje… Nuk pati as kohë as ta bëjë betejë e madhe të jetës, mbasi vdiq në gusht të ’93… 68 vjeç…!

    Emrije Krosi: Ka një poezi shumë të fortë, që lexuesi duhet ta njohë sa më parë. Mirënjohje, Jozef Radi!

    Aleks Kapllaj: Shumë origjinal në shprehjen e botës së tij poetike por edhe në historinë e tij krijuese jo konformiste në gjuhë të huaj! Nivel shumë i lartë!

    Jozef Radi: Aleks Kapllaj, Robert Prifti, do të rrëzonte mitin e Realizmit Socialist, sepse gjeti mjete dhe mënyra për të krijuar art të pastër kur askush nuk besonte se mundej… Heshtja ndaj tij, është pikërisht për këtë arsye…!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.