Palimpsesti i kohës
nga Bashkim Abazi
Vështrime mbi librin “William Shakespeare” të Victor Hygo
Me përkthim nga frëngjishtja Abdulla Rami & Ermira Godo
Unë jam gjithmonë i lumtur, a e dini pse?! Sepse nuk pres asgjë nga askush.
William Shakespeare
Të shpalosësh mënçuri në kohët më të zakonshme. Realisht, ndjesitë e para janë të fuqishme, ato mbizotërojnë mbi frikën dhe dhëmbshurinë për dhimbjen ndaj të tjerëve. Ndryshe nga ndjenja dhe kuptimi, pasionet njerëzore janë edhe mister, për ata, që janë nënshtruar, zvarritur dhe që nuk mund të shpjegohen; edhe për ata, që i janë braktisur vetvetes si dhe ata, që janë përjetuar dhe mund të keqkuptohen. Në kohën e sotme, ky triptik strukturalist i qenies mentale i kategorizon në mite ata, që janë gjeni dhe synojnë majat, arsyetojnë me logjikë “përse” dhe dëshmojnë se historia e tyre nuk përfundon kurrë… ata kanë fituar jetën e përkorë, ekzistencën dhe përjetësinë.
E bëra këtë sentencë për t’ju rrekur në kohë dhe mbivendosje eposit historik, filozofik, letrar… të gjenisë krijuese dhe përkushtimit ndaj tyre. Një libër është mendimi që flet, një mik që pret, një shpirt që nuk harron, një zemër, që me mesazhin e përshpirtshëm dhe hyjnor kryen “aktin e lirisë”, duke qëmtuar palimpsestin e dy kohëve, shumë epokave, disa shekujve – 16 dhe 19-të, të dy botëve – midis dritës dhe errësirës.
William Shakespeare! Jo pak, por pesë shekuj. Abdulla Rami, jo pak, por një gjysëm shekulli! Përkthyesja Ermira Godo kërkon të mos e fshijë lotin e gëzimit, sepse atë e dëshiron si plotës të haresë, amanetit, kundër harrimit.
Në të dy botimet ka disa specifika. Në rastin paradigmatik të amanetit të gjyshit për Ermirën është e pashmangur dhe e domosdoshme unifikimi i subjektit V. Hygo “W. Shekspir” me objektin e monografisë “Përtej harrimit – Abdulla Rami”. Qasja ngazëlluese është ridimensionimi i subjektit: cili është ai, çfarë ka përjetuar gjyshi, kohën vrastare, shtrëngesën e shpirtit, ikjen nga errësira… apo të objektit: rrezatimin e dritës, V. Hygo për W. Shakespeare!
Në thelb, libri V. Hygo “W. Shakespeare” është kumt real i rrënjës katërfishe të mendimit me imagjinatë riprodhuese dhe logjikë të thelluar. Aty gjendet e shtjelluar filozofia e koncepteve dhe logjika formale e qytetërimit të lashtë, mesjetar dhe illuminist. Aty gjendet krijimi i bindjeve unifikuese, kundër traditës metafizike dhe ontologjike, kundër klasicizmit të njehsuar metodist rezonojnë me domosdoshmërinë e riformatimit të shpirtit dhe frymës së qenies humane me bashkohësinë. S’ka më vend për fenomenologji, supozime dhe idealizëm në art, letërsi, muzikë, shkencë, besim!
Të gjitha gjërat i nënshtrohen interpretimit. Në një kohë të caktuar, interpretimi është funksion i pushtetit të mendimit dhe gjuhës së gjeniut, një akt vërtetësie i personalitetit. Një përmendore për Shekspirin përse duhet vallë! Përmendorja që ai i ka bërë vetvetes, mbart gjithë Anglinë si piedestal. Shekspiri nuk ka nevojë për një piramidë…
Mbi vështrime kritike dhe utilitare, në libër jepet mesazhi klasik: jeta është komedi për ata, që mendojnë dhe një tragjedi për ata, që ndjejnë.
Bashkë me perceptimin dhe konsiderimin, këto hulli të mendimit filozofik ndihmojnë për ta analizuar rrënjën e shumëfishtë shekspiriane, domosdoshmërisht ajo kërkon trajektore midis dhe ndërmjet Reformës, Iluminizmit dhe Romantizmit.
