back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Palimpsest Poetik – nga Zija Vukaj

Gazeta

Xhabir Tabaku - "Gri"- Poezi
Xhabir Tabaku – “Gri”- Poezi
Mbas do rropatjesh, ia dola me e botue këtë vëllim me poezi.
E ndjej se asht me vend me falenderue të gjithë miqt
që më kanë mbështetë dhe inkurajue,
duke i lexue disa prej poezive këtu, duke e shpreh pëlqimin shpesh,
e sidomos duke ba kritika e këshillime.
Më duhet patjetër me falenderue për shtysen që t’i botoja këta poezi
në një vëllim, miqtë e mi të mirë Armanda Hysa dhe Erion Temali
e do të tjerë që kërkuan mos publikimin e emnave në shejë përvujtnie;
Zj. Ermira Bejleri për punën artistike me kopertinën
e mbi të gjithë Z. Zija Vukaj përveç të tjerave, për redaktimin
që i bëri librit dhe për fjalët e ngrohta në parathanien e ketij vellim.
Karshi të gjith ju që keni pasë mirësinë me i lexue shkrimet e mia
modeste nepër median sociale dhe keni shpenzuar kohën tuaj,
ndjehem i obliguar dhe mirënjohës.
Për tash libri asht në shitje veç në vegzën Amazon.
Xhabir Tabaku
Studiuesi dhe shkrimtari Zija Vukaj
Studiuesi dhe shkrimtari Zija Vukaj

Palimpsest Poetik

nga Zija Vukaj

Ky vëllim poetik, me një titull shumë të gjetur, “Gri”, që rrok krejt këtë kolazh, gati kinematografik, e bën të ndihet memec lexuesin mesatar. Kur ndodhemi para poezisë së vërtetë, si në rastin e këtij vëllimi, fillojmë të mendojmë thellë për artin poetik. Bëjmë pyetje të tilla, si: Ç’është poezia? Si lind ajo? A ka lidhje origjinaliteti i poetit me rrugët e lindjes së poezisë? Disa mendimtarë kanë thënë se truri i njeriut është një palimpsest i madh. Në vazhdim të këtij arsyetimi thuhet se harresa nuk ekziston; ngjarjet që ndodhin përgjatë rrjedhës së jetës, që ne i mendojmë të harruara e të vdekura, në fakt janë shtresëzuar në trurin tonë dhe, po të gërvishten, dalin në dritën e kujtesës. Gërvishtja nuk ndodh me thoin e gishtit si në palimpsestin e pergamenës, por me ngacmimin asociativ të një ngjarjeje tjetër. Për shkak të kësaj “gërvishtjeje”, ngjarja e fjetur” na risillet në mendje të gjithëve për të na u shfaqur e paharruar; kurse poetit i fanitet për t’u epifanizuar në një krijim poetik të sinqertë, me një ndjeshmëri të lartë, gjuhë ndjenjash dhe emocion të fortë. Pjesa më e madhe e poezive të këtij vëllimi kanë ardhur në jetë nga kjo mënyrë, nga fanitja. Duke i lexuar me vëmendje njësitë poetike kuptojmë diçka të rëndësishme nga alkimia e poetit Xhabir Tabaku – ndërtimin e imazhit. Gjuha artistike e këtij poeti zë fill tek pasqyrimi fillestar i fabuleskut pamor, për të shkrirë ngjyresat e shpirtit të vet në labirintet e një galerie të tërë motivesh:
 
“kujtime të herëshme, të zbehta
nuk fshihen krejt, nuk t’lane të qet’
as flejnë së paku,
me t’lanë koh’ me marr’ frymë çliruar
kujtimesh të hidhëta motesh mbledhur
si pluhuna në tru
mbetje vangash kazmash
prore të ngulen në shtat
ta thejnë çdo asht e kërc
të ngërdheshin ngërç” (“Kujtime të hidhëta”)
 
Dhe në galerinë e motiveve ka kushtime për vendlindjen, kontemplacione medituese që kufizojnë me misticizmin e një poeti filozof, poezi të përshkuara, herë nga trishtimi dhe pesimizmi, herë nga guximi për të folur me gjuhën e drejtpërdrejtë dhe pa pikë eufemizmi apo motive emigrimit dhe përndjekjeje.
Poezitë që i kushtohen vendlindjes përbëjnë një pjesë të madhe të vëllimit. Arketipi këtu është Shkodra, qyteti i poetit Tabaku, me gjithë arsenalin toponimik të saj, që ngjajnë me gjymtyrët e një trupi të dashur, si Kalaja Rozafat, Buna, Taraboshi, Liqeni etj.
 
“Qyteti im ngrihet mbi gjoksin e një gruaje –
muranë me gurë të latuar.
 
Gjitë e saj rrjedhin aromë lulequmështi –
dhe amblin rranjën tonë.
 
Shiu herë bie me ngut atje; e herë shtruar –
melodi uji.
 
Një vajzë e një djalë, janë frymë;
vajza i bie violinës – djali shkruan poezi.
 
