Para se të mbrrinte “Rilindja Demokratike”
nga Migena Demirxhi
Më 5 janar 1991, pas rreth pesë dekadash shtypjeje dhe censurë të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruarndarë idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i Gazetës Rilindja Demokratike”, e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist e të shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.
Që në fillimet e instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediat ishin të kontrolluara nga pushteti i kohës. Për përmbajtjen ideologjike të tyre kujdesej Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo Drejtoria e agjitacion-propagandës. Shtypi i shkruar dhe mediat, Televizioni dhe Radio ishin në shërbim të propagandës së shtetit.
Shtëpitë botuese, gazetat dhe revistat që botoheshin para ardhjes së komunistëve në pushtet u mbyllën. Revistat me emër si “Hylli i Dritës” apo “Përpjekja Shqiptare” , jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. Një komision letrar në Lidhjen e Shkrimtarëve, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorëve shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si: Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani, etjerë.
Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës. Shtypi qëndror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë, “Zeri i Popullit”, dhe gazeta të tjera si “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari” apo “Sporti Popullor” . Shtypi lokal perfshinte rreth 27 gazeta… “Zeri i Popullit” si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.
Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët dhe gazetarët u bënë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim, një pjesë të madhe të trupës artistike.
Nebil Çika – i pushkatuar; Xhemal Farka – vdekur në tortura; Fiqiri Llagami – dy herë i dënuar; vdekur në burg; Musine Kokalari – e burgosur; Kolë Berisha – i pushkatuar; Aleks Mavraqi – i pushkatuar; Gjon Shllaku – i pushkatuar; Zoi Xoxe – i burgosur; Beqir Ajazi – i burgosur; Koço Semini – i burgosur; Petro Marko – i burgosur; Rrok Kolaj – vdekur në burg; Beqir Haçi – i burgosur; Zhan Gorguzi – i burgosur; Andon Frashëri – i burgosur; Kolë Tromara – i pushkatuar; Mitrush Kuteli – i burgosur; Lazër Radi – i burgosur; Akile Tasi – i burgosur; Lazër Shantoja – i pushkatuar; Guljelm Deda – i burgosur; Kristo Floqi – vdekur në burg; Kristo Krika – i burgosur; Gjergj Bubani – i burgosur; Ihsan Libohova – i burgosur; Pashko Gjeçi – i burgosur; Arshi Pipa – i burgosur; Selfixhe Ciu – e internuar; Marian Skanjeti – i burgosur; Et’hem Haxhiademi – i vdekur në burg; Fadil Kokomani – i pushkatuar; Fatos Lubonja – i burgosur; Vangjel Lezho – i pushkatuar; Niko Kotani – i burgosur; Trifon Xhagjika, Havzi Nela poetë, janë disa nga emrat që spikatën në fushën mediatike.
Liria e shprehjes në media e poezi i çoi ata drejt persekutimit, burgimit dhe vdekjes.
Totalitarizmi promovoi izolimin ekstrem dhe paranojën. Dënimi i gazetarëve, gjykimi, e jo në pak raste, ekzekutimi i tyre, ishin ndër mënyrat e mbytjes së fjalës së lirë, mendimit kritik, opinionit të pavarur dhe qasjes intelektuale ndaj realitetit.
Kjo është një ditë e të gjithëve! Gëzuar.
Foto nga arkivi. Me ish-kolegët e mi në RD nga vitit 1995, deri në 2005, Brikena Kamenica dhe Redin Hafizi gjatë ceremonisë së dekorimit të gazetës nga Presidenti Bujar Nishani.