back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Paralajmërimet e Pushtimit ishin… nga Lek Pervizi

Gazeta

Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi

Paralajmërimet e Pushtimit ishin…

nga Lek Pervizi

Pushtimi i Shqipnisë prej Italisë fashiste

Para se me paraqitë rrjedhimet qe çuen në pushtimin e vendit tonë nga  ushtria fashiste italiane, sipas Ditarit të Kontit Ciano,  e ndjej veten të detyruem me përmendë disa fakte bindëse se  qeveria shqiptare e vetë Mbreti Zog ishin parlajmërue me kohë për t’i dalë zot atij rreziku. Por e morën punën me nënvleftësim deri në çastin e fundit, sipas shprehjes popullore, “Bane Zot andërr, e andërr s’ishte fare…!” Patjetër se këto punë nuk janë përfolun e përmendun ma përpara nga mungesa e ndërgjegjes se gazetarëve dhe historianëve të asaj kohë e në vazhdim dhe nga mohimi katergorik i historisë dhe i figurave që e banë atë, pra nga diktatura komuniste.
E kam fjalën për prindin tim gjeneral Prenk Pervizin, që në sajë të përgatitjes së lartë dhe aftësive vetjake çmohej si ushtaraku më i ngritun i asaj kohe. Si i tillë, duke pasë krye Akademinë Ushtarake në Austri, më 1914-1918, kreu dhe Shkollën e Luftës së Torinos me 1930-33 me gradën major. Nuk asht çeshtja me përmenndë këtë formim shkollor të nivelit të naltë, por se në ato kushte, ai u njoh me elitën e ushtrisë italiane, që ma vonë zunë pozita të nalta në ushtri dhe qeveri. Ai pati bashkëkoleg shkolle vetë Princin trashëgimtar Umbertin e të tjerë oficerë që u shquen në historinë e Italisë. Të vijmë te çeshtja thelbore që asht ajo e pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste. Mbreti Zog nuk mund të thoshte se nuk ishte i paralajmëruem për këtë rrezik. Fakt që del qartë edhe nga Ditari i Cianos, që nis interesimin ndaj Shqipnisë qysh kur u emnue Ministë i Jashtëm më 1937.
Jam dëshmitar i mirëfilltë i shumë ngjarjeve e situatave të randësishme dhe jetike për atdheun tonë, ku një nga ma të randësishmet dhe kobzezë ishte ajo e pushtimit italian. Sigurisht se të njohuna  nëpërmjet prindit tim,  i cili nuk merrej me politikë; dhe qëndronte në kontekstin ushtarak, ku përgatitja, kompetenca dhe praktika e luftës ishin të mishëruem në të, dhe nuk mund t’i vihej kush tjetër përpara asokohë. Patjetër se këto veti  ngjallnin xhelozi të papërmbajtuna, ushqenin intriga keqdashëse që ndikonin edhe në vetë Mbretin Zog, pavarësisht se ai e njihte tepër mirë atë. Këto ndikime të këqia, banin punën e vet, dhe kështu  këshillat dhe paralajmërimet e këtij oficeri të naltë, anashkaloheshin. Do të vinte koha kur Mbreti do të kuptonte gjithçka, por do të ishte tepër vonë.
m atë, vëzhgues në Luftën e Abisinisë, pranë shtabeve të gjeneralëvë të shquem, Badolio e  Graziani, ku kishte edhe ish shokë te Shkollës së Luftës së Torinos, mori njoftime të tilla që përcaktonin qëllimin e Benito Musolinit për të gllabërue Shqipninë, fill pas luftës së Abisinisë, pra qyshë më 1936. Mbas pesë muejsh në ndjekje të luftës me Komisionin Ndërkombëtar të Vëzhguesve kur u kthye ne atdhe, pati një audiencë personale me Mbretin Zog, ku e ve në dijeni dhe  e këshillon që t’organizohet ushtarakisht mbrojtja e vendit, nga sulmi i pashmangshëm fashist. Ai e merrte përsipër të kryente në nivelin sa ma të mirë mbrojtjen e Vendit. Zogu i përgjigjet shprehimisht se me Italinë marrëdhanjet ishin tepër të mira dhe nuk mund të vinte asnjë rrezik prej saj.
Im atë doli i zhgënjyem, por edhe me i zhgënjyem do të dilte në një takim të dytë.
Ai do të përfaqësonte Shqipninë në manovrat e Mëdha të Italisë në korrik-gusht të 1936, ku Musolini donte me i tregue botës potencialin e madh ushtarak sipas fjalimit të tij bombastik te “tetë milion bajonetave” . Këtu im atë ka rastin të shkëmbejë dy fjalë drejtperdrejtë me diktatorin fashist, i cili i dha me kuptue, se Shqipninë e Vogël do ta banin të Madhe. Aty për aty im atë i ishte përgjigjë se shqiptarve u  mjaftonte ashtu siç ishte.

