back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pak rreshta për Poetin Jusuf Gërvalla dhe pak poezi nga Ai

Gazeta

Jusuf Gërvalla (1945-1982) - skicë nga Uran Limani464035o
Jusuf Gërvalla (1945-1982) – skicë nga Uran Limani

Pak rreshta për Poetin Jusuf Gërvalla

dhe pak poezi nga Ai

Jusuf Gërvalla lindi në Dubovik të Deçanit me 1 tetor 1945, dhe u vra mizorisht më 17 janar 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë.
Nuk ka shqiptar në Kosovë që s’di se kush është Jusuf Gërvalla. Po them “është” meqenëse jam i bindur se nuk jetoi më kot dhe as nuk ra fli më kot, shembulli i tij mbeti i gjallë në gjithë ata intelektualë, shkrimtarë dhe qytetarë që nuk po e marrin rrugën e botës por rrinë e qëndrojnë…
.
Vëllezërit Jusuf  & Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka
Vëllezërit Jusuf & Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka
***
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari Jusuf Gërvalla, pësoi vështirësi të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembullor që ia bëri Jusuf Gërvallës më 1992, Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992).
Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës, e hijësuaka faktin se ishte poet i dorës së parë. Fat ky i zi që duket se e ndan me shokun e idealit, Adem Demaçi (megjithëse i shpëtoi fatit të atij të fundit, të cilin ca çapkënë qurranë e quajnë “shkrimtar të dështuar” ose çaprashisin çilimillëqe për “gabimet” e tij).
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para – “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”. Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, “Shenjat e shenjta” (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si “hije”, “pluhur”, “frikë”, “terr”, “ftohtë”, “varr”. Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë “jeta”. Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.
Fragment i marrë nga http://www.germ-a.com (17 janar 2016)
.
Jusuf Gërvalla dhe pasioni i tij për muzikën
Jusuf Gërvalla dhe pasioni i tij për muzikën

Tri poezi nga Jusuf Gërvalla

U mësova të dua

Në duart e mia të ftohta me duart e mia
Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
E pamësuar dora ime e hapi kuvelinë
E dimrit
Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam
Duart e mia të ftohta
Trupi i tij ujë
Dhe letër e verdhë.
 
Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
Rendi i katërt ishte plot
Dyshemeja me lëvore gështenjash
Këndet e larta rrjetë merimangash
E dikush tha. Po çirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!
 
Pikëllimi s’ia kishte frikën
Ai i dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara
(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)
Ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
Mbi të gjithë që dashurojnë.
 
Në duart e mia të ftohta
E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
Të dashur
Si fjalët e para si deti i ri si qyteti
Në kartëpostale.
.

Tash po nisemi

Tash po nisemi, në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.
 
Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.
 
Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.
 
Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej.
.
Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla
Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla

Do të kthehem nënë

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat
 
N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.
 
Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd
 
Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim
 
Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë.
 
Marrë nga http://albpoetika.blogspot.it

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.