Pakëz trishtim e kujtese tetoriane
nga Mardena Kelmendi
Për të mos harruar 16 tetorin…
Nëse nuk do të ishte për mua një ditë shumë e trishtë, sigurisht që do ta uroja këtë ditë të veçantë, që për kaq vite rresht kemi thirrur: “për gojën që e kishte me sheqer, e me hurma” e plot kësi fjalishë të mësuara përmendësh e të përsëritura edhe në gjumë… Këngë të kënduara në kët ditë nga fatosa e pionierë, bile edhe burra një pjesë e mirë e të cilëve janë “bossa” të politikës.
Na ishte dhënë mundësia si familje, që me rastit e ditëlindjes së “xhaxhit” të shtrenjtë, ne të takonim babin tim Bardhyl Kelmendin, në burgun e Tiranës, mbas 18 muaj torture e hetuesie (ku më pas gjyqi më 1972, mori vendimin në Krujë, e ku u dënuan 6 kosovarë me dënime të ndryshme nga pushkatimi “për tradhëti të lartë ndaj atdheut” dhe si shërbëtorë të klikës jugosllave… (pikë e zezë… e kish sjellë kryet në at vend të mallkuar, i miri baba im më 1956, kur shokët e tij shkuan shteteve perëndimore, ai kish futur këmbët e veta te vdekja e tij… në emër të atdhetarisë…)
Isha vetëm 9 vjeçe.
Burgu i Vjetër ishte afër stacionit të trenit në Tiranë. Ishte 16 tetor e shtuna e dytë e muajit… Pranonin ushqime për të burgosurit. Im vëlla 7 vjeçare për dore me mua… dhe nënën tonë që mbante trastën e ushqimeve. Të dy i mbanim sytë te nji qofte që rrinte zbuluar, sepse orari pritjes nga mëngjesi tashmë e kish kaluar mbasditen dhe kishim uri. Luanim me vajzën e artistes Edi Luarasi që ishte aty dhe ajo të takohej me babin e saj… Të madhin Mihallaq Luarasi.
Salla e pritjes përplot me frymë të rënda Fytyra të trishtuara…
Hapet dera dhe hyn nji oficer i gjatë me mustaqe dhe thërret emrin e babit tim:
-Për Bardhyl Kelmendin të mos presin takim… Më jepni ushqimet!
Oh… Po pse?! Pseeeee…??
Unë kisha marrë leje nga shkolla në Berat… se rrija tek ime gjyshe… vetëm se doja shihja babin tim. Gati dy vjet pa e parë!!!
Iu sula gjatovinës… Aman të keqen xhaxhi… më ço te babi! Aman, sa ta puth pak dhe t’i tregoj fletoren e detyrave të shkollës. Timen dhe të vëllait… Aman dhe nisa të qaj me të madhe… Ajo formë e zhgënjimeve fëminore… dridhej nga trishtimi, ndërsa ai indiferent e derdhi çantën mbi tavolinë dhe nisi të kontrollonte ushqimet, duke i përsheshur të gjitha. Pikërisht qoftja e ëndërruar prej meje dhe Tanit u rrëzua përdhe… Duke qarë instiktivisht e kapa qoften dhe e ndava me tim vëlla duke vazhduar lutjet policit… Kur im vëlla më afrohet dhe më thotë: -Motra, unë e nuk dua. Çoja ti edhe fletoren time babit… Tregoja dhjetat!
E bashkova qoften dhe e vura prap në trastë, duke ndjekur mustaqen me ushqimet e babit që ma përplasi derën fytyrës.
Aty plasi e qara ime kaq shumë… sa gratë filluan një tip revolte me rojen… sidomos Edi aq e dashur… (s’e harroj kurrë atq që bëri…)
-Lereni fëmijën të paktën… nuk është mirë! Ata janë fëmijë… U është premtuar!
