back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Papërgjegjshmëri Historike – nga Uran Butka

Gazeta

Historiani Uran Butka
Historiani Uran Butka

Papërgjegjshmëri Historike 

nga Uran Butka

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”

Në paraqitjen përpara mediave të projektit të Akademisë së Shkencave “Historia e re e shqiptarëve”, drejtues dhe anëtarë të komisionit hartues u shprehën për përmasat, kriteret dhe vlerat e këtij projekti të ri.
Ka disa vite që shqiptarët e interesuar për historinë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe studiues, historianë, njerëz të kulturës etj., kërkojnë rishkrimin apo korigjimin e historisë, për shkak të një historie të deritanishme ende të politizuar, të deformuar dhe të njëanshme, por edhe për shkak se gjatë këtyre tri dekadave të demokracisë kanë dalë në dritë mjaft dokumente të reja, që kërkojnë doemos rishikimin e historisë.
Personalisht e kam parashtruar me kohë nevojën e këtij rishkrimi, prandaj edhe lajmin e përgatitjes së një historie të re të shqiptarëve e prita me pozitivitet. Mirëpo, në këto dy javë të paraqitjes në media të projektit nga Akademia e Shkencave, u zhgënjeva, dhe jo vetëm unë. Në daljen e parë të komisionit hartues, profesor Paskal Milo tha se ka boll fakte të reja që do të përfshihen në tekstin e ri. “Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur, që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili në 1-3 maj 1944, ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.
Ky i ashtuquajturi “fakt historik”, përbën një “zbulim” dhe një “lajm” për Paskal Milon, ndërkohë që sipas mendimit tim, është një tendencë politike e tij, sipas tipologjisë së propagandës së dikurshme komuniste, që paradamkoste personalitete historike, për t’i njollosur dhe asgjësuar mandej.
Përse duhej të trumbetonte me aq ngutje këtë paragjykim personal, kur për një periudhë prej dy vjetësh studimi, anëtarët e komisionit hartues do të ballafaqoheshin me dokumentet e faktet historike dhe do të konkludonin objektivisht? Përse deklaron se “do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me një fakt të panjohur që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin? Në ç’dokument është mbështetur Paskal Milo për të nxjerrë me përparësi këtë “fakt historik tëri”?
Në të vërtetë, nuk është një dëshmi e panjohur. Filip Liço autor i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, botuar në Tiranë në vitin 2009, përfshin në këtë botim edhe një fragment kujtimesh te sekretarit të Napolon Zervës, kolonel Th. Sarandis, mbi një takim, sipas tij, mes Napoleon Zervës, me një grup të nacionalistëve shqiptarë, mes tyre edhe Mid’hat Frashëri, në fshatin Voskop të Korçës nga 1-3 maj 1944. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë dokument apo fakt historik, por me një kujtim të një ushtaraku grek të Zervës. Nuk mund të konsiderohen kujtimet si dokumente apo fakte historike të mirëfillta. Vetë Prof. Paskal Milo dhe Prof. Pëllumb Xhufi kanë theksuar disa herë se historia nuk bëhet me kujtimet, nga që ato përmbajnë subjektivizma apo interesa. Mirëpo, kur ju intereson atyre, i marrin dhe i paraqesin kujtimet si fakte të vërteta, si në këtë rast! Mendoj që politikanë shqiptarë apo të huaj në kohë të ndryshme, kanë bërë takime madje edhe marrëveshje edhe me kundërshtarët politikë apo armiqtë, në kushte e kontekste të caktuara historike. Përse nuk flet Paskal Milo për një takim të Enver Hoxhës më një oficer gjerman në kohën e Luftës? Unë e kam lexuar atë dokument dhe them se E. Hoxha u takua, por nuk bëri marrëveshje me oficerin gjerman. Kjo është e vërteta. Unë kam dijeni gjithashtu për takime të të djathtës shqiptare me të djathtën greke për marrëveshje gjatë luftës, megjithëse ato nuk janë realizuar. Di edhe që PKSh ka bërë takime, marrëveshje dhe bashkëpunime me lëvizjen komuniste Greke (EAM-Elas). Sipas një raporti britanik “Një marrëveshje mes Frontit NÇ të Shqipërisë dhe EAM-it (Lëvizja komuniste greke) mendohet se është firmosur midis datave të dhëna në korrik ose shtator 1943. Oficerët grekë të EAM të atashuar pranë Frontit NÇ të Shqipërisë janë raportuar të kenë qenë Alexis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu (përfaqësues ushtarakë) dhe Kristoferos Prinos. Një marrëveshje ushtarake mes Frontit NÇ-së dhe ELAS-it është raportuar se është bërë gjatë muajit dhjetor 1943, me rastin kur ndihmat e aleatëve për ELAS-it u ndërprenë. Një takim i mëvonshëm midis Frontit NÇ dhe ELAS u raportua se u mbajt në Nepravishtë, gjatë muajit mars 1944”.
