back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Pal Skiroi: Shqyrtime mbi Mesharin e Buzukut – Prof. Zef Chiaramonte,

Gazeta

Paolo Schiroi (1866-1941)
Paolo Schiroi (1866-1941)

Pal Skiroi: Shqyrtime mbi Mesharin e Buzukut

Prof. Zef Chiaramonte, Palermo

Lajmin e këndshëm se imzot Pal Skiroi kishte gjetur veprën e Buzukut e dha Faik Konica në gazetën “Dielli” më datën 18 mars 1910. U mor vesh menjëherë se imzoti po përgatiste ribotimin e saj shoqëruar me një studim të tijin. Megjithatë Justin Rrota, më 1930, na del si studiuesi i parë i Buzukut meqë, kinse, Pal Skiroi nuk e mbajti fjalën as për ribotimin e veprës, as për studimin rreth saj. Prandaj shtrohet me vend pyetja: pse Pal Skiroi nuk e botoi veprën e Buzukut dhe studimin e vet, i cili deri më sot mbetet dorëshkrim?

Meshari i Gjon Buzukut 1555
Meshari i Gjon Buzukut 1555

Pal Skiroi (1886-1941) jeta dhe veprimtaria

Prift arbëresh, në vitin 1904, Pal Skiroi është emëruar “dhespot shugurues” për arbëreshët e Sicilisë pasi kishte ushtruar me nder detyrën e profesorit të greqishtes së vjetër në rrethinën e Barit (Itali). Ndaj dhe u kthye në vendlindje, ku ushtroi gjithashtu detyrën e Rektorit të Seminarit arbëresh të Palermos, në të cilin kishte qenë nxënës bashk me Zef Skiroin, poetin, duke u ushqyer me veprat albanologjike të bashkatdhetarit Dhimitër Kamarda. Në Palermo kryente, sipas traditës, edhe detyrën e famullitarit të Kishës së Shën Kollit pranë Seminarit. Kishë kjo e themeluar që moti nga grekët vendës, stërnipërit e të cilëve ua kishin ofruar arbëreshëve nga Korona e Moresë të vendosur në qytet, pasi tradita kishtare dhe gjuha liturgjike përkojnë për të dyja komunitetet. I zellshëm ndaj gjuhës dhe kulturës amtare, deri te hapja e një shtypshkronje arbërisht në selinë e Seminarit, duket se imzot Skiroi kishte lënë pas dore administrimin e rregullt të Seminarit dhe punën e edukimit të nxënësve. Rreth këtyre mungesave të Skiroit u ankuan, me një apel drejtuar papës Benedikti XV, një grup priftërinjsh arbëreshë. Mbi arsyet e kësaj ankese mund të ushqejmë ndonjë dyshim, ngase Skiroi, përveç se me priftëri e gjuhësi, merrej edhe me probleme politike e shoqërore. Në një kohë kur katolikët italianë ende ishin të detyruar të mbeteshin të tërhequr nga sfera politike për shkak të Çështjes Romane, Pal Skiroi na del si bashkëthemelues i Partisë Popullore (më vonë Demokracia Kristiane) dhe pishtar i kontratave bujqësore të përmirësuara përmes lidhjes direkt me fisnikun pronar. Kjo risi, për atë kohë (fillimi i ‘900-es), rrezikonte rrënjësisht sistemin agraro-mafioz në fuqi në Sicili edhe pas bashkimit me Italinë (1860), duke qenë se reforma agrare kishte falimentuar krejtësisht në kurriz të bujqësisë së vogël. Nuk ka dyshim se veprimtaria e gjithanshme e Skiroit në kuadrin e traditës demokratike të lirive personale, që gjithnjë karakterizonte mesazhin e kulturës e të kishës arbëreshe, ra në kundërshtim, si konkurrente, me predikimin e luftës ndërklasore nga Nikollë Barbato, luftë e cila arriti kulmin me vrasjen e djalit të Zef Skiroit, poetit, Mino. Po ashtu, ajo veprimtari ra në kundërshtim me themelet e fashizmit, në thelb antidemokratike dhe antireligjoze. Rol të posaçëm kundër Skiroit luajti edhe Masoneria, së cilës i përkiste njëfarë parësie arbëreshe, e cila më në fund u lidh pas fashizmit. Sidoqoftë imzoti, në vitin 1919, u shkarkua nga posti i rektorit të Seminarit arbëresh dhe,në vitin 1937, kur u themelua Eparkia, ose Dioqeza për arbëreshët e Sicilisë, atij nuk iu dha nderi ta udhëhiqte.

