back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pararendësit tanë: Mit’hat Frashëri dhe Gjergj Fishta

Gazeta

Mit'hat Frashëri (1880-1949)
Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Mit’hat Frashëri:

Të Metat Tona

(fragmente të zgjedhura), botuar më 1924 (cikli Pararendësit tanë)

1.
Është virtyt që njeriu të shohë dhe të njohë të metat e tij. Kur e shohim fajin, e ndjejmë që lajthitëm, jemi të penduar. Kjo siguri zgjon ndër ne dëshirën dhe vullnetin që të veprojmë, të ndreqim shtrembësinë, të hyjmë në të drejtë.
2.
Synimi pesë herë shekullor i Turqisë, një synim nga më të zezët që kanë njohur historitë e botës, na ka shtuar të metat e vjetra, duke na pakësuar virtytet: Turku na mësoi edhe një herë akoma më përtacë, më të harbuar; me anadollakë, si jeniçerë ose bashibuzukë, kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bagdat dhe në Jemen; më vonë jemi shkruar zaptie për një mexhitkë në muaj, dhe kemi vdekur në Gjirit, na janë zbardhur eshtrat në rërë të Fizanit.
3.
Edukata që morëm në oxhakët e jeniçerëve na bëri të jemi të këqij dhe të padrejtë kundra vëllezërve tanë më të dobët, të humbasim çdo ndjenjë dhe virtyt kombi, të gjendemi si fis i egër, armik dhe i përçarë me njëri-tjetrin, pa asnjë farë bashkimi, indiferentë në përparim, të mërguar prej çdo lumturie materiale, meqënëse të larguar nga bashkimi, pa bashkëpunim dhe pa solidaritet.
4.
Dhe kështu, shekulli i nëntëmbëdhjetë, kjo kohë e dritës, e qytetërimit dhe e zgjimit të ndjenjave kombtare, na gjen, neve shqiptarët, krejt në gjumë, pa njësi, pa bashkim, pa literaturë, sa dhe pa alfabet. Na u desh një forcim i madh që të zgjohemi prej afionit që na kishte dhënë synimi i osmanxhikut.
5.
E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi ne si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë, një kohë errësire që mend e shoi çdo ndjenjë njerëzie, çdo cilësi njeriu të ndershëm.
6.
Vajtimi nuk hyn më punë, se sjell dëshpërimin e fatalizmit. Kundër një të lige, përpara një mynxyre, duhet vepruar, do prurë një reaksion, që të vijë zgjimi pas gjumit, larg dehjes, një zgjim veprimtar, me vullnet të vërtetë, me punë të fortë, motra dhe mëma e shpresës pjellore. Një veri e bën detin që të buçasë. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri.
Një të tillë frymë krijonjëse duhet të kemi.
Marrë nga muri i fb i Profesor Prend Buzhala 18 marzo 2014

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Gjergj Fishta: Mbi të Bukurën

Zgjedhje nga punimi “A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi?” (1913) (cikli Pararendësit Tanë), 14

Kùr ato rreze t’shkëlqyeshme t’bukuries s’ndoj kafshës përshkojnë synin e mendjes s’nierit, shka ndollë atëherë m’nieri? Ndollë kta, qi mendja e tij aty trandet e mrekullohet e, përfshi gjithkahe prej asaje drite t’gjallë bukuriet, rrin disi pezull m’vetvedi, kndellet, e nieri për nji herë s’din tjetër me bà, veç me rektue e me fshà përmallshëm. E, habitë, e gati rrëmye kso botet prej gzimit, nuk mundet me u pritë pa gufue ndiesiet e amla e t’madhnueshme, qi sprovon përmrenda vedit; e prandej zhdrivillon gjuhën e vet, e me harè nis me diftue njata t’dukun t’shkëlqyeshëm, qi e bind e e mrekullon shpirtin e tij. Por, tue kenë qi sendet e kafshët, t’përfshime prej dritet t’bukuries, i duken synit t’mendjes fort mà t’mdhà: edhe synit t’trupit sendet e rrethueme preje shum dritet duken mà t’mdhà se nuk janë: fjalët e ligjeratës s’përditshme atij nuk i mjaftojnë e shqyptue si duhet ato t’pàme, ato vegime, ato gurra rrezjet e dritet e bukuriet, qi ja kndellin shpirtin; prandej kërkon shllime mà t’nalta, fjalët e thanjet mà t’hiejshme, e porsi bleta kujdestare kalon lule m’lule, kshtu edhe aj tash ndër lugje, tash ndër brigje, tash ndër bjeshkë e vrije, e fusha t’gjana, e dete t’kthjellta, lypë me gjetë drandofillet mà t’njoma, ujnat mà t’cemta, rudinat mà t’blerta, e flladet e kandshme, e ylberet e kjartë, e gur, e krepa, e t’errshmen humnerë, e tallaze shkumuese, e gjithshka toka e deti kà mà t’hiejshëm, mà t’madhnueshëm e mà t’tmershëm, t’gjitha i lyp e i kërkon, për me përbà shemulltyrat mà t’gjashme, me t’cillat masandej me veshë ato trajta t’madhnueshme, qi nëpër rreze t’bukuries aj i skjyrton mì kafshë e sende t’kryeme e anë – e kand me dritë t’kandritme. E kùr m’kto zaje t’poshtra s’mundet me hasë m’objekta, për masë t’cillve me shfaqë bukurien, qi ndritë shpirtin e tij, atëhere ai rrahë fletët e mendjes s’vet kah qiella e, m’ato vise t’epra, herë rrezen ja shkepë diellit, për me ja ende veshen ndoj Zojës s’Morilit: herë hyjt ja grabitë natës, për me ja kthiellë synin ndoj Laurës(…) e kùr ky mos t’i mjaftojë për me shqyptue ato t’pàme bukuriet e ato fshame shpirti, aj n’mende t’vet atëhere ndërton nji rruzullim tjeter mà t’madh, mà t’hiejshëm. E për me i dhanë edhe mà fuqie fjalës, lshon zanin (kanga), e zanin e pëlqen me tingllim t’veglave t’kumueshme (muzika), e për me dishmue edhe mà plotnisht gzimin e shpirtit, n’kcim i shndrron kamët mas t’rames s’kangës e t’muzikës (vallja). E kshtu lèn Poezia.
(Gjergj Fishta, “Hylli i Dritës”, 1913)
Marrë nga muri i fb. i Profesor Prend Buzhala 17 Prill 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.