.
Kreret e Ballit Kombtar Ekrem Peshkopi, Vasil Andoni, Mid'hat Frasheri, Ali Klelcyra e Koco Muka (Photo Amery).
Kreret e Ballit Kombtar Ekrem Peshkopia, Vasil Andoni, Mid’hat Frasheri, Ali Kelcyra e Koço Muka (Photo Amery).
Këto çështje duhen analizuar me objektivitet, pa qenë nevoja për akuza politike. Mirëpo, Paskal Milo nxjerr konkluzione eklektike të qëllimshme: “Mid’hat Frashëri, më 1-3 maj 1944, ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.
Së pari, sipas Th. Sarandis, N. Zerva u takua me një grup nacionalistësh si Mid’hat Frashëri, Xhafer Dibra, Ali Këlcyra, Suat Asllani, Tane Malishova, Ali Nivica, Shukli Zakomeri, Qazim Prodani, Thoma Orollogai etj. dhe jo vetëm me kryetarin e Ballit Kombëtar, M. Frashërin. 
Së dyti, takimi mes tyre, gjithnjë sipas Sarandis, u bë me 1-3 maj 1944, kur dihet që operacioni zervist kundër popullsisë Çame nuk kishte nisur ende, ai filloi më 27 qershor 1944, dhe nuk duhet kurrsesi të ngatërrohet enkas Mid’hat Frashëri, mbrojtësi më i madh i çështjes çame, kur ishte Ambasador në Greqi apo në forumet ndërkombëtare, si edhe në veprën e tij tanimë të botuar.
Së treti, as Th. Sarandis nuk thotë se u bë një marrëveshje, por një takim. Madje nuk e citon fare Mid’hat Frashërin, por vetëm fjalët e Suat Asllanit, i cili nuk ishte pjesë e Ballit Kombëtar. 
Së katërti, vetë autoti i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, Filip Liço, argumenton: “Mendojmë se të dhënat e paraqitura nga mbledhja në Voskop të Korçës nga Th. Sarandis, janë shumë të cunguara. Nga pohimet e tij që Greqia “të bashkohen me çfarë do mënyrë me Shqipërinë”, apo “do t’ia transmetojmë (Zervës) pikpamjet tuaja”, del se në atë mbledhje u shfaqen mendime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin shqiptaro-grek”, por nuk u bë ndonjë marrëveshje. Takim nuk do të thotë marrëveshjeapo bashkëpunim. 
Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi e lidhin enkas “takimin” me Zervën, “shfarosësi i popullsisë çame”, duke ia shtuar qëllimisht këtë bisht për efekt publik. Dihet se kush ishte N. Zervas, që kreu genocid kundër popullsisë çame të Greqisë, por takimi me M. Frashërin dhe përfaqësuesit e të djathtës shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me këtë genocid.