Ahmet Zogu & Prenk Pervizi
Ahmet Zogu & Prenk Pervizi

Mbreti Zog  e Prenk Pervizi dy burra e miq të pandamë që ndoqën  së bashku historinë  e re të Shqipnisë  nga 1918 deri 1939
Kjo ishte një përgjigje  për të ia pre shkurt qëllimin diktatorit fashist. Në ato Manovra, nga ish kolegë italianë të Torinos, mori vesh se synimi i Musolinit ishte Shqipnia, për të realizue andrrën e tij të rikrijimit të Perandorisë Romake, që pikërisht do të niste në brigjet shqiptare  për të kalue në pushtimin e gjithë Ballkanit. Edhe pas kësaj ngjarje, ai e ftoi  Mbretin Zog të marrte sa ma parë masat mbrojtëse, për me u nda me nder ndaj sulmit të asaj fuqie të madhe e me vazhdue luftën në malet, siç e kanë traditë shqiptarët. Mori të njëjtën përgjigje duke shtue se: “Or Prenk ne kemi Zef Serregjin në Romë që do të na njoftojë për çdo gja. Për ma tepër do të këshillohej me këshilltarë (oborrtarët) dhe qeverinë. Ai të shkonte pa merak, se po t’ishte puna për me organizue një mbrojtje, do t’ia besonte vetëm atij… Dhe Prenk Pervizi, për meritat e padiskutueshme që kishte përfundoi në Korçë, komandant garnizoni. Ndoshta ky ishte edhe ndikimi i italianëve për ta largue nga qendra, ku mund krijonte telashe, nga që kishte influencë të madhe në zonat veriore e në ushtri.  I permenda këto punë që të merret vesh se nuk mund të thuhet se Zogu dhe qeveria e asaj kohë nuk ishin paralajmërue seriozisht për invadimin e Shqipnisë nga Italia fashiste, ku Musolinit i kishte hyp në mendje me rikrijue Perandorinë Romake, siç e thamë edhe ma nalt. Do të pyesë lexuesi dhe historiani, pse Duçja nuk e nisi pushtimin fill pas Luftës së Abisinisë? Të mos harrojmë se kjo punë u pengue nga që plasi Lufta e Spanjës më 1936, ku Italia u angazhue ushtarakisht për gati tre vjet. Aq asht e vërtetë kjo, sa që, sikur dihet, me 1 prill 1939, Gjenerali Franko e shpallte fundin e luftës dhe fitoren e tij nga ballkoni i Bashkisë së Madridit. Fill mbas një jave edhe Musolini i jepte urdhën flotës dhe ushtrisë me sulmue Shqipninë. Ma qartë nuk ka se ku shkon. Kur në agimin e ditës së shtatë prillit  para Durrësit u dukën anijet italiane, dhe lajmi i shkoi Mbretit Zog, atëhere ai u ba esull dhe e kuptoi se nuk ishin pallavra kote ato të Duçes. I hypi makinës e shkoi e ra në dorë të Prenk Pervizit në Korçë, pikërisht në Zëmblak te shtëpia e njohun e Gani Kullë Zëmblakut. Takimi ishte dramatik. Duke kapërcye bisedën e randë që aty u zhvillue, bashkue edhe me lot, im atë i bani Zogut thirrjen e fundit për të nisë luftën popullore në male. Mbreti Zog nuk arriti me e kuptue se ai ishte shansi i fundit për të fitue nder e lavdi dhe u mjaftue me atë përgjigje që të gjithë e dijnë përveç historianëve, se “një të keqe ia kishte sjellë vendit e nuk donte që populli të vuente e të damtohej edhe ma për shkak të tij”  (në kuptimin se një rezistencë në male do të kishte pasoja të randa për shqiptarët), e kështu vendosi të largohet në Greqi, detyrë që i ra pikërisht atij Prenk Pervizit që i kishte dalë hakut me kohë.
Këto fakte dalin tani kështu të përmbledhuna, dhe unë jam dëshmitar i mirëfilltë i tyne.
Ma mirë vonë se kurrë. Gjeta rastin t’i përmend, që mos të thuhet se nuk kemi dijeni. Ky përvjetor (i 70-ti) duhet përkujtue me trishtim të madh, sepse ishte pikërisht pushtimi i Italisë që u ba shkak i pasojave tragjike të mëtejshme që e çuen Shqipninë nën sundimin e diktaturës komuniste, e cila i vuni kazmën gjithë historisë e kulturës kombëtare dhe kreu nje genocid të përbindshëm mbi popullin  shqiptar dhe kryesisht mbi elitën e patriotizmit dhe të intelektualizmit të tij.
Ia lajmë fjalën Ditarit të Kontit Ciano, ku merren vesh shumë ngjarje e rrethana paralajmëruese të aktit pushtues se Italisë fashiste, nën ndikimin e drejpërdrejtë të Musolinit dhe dhandrit të tij, kontit Ciano, që në këtë kontekst luejti një rol negativ e anmiqsor tejet të madh ndaj Shqipnisë e shqiptarve. Kuptohet haptazi se qëllimi i pushtimit ishte me e kthye Shqipninë në një koloni për t’u shfrytëzue deri në palcë, për mirëqenien e italianëve. Ndërkohë kuptohet se si veprimtaria e agjenturës fashiste zhvillohej haptazi në Shqipni, për të përgatitë dhe realizue pushtimin e saj pa pushkë të shtime, siç ndodhi. Përveç sakrificës heroike të Mujo Ulqinakut, nuk mund të flitet për qëndresë të armatosun, e paekzistueshme, pavarësisht nga gënjeshtrat dhe mburrjet që u përhapen për të mashtrue popullin dhe justifikue Mbretin Zog dhe qeverinë e tij se gjoja se ai pushtim erdhi i papritun dhe i pabesë. Po ku mund t’i vihet besë anmikut? Kjo ndërhyemje imja shërben me vendosë mbi baza të shëndosha atë pjesë të dhimbshme të historisë shqiptare, që nisi me pushtimin fatkeq të Italisë fashiste.
Lexuesi, duke përshkue tregimin e Kontit Ciano, patjetër se do të nxjerrë përfundimet e veta dhe atë të vërtetë qe mbahet akoma e mbyllun në dosjet sekrete të arshivave, nga ato njerëz, mjerisht shqiptarë, që nuk duen që historia e Shqipnisë të njihet ashtu siç u zhvillue, por ashtu siç ia ka dëshira dhe interesi atyne.