Vështrim mbi disa aspekte të kulturës dhe letërsisë shqipe

Kështu, i mënjanuar dhe në varfëri i jetoi vitet e fundit në Horë t’Arbëreshëvet i ngushëlluar nga vëllimet e bibliotekës personale, ku priti një mori dijetarësh shqiptarë dhe joshqiptarë, qoftë personalisht (si Çabejn dhe Shuteriqin), qoftë me letërkëmbim (si Jokl-in, Pedersen-in, Geitle-n, Guys-in, Lef Nosin, Kristo Luarasin, Mit’hat Frashërin, Shtjefën Gjeçovin, Gjergj Fishtën, Lazër Mjedën etj.).

Vepra e zbuluar: Meshar apo diçka tjetër

Le të ndalemi tash te vepra e Buzukut. Çfarë vepre është ajo? Nuk është e rastit që edhe zbuluesi e cilëson si meshar. Ai ndjek vijën e kuqe e cila prej Kazazit (1740) shkon në Sicili te Gjergj Guxeta (1682-1756), te Pal Maria Prifti – Parrino (1710-1765), te Zef Krispi (1781-1859) dhe mbaron te vetë Pal Skiroi. Të gjithë këta, falë një procesi “ýsteronpróteron” e quajtën missale = meshar, ngase vepra i përngjan, në njëfarë mënyre, Missale Romanum që tashmë ishte bërë i rëndomtë pas botimit zyrtar, urdhëruar nga papa Piu V, më 1570, si rrjedhim i Koncilit të Trentos. Po qe se e kthejmë pak vëmendjen te vëllimi lukzos Kodikët e Shqipërisë, hasim dy herë në të njëjtin emërtim: fjala meshar është përdorur aty për Kodikun e 70-të të Beratit (f. 155) dhe për Kodikun e 80-të të Gjirokastrës (f. 163). Në të vërtetë na del se përmbajtja e të parit është vetëm teksti i Meshës së Shën Gjon Gojartit plus Liturgjia e të Parashenjtëruarve, kurse i dyti përmban vetëm Liturgjinë – Meshën e Shën Vasijit të Madh. Lënda e librit të Buzukut, përkundrazi, është shumë më e gjerë. Siç dihet, vepra e Buzukut përmban: Oficën e Zonjës së Lume, 7 psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtërve, disa pjesë nga Rituali Roman (Martesa), Urdhërimet e Zotit, pjesë të Katekizmit, rendin jo të plotë të Meshëve të së diellave dhe të festave të vitit kishtar katoliko-roman. Meqë, siç e pamë, e njëjta fjalë, meshar, është përdorur për të cilësuar vepra aq larg njëra nga tjetra, duhet nënvizuar se, qoftë me veprën e Buzukut, qoftë edhe me dy Kodikët e përmendur (të cilët i përkasin traditës lindore të Kishës arbëreshe dhe shqiptare) nuk kemi të bëjmë “stricto sensu” me meshar, sipas njohurive historike dhe liturgjike të sotme. Kështu që do të ishte mirë të cilësohen kodikët në fjalë përkatësisht si: Liturgjia hyjnore (Mesha) e Shën Gjon Gojartit plus Liturgjia e të Parashenjtëruarve dhe Liturgjia hyjnore (Mesha) e Shën Vasijit të Madh, siç bëhet zakonisht tek arbëreshët dhe te Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Sa për dijeni, kur këto tri liturgji-meshë janë përmbledhur në të njëjtin vëllim, kemi të bëjmë me jeratikonin. Po ashtu, duke kaluar te bota e traditës kishtare katolike-latine të Veriut, me veprën e Buzukut kemi të bëjmë më shumë me një comes se sa me një meshar.
Megjithatë, të vazhdojmë ta quajmë meshar veprën e Buzukut sepse, fundi i fundit, ai ka pasur për qëllim të udhëzonte priftin gjatë të kremteve të mbarë vitit. Dua të vë në pah se sa Historia e Kishës dhe studimi i zhanreve liturgjike mund të na ndihmojnë për zbërthimin e shumë çështjeve lidhur me kodikët dorëshkrim, me incunabula, etj.