Dr. Ermal Frashëri, i diplomuar ne Universitetin e Harvardit dhe pedagog në këtë universitet, del kundër këtyre insinuatave: “Milo krijon sensacion me Mid’hat Frashërin. Ai foli për Mid’hat Frashërin e Zervën pa dhënë kontekstin. Duke folur për një takim, pa dhënë arsyet dhe rrethanat, Milo krijoi insinuata për Mid’hat Frashërin”.
Duke u nisur nga ky fakt, por edhe nga daljet në media të drejtuesve të komisionit të historisë, mendoj që projekti i Akademisë së Shkencave për historine e re, është i tejkaluar, një model zyrar tashmë i dështuar. Ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin, botimin si edhe përzgjedhjen e historianëve pjesëmarrës në komisionin hartues, e ka bërë vetë Akademia sipas preferencave të saj, pa projekte konkuruese. Ndonëse thuhet publikisht se nuk është një projekt zyrtar, e nxjerrin vetë në shesh të kundërtën. Historiani Paskal Milo pohon: “Projekti udhëhiqet e monitorohet nga Akademia e Shkencave”, ndërsa historiani Marenglen Kasmi e thotë më troç: “Duhet të ketë një version zyrtar të historisë dhe nuk e bëjnë më mirë këtë gjë, sesa institucionet shtetërore!”.
Siç shihet qartë, një koncept totalitar për historinë. Është provuar tanimë se të gjitha botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë” kanë qenë tejet të politizuara dhe të deformuara historikisht, sepse janë udhëhequr e krijuar nga ky parim.
Drejtues dhe historianë të projektit, prof. Paskal Milo dhe sidomos prof. Pëllumb Xhufi etj., kanë dëshmuar gjatë këtyrë tri dekadave një politizim të dukshëme të dëmshëm në trajtimin sidomos të ngjarjeve të periudhës së Pavarësisë, të Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës. “Si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi që kanë shfaqur në kohë të ndryshme protagonizëm politik”, thekson Ermal Frashëri.
Por edhe gjatë këtyre ditëve të prezantimit te projektit të Akademisë, këtë gjë kanë demonstruar, duke diktuar pikëpamjet dhe mendësitë e tyre, pra, duke u përpjekur t’i paravënë pikat mbi i-të mbi ngjarje e personalitete historike.
Dr. Ermal Frashëri, i përfshirë në këtë debat, jep argumentet pse teksti i ri, “nuk do te prodhojë asgjë të re. Do të jetë një histori zyrtare, që ka ngjyrim mentaliteti totalitar… Vetë zyrtarizimi i punimit shkencor është antitezë e shkencës. Vula e Akademisë së Shkencave nuk është mburojë për historinë. Qasje e gabuar dhe organizim i mbrapshtë”
.
Në debatin televizv ABC-News dt. 135.2021, moderatorit Endri Xhafo, i pyet prezantuesit e projektit: A ka pasur luftë civile në vitet 1943-’44?
Skënder Gjinushi: Nuk ka pasur lufte civile. 
Pra, kryetari i Akademisë së Shkencave, pronari i këtij projekti, vuri vulën këtij fenomeni kaq të debatueshëm, në vend që të thoshte: këtë do ta vendosin historianët e komisionit mbi bazën e dokumenteve. Dihet që në këto 30 vite të demokracisë janë botuar me qindra botime, që dokumentojnë ekzistencën e luftës civile në Shqipëri pas prishjes se njëanshme nga komunistët të Marrëveshjes se Mukjes. Historiani Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë ka pohuar publikisht ekzistencën e Luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e saj. Le të kujtojmë debatin e tij në Muzeun Kombëtar me Presidentin Moisiu. 
Historiania Ana Lalaj, që nuk është pjesë e Komisionit, e kundërshtoi Gjinushin dhe të tjerët, duke thënë se kjo luftë nisi pas vendimit të PKSH në Konferencën e Labinotit, shtator 1943, ku u shpall lufta e armatosur kundër kundër Ballit Kombëtar dhe çdo tendence tjetër.
