back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pak rreshta për “Lyrën” e Haxhiademit nga Jozef Radi

Gazeta

Et'hem Haxhiademi i Ri
Et’hem Haxhiademi i Ri

Pak rreshta për “Lyrën” e Haxhiademit

nga Jozef Radi

“Lyra” e Et’hem Haxhiademit, botue në vitin 1939, asht pa as ma të voglin diskutim jo vetëm nji prej monumenteve të poezisë shqipe, po mundem me shkue edhe pak ma tej e me thanë: “Lyra” asht edhe nji prej monumenteve të kulturës shqiptare.
Haxhiademi asht poet elitar, sqimatar, kokfortë, solemn e njerzor… ndaj shpesh tek lexon vargjet e tij, krijon përshtypjen se Ai jeton n’nji realitet të përtejmë, sikur asht ngjitë maje nji piedestali e reciton kumbueshëm magjinë edhe shpirtin e nji gjuhe hyjnore, të lanun mbasdore, midis nji sheshi të madh ku s’asht askush… Ai e vëren mirë që s’asht askush rreth tij, veç do ziliqarëve diku n’skaje që i gëzohen atij sheshi bosh edhe atij Njeriu të vetëm… e megjithatë, në Kangën e tij ai asht i bindun se jehu i saj, në mos sot, nesër; në mos nesër… dikur ka m’u ndje… edhe ka m’u ndje fuqishëm. Si duket, Ai ka dalë me koshiencë të plotë jashtë kohës së vet, ka zgjedhë Poezinë si armë hyjnore komunikimi, e asht tyke ndërtuë at tempullin e rrënuem prej nga ku i jep hov fjalës shqipe, tyke dëshmuë se Gjuha e tij, s’i len asgja mangut Kangëve të Lashtësisë Ballkanase, e kundërta, ajo asht bartsja ma e denjë e asaj Kange!
Gjuha e Haxhiademit, po edhe poezia e tij, (më pëlqen me e theksue kët gjà), asht e Mesmja e Artë midis Fishtës, Koliqit e Camajt në njenën anë edhe Frashërit, Poradecit e Kutelit n’anën tjetër… po me nji mision ma ta madh, ma largpamës, ma hyjnor: përbashkimin dhe njehsimin ma të natyrshëm të ksaj gjuhe!
I jam n’gjunjë misionit të këtij Njeriu të Madh, që vërtet mund të lexohet si jashta kohe, po… me qenë i të gjitha kohnave, ama…
Lexim të kandshëm të dy poezive të para të “Lyra”-s: “Galatea” dhe “Andrra e Jetës”
Qershor, 2015

Grua që i bjen Lyrës
Grua që i bjen Lyrës

L Y R A – 1939 –

Et’hem Haxhiademi

I.

Galatés

Si shkuën kaq shpejt tri vjetët, Galaté,
Qëkur prej nesh u ndave
Dhe zemrat na i thave
Tyke u tretun ndën të shkretën dhé?

Kúr buzët t’uëja krejt n’gjoma ende
Ligjroshin aq me ambëlsi
Dhe kurr pa fol’ me djal’ të ri
T’i kalbi balta nëpër t’errta vende?

Mbaj mend kúr t’pash’ për her’ të par’ qi dolle
Me libra dhe rradhoj ndër duër prej shkolle,
Ahere ti as kryët s’e ktheje mrapa
Dhe shkoje rrugës me të lehta hapa.

E nga nji herë,
Ndonse në verë,
Nji erë e holl’ fillonte
Me fryë e t’ngatarronte
Baluket mu ke balli.
Heì! Kúr më zinte malli
Muë nga nji her’ për ty me shpresën rroja,
Se do të shihja kúr n’atdhe të shkoja,
Por ah, kúr erdha m’than se dheja e shkretë
E kish pushtumun trupin tand të zbetë;
Dhe n’vorr’n e vogël n’hijen e nji blini
Ja kish hudh’ kangës qyqja dhe hutini!