Dera u hap… dhe u shfaq prap gjatovina… -Hajde vetëm ti… ma bëri me dorë mua…
U turra me vrap… drejt tij, dhe hymë në një korridor të ngushtë e të errët. Ai para dhe unë mbas… Korridori bante erë mbytesë lagështie… Mbas nji tjetër korridori dola në nji oborr të vogël rrethuar me dritare të hekurta dhe ajër mbytës nga katet e shumta të lagura nga shiu që kish krijuar pellgje… (Aty po merrnin ajër të burgosurit) Mbeta aty… pak sekonda… kur dëgjoj nji zë… Oh, nji zë aq i dashur sikur vinte nga nji pus i thellë…
-Bubuzheli babit… Mardena… Jam këtu… Ngrije kokën…
Rrotullohesha po nuk shihja asgjë. Veç flisja me gjysëm zëri…
-Babiiii, ku je… Ku je babiii!
Nga dritarja e hekurt pashë dy duar të mbërthyera fort… të fryra e të nxira sterr, dhe nji kokë qerose që tundej… –Oooooohhhhh babushi ime… Aman – i thashë gjatovinës, i cili po shihte më fytyrë të mallëngjyer… aman më mba njiçik hopa sa ta prek babin…
Më mori në shpatulla… u mbërtheva mbi parmak afër fytyrës panjohur…
-Jooooo, po ti nuk je babi im?!
-Unë jam shpirt unë, veç jam rrëzuar e vrarë pak… Po ti mos u tut, Shota ime…
Sytë i kishte të nxirë me shenja mavi, goja fryrë pa asnjë dhëmb… I zverdhur… mbante erë të rëndë ilaçesh… Kollitej fort! U tremba… po qaja…Ai më preku dorën dhe më tha… Shifmë në sy… Qeshu… dhe mos qaj… Mos qaj kurrë edhe kur të dhemb shpirti… Jeta është e bukur! Dil e para e klasës edhe ti edhe Artani… Mos qaj, se unë shpejt do vij… Nëna jonë parti do e gjykojë drejt çeshtjen time… ki besim te nëna e madhe që na mbron dhe të mëson ty si të bëhesh e fortë… Dhe më përkedhelte gishtat e dorës duke iu lutur mustaqes nëse mund të më dhuronte diçka…
Më dha në dorëe nji çantë… të vogël (mbajtëse lapsash) Brenda saj ishin dy tasa të vegjël bërë me tule buke dhe tharë…. ku kishte gdhendur te seicili emrat tanë Artan & Mardena….
Epilog…
Ditën e gjyqit në Krujë… gjithë populli I qytetit shihte “tradhëtarët kosovarë”… të lidhur këmbë e duar me zinxhirë që tërhiqnin prangat dhe shkonin drejt dënimit… mbas torturave makabre bërë mbi ata njerëz të pafajshëm… Im atë mbas 18 muajsh hetuesi nuk e kish hapur gojën të fliste asgjë që i kërkohej me imponim të pranonte… Aty, në mes të gjyqit hapur vendosi të flasë publikisht… në mikrofon mbasi e pyetën: Se për ç’qëllim kish hyrë në Shqipëri, ai tha:
-Kam vendosur sot t’ju them të vërtetën para gjithë popullit pse!! Nana jeme tui la danet në Bistricë Lumbardhën… I ra ajo gjoja në ujë… dhe unë atë Gja të nan’s teme kam ardhë me kërkue këtu!
Kjo mbeti histori… ndër historitë që unë e kujtoj në çdo 16 tetor…
Sot ndjej mëshirë… për nostalgjikët… edhe pse i respektoj idealet e seicilit. Veç sot nuk ka njerëz që kanë ideale por histerizma… Dyfytyrësh e këngëtarë moralesh, shitur rrymave virtuale… pasi koshiencat e tyre nxijnë… Personazhe që baballarëve u vunë Litarin në Qafë shesin çdo lloj ideali me lëpirje prapanicash e qelbësirash botës mbarë… Qesharake deri në injorim kjo lloj histerie që tashmë humb çdo shpresë për nji atdhe…
Mëshirë per ta… Zoti është i madh!
Bab babushi im i Bardhë… të kujtoj si një idhull, unë bija jote e kush njohu një Burrë e një shok si Ty!
Madi
16 tetor 2016