Rrjedhimisht ka pasur një luftë civile ndërmjet forcave komuniste me ato nacionaliste, e dokumentuar nga dokumentet e Arkivit të shtetit, Arkivit të Ushtrisë, Arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, arkivave të Britanisë, Gjermanisë, SHBA, Jugosllavisë etj. Thuajse gjithë oficeret britanikë që ishin atashuar në Shqipëri gjatë luftës, rreth 150, e kanë pohuar e vërtetuar Luftën civile, po ashtu edhe historianët e huaj si R. Bejl, B. Fisher etj. Por, mjafton të lexosh raportet ushtarake të komandantëve dhe komisarëve të divizioneve, brigadave, e batalioneve te ushtrisë NÇ, si Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Ndreko Rino e shumë të tjerë, për të kuptuar vërtetësinë autentike dhe përmasat tragjike të luftës civile në Shqipëri dhe krimet e komunistëve gjatë luftës. Mjafton të përmendim luftën civile në Malësinë e Madhe, dhjetor 1944 – shkurt 1945, një luftë frontale civile për një muaj e gjysmë pa ndërprerje, ku merrnin pjesë divizione dhe brigada të ushtrisë NÇ, që sulmuan ushtarakisht me zjarr e me hekur, dhe ku u vranë me qindra luftëtarë e malësorë nga të dy palët, u dogjën 34 shtëpi dhe pushkatuan e burgosën qindra malësorë, u internuar qindra familje në kampet e internimeve të të gjithë Shqipërisë burg.
Historianët enveristë e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot luftën civile, për të ngritur dhe mbrojtur mitin dhe glorifikimin e Luftës NÇ edhe të figurës së Enver Hoxhës, duke mohuar e baltosur luftën e faktorëve të tjerë të luftës antifashiste. Dua t’u kujtoj atyre se luftën kundër italianëve e nisën nacionalistët qysh më 7 prill 1939, që betejën më të madhe kundër tyre, luftën e Gjormit 1 dhjetor 1942 – janar 1943, ku u vra edhe koloneli Klementi, e kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar të Hysni Lepenicës, Skënder Muços dhe Isuf Luzajt, bashkë me çetën e partizane të Neki Ymerajt; që luftën e parë kundër italianëve menjëherë pas Konferencës se Mukjes, 4 gusht 1943, e bënë forcat e bashkuara nacionaliste dhe partizane të komanduara nga Abaz Kupi, ku u vra edhe kapiteni italian Scampa; që betejën e parë kryesore kundër gjermanëve e kanë bërë çetat nacionaliste të Safet Butkës më 13 gusht 1943, në kthesat e Barmashit, (sipas marrëveshjes Bill Maklin – Safet Butka, 8 gusht 1943), betejë në të cilën merrte pjesë e majori britanik Deivid Smajl (David Smiley), ku u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruar mjaft mjete ushtarake, autoblinda etj. (shih D. Smajl, “Me detyrë në Shqipëri” dhe dok. arkivore). (Betejë të rëndësishme historianët komunistë e paraqesin luftën në Barmash, korrik 1943, ku forcat e Batalionit “Tomorri” goditën autokolonën gjermane, duke kujtuar se ishte autokolonë italiane, dhe ikën pasi hodhën disa pushkë, duke e lënë gjithë zonën pa mbrojtje dhe gjermanët për hakmarrje dogjën Barmashin, vranë 117 viktima te pafajshme në Borovë etj); Po ashtu, përmendim betejat e Muharrem Bajraktrarit kundër gjermanëve, teksa i binin prapa krahëve komunistët; luftërat e Gani Kryeziut kundër gjermanëve etj. Mirëpo këto dokumente të reja të nxjerra nga arkivat pas përmbysjes së diktaturës komuniste, nuk i përmendin historianët Pëllumb Xhufi, Marenglen Kasmi etj për të treguar se vetëm Nacionalçlirimtarja me në krye E. Hoxhën ka luftuar, ndërsa Balli e Legaliteti kanë bashkëpunuar me pushtuesit.
Pëllumb Xhufi lajthitet kur flet për Mid’hat Frashërin
.