Ditari i Galeazzo Cianos (1937-1943)
Ditari i Galeazzo Cianos (1937-1943)

Ditari i Kontit Ciano 1937-1943

botue nga BUR (Biblioteca Universale – Rizzoli) 1990

Tregimi i Galeazzo Cianos fillon me 19 shtator 1937,
me dy fjali të shkurta ku përmendet Mbreti Zog.
19 settembre: “Libohova mi ha portato una lettera di Re Zog.
E’ contento dei recenti provvedimenti pro-Albania. (faqe 38)
Teksti besnik i përkthimt shqip nga Lek Pervizi

19 shtator 1937 – Libohova më solli një letër të Mbretit Zog.U kënaq për masat e fundit  në favor të Shqipnisë

3 janar 1938 – I kam përmendë Jakomonit emnin e njenës prej vajzave Durini (familje fisnike) si grue për Mbretin Zog. Ai insiston me u martue me një italiane. Por kjo merret parasysh pas dy orvatjeve të pasuksesshme të maparshme.

21 shkurt – Seregji më fton në emën të Zogut për me u ba kumbar në martesën e 26 prillit. Kam pranue. E mbaj të patundshëm besimin në programin tim për Shqipninë dhe për çdo punë që mund të rrisë prestigjin tonë, dhe ndikimi ynë nuk duhet të lihet mbasdore.

26 mars – Jakomoni referon rreth gjendjes në Shqipni. Depërtimi ynë po bahet gjithnjë dhe ma i ngjeshun dhe organik. Programi që kam parashtrue pas vizitës sime po zhvillohet në rregull. E pyes veten nëse gjendja e përgjithshme veçanërish pas Anshlusit, a do të na lejojnë me ba një hap përpara drejt dominimit ma të plotë të këtij vendi që do të bahet yni. Belgradi duket se asht në pritje të një marrëveshje ushtarake: Besoj se Shqipnia mund të plotësonte çmimi.………………
Kam ndërhy pranë Selisë së Shenjtë që të mos krijojnë pengesa për martësën e Mbretit Zog me një katolike.

27 mars – Libohova, Ministër i P. t’Jashtme shqiptare, më ka sjellë ftesën zyrtare për t’u ba kumbarë në martesën e Mbreti Zog…

4 prill – Rashë dakord me Jakomonin për udhëtimin e ardhshëm në Tiranë. Kam kërkue, po t’ishte e mundshme, që Mbreti të vinte me më pritë në ardhjen time. Duhet me theksue ma gradualisht karakterin e protektoratit në marrëdhanjet tona me Shqipninë.

7 prill – Duçja me ka njoftue se Mbreti (Viktor) do me çue një Përfaqësi të kryesueme nga Duka i Spoletos në martesën e Zogut. Ata duen (Mbretnia) me mbajtë pozitat e tyne. Kjo punë të shqetëson sepse nuk ishte e parashikueme, edhe sepse Tirana nuk asht Londra. Me i tregue vendin asaj figure shpirtkazmë të Spoletos se nuk asht e lehtë.  Por e kupotova se Duçja do me i shmangë polemikat dhe prandaj menjiherë i dhashë urdhën Jakomonit që kundërshtonte. Në çdo rast i dërguemi i Mbretit do të ketë një pritje të dorës së dytë në krahasim me të dërguemin e Duçes. (dalin ne shesh kontraditat që ka Duçja me mbretninë italiane. shën. i përkth.)

25 prill – Shkoj në Tiranë. Demostratë popullore e zakonshme me dy vështrime, për mue dhe për Dukën e Bergamos. Pritja në Oborrin Mbretnor. Takohem me  Mbretneshën, që asht e lezeçme dhe ka mësue me buzëqeshë sikur i takon një sovrane, dhe me princeshat lokale, që janë injorante e qesharake të denja për një skenë operete.

26 prill – Bisedë me Mbretin  e pritje. Asht e randësishme që Mbreti erdhi vetë me më ba vizitë në shtëpinë e Libohovës. Askujt nuk mund t’i ikë kuptimi i kësaj sjellje jashtë protokollare.

27 prill – Martesa: cerimonia u zhvillue me një seriozitet ma të naltë se sa parashikohej. Mbretnesha shkëlqente. Mbreti i emozionuem! Oborrtarët të kujdesshëm. Populli indiferent dhe në krahasim, ma i leckosun se sa zakonisht.

28 prill – Vizitë tek interesat italiane. Bisedë me Mbretin në Durrës. Për këtë dhe të tjera biseda, ashtu dhe për përshtypjet e qëllimet e mia do të përpiloj një kujtesë për Duçen. Kthehem nga Shqipnia ma tepër se kurrë i rrënjosun në mendjen time për një zgjidhje integrale.

30 prill – I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipni. Do ta përmbledh në raportin. Por ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhje integrale dhe thotë se për të marrë Shqipninë ishte gati me nisë një luftë. Duke i dorëzue një kampion minerali prej bakri të minierave  të Lezhës i them  “Ja fiqtë e Kartagjenës” (Shprehje  romake  kur u pushtue Kartagjena, për të tregue përfitimet që vinin prej saj. Duke qene se në Kartagjenë kishte shumë fiq e të mirë atëherë… ja dhe përfitimi! shën. i përkth.)