Prejardhja e tipit meshar te Kisha e Romës

Kur, papa Piu V urdhëroi Missale Romanum, ky u shtyp sipas “editio princeps” të një missale romanum të vitit 1474, i cili në të vërtetë ndiqte një tipologji prej librit liturgjik që rrjedh nga shekulli XIII me emër Liber missalis secundum consuetudinem Romanae Curiae, që ishte shumë i përhapur në botën katolike. Libri i Buzukut vetëm për pjesën e meshëve i përgjigjet kësaj tipologjie. Përkundrazi përmban materiale të tjera që i takojnë jetës shpirtërore në përgjithësi. Edhe përmasat e tij, 20 x 14 cm, janë shumë të vogla për ta parë si meshar, libër ky zakonisht me përmasa të mëdha, me zbukurime e me rubrikë të kuqe. Prandaj, nuk na mbetet tjetër veç se ta shohim veprën e Buzukut si një comes. Tipologji kjo që i takon akoma mesjetës, kur për shërbesën e shenjtë përdoreshin një mori librash të ndryshëm, të cilët e gjetën njësimin dhe sistemimin e palëvizshëm, për sa i përket Kishës Katolike, vetëm me hyrjen në fuqi të vendimeve të Koncilit të Trentos.

Ç’është comes-i?

“Liber comitis” ose “liber comicus” duhet të ishte në fillim vetëm një libër leximi të përshpirtshëm që përmbante një përmbledhje të Shkrimit të Shenjtë dhe pjesë nga autorë të tjerë të devotshëm. Kjo është pikërisht domethënia e fjalës “comes – shoqërues”, që përdorej për të cilësuar njerëz dhe sende. Për shembull, si në fillim fjala përdorej për shoqëruesin e gjykatësit dhe më vonë të perandorit, edhe pedagogu ose edukatori i të rinjve quhej comes prej romakëve, sepse duhej të shoqëronte kudo çunin që i kishin truajtur. Po ashtu libri që duhej të shoqëronte të krishterin gjatë jetës së tij, “vademekumi” shpirtëror i tij, u quajt “comes”. Më vonë fjala mori kuptimin teknik të veçantë në fushë të liturgjisë romane dhe cilësoi librin që përmbante perikopetë biblike që lexoheshin në Meshë gjatë vitit. Për sa i përket Buzukut, jam i mendimit se ai ka dashur të krijonte një “doracak” të fesë katolike, që i përgjigjej situatës jo të volitshme, kur sistemi tradicional i famullive ishte në shkatërrim e sipër për shkak të vërshimeve osmane në truallin arbëror. Për doracakun e tij Buzuku ndjek ndoshta një tipologji që përkonderi diku me botime të ngjashme në gjuhët kroate dhe serbe të asaj kohe, por nuk ka dyshim se me shtesën e pjesës që u takon meshëve (e cila mungon te veprat sllave), ai krijoi diçka origjinale që i përgjigjet disi “comes-it” mesjetar dhe zhanreve të tjerë të librave liturgjikë para Mesharit Roman zyrtar.