Gjinushi - Milo - Xhufi - Boshti i historisë së re
Gjinushi – Milo – Xhufi – Boshti i historisë së re
Pyetjes së gazetarit Xhafo, si e çmoni Enver Hoxhën, historianët iu përgjigjen:
Pëllumb Xhufi: “Ka pasur të mira dhe të këqia”.
Paskal Milo: “Pozitiv gjatë luftës, diktator pas luftës”.
Ana Lalaj: “Nuk ka dy Enverë, është vetëm një, Enveri-fytyra më e nxirë, gjatë dhe pas luftës, ka urdhëruar të vriten njerëz, jo vetëm kundërshtarë politikë, por edhe antifashistë brenda gjirit te lëvizjes NÇ, si Mustafa Gjinishi, Zai Fundo etj. E.Hoxha i thotë përfaqësuesit britanik Palmer: Më kanë vrarë shokun e ngushtë Mustafa Gjinishin, kur Enveri e kishte urdhëruar vetë vrasjen e Gjinishit. Një mashtrues. Enveri – vegël e Jugosllavëve”.
Për mendimin tim, individët por edhe personazhet historike, duhet të paraqiten në kompleksitetin e tyre, dhe jo bardhë apo zi. Por në vlerësimin përfundimtar të tyre duhet peshuar ajo që është dominante në veprën e tyre. Dominante për Enver Hoxhën gjatë luftës ka qenë terrorizmi dhe demagogjia, lufta për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, (siç e pohon vetë) dhe pas luftës – diktatori komunist më i egër, për ta mbajtur pushtetin me anë të diktaturës më ekstreme në gjithë vendet e Lindjes komuniste.
Por drejtuesit e komisionit hartues të “Historisë së re të shqiptarëve” gjykojnë ndryshe. Në bisedën televizive të datës dt. 17 maj, në përballjen e Pëllumb Xhufit, Marenglen Kasmit me Dritan Egro dhe Erald Kapri, u shfaqën mendimet ndryshe edhe për projektin e historisë, edhe për Enver Hoxhën, edhe për Mid’hat Frashërin.
Studiuesi Erald Kapri parashtroi argumentin e tij se “projekti i Akademisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi, është i tipit sovjetik. S’ka alternativë, s’ka procedura konkuruese. Historinë e re duhet ta bëjnë studiues e historianë te rinj, të paideoliogjizuar, duhet të kishte studiues nga diaspora, si edhe historianë të huaj. Kemi nevojë për një model të ri.”
Por profesorët e mësyjnë: 
M. Kasmi: Çfarë diskuton ti? A ke recenca për botimet e tua? Nuk ke!
E. Kapri: Po vë në diskutim formimin tim? Kam botuar 6 artikuj shkencorë dhe dy libra. Për studimin “Mbreti Zog”, kam pasur recencën e Roderik Bejlit.
Dritan Egro: Kemi të njëjtin model të shkrimit të historisë, si në kohën e komunizmit, kur përcaktohej linja ideologjike dhe historianët ishin të detyruar ta mbushnin me fakte. Të gjitha botimet e historisë së Shqipërisë deri tani kanë qenë zyrtare dhe të politizuara. Kjo po ndodh edhe tani. U tha se do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me Mid’hat Frashërin që paska bërë një takim me Napoleon Zervën, një shqiptar me origjinë nga Suli… Ky është një qëndrim politik. Takimet duhen shikuar në kohën dhe kontekstin e tyre. Edhe Ismail Qemali ka bërë një marrëveshje me palën greke, për një shtet të vetëm greko-shqiptar në vitin 1907. Kjo është e dokumentuar, e kam dokumentin. 
Mirëpo Pëllumb Xhufi, në vend të argumenteve historike, sillet me shumë “takt”: “Do të ishte mirë të merresh me regjistrat osmanë për t’u bërë shumë i njohur…” duke harruar t’i thoshte vetes së tij: “do të ishte mirë Pëllumb te merresh vetëm me historinë e Mesjetës, që di ta bësh mirë, sesa me Luftën!”.