Një mister i numerologjisë zodiakale 23 prill 1564 – 23 prill 1616, e jetëson Shekspirin me artin poetik në kufijtë më të lartë të dramës, tragjedisë dhe komedisë. Pëlqyeshmëria e përkthyesit Abdulla Rami – këtij martiri dhe misionari të dijes, vjen nga kalvari i dhimbjes nëpër gungat e jetës. Drama e Shekspirit, në epokën e artë të teatrit elisabetian të shek.15-të, kulmoi me tragjedinë, ku herojët kanë vetëm një alternativë ndaj konfliktit apo dilemës së skajshme: ose vullnet dhe forcë shpirtërore ose shpëtimi nuk ekziston. Një rendje ciklike e Hygosë e jep manualin shpirtëror, traktatin logjik e filozofik të kohës shekspiriane në çdo fillim kapitulli. Një mungesë dhe dobësi e kritikës, një veprim i dyfishtë i saj që e përshkon dramën dhe e pasqyron atë në mënyrë të reduktuar.
Vepra – arkiv letrar me 37 drama, tragjedi, komedi, 154 sonete dhe jeta në rininë: Endrra e një nate vere, Romeo dhe Zhuljeta; në pjekurinë – Shumë zhurmë për asgjë, Nata e 12-të, periudha e pezmatimit me Hamleti, Makbethi, Otello dhe periudha e pajtimit – një tragjikomedi me Mbreti Lir, Jul Çezari… e rendit atë tek gjeniu, sfera, përsosmëria.
Ah! Mendje! Jini të dobishme, shërbeni për diçka!
Konceptet letrare të krijimtarisë, gjuha e gjallë, e pasur me neologjizma, lojë fjalësh dhe me shumë kuptime, ngjizin magjinë e Shekspirit me vullnetin për ta përkthyer me çdo çmim. Akt determinizmi i asgjë-së dhe gjithçka-je. Shekspiri ka përdorur rreth 20 mijë unitete gjuhësore, kur fjalori i kohës ishte me 1500 fjalë. Kjo i jep vlerë përkthimeve të François Hygosë, librit të V. Hygosë dhe Abdulla Ramit.
Amaneti është realizimi i ëndrrës.
Po vetë Viktor Hygo – 1802! Poet, dramaturg dhe shkrimtar, babai i romantizmit, dominues i letërsisë franceze të shek.19-të, një identitet krijues dhe social-politik me “Të mjerët, Punëtorët e detit, Kozeta, Napoleoni i vogël, Ndëshkimet, Mendimet, Viti 93, Gavroshi, Katedralja e Parisit…” I konsideruar “babai i atdheut në mërgim” e mbylli krijimtarinë me “Njeriu që qesh”.
Teatri i Kromuellit është manifesti i teorive të reja të romantizmit.
Jemi brenda lëvizjes kulturore në art, letërsi, pikturë, muzikë. Çfarë ndjen njeriu – i dha kuptim ekzistencës jetësore. Në letërsi: J. Gëte në Gjermani, V. Skott në Angli, V. Hygo në Francë, Pushkini në Rusi… kryen ritin e aventurës kalorsiake me heroizëm ekzotikë, plotë pasion dhe emocione. Në pikturë: J. Konstebëll në Angli dhe E. Delakrua në Francë – me tematikë D. Aligerin dhe W. Shekspir – u orientuan tek natyralizmi dramatik, i ashpër dhe në dritëhije. F. Shopen në Poloni, hungarezi F. List, L. Bet’hoven, Çajkovski, F. Shubert, H. Berlioz, F. Mendelson… nëpërmjet muzikës çliruan ndjenjat e individit.
Romantizmi lindi si kundërshti e koncepteve iluministe, neoklasike – që besonin tek arsyeja dhe intelekti – me përfaqësues Emanuel Kanti. Si një arratisje e ngutëshme ndaj jetesës hedoniste, gotike dhe mesjetare, Romantizmi i dha përparësi lirisë, barazisë dhe origjinalitetit krijues, shprehjes së mendimit post – 1789 revolucionit francez.
Liria ishte ideali dhe fillesa e lëvizjes, kundër tiranisë dhe absolutizmit të rregulla. Natyrshëm Hygo e fillon rrëfenjën shpirtërore nga shtëpia Marrine Terrace ishullore, për t’u ngritur në oqeanike, universale, hyjnore. Përtypeni librin!
Një dialog në të dy librat e autores dhe përkthyeses Ermira Godo dëshmon indin organik të shpirtit misionar:
– Ç’mendon për ketë internim?
– Do të jetë i gjatë.
– Si do ta kalosh?
I ati iu përgjigj: -Do të kundroj oqeanin…
Ra një heshtje. Dhe i ati vazhdoi:-Po ti o bir?
-Unë, -tha djali, – do të përkthej Shekspirin.
Nderim dhe respekt për martirin dhe misionarin e dijes Abdulla Rami, urime shtëpisë botuese Onufri, z. Hudhri, suksese dhe krijimtari të mbarë znj. Ermira Godo.
Ju faleminderit.
Bashkim Abazi – Shkrimtar dhe studiues. – PhD në filozofi.
Tiranë, Panairi i librit, 19 Nëntor 2022