4 qershor – Xhiro, kryetar i organizatës “Dopolavoro” në Shqipni, më paraqet një raport. Ai kontrollon grupe të randësishëm. Opinioni publik asht përherë dhe ma i prirun kundër Mbretit dhe rrethit të tij. Një ndërhyemje italiane, në rast trubullinash, nuk do të kishte  pengesa, dhe mbas tre ditë qetësie, do të mundnim me u vendosë atje në mënyrë të tillë që me bllokue çdo orvatje kundërshtimi. Vegjëlia që vuen, rrin larg politikës dhe do t’ishte e kënaqun me përmirësimet materiale. Kam lëshue urdhën që me qenë të gatshëm për gjithçka, por mos me veprue pa urdhnin tim. Ndërkaq me ba punë propagande me masën, me anë të “Dopolavoro”* asistencën dhe sportin………………………
(*Shoqatë fashiste në Shqipni, qendër agjenture e spiunazhi në favor të pushtimit të Shqipnisë nga Italia. shën. i përkth.)

21 qershor – Kam ngarkue Prampolinin me shkue në Shqipni  e me studiue planin e bonifikimit. Natyrisht, i kam dhanë me kumptue qëllimin politik të misionit. Kjo e ka nxitë dhe e ka pranue me kënaqësi të madhe atë detyrë. Ka me punue mirë. Jakomoni, i pranishëm në bisedë, ka me ia paraqitë Mbretit Zog.

13 korrik – Serregji më sjell nje projekt të Mbretit Zog për një revolucion në Turki. Duke qenë se kishin fillue me u përhapë disa fjalë për një aksion tonin në Shqipni, nuk do te doja që të kërkohej me u krijue një shmangie. Sidoqoftë do ta shqyrtoj. I them Serregjit se ne Adriatik due që të mbetet statu quo-ja mbasi jam shum i zanun me Perëndimin. Premtoj ndihma dhe interesim ndaj Shqipnisë. Veçanërisht në sektorin e bonifikimit. Flas me Prampolinin që mbas një kontrolli të parë të vendit, më duket shumë i dispozuem ndaj shqiptarve. Kthehet atje për thellimin e studimit. Por flet qysh tashti për bonifikimin e Durrësit si një punë e realizushme lehtë. Siguron se në dhjetor 1939, mund te plugohet dhe në 5 vjet do të ketë prodhim të plotë. Tokë shumë e mirë. Me shpenzime të pakta për zonën e Durrësit: për 3500 Ha, 20 milon lireta.

10 gusht – Jakomoni më njofton mbi gjendjen në Shqipni dhe mbi programin e përgatitjes sonë. Gjithçka shkon shumë mirë. Edhe alarmet e një aksioni tonë të shpejtë janë qetësue pas bisedës sime me Gjeneral Serregjin.

13 tetor – Seregji me sjell një mesazh  personal të Mbretit Zog dhe me len një shënim mbi deklaratat që ka pasë urdhën me lëshue.
Dmth: Shqipnia asht tashma në duert e Italisë që kontrollon çdo sektor të aktivitetit kombëtar. Mbreti asht i përkushtuem. Populli asht mirënjohës. Ç’doni ma tepër? Kjo pyetje nuk doli, por ishte arësyeja e vërtetë e bisedës. Jam tregue i sjellshëm dhe i butë ndaj tij. Kjo e ka qetësue. Mbi të gjitha ka shprehë vlerësim kur i kam thanë troç e shkoqun se kam shumë simpati për të dhe se e konsideroj njeriun tonë. Duhet të veprojmë shpejt me Shqipninë. Erdhi Prampolini dhe më solli studimin e tij të mrekullueshëm mbi bonifikimin e plotë të Vendit. Asht entuziast për sa ka pa. I vlerëson tokat bregdetare shqiptare shumë ma të mira se ato italianet dhe pa optmizëm të ekzagjeruem, mendon se vetëm nga zona e bonifikueme mund të çojmë në Itali dy milion kuintal grunë.
(Siç shihet e kuptohet Shqipnia për Italinë ishte një Vend për t’u shfrytëzue në themel, siç thonë shqiptarë, për t’u mjelë. Konti Ciano vazhdimisht e thekson këtë anë përfitimi, dhe me emnimin e tij si Ministër i Jashtëm, bani çmos e ndikoj negativisht, duke shrytëzue lakminë e Duçes për madhështinë perandorake të Romës, që në brigjet shqiptare kishte nisë pushtimin e Ilirisë (Ballkanit), duke u shtri mbi Evropën mbarë me legjionet iliriane. shën. i përkth.)

16 tetor – Asgja të veçantë, përveç një bisede të shkurtën me Duçen gjatë së cilës i dorëzoj raportin  Prampolini mbi bonifikimin e Durrësit që asht ma ekonomike, ma e madhe dhe ajo ma e dobishme për qëllime ushtarake. Shërben edhe për të qetësue shqetësimet jo të pa justifikueshme të Mbretit Zog.

19 tetor – Seregji në nisje për Shqipni, merr sigurimin për bashkëpunimin tonë të përzemërt dhe premtimin se do të bajmë diçka përsa i përket bonifikimit.  Faktikisht i kam proposue Duçes, që e ka pranë projektin e Prampolinit, për me fillue menjëherë punimet në fushën e Durrësit. Janë 3000 Ha të përfitueshëm me ma pak se 20 milon lireta. Kjo vlen për të shue shqetësimet e shqiptarve. Do të përgatisë pjesërisht punën tonë për t’ardhmen. Dhe do të shërbejë për qëllime ushtarake sepse çdo zbarkim me forca duhet të mbështetet mbi Durrësin dhe zonat ma të afërta. Edhe nga ana psikologjike asht e dobishme që ata që zbresin në Shqipni, ushtarë e civilë, të kenë përshtypjen që gjenden në një tokë të shëndoshë dhe pjellore dhe jo në një kënetë të shkretueme. Një përshtypje ma e mirë ndoshta do të kishte me ndryshue historinë tonë të 1920-tës dhe do të përfshiheshim ma thellësisht.
(Vazhdon theksimi i Cianos për me e paraqitë Shqipninë si tokë të premueme e të begatshme, që patjetër duhet të përfshihet në  Mbretninë dhe Perandorinë Italiane, pra, me patjetër duhet të pushtohet ushtarakisht, për t’i dhanë fund njëherë e mirë atij problemi, me ose pa dëshirë të Mbretit Zog e të shqiptarve. shën. i përkth.)