Koncili i Trentos (1545-1553)

Nuk më duket gjë e rastit që vepra e Buzukut vendoset midis fazës së 2-të (1551-1552) dhe të 3-të (1552-1553) të Koncilit Tridentin. Që prej fillimi, në seancën e 4- të (8 prill 1546), Koncili kishte miratuar Decretum de vulgata editione Bibliorum et de modo interpretandi S. Scripturam, me të cilin fiksohej teksti zyrtar i Biblës latinisht sipas Vulgatës së Shën Jeronimit. Buzuku prandaj ishte i kushtëzuar të përkthente nga teksti latinisht. Duhet kujtuar këtu, lidhur me veprën ende e ardhshme të Buzukut, se në të njëjtën seancë Etërit e Koncilit kishin shprehur dëshirën edhe për një katekizëm zyrtar. Në seancën e 22-të (më 17.09.1562, Koncili miratoi Doctrina de SS. Missae sacrificio. Kaptina e 8-të, De Missa vulgari lingua passim non celebranda, et mysteriis eius populo explicandis, na le të kuptojmë se edhe në botën katolike kishte marrë hov zakoni i meshimit në gjuhën e popullit, së paku passim, d.m.th. aty-këtu (krhs. Denzinger, f. 410). Koncili e ndalon këtë praktikë, megjithatë u jep mandat barinjve shpirtërorë që ata vetë, ose edhe përmes të tjerëve, të shtjellojnë leximet e shenjta gjatë meshës, sidomos ditëve të diela dhe festave, gjë që në një situatë akoma liturgjikisht të pacaktuar, mund të veprohet me leximin direkt (pas leximit latinisht) të përkthimit në gjuhen amtare, po qe se ky ekziston. Falë Buzukut, prandaj, edhe pas kësaj dispozite të Koncilit, populli shqiptar jo vetëm passim, por pothuajse mbarë shërbesën fetare e të kremteve e kishte gati në gjuhën e vet. Si u mbyll Koncili, filloi puna e vënies në veprim të dispozitave të tij. Kështu, me vendimin Dominicis gregis custodiae të datës 24.03.1564, u miratuan 10 rregullat mbi librat e ndaluar (Index librorum prohibitorum). Vepra e Buzukut, sidomos për pjesët e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re, u kushtëzua nga rregulla III dhe IV. Nuk është e thënë se librat e llojit të Buzukut, të botuar para ose gjatë Koncilit, s’mund përdoren, por leja e tyre tani u takon ipeshkëvijve.
Fillon kështu puna e Inkuizicionit mbi botimet, që kishte për qëllim mirëmbajtjen e pastërtisë së fesë katolike kundër protestantizmit dhe kundër mantive (para – shikimi i fatit) të ndryshme (rreg. IX).

