back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Parathanie e punimit të Tahir Kolgjinit “Shpalime rreth Lahutës së Malsisë”

Gazeta

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988) 

Parathanie e punimit të Tahir Kolgjinit

“Shpalime rreth Lahutës së Malsisë”

Pata ndigjue prej shum kuej: “Të them të drejtën, nuk e kuptoj si duhet, Lahutën e Malsís!”
Me arsye…
Lahuta e Malsís, âsht përpilue në gegënishten e Maleve të Veriut. Malsínat e Shqipnís së Veriut, përbâhen prej bjeshkëve të mëdhaja; prej pyjeve të denduna; prej kodrave të nâlta dhe prej luginave e llugave të thyeshme. Shpatînat si faqe të lame, karmat e trishtueshëme dhe thepat e spërhéllun dhe të mpréfët, kësaj krahine i apin nji trajtë madhështore e, kund kund, sa me të shtîmë tëmerin. Dy Drinat, i Ziu dhe i Bardhi, qi vîjnë tue lëpîmë rrânza kodrash e sukash e qi bashkohen në Kukës, nji kyç me rândësi i këtyne maleve, t’ushqyem prej lumejve dhe prej prrojnave të përdhosun, ndihmojnë në rritjen e madhështís natyrore të këtyne vendeve, tue u shfaqun, herë herë, si rreziqe kërcnuese e herë herë, si elemente ndihmuese të jetës njerzore.
Në përgjithësi, i tânë vendi, paraqitet në nji natyrë shum të t’ashpër dhe të pasundueshme.
Populli i këtyne vendeve, tue u ndodhun përpara nevojës me përballue jetesën nëpërmjet vështirsínave të kësaj natyre vigane, qè i shtërnguem me kërkue e me krijue shprehjet e përshtatshëme, për me iu përgjegjun sá mâ tepër qi t’ishte e mundun, nevojave, qi e kishin rrethue.
Prandej, aj, e rrîti dhe e këndelli gjuhën e vet mâ tepër se krahínat tjera.

Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

***
Malsínat e Shqipnís së Veriut, jo me shekuj; por, gjatë mija vjetve, qenë logu i ndeshjeve të pêrgjakshme të luftave të pa même. Ato, u mlodhën përpara hoveve të tërbueme të Romës e të Bizancit. U gjetën përpara vrulleve shkatrrimtare të sllavizmit. Qendruen edhe përpara msymjeve tërmegse t’Osmanllíve, qi e çuen turrin deri në kërthîzën e Evropës.
Ato, qenë, gjithmonë, në luftë me armë në dorë e me zjarm në gji dhe pa i gëzue dy dit të bardha…
Këto shtërgata, i detyruen banorët e këtyne maleve me kërkue e me krijue, sa mâ shum, fjalë e shprehje, për të mund me përballue me faqe të bardhë e me burrní shqiptare, detyrimet, qi ia kishin ngarkue vehtes së tyne. Kishin nevojë me thurun lavdína e miradije për trima e për miq; sikurse kishin nevojë me e derdhun mullânin e me u shkllahun edhe kundër anmiqve.
Prandej, ato, e shtuen dhe e lavruen gjuhën e tyne mâ shum se krahinat tjera.

***
Malsínat e Veriut, kishin trashigue doke e zakone të gjâna prej stërgjyshave të tyne illirianë; zakone, të cillat, ishin përpunue me nji mjeshtrí shum të hollë. Dhe çdokush, ishte i shtërnguem qi t’i