26 tetor – I konfirmoj Senatorit Prampolini udhëzime për fillimin e punimeve të bonifikimit të fushës së Durrësi në të majtën e pastaj në të djathën të lumit Erzen. Përveç përfitimeve që kam përmendun ma nalt, asht edhe ai shumë i randësishëm që na lejon koncentrimin aty të dy legjioneve bujqësh që mund të përbanin kryeurën e zbarkimit.
(Planifikimi i pushtimit të Shqipnisë mbështetet edhe me forma të tjera si kjo e sjelljes së kolonëve italianë, si puntorë për tharjen e bonifikimin kënetave të Durrësit. shën. i përkth.)

27 tetor – Bisedë me Jakomonin. Përgatitja në Shqipni  po përparon  me shpejtësi, aq shpejt sa që ndoshta do të na duhet me e shkurtue kohën sepse ka alarmim në mjedisin e Oborrit Mbretit. Aksioni fillon me u shfaqë me vrasjen e Mbretit  (duket se e merr përsipër Koçi me një shpërblim prej dhjetë milion liretash), trubullina në sheshet, zbritja e bandave besnike ndaj nesh (praktikisht të gjithë Krenët me përjashtim të atij të Kmisë) duke i ba thirrje Italisë për një ndërhyemje politike dhe po da donte puna,  ushtarake, dhania e kunorës Mbretit Perandor dhe në një kohë të dytë, aneksimin. Jakomoni garanton si e gjithë kjo mund të ndodhë rregullisht me një muej paralajmërim.
(Këtu del në shesh qëllimi për të eliminue Mbretin Zog e me shkaktue trubullina me njerëz të shitun, ish kundështarë të Zogut. Ma poshtë ky qëllim përgënjeshtrohet nga vetë Jakomoni, nëpërmjet Gjykatës së Naltë italiane. Ndër të tjera  shprehet se Ciano nuk ishte dakord për një veprim të tillë, biles që insistonte me e respektue e ruejt Zogun deri në çastin e largimit të tij nga Shqipnia. shën. i përkth.)
Shënim i botuesit: Përsa i përket  përmbatjës së këtij libri, në këtë faqe dhe të tjerat, të një plani për zhdukjen e Mbreti Zog të Shqipnisë, Ambasadori Jakomoni, që pati pa disa faqe të Ditarit të Cianos që kishin dalë në shypin e përditshëm, na ka dërgue  një njoftim në të cilin  thekson se: “…nga procesi i zhvilluem në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë mbi politikën e jashtme të Regjimit (fashist), ka dalë shumë e qartë se si qëllimi për të eliminue me dhunë Mbretin Zog, kundërshtar i vetë Jakomonit, u hoq po në çastin kur lindi, sepse jo vetëm që Ciano nuk e ushqeu më pas por, deri në çastin e fundit,  në drejtim të Mbretit Zog u  ndoq një politikë për realizim marrëveshjesh të reja ma të mira, me respektin ma të madh e absolut për personin e tij që u ruejt deri në çastin kur ai e kaloi kufinin shqiptar. (Nga botimit i Capellit).

14 nëndor – Duçja, që prej shumë kohë ishte i rezervuem për sa i përket Shqipnisë, sot, duke marrë shkas nga një kroçierë (udhëtim me anije) e Zogut, më ka nxitë përsëri për të veprue, duke pasë parasysh afatin e pranverës sonë.

25 nëndor – Fola me Mosronin dhe avokatin Gambi rreth Shqipnisë. Konfirmojnë se gjithmonë e ma tepër  zen vend bindja e vjetër se Italia do ta pushtojë sa ma parë Shqipninë. Janë disa sektorë të opinionit publik që arrijnë ta kërkojnë këtë ndërhymje. Situata e Mbretit asht  gjithmonë ma e keqe. Në ambientin e Oborrit  qëndrimi anti-italian asht ma i theksuem.

15 janar 1939 – Me Duçen kemi bisedue sa duhet të flas dhe të baj në Jugosllavi. Pika kryesore, çështja shqiptare. Kemi ra dakord se nuk ia vlen të rrezikojmë miqësinë me Belgradin. për shkak të Shqipnisë. Prandaj, sipas akteve, do të veprojmë vetëm kur të arrijmë një marrëveshje që duhet të qendrojë në këto pika: rrumullakosja e kufinit jugosllav, duke demitalirizue kufinin shqiptar, aleancë ushtarake, mbështetje për pushtimin e Selanikut.

