back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Parathanëje e “Lyrës” – Et’hem Haxhiademi (1937)

Gazeta

Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi – Vepra poetike – Lyra 1939

Et’hem Haxhiademi

Lyra – Poezi – (1939)

**********

Parathanëje

~~~~~~~~~~~~~

Et'hem Haxhiademi (1930)
Et’hem Haxhiademi (1930)

Në nji kohë si kjo e jona, me u marrë njeriu me poezí a me ç’do art t’jetër të bukur, asht nji punë e kotë e nji mundim i pafrytshëm. Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi t’i banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji “punë qi ep bukë”, si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës. Me fjalë të t’jera të banjë nji sakrificë dhe nji sakrificë të madhe. Të rrijë pa dëfrime jete, të rrijë pa prehje e qetsi, të rrinjë ma në funt edhe pa gjumë, për të krijuë diçka të bukur dhe artistike.
Epoka e jonë materiale të tillë njerëz i quën të sëmundë. Dhe deri diku asht e drejtë. Mundimi i vazhdueshëm duhet të pjelli në funt frytin e shpërblimit. Pse me u mundue me mjellun në kopshtin e jetës pemë qi nxjerrin gjithmonë lule dhe nuk lidhin kurrë as ndonji kokërr të vogël?
Me gjithë këtë, në këtë Shqipnin t’onë ka disa të pakët qi i ka kapun nji sëmundje e tillë. Dhe kur të kujtohet se këtu ke na përveç satisfakcionit material ke mrapa dhe urrejtjen e publikut për veprën qi i fale me kujdes e dhimbje shpirti, ahere gjendja e shkrimtarit shqiptar bahet sá mâ tepër tragjike. Drama e Ipsenit “Armiku i Popullit” e shpreh mjaft bukur në këtë rast botën shqiptare kundrejt puntorit të Muzavet.
Dikur nëpër perioda t’errta të vendevet t’jera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cílët i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta bamirës e lidhën vehten e tyne me historín e literaturës romake e frange. Këtu tek ne ngjanë e kundërta. Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët.
Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare? Sigurisht jo. Ndër të tilla kushte puna e letrave asht nji heroizëm, nji idealizëm pa kufi. Dhe deri sá në kohën e soçme idealizma quhet nji marrëzi, duhet t’a këtë dhe shkrimtari fatkeq vendin në ç’mendinën e Vlonës.
Me gjithë këto sá u tha sipèr, un prap përmblodha nji volum të vogël të vjershavet të mija dhe ja paraqis publikut shqiptar.
Nji punë e pakët, por e kujdesëshme, qi besoj se do t’i vlejë mjaft literaturës s’onë të vorfën.

Et’hem Haxhiademi
Elbasan, 14 Mars 1937

—————

Lyra
Lyra

LYRA – e Et’hem Haxhiademit u botua në vitin 1939

Pasqyra e landës së “Lyrës”

“Galatés” -1927
“Nymfat e Shkuminit” – 1933;
“Nata e Zezë” – 1934;
“Naim Frashërit” – 1934
“Prej se Largu” 1934
“Asaj” – 1934
“Lufta e Dragonjve me Kuçedrën” – 1934
“Andrra e Jetës” – 1935
“Koha e Kalueme” – 1935
“Kanga Shekullore” – 1912 -1937
(Simbas dëshmisë së vetë autorit “LYRA” – u përfundua së shkruari dhe qe gati për botim me 14 mars, 1937) Sqarim: Poezitë me ngjyrë kafe janë të paraqitura te radiandradi.com. nëse ju dëshironi mundet t’i lexoni.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.