back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Para një gjysmë shekulli nga Shaip Beqiri Pjesë – në 70-vjetorin e lindjes së Esad Mekulit

Gazeta

Esat Mekuli
Esat Mekuli

Para një gjysmë shekulli

nga Shaip Beqiri

Pjesë nga bisedimi në 70-vjetorin e lindjes së Esad Mekulit

Këtë herë poeti rrëfen më shumë për një kohë tjetër, të cilën, në mënyrën më të saktë e emërtoi në poezinë e vet djaloshare. Ajo është historia më e thellë e njeriut dhe e trollit tonë në një kohë të zymtë, pamjet e së cilës poeti i pa në thellësitë dhe brendësitë e saj nën dritën e përjetshme të së vërtetës.

Koha e vjershave të para

-Unë e kam kryer gjimnazin në Pejë, që ishte me orientim majtist. Ne, atëherë e kemi ndjerë më shumë afërsinë njeri me tjetrin. Nuk e kemi pasur problemin te çështja se kush cilit komb apo kombësi i përket. Tash tepër përmendet nacionalizmi, madje më së shumti nga ata të sefasë, të paangazhuarit… E, ne nuk kemi faj pse jemi shqiptarë apo çfarëdo tjetër, por kemi faj nëse ndiejmë mëri ndaj njëri-tjetrit pa qenë fajtorë… Për të gjitha këto flitet tepër, kurse në praktikë… Më mirë do të ishte sikur të ndodhte e kundërta: të flitej më pak dhe çdo gjë të zbatohet ashtu si duhet.
Kur isha në klasën VII të gjimnazit, pati zënë të dilte revista majtiste “Granit” në Podgoricë. Më ranë në dorë dy numrat e parë të saj, të cilët më pëlqyen shumë, prandaj mora guxim dhe i dërgova redaksisë vjershën “Përshëndetje”, të cilën edhe e botuan në numrin e tretë. I trimëruar nga ky entuziazëm krijues e dërgova edhe vjershën tjetër “Tempora mutantuar” (Kohët ndërrohen). Për fat të keq, nuk arrita ta shoh edhe atë të botuar: më patën thënë se numri, në të cilin ishte paraparë të botohet ajo, ishte konfiskuar, kurse revista ishte pezulluar përgjithmonë. Në atë kohë shkruaja poezi dhe i radhitja me dashuri në një fletore. Ato i ruaja nga gjithkush, si një rrëfim të pakryer, një vështrim vetëm nga një kënd, ndoshta… E dija se pakkush do të guxonte t’i botonte poezitë që shkruaja! Pikërisht atëherë, kur kishte dalë vjersha ime në “Granit”, një ditë në derën e dhëndrit dhe të motrës sime, te të cilët banoja, u duk një xhandar. Më kërkonte mua. Natyrisht më mori. Unë përpara e ai pas, drejt e në prefekturën e policisë.

Esad Mekuli në bisedë me Shaip Beqirin
Esad Mekuli në bisedë me Shaip Beqirin
Shkrimi nuk ishte mahi

-Eprori i përfaqësisë, në uniformë teget dhe me shpatën e artë në brez, qëndronte ulur pranë tavolinës duke shfletuar një libër, pa çarë kryet për praninë time. U tunda, ashtu në këmbë, kur ai kërceu rrëmbimithi dhe ma futi nën hundë revistën e njohur me poezinë time.
-Ç’është kjo? Kush je ti të shkruash poezi komuniste? Ta shqetësosh popullin e qetë…? Kemi ne të tillë mjaft, por ata janë tanët – lehtë do t’ia dalim me ta. Për ty s’ka vend këtu! A po kupton, qyrravec! Dije dhe ngulite mirë në kokë: do të të vrasim si një këlysh! – gërthiti ai dhe deshi të më godiste, por në momentin e fundit u përmbajt – Shporru, mos të të shoh më këtu, bir pagani! Kjo ishte vërejtja e parë që ma bëri të ditur se të shkruaja unë, si bir shqiptari, nuk ishte mahi… Poeti pastaj na e shpjegoi më hollësisht motivin e motos bukur të gjatë të vjeshtës “A asht fajtor Shqiptari?”, e cila burimin e frymëzimit e ka te proklamata e nënshkruar nga 65 studentë kosovarë, pjesëtarë të gjitha kombeve dhe kombësive të Kosovës, të cilët në atë mënyrë protestonin kundër qeverisë jugosllave për marrëveshjen e fshehtë të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.
-Në atë proklamatë, – rrëfen tash poeti, – përveç emrit e mbiemrit, çdonjëri vumë edhe emrin e vendit nga vinim. Për këtë shkak nuk ma dhanë pasaportën, e cila më duhej që të shkoja në Pragë të ushtroja praktikën veterinare gjatë verës, e cila bëhej në bazë të shkëmbimit të studentëve tanë me të huajt. Fill pas kësaj u ktheva në vendlindje, ku policia më ra pas gjurmave. Në bibliotekën e babait tim, të cilën e bastisën, kishte disa mija libra persisht, arabisht, turqisht, rusisht dhe librat e mi. Ata më morën me vete. Kam ndenjur plot 20 ditë në burg, pesë ditë më shumë se të tjerët… [1986]

Esat Mekuli - 100 Vjetori i Lindjes
Esat Mekuli – 100 Vjetori i Lindjes
***
Esad Mekuli – A asht fajtor shqiptari?

Me rastin e lajmit për marrëveshjen sekrete për shpërnguljen e katërqindmijë të ashtuquajturve “turq” prej “Serbisë Jugore” në shkretinat e Anadollisë – gjashtëdhetepesë studentë kosovarë (serbë e malazez – 56, shqiptarë – 8 dhe turq – 1) me nënshkrime të plota botuan proklamatën (serbokroatisht e shqip) kundër qeverisë jugosllave për këtë krim antipopullor. Proklamata iu shpërnda ilegalisht në Beograd ambasadave të huaja dhe nëpër Kosovë e Maqedoni.

A asht fajtor Shqiptari pse nën kët qiell jeton,
Nën kët qiell – në trojet e të parëve të vet?
A asht fajtor pse asht, e përkundër të gjithave qindron –
Shqiptari, rob e njeri që do i vetvetes të jet’?!
A asht fajtor Shqiptari pse sytë flakë i vetojnë
Tue shikue se si tjetri nga plangu e shtëpia e dëbon?
A asht fajtor pse asht dhe kur të mos jetë dishirojnë,
Pse për votër derdh gjak dhe i gjallë nuk e l’shon?
A asht fajtor Shqiptari pse, si të tjerët, po don
Të jetojë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron
Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!
Nga libri “Gëzhoja e perlës”, SHB “Faik Konica”,
Prishtinë, 2018, f. 456-468

Marrë nga muri i Fb Shaip Beqiri, 6 gusht 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.