16 shkurt – Shqipnia asht e shqetësueme. Një telegram i të Ngarkuemit Ushtarak në Tiranë e ka mërzit Duçen: Aty thuhej qe Mbreti kishte ba mobilizm pjesor dhe që Jakomoni ishte nisë me avion për në Romë. Situata nuk asht aq dramatike: flas me Jakomonin: I cili me thanë të drejtën duket mjaft i qetë. Dje ka folë me Mbretin, i cili mbasi dëgjoj ankimet tona, ka thanë se kishte diçka për me shtue. Në Belgrad paska qenë folun për nji ndamje të Shqipnisë, por ka citue disa të dhana që provojnë se ai asht vetëm pjesërisht dhe pasaktësisht i informuem. Pastaj ka përmendë për përgatitjen e një lëvizje të brendshme, e mbështetun kryesisht mbi të arratisunit: edhe kjo një dukuni krejtësishit fallse. Ka përmendë shumë emna njerëzish të komprometuem ku përveç atij të Koçit, emnat e tjerë  ishin të pasaktë.  (Zogu) e përmbylli duke shprehun vullnetin për t’u marrë vesh me ne dhe ka çue Jakomonin si të plotfuqishëm të tij për marrëveshjen. Kur i flas Duçes në telefon, përgjigjet: “Po të kishim nënshkrue Paktin me Berlinin mund të sulmonim menjëherë. Tani duhet të presim!”. Si rrjedhim konfirmon udhëzimet që unë i kisha nisë Jakomonit tri ditë ma parë, dhe që përmblidhen kështu: Me mbajtë të gjallë agjitacionin popullor, por pa lanë mangut qetësimin e Zogut duke i dhanë gjithë siguritë që dëshiron. Me trubullue ujnat në mënyrë që të mos njihen qëllimt tona të vërteta.

Ahmet Zogu & Galeazzo Ciano
Ahmet Zogu & Galeazzo Ciano

15 mars(Lidhun me ngjarjet e invadimit të Çekoslovakisë, dallohet  moskënaqesia e popullit italian për afrimin me Gjermaninë, prandaj ai shkruen në ditarin e tij se duhet me e kënaqë popullin me anë të  Shqipnisë, në kuptimin e pushtimit të saj. shën. i përkth.)
Shqipnia. Flas me Duçen të cilit i kallzoj bindjen time që sot nuk do të gjejmë as pengesa lokale as komplikime serioze ndërkombëtare. Më autorizon me i telegrafue Jakomonit për përgatitjen e trubullinave lokale dhe personalisht urdhnon Komandën Detare që të mbajë të gatshme skuadrën e dytë në Taranto. Flas menjiherë me Kavanjarin dhe mbasi jap udhëzimet telegrafike në Tiranë, mund të flas me Jakomonin që ishte në udhëtim për në selinë e tij. Me thotë se nesër do të telegrafojë kur ta shikojë të mundshme dhe paraqet dhe mundësinë e dorëzimit të ultimatumit Mbretit: Ja ai pranon zbarkimin e trupave italiane dhe kërkon protektoratin ose trupat do të zbarkojnë kundër tij. Flas me Duçen ku me duket ma pak i vendosun për operacionin shqiptar…. E takoj Duçen pasditen vonë. Ai e përmend edhe njiherë mundësinë e nji goditje ndaj Shqipnisë, por gjithmonë me dyshim.
(Duket se Ciano don me ia lanë vetes nismën dhe vendosmëninë për pushtimin e Shqipnisë, në kundërshtim me vetë vullnetin e planin e Duçes, i paramenduem e i përcaktuem qysh me kohë prej tij shën. i përkth.)

23 mars – Duçja vendos me përshpejtue në çeshtjen shqiptare dhe ai vetë përpilon një projekt-marrëvshje, shumë të shkurtë, me vetëm tre pika, që ka ma tepër formën e një dekreti se sa të një pakti ndërkombëtar. E përgatis edhe unë një projekt bashkë me Viettin. Asht një marrëveshje që pavarësisht nga forma na jep mundësinë e një aneksimi efektiv të Shqipnisë. Duçja e aprovon. Zogu, ose pranon kushtet që ne i propozojmë ose do ta pushtojmë Vendin me anë të armëve. Për këtë punë i kemi mobilizue dhe grumbullue në Puglia katër regjimente bersalierësh, një division kambësorie, repartet ajrore dhe të gjithë skuadrën e  pare detare.

24 mars – Me Duçen dhe Parianin bisedojmë projektin e aksionit në Shqipni. Biem dakord se nuk asht e përshtatshme me lëshue menjëherë ultimatumin, por duhet me u marrë vesh me Zogun. Nëqoftëse ai orvatet të na mashtrojë, të përdoret forca. Duçja shqetsohet vetëm për reaksionet e Belgradit që duhet me u mundue  me i  zvoglue në minimum.

25 mars – De Ferraris niset për Tiranë duke marrë me vete  projektin e Paktit të protektoratit. Nuk mund të parashikohet zhvillimi i ngjarjeve, por ka mundësi që Mbreti të pranojë. Ndërkaq paraqitet edhe një ngjarje familjare ku unë  mbështes  besimin tim: Lindja e afërt e djalit. Zog e do gruen dhe në përgjithësi gjithë familjen: besoj se do të preferojë me u sigurue t’afërmve një t’ardhme të qetë. Sinqerisht nuk e imagjinoj Xheraldinën me barkun nandë muejsh që të bredhë duke luftue maleve të Matit e të Mirditës.

28 mars – De Ferraris kthehet nga Shqipnia me një raport të Jakomonit. Duket se Mbreti kërkon me u tallë. Përgjigjet me po dhe pastaj me anë të ministrave thotë jo. Tashma makina asht vu në lëvizje e nuk mund të ndalohet: ose çështja do të zgjidhet ose do të kthehet kundra tij. Për shumë arsye – para së gjithash ajo që të mos jemi ne të parët me gjuejt me topa në Evropë – do të preferoja zgjidhjen e parë. Por në qoftë se Zogu nuk pranon, duhet me përdorë armët me shumë vendosmëni.
Me rastin e pushtimit të Madridit  me 27 mars, që i jep fund luftës së Spanjës, Musolini do të mbante një fjalim. Konti Ciano shkruen: Duke tregue atlasin gjeografik Duçja flet: “Ka qenë i hapun kështu për gati tre vjet, tashti Mjaft! Por e di që duhet të hap në një faqe  tjetër!”. Ka në zemër Shqipninë.
(Del në pah pengesa e Luftës së Spanjës, që për tre vjet e pezulloi  qëllimin e pushtimit të Shqipnisë nga ana e Italisë. Pra paralajmerimi e alarmi ishin dhanë qysh pas Luftës së Abisinisë e Manovrat e Mëdha të Italisë më 1936,  nga Gjenerali Prenk Pervizi, kështu që kjo punë nuk mund të quhet e papritun për qeverinë shqiptare dhe vetë Mbretin  Zog. Para këti fakti të gjithë hamendjet e analizat e tjera bien poshtë, për ata që kërkojnë të dinë të vërtetën, por s’do mend se ka asish që nuk mund ta honepsin që e vërteta historike të dalë në shesh… shën. i përkth.)