Buzuku në harresë

Libri i Buzukut mund shikohet si kulmi i një zhanri liturgjik, i cili do të ketë qenë kultivuar edhe ndër shqiptarë në dorëshkrim, qoftë latinisht, qoftë edhe shqip. Përdorimi i gjuhëve amtare kishte filluar qysh nga shekulli i 12-të, në Evropën Perëndimore. Nuk ka pse e njëjta gjë të mos ndodhte edhe në Evropën Lindore. Për këtë dëshmojnë rastet e përmendura te kroatët e te serbët, por edhe te shqiptarët, po qe se i marrim si dëshmi Formulën e Pagëzimit dhe Troparin e Ungjillin e Pashkëve. Shpikja e shkronjave për shtyp lehtësoi punën, kështu që, në kohën e Buzukut, përveç predikut, i jepej gjithnjë e më shumë rëndësi arsimimit religjioz të popullit përmes fjalës së shkruar e të shtypur, ku Bibla e përkthyer zinte vendin e parë dhe po ashtu Mesha pjesërisht ose tërësisht e përkthyer. Ndalimet që herë pas here i bëheshin leximit të Biblës në gjuhët amtare, rrjedhin nga abuzimet ushtruar nga heretikët dhe nga injoranca. Megjithatë reagimi i Kishës Katolike (në një kohë kur Papati ishte ende i përlyer me ambicie politike e me relativizmin e humanizëm-Renesancës) ndoshta nuk do të kishte dalë në pah me reforma serioze, siç i kërkojnë shpirtrat më të avancuar të asaj kohe, pa frikën e Luterit. Nuk ka dyshim se rregullat e shpallura pas Koncilit Tridentin, ngujimi i Kishës si në një kështjellë për të shpëtuar ortodoksinë e fesë katolike kundër Reformës luterane, abuzimet me Biblën, dhe vullneti për të vazhduar influencën kristiane në popull ndikuan në mënjanimin e veprës së Buzukut. Megjithatë ajo do të ketë dalë krejt jashtë përdorimit, e prandaj ra në harresë, pas botimit të Catechismus ex decreto concilii tridentini ose Catechismo romano (1566) dhe të Missale Romanum (1570), pas ndërrimit të Kalendarit (1582) dhe pas rishikimit e botimit të ri të Vulgatës së Sh. Hieronimit (1590).

Buzuku në zbulim deri te Pal Skiroi

Shekulli i 18-të pati rëndësi të madhe për botën arbëreshe dhe shqiptare. Papa Klementi XI Albani (1700-1721) e drejtoi vëmendjen e Kishës Katolike te Shqipëria me Kuvendin e Arbërit, kurse Klementi XII Corsini (1730-1740) krijoi dy kolegjet për arbëreshët në Kalabri e në Sicili dhe, në Kalabri, emëroi të parin “dhespot shugurues” falë traditës bizantine të Kishës arbëreshe. Prandaj oborri papnor dhe Selia e Shenjtë ushtruan për gati gjysmë shekulli një filoshqiptarizëm të frytshëm, në kuadër të të cilit imz. Kazazi pati mundësi të njihej me të vetmen kopje të Buzukut, asokohe të ruajtur në Propagande Fide, e t’ia njoftojë At Gjergj Guxetës, themeluesit (1734) të Seminarit arbëresh në Palermo. Letra e Kazazit, që ruhet në arkivin e Seminarit (sot në Horë t’Arbëreshëvet), kushtëzonte herë pas here mjedisin kulturor arbëresh, deri që Pal Skiroi nuk ia ndoqi gjurmët asaj letre dhe me përpjekjet e tij e pruri Mesharin në dritë.

Pal Skiroi gjurmues i Buzukut

Vendimet e Koncilit Tridentin, për sa i përket përdorimit të gjuhëve kombëtare, mbetën në fuqi te Kisha Katolike deri më 1963. Nuk do të jemi larg së vërtetës nëse mendojmë se Pal Skiroi u frymëzua nga vepra e Buzukut kur, në vitet 1912-1915 (d.m.th. dy vjet pasi e kishte zbuluar Mesharin) botoi dhe shpalli nëpër kishat arbëreshe Fjalën e t’in Zot, përkthim arbërisht i pjesëve të Besëlidhjes së Re për këndim gjatë të dielave të vitit liturgjik. Po ashtu mendojmë për përkthimin Mesha e Shën Jan Gojartit. Megjithëse Kisha Lindore lejonte qëmoti përdorimin e gjuhëve kombëtare në liturgji, dihet fort mirë sa mundim pati për futjen e shqipes në Kishën Ortodokse!
Tek arbëreshët, përkundrazi, nuk pati ndonjë lëvizje me rëndësi për të zëvendësuar greqishten me arbërishten, së paku deri te Pal Skiroi. Mund themi me plot gojë se imz. Pal Skiroi i hyri kësaj pune me zell e durim falë marrëdhënievet e tij të përditshme me veprën që ai e kishte hequr nga errësira e që e donte si sytë e ballit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.