Konkretisht, Pëllumb Xhufi lajthitet kur flet për një “marrëveshje” të Mid’hat Frashërit me të djathtën greke, duke e lidhur këtë me letrën e Mid’hat Frashërit datë10.05.1944, drejtuar Dhimitër Falos, (gazetar, shkrimtar, përkthyes i njohur, redaktor i revistës “Bota e Re” të Korçës”, (që e pushkatuan komunistët pa gjyq në vitin 1944), përfaqësues i Ballit Kombëtar, në bisedimet me të djathtën greke për realizimin e një lidhjeje ballkanike greko-shqiptare e më gjerë. Në këtë letër udhëzuese shprehet shqetësimi i M. Frashërit për të ardhmen e Ballkanit dhe të Shqipërisë, të rrezikuara nga sllavo-komunizmi, i konsideruar në atë moment si një rrezik kryesor, kur Gjermania naziste ishte në prag të tërheqjes dhe humbjes. Në këto kushte, Mid’hati kërkonte një përballje ballkanike, të shprehur në një aleancë greko-shqiptare-turke në formë federative pas lufte, “që kështu në kohën e ardhshme të mund t’i bëhet ballë rrezikut sllav, që kërcënon të dy palët dhe rrezikut, që vjen nga ana e tejme e Adriatikut”, shënonte Mid’hat Frashëri në pikën 8 të letrës. Unë e kam botuar këtë letër, të cilën Pëllumb Xhufi e ka kosideruar vijimisht si një akt tradhtie. Siç mund të konstatohet lehtësisht, ky propozim i M. Frashërit, provon të kundërtën. Po i citojmë pikat (kushtet) të cilat propozonte Mid’hat Frashëri:
1.Mbasi çështja e lidhjes në formë federative varet nga mundësitë e mbasluftës, prandaj të dy palët marrin angazhimin që sot se janë të disponueme për realizimin e këtij projekti. (Plotësue me shkrim dore nga vetë Mid’hat Frashëri: të përpiqemi).
2.Baza e lidhjes do të jetë indipendenca dhe sovraniteti i plotë i të dy palëve.
3.Kufinjtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të vitit 1939.
4.Bëjmë aleancë mossulmimi, defensive dhe ofensive, si edhe lidhje ushtarake.
5.Traktate ekonomike të ngushta ndërmjet të dy palëve.
6.Do të përpiqemi që kjo lidhje të bahet sa ma parë një lidhje greko-turko-shqiptare.
7.Në rast lufte, komanda e Përgjithshme Ushtarake do të vihet ë dorë të Greqisë.
8.Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, të dy palët do të paraqiten përpara Konferencës së Paqes si dy palë me një të vetëm interes, duke përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqia do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, që kështu në kohën e ardhshme të mund t’i bëhet ballë rrezikut sllav, që kërcënon të dy palët dhe rrezikut, që vjen nga ana e tejme e Adriatikut. (Plotësue me dorë nga vetë Mid’hat Frashëri: rivendikimet për Kosovën dhe Dibrën janë bazue mbi Kartën e Atllantikut).
9.Nëqoftëse zihet me gojë çështja e minoriteteve, kjo mund të jetë më fort një mjet
afrimi ndërmjet të dy palëve se sa një mjet largimi. Për përdorimin tuej ta kini ndërmend se minoritetet duhet t’i këqyrni me sy të mirë të dy palët edhe të kenë të drejtat e tyne”.
Le t’i analizojmë me radhë këto pika negocimi.
Mid’hat Frashëri vendoste në radhë të parë indipendencën dhe sovranitetin: Baza e lidhjes do të jetë i plotë i të dy palëve, që plotësohet nga pika tjetër e propozimit: Kufinjtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të vitit 1939”
Ky kusht historik dhe politik ishte shumë i rëndësishëm, sidomos për marrëdhëniet shqiptaro-greke, sepse përjashtonte të gjitha synimet e përpjekjet e nacional shovinizmit grek që pretendonte dhe pretendon ende të ashtuquajturin Vorio-Epir.