Pushtimi Italian - 7 prill 1939, Durres
Pushtimi Italian – 7 prill 1939, Durres

31 mars – Pas disa bisedave pak e shumë të kota, ndër to Duka i Spoletos e Suardo, kam një mbledhje me Pariani, Jakomonin e Guzzonin, ky i fundit i caktuem me marrë  Komandën e Trupave të Ekspeditës në Shqipni.
Jakomoni nuk kishte ndonji arësye specifike me ardhë në Romë, përveç asaj që me mungesën e tij t’i jepte njifarë qetësie atmosferës stuhimore të Tiranës. Duket se Mbreti ishte i vendosun me kundërshtue firmën e nji traktati që do të cënonte formalisht  dhe faktikish integritetin e sovranitetit shqiptar. Pariani thotë se e përkraht nji qëndrim të tillë intransigjent që lejon likuidimin përfundimtar të çështjes shqiptare…………………….
Ndërkaq lajmet nga Tirana vërtetojnë se Mbreti po përgatitet për një qëndresë, punë kjo që më mërzit sepse e quej shumë të rrezikshme me gjuejtë të shtënën e parë të topit në Evropën e sodit! Shqetsuese dhe e përflakëshme. Duke qenë se Duçja vjen nesër mbasditen vonë, nuk mund të bajmë ndryshime në direktivat që ka dhanë. Në pritje i them Jakomonit të përgatisë nji skemë të traktatit që, sipas meje, të mund të pranohet nga Mbreti Zog.

1 prill – Duçja kthehet dhe kam me të nji bisedë të parë, në prani të Jakomonit. Aprovon skemën e traktatit me kushte të reduktueme. Reduktime ma tepër formale se sa faktike, por që  vlejnë me shpëtue nderin e  Mbretit. Shumë e randësishme për një oriental… Përcaktojmë këtë program aksionesh. Të nesërmen Jakomoni paraqitet tek Mbreti me skemën e re të traktatit dhe i jep me kuptue se puna asht serioze: Ose ai pranon, dhe unë shkoj në Tiranë për cerimoninë e firmës, sigurisht i përciellun nga një skuadër e madhe avionësh që merr në dorëzim Shqipninë. Ose Mbreti refuzon dhe atëherë të enjten mbrama do të shpërthejnë shrregullime të tilla në gjithë Shqipninë, që do ta bajnë të domosdoshme ndërhyemjen tonë të menjëhershme. Në këtë rast zbarkimi bahet të premten.
Në mbasdite vjen e me takon Serregji, Ministri i ri i Shqipnisë, që e fillon detyrën në kondita mjaft të stuhishme. Duke kalue për  Bari ai ka pa grumbullimin e trupave dhe e ka kuptue se çfarë muzike do të luhej. I flas haptas, me mjaft miqësi por edhe me shumë vendosmëni. Me thotë se asht dakord. Më porosit që me shpëtue format për të ba të pranueshme atë e zgjidhje prej Mbretit dhe popullit. E çoj te Pallati Venecia, ku Duçja i përsërit po të njejtën vrejtje, shumë të saktë. Shton, nëqoftëse Mbreti refuzon nënshkrimin e Paktit, kriza asht e paevitueshme. Seregji vendos me u nis për Tiranë bashkë me Jakomonin për të ia mbush mendjen Mbretit. Pastaj, me justikimin se nuk ka mund të ndërrojë valutë, merr prej Jakomonit një këst të parë prej 15 mijë liretash

2 prill – Muti ka ardhë në Romë dhe bahem gati me e nis për Tiranë me një skuadër të vogël njerëzish, sipas shembëlltyrës së tij, për të shkaktue trazime të enjtën në darkë, po qe se Mbreti ndërkohë, nuk do të ketë mirësinë me kapitullue.
I kam dhanë liri veprimi, me urdhën të premë për me respektue Mbretneshën dhe fëmijën, po qe se ka lindun. Me nxit terrorin gjatë natës: në agim me u fut ndër pyjet në pritje të mbërritjes së trupave tona, duke mos lejue tërheqjen e Mbretit drej Matit, ku mund të orvatej për një qëndresë të vogël.

3 prill –  Me Parianin, përcaktoj  disa detaje të aksionit në Shqipni. Sipas lajmeve që vijnë, gjendja asht ma serioze se sa mendonim. Nuk asht e mundun me çue skuadërn e Mutit, sepse aereoporti asht i ruejtun rreptësisht dhe qyteti asht mbush me banda të armatosuna, që lëshojnë kërcënime kundra italianëve. Mbas në bisede me Duçen, i nis një telegram Jakomonit me urdhën që nesër me grumbullue në  Durrës, gra e fëmijë italianë, për t’i mbrojtun  nga një anije e Marines Mbretnore.  Një telegram të dytë me urdhën që me shkue te Mbreti Zog për me i thanë se do ta quejmë personalisht përgjegjës për çdo veprimi ndaj pasunive dhe jetës së italianëve………………
I jap urdhën Xhiros, që të mbledhi të gjithë emigrantët shqiptarë për t’i kthye në Shqipni njëkohësisht me trupat italiane.

