back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Paralele kohrash dhe njerëzish me 11 prill – refleksion nga Edmond Bejtaj

Gazeta

Prill 1985 - Vdekja e- Diktatorit
Prill 1985 – Vdekja e Diktatorit

Paralele kohrash dhe njerëzish, me 11 prill

refleksion nga Edmond Bejtaj

U ula të pi një kafe tek klubi i fshatit meqë nuk më iket në shtëpi ngaqë punët sot më shkuan për ibret, edhe po shoh reagimet në fb që lidhen me ditën e vdekjes së Enverit.
Kur vdiq ai unë isha 23 vjeç, student, e mbaj mend mirë atë ditë, mbaj mend mirë edhe çfarë ndjeva unë dhe ata rrotull meje kur dëgjuam lajmin, një për një i kam fiksuar fytyrat e asaj dite dhe reagimet, unë jam i biri i një komunisti, që për Enverin do më sakrifikonte pa problem, ose të paktën kështu mendoja asokohe, diku e kam krahasuar tim atë me Mateo Falcone-n, personazhin korsikan të Merimè-së, që për një shmangie përtej asaj fijes së hollë që ndan burrin nga joburri, nuk do e kishte për gajle t’i fuste plumbin të birit, e dua të them që kur ai qau për idhullin e tij, unë nuk qava, natyrisht jo për sfidë ndaj tij, nuk qava as kur busti i idhullit të tij u rrëzua, ndërkohë që ai i fshinte sytë me shami dhe unë i thosha: – E ke qarë një herë, boll tani! – tek varri i Enverit nuk shkova për homazh kur ishte dita e planifikuar për mua, por nuk u shmanga ngaqë doja të tregoja se Enveri nuk e meritonte homazhin tim, thjesht atë ditë nuk e dija që ishim prenotuar për homazhe dhe kisha ikur nga mësimi për ndonjë gjë kot, siç ikja edhe herë të tjera, ama kur para grupit më doli emri si i munguar në homazh, më erdhi keq që ndërkohë që pedagogu i moshuar që duhej të më binte, më mbrojti, e një shok që duhej të më mbronte, më nxiu. Mësova shumë gjëra atë ditë mbi njerëzit, të tjerat i mësova në vitet që erdhën më mbas, e mbase prandaj edhe rrëzimin e Murit e prita duke pirë raki në Visokë, këtu ku jam tani, natyrisht në një barrakë të cilës i shurrosnim nga mbrapa e mbi truallin e të cilës është ndërtuar ky klub me hale allafrënga, dhe tani me dhimbje them se e keqja është një lule që rritet shumë në këtë tokë, dhe lind edhe atje ku nuk ta pret mendja, mu në zhur e në gur, me pak fjalë, dua ta bëj me faj tim atë që e kishte shumë të lehtë gishtin në këmbëz, aq sa mund ta tërhiqte edhe ndaj meje, por nuk e bëj dot, se ç’më pengon që mos ta bëj shumë fajtor atë burrë për të cilin mund të vrisja nëse do ma ngacmonin, dreqi ta hajë, asgjë nuk mund të jetë faj i vetëm një njeriu apo i një grupi të vogël njerëzish, sado të ligj të jenë ata!
Marrë nga muri i FB i Edmond Bejtaj, 12 Prill 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.