Po çpërrallis Pëllumb Xhufi? “Me këtë nen Mid’hat Frashëri e shiti Kosovën dhe Çamërinë?! Absurditet më të madh nuk mund të ketë! Aq më tepër nga një historian. Dihet botërisht që M. Frashëri, jo vetëm në këtë dokument, por në gjithë veprat e tij, ia ka kushtuar Kosovës dhe Çamërisë): “Çështja e Epirit”, “Shqiptarë e sllavë”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja Çame”, “Marrëdhëniet shqiptaro-greke”, “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe” etj, si edhe ka mbrojtur me argumente historike në Konferencen e Paqes në Paris dhe Lidhjen e kombeve”, si edhe në artikujt e botuar në shtypin evropian e shqiptar, sidomos në vitet 1921-’22, kur denonconte masakrat serbe në Kosovë e në Dibër dhe në 1923-’26, kur ishte ambasador ne Greqi, tek denonconte botërisht dhunën, diskriminimin dhe shpërnguljen e popullsisë çame, që Mid’hati arriti t’i ndalonte me përpjekje të mëdha diplomatike.
Si njohës dhe vizionar i politikës kombëtare e ndërkombëtare, Mid’hati e vendoste marrëveshjen e mundshme me Greqinë edhe në nivel evropian, kur propozonte: “Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, të dy palët do të paraqiten përpara Konferencës së Paqes si dy palë me një të vetëm interes, duke përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqia do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, që kështu në kohën e ardhshme të mund t’i bëhet ballë rrezikut sllav, që kërcënon të dy palët dhe rrezikut, që vjen nga ana e tejme e Adriatikut” (pika?)
Ndërkohë që edhe në memorandumin paraqitur Konferencës së Paqes në Paris, më 23 korrik 1946, Mid’hat Frashëri, i kërkonte Konferencës së Paqes, “në emër të principeve të larta të së drejtës kombëtare e ndërkombëtare, që të përfshiheshin brenda shtetit të pavarur e paqedashës të Shqipërisë, krahinat shqiptare të Kosovës e të Çamërisë, të shkëputura padrejtësisht e me pasoja të rënda nga trupi i Shqipërisë”.
Tejet e rëndësishme ishte që Mid’hat Frashëri propozonte që në këtë projekt të përfshihej edhe Turqia, për ta kthyer në një aleancë më të gjerë e më të fortë ballkanike. 
Pra, Mid’hati, nga njëra anë përpiqej të neutralizonte angazhimet e mëparshme te politikës greke lidhur me “Vorio-Epirin”, nga ana tjetër e kushtëzonte marrëveshjen e mundshme me zotimin që Greqia të mbështeste rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës,(shënuar me shkrim dore të Mid’hatit: bazuar mbi Kartën e Atlantikut). Ai e parashikonte rrezikun që vinte nga sllavo-komunizmi, ashtu edhe rrezikun që vinte nga imperializmat përtej Adriatikut, për t’i bëhej ballë bashkërisht rreziqeve si nga Lindja dhe nga Perëndimi.