4 prill – Duçja nuk e fsheh zhgënjimin e tij pasi lexon një telegram të Jakomonit, i cili e shihte të mundshme një zgjidhj paqësore. Në çastin e kalimit në aksion, do të kishte preferue një zgjidhje me anë të armëve. Nuk asht i kënaqun as me ushtrinë, që e quen “të vjetrueme” dhe e përkufizon “nji pronë e monarkisë”.

6 prill – Ora 16.00: Vjen një telegram  nga Jakomoni. Duket se Mbreti nuk do me marrë përgjgjësinë e nji kapitullimi të plotë, dhe mendon me mbledhë Këshillin e Ministrave për  me  marrë vendimin përfundimtar, ja me qëndrue, ja me u dorëzue. Jakomoni, shumë drejt, thekson se në atë mënyrë del jashtë termave të ultimatumit, por pranon me çue informatën……………….
Chamberlain në Dhomën e Komuneve jep një paraqitje mjaft të mirë për ne për çfarë po ndodh, dhe deklaron se Britania e Madhe nuk ka interesa specifike në Shqipni.
Ora 19.00: Jakomoni telegrafon dhe asht duke djegë cifrarët; i ka nisë oficerët e Misionit të Flotës detare dhe ndoshta krejt Legacionin që duhet të hypnin në torpedinerën që gjendet në Durrës. Duçja konfirmon  urdhnat e sulmit duke porositë aviacionin që të kursenin qytetet dhe popullatën…………………
Arrin një propozim i fundit shqiptar. Do të donin me bisedue me Parianin. Nuk asht e mundun, sepse Pariani asht në Gjermani. Përgjgjemi që për çdo rast t’i çojnë një të plotfuqishëm  Guzzonit.

7 Prill 1939 - Pushtimi i Shqipërisë
7 Prill 1939 – Pushtimi i Shqipërisë

7 prill – Ora 4.00: Zgjimi. Në paradhomë më pret Farace me shumë komunikata, ndër të cilat një telegram i Zogut për Duçen. Konfirmon vendimin për të arritë nji akord ushtarak dhe kërkon bisedime. Përgjigjem që t’i çojnë një parlamentar Guzzonit. Duçja i zgjuem gjatë natës, që s’kishte ndodhë kurrë, dëshironte lajme e shpjegime që as vetë nuk jam në gjendje t’i jap, sepse nuk i di……………..
Në ora 6 nisem. Kohë e mirë dhe e vakët. Vijnë me mue, Buti, Vitetti e Pavolini. Në ora 7.45, jemi në Durrës. Spektakli asht shumë i bukur. Në liman, të palvizshme dhe solemne, anijet e luftës, ndërsa motoskafët, maunet, rimorkiatorët çajnë detin duke transportue trupat. Deti pasqyrë. Fushat jeshile dhe malet e nalta kunorzue me borë.  Në Durrës pak njerëz. Pak qëndresë mund të ketë, sepse i shikoj bersaljerët të fshehun pas grumbujve të qymyrit në mbrojtje të portit.  Por shoh të tjerë që hypin kodrën në rresht, njeni pas tjetrit si indianët,  për me rrethue qytetit. Nga ndonjë dritare gjuhet pushkë. Vazhdoj për Tiranë. Rruga asht bosh e nuk dalloj asnjë vepër mbrojtëse. Në kyeqytet njerëzit qarkullojnë rrugëve mjaft qetësisht. Legacioni ynë asht barrikue.  Mbi çati valon një trikolor i madh e në oborr ka shumë makina. Në rast rreziku kemi mundësi ta mbrojmë nga ajri.
E njoftoj Duçen, që asht shumë i kënaqun, edhe nga që reaksioni ndërkombetar asht pothuej se hiç……………………..

Ardhja e Cianos në Shqipëri Prill 1939
Ardhja e Cianos në Shqipëri Prill 1939

8 prill – D’Aieta telefonon në ora 8 të mëngjesit që Jakomoni e jep të përshtashëm fushën e aviacionit të Tiranës. Vendosa të nisem menjëherë dhe e njoftoj Duçen që aprovon.  Arrij në Tiranë në ora 10.30 pasi fluturova mbi kollonën e kamionave në udhëtim drejt kryeqytetit shqiptar.  Mjetet e para kanë mbrritë në dyert e qytetit. Mbi fushën më presin Valle, Guzzoni, Jakomoni dhe shumë reparte urash të autotrasportuem. Nuk e fsheh se një emocion i fortë na përfshiu të gjithëve sa ishim………………………
Me lajmin e largimit të Mbretit Zog në Greqi u zhdukën të gjithë shqetësimet tona për një qëndresë në malet.
(Kjo fjali e tregon se si italianët e kishin atë frikë të një rezistence në mal. Siç e thamë në fillim, pikërisht në atë çast dramatik të fundit, ishte Prenk Pervizi që i propozoi Mbretit me lëshue kushtrimin dhe me fillue luftën popullore në male; gja që ai do të kishte nisë po të mos kishte ndodhë që Mbreti të vinte në Zemblak, në besë të tij, për ta mbrojtë dhe për të organizue kalimin e tij në Greqi. Ndryshe nga ç’asht thanë e trombetue deri tashti. Siç dihet Zogu nuk e pranoi atë propozim me justifikimin, se pas asaj së keqe që ndodhi nuk donte t’i shkaktonte popullit vuejtje e shkatërrime të tjera për shkak të tij. shën. i përkth.)
Marrë nga revista “Kuq e Zi” 46-47 prill 2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.