Poezia kushtuar Galateas
Poezia kushtuar Galates – 1927

Moj Galaté, po nanës s’ate ku
I ban mâ zemra me i gërshetuë
S’at’ motre bishtat edhé t’a stolisi,
Kúr don e vogla t’dali të shetisi?
S’atë amë ahere ti i vjen ndërmend
Kúr dor’ e saj të ndreqte plot gazmend
Për dita festash me fustan me ngjyra
E n’gas të mbushesh ty pastaj fëtyra!
Ajo ahere dhe florinjt’ e saj
T’i varte ty te gusha me uzdajë,
Se do t’gëzoje djemt e rij qi t’shifshin
E trupin tand të bukur nuk e njifshin
Dhe kur ahere ti n’dollapët shkoje,
Të mbante ty për dore
E jotja shërbëtore
Qi t’runte dhe të blinte ç’far’ të doje.
Por rrugat ledh prej shiut kúr kishin vuë,
Me maj’ të gishtavet e ngriije,
Fustanin qi ty shtatin t’kish mbëluë,
Porsa qi t’piqte n’dhé e ndinje.
Kush ty ahere t’shihte Galaté,
Dhe dashunija e përvlonte,
A mundesh kurr qi t’a besonte
Se trup’i yt i ngjom’ do t’kalbesh n’dhé?

* * * * * * *
6 janar 1927

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi – Vepra poetike – Lyra 1939

L Y R A – 1939

– Et’hem Haxhiademi

Andrra e Jetës

Gjithnji lakmueshëm n’shijë t’jetës ende
Ti, o njeri, dhe për lumni thellohe,
Por nëpër çaste qi me gas përmende,
Vyshke prej kohe.

As plasja nuk të vlen, as madhështija,
Se bashk’ me ty ç’do gjâ e gjall do t’vdesi,
I pasun qofsh a verdhun nga urija,
Dheu do të tresi.

E pse ahere prindët i dëfreve
Kur jet’e jote nisi me ague?
Ah, porsa ti prej barkut t’nanës leve,
Krim u shkaktue!

Qëkurse u krijove ti nji herë,
Dhe vdekja mâ në fund do të coptojë,
Se edhé gjethet qi bleruen në verë,
Dimni i rrxoi.

Por ti krenohe n’botën gënjeshtare,
Dhe nuk ven mendje n’orët qi kalojnë
E me rrëmbim tyke u shdukun fare,
Jetën t’shkurtojnë.

Dhe shpresa qi në zemrën tande rritet
Tyke u ngjom me gjak, si jasemini
Do t’hapi fletët, kur do të venitet
Vaza ku bini.

Në qofsh pra i fuqishëm e me vlerë,
Me baltën e të vorfnit do të mblohesh,
Se dhe Cezari me t’mëdhenj të tjerë,
Humbën prej kohësh.

Në qofsh i vorfën e me t’ulët shkallë,
Nga grushtat e të fortit mos u tut,
Se as njeri në bot nuk mbet i gjallë,
Por n’dhé u fut.

Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë
Dhe krenarin qi t’fali ty gjithsija,
Të mos e lshojsh tyke kërkue mëshirë
Nga plogështija.

Dikur nji mbreti n’koh’ të lashta prore
Nji skllav i thoshte se gjâ tjetër s’je,
Përveçse nji njeri me shpat mizore
Përmbi kët dhe.

Ahere veç nji andërr jeta qenka,
Qi nëpër valët e naturës breth,
Dhe kur mendohet fund’i saj nga brenga
Zemrat rrëqeth.

Po asht e kot’ njeriu me u frikumun
Prej nji ndryshimi qi do t’a pësojë,
Sikundër çdo krijesë e ka qëllumun,
Po në nji llojë.

Ç’do gja qi lind do t’vdesi, kte gjithsija
E ka si ligj t’paprekshme për gjithmonë,
Mendo, njeri, i zhytun ke lakmija
Kohën mâ vonë.
9 janar 1935

Nga “Lyra”, Tiranë 1939

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.