Në pikat e tjera Mid’hati udhëzonte: “Të bëhen aleanca mossulmimi” midis Shqipërisë e Greqisë si dy shtete të pavarur e sovranë (pika 4) Gjithashtu, “Të bëhen traktate te ngushta ekonomike midis dy palëve”. -një propozim me vlerë për përparimin ekonomik të të dy vendeve. (pika 5)
Si një evropianist i kohëve të moderne, Mid’hat Frashëri shprehet për minoritetet si një urë lidhëse midis dy vendeve: “Çështja e minoriteteve, mund të jetë më fort një mjet afrimi ndërmjet të dy palëve se sa një mjet largimi. Për përdorimin tuej ta kini ndërmend se minoritetet duhet t’i kqyrni me sy të mirë të dy palët edhe të kenë të drejtat e tyne” (pika 9)
E debatueshme ishte pika 8: “Në rast lufte, komanda e Përgjithshme Ushtarake do të vihet në dorë të Greqisë”. Për mendimin tim, mendimi i M. Frashërit është sa bashkëkohor, aq edhe luajal, që në rast të një lufte tjetër, pra të një invazioni të huaj të mundshëm mbi Ballkanin (rrezikun sllavo-komunist, siç ndodhi), komanda e përgjithshme t’i lihej Greqisë. Ai kërkon që të përfshihet edhe Turqia në aleancën ballkanike, por jo në komandë, sepse mund të keqinterpretohej si një reminishencë e politikës së vjetër osmane në Ballkan. Shqipëria nuk kishte një ushtri kombëtare dhe ishte në një luftë civile shkatërrimtare. Hamendësimi për rreziqet e një komande ushtarake greke, ishte përjashtuar nga pikat e tjera të projektmarrëveshjes, por edhe nga traktatet ndërkombëtare ku aderonte edhe Greqia, Shqipëria, Turqia etj.
P. Xhufi thotë: “Mid’hat Frashëri bëri një marrëveshje me palën greke për një shtet greko-shqiptar(!), ku Shqipëria do të ishte një provincë e Greqisë, ku ministra do të ishin ministri i luftës i Greqisë dhe ministër i Brendshëm i Greqisë…!?”
E para, nuk u bë asnjë marrëveshje, sepse pala greke siç duket, nuk i pranoi kushtet e Mid’hat Frashërit. Nuk u bë kurrë një propozim apo marrëveshje për një shtet greko-shqiptar, siç pretendon Xhufi. Mid’hati deklaronte në pikën e parë të propozimit të tij indipendencën dhe sovranitetin e plotë të dy palëve dhe kufinjtë greko-shqiptarë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të vitit 1939”; pra, një aleancë në të ardhmen mes dy shteteve të pavarur.
Lajthitja tjetër e Pëllumb Xhufit, natyrisht nga padija, është kur deklaron se Mid’hat Frashëri udhëtoi dy herë në Greqi në vitin 1948, për të bërë marrëveshjen me Greqinë!? Mid’hati në atë kohë ishte emigrant politik në Itali dhe ishte caktuar nga Aleatët anglo-amerikanë për të themeluar “Komitetin Shqipëria e Lirë”. Udhëtimin në Greqi (korrik 1948) e bëri për t’u konsultuar me Abaz Ermenjin dhe emigrantët shqiptarë në kampin e Lavros, lidhur me kriteret e komitetit dhe pjesëmarrësit, dhe udhëtimin në Turqi (31korrik 1948), në koloninë shqiptare të Stambollit, për t’u konsultuar me shqiptarët të atjeshëm (Dokumentet e dëshmojnë këtë).
Mid’hati i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit më 1948: “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju, se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut. E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese…”
Kështu, sipas këtij kriteri të Mid’hat Frashërit, nuk mund të merrnin pjesë në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, ata krerë të Bllokut Indipendent, apo të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që ishin komprometuar me pushtuesit nazifashistë, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, Shefqet Verlaci, Xhaferr Deva, Kadri Cakrani etj, ndërkohë që Mid’hat Frashëri zgjodhi, si përfaqësues të Kosovës në komitet Said Kryeziun nga familja e shquar antifashiste Kryeziu. Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e Lirë” (1949), ështe tejet kuptimplotë.
Nuk kam asgjë personale me Prof. Pëllumb Xhufin dhe të tjerët, kam pasur debate mbi historinë dhe secili ka paraqitur opinionet e tij. Normale. Por tani që Pëllumb Xhufi është drejtor i projektit të historisë së re të shqiptarëve, nuk mundem të hesht dhe të mos kundërshtoj hipotezat e tij ndikuese te Komisioni hartues, por edhe të dëmshme për higjenën shoqërore. Shqiptarin, më tepër sesa plumbi, e ka vrarë padrejtësia e historisë.
.
Marre nga gazeta “Panorama”, 27-28 maj 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.