Qyteti mbart aromën e gjijve
të gruas lehonë – nën muret e kalasë
 
Rozafë, ishte emri i saj.
dhe leu Shkodra.” (“Parzmorja e qytetit tim”)
 
Këtu gjithçka paraqitet e shpirtëzuar deri në humanizim. Ndjenja e mallit dhe e nostalgjisë jeton në magjinë e detajeve që zgjohen prej thellësisë së shpirtit të poetit me freskinë e paprekur prej kohës as distancës nëpërmjet hipotipozave të tilla si në këto vargje:
 
“Zambakët e gjelbërt kanë mblue lumin.
Bajuklat lundrojnë si vela t’zeza
drejt liqenit plot m’lila. – Lila të bardhë,
në livadh uji.
Shpend që flut’rojnë n’hava,
shpend që lundrojnë ndër lule…
Nji lundërtar gërmuq, lëshon mrexhat
e k’ndon ‘i kang’ të moçme.
-Ninullë qytetit tem.” (“Idil Shkodre”)
 
Kjo sekuencë filmike, ky ansambël i gjallë ka lindur nga një “gërvishtje” e mëparshme:
 
“Vransinë, mjegull, ujë që rrjedhë ngadalë –
vetëm shëtis bri lumit Thames –
Një rreze dielli ka e vona jep shpresë,
por zhduket, sapo thërmon hijen time grimca
mbi sipërfaqen e lumit – pasqyrë e coptueme.
Bri lumit Thames shëtis i vetëm –
e Bunën kam ndër mend.” (“Bri lumit Thames”)
 
Si krijesë kulturore dhe shpirtërore e Shkodrës, si artist me vokacion krejt të dallueshëm poetik, poeti Tabaku nuk i ka shpëtuar ndikimit të paraardhësve të tij. Ky ndikim nuk prek aspak origjinalitetin dhe profilin e tij të spikatur. Përkundrazi, është një element i fuqishëm, një katalizator që i shërben këndvështrimit të artistit që të bëhet më i ngulët; ose siç thotë T. S. Eliot, të vjetrit mbahen gjallë prej të rinjve. Në këtë kuptim, duke udhëtuar nëpër poezitë e këtij vëllimi, gjejmë edhe aspekte të ngjashme me motivet migjeniane, por që kanë tjetër formë, të tjera mjete metroprozodike, tjetër intensitet emocional dhe impostime të ndryshme nga paraardhësit. Poezi me motive trishtimi, pesimizmi, pikëllimi. Mjedise më se GRI; të zymta fare.
 
“As primitive as moderne koha jonë
kohë melodish monotone
mbi një tren prodhuar në Poloni
në vagonin pa xhama gra fshatare…
thasë patatesh, gjela deti, gështenja;
po vjen viti ri
simbolika e fundvitit ka kohë që ka humbur kuptimin –
njerëzit e festat masturbojnë…
o Zot ma jep një vit të ri të vërtetë
të të jap fjalën se do vdes i lumtur
kohët tona – kohë melodish monotone
asgjë nuk ngroh ma as zjarmi n’votër
njerëzia po ikin përgjithmonë
ra kjo namë e na fiku” (Monotoni)
 
Ky krijim i bukur autorial, bëhet edhe më i bukur nga jehet e “melodisë së këputun”, “urime për vitin 1937” “nën flamujt e melankolisë” etj. Kurse spleen-i bodlerian shpaloset edhe më me mjeshtri tek poeti pasardhës Tabaku.
Në formimin kompleks të autorit shohim prekjen nga teozofia, konkretisht ndikimin nga filozofia e metempsikozës, idenë e rimishërimit. Kjo nëpërduket edhe tërthorazi, por është manifestuar artistikisht edhe në poezi konkrete. Natyrisht një filozofi e letrarizuar me hijeshi. Interesant është një stacion shpirtëror i poetit, që shfaqet tasheparë përgjatë gjithë vëllimit. Ai është kopshti mbas shpie.
 
“kockat e armiqve i mbledh ka’iherë
në bohçen që më dha nana kur u largova
e i hedh në kopshtin mbas shtëpisë
ku flejnë zvarranikët
tash jam i lirë
jetoj vetëm në një qytet prej shiu” (“Qyteti prej shiu”)
 
ose:
 
“Është terr,
hëna as ndrit as fshehet mbas reve të zeza.
Në kopshtin tim mbas shtëpie
asgjë nuk lëviz –
veç dy lepuj të bardhë, shkojnë përreth.
Zvarranikët mbështjellë ndër vezë
në mitrën e tokës.” (“Dielli nuk lind as perëndon”)
 
Dhe ne lexuesit mendojmë e pyesim rreth kuptimit të kësaj sintagme “kopshti mbas shpie”. Duket se jemi në zonën e një poeti hermetik; apo më mirë të themi, esencialist. Ç’të jetë vallë ky logos? Cilët janë përbërësit e tij? Mos është e kaluara që tenton të harrohet? Mos është dëshira jonë për t’i hedhur pas krahëve ca gjëra që nuk ia vlen apo na shqetësojnë? Mos është koshi i hedhurinave të kujtesës sonë, mes të cilave janë hedhur pa dashje edhe gjëra të mira? Sepse brenda këtij logosi ka edhe zvarranikë, lepuj që ndërzehen pa turp, si në pecat e ndyta e të ndragëta të poemës së mjerimit. Këtë duhet ta zgjidhë vetë çdo lexues i zgjuar. Dhe sa më ambigue të jenë gjykimet e lexuesve, aq më e vlefshme është vepra. Pasi, siç thotë Barthes, “…nuk ekzistojnë çelësa magjikë për të hyrë në brendinë e veprës”.
Siç është e pritshme, tema e dashurisë, është mjaft e pranishme në poezitë e autorit Xhabir Tabaku. Por si në të gjitha motivet autori shfaqet mjaft i përveçëm në përjetimin e ndjenjës, në delikatesën e trajtimit artistik, në dekoret dhe koloritin e ndërtuar me paralelizma të këndshme figurativë.
Vëllimi poetik “Gri” është një libër i vëllimshëm, që ka një larmi pa fund motivesh, një gjuhë të kristaltë dhe intonacione befasuese. Mendoj se dalja në dritën e botimit të tij përbën një aspekt të veçantë dhe të munguar të letërsisë sonë të derisotme në fushën e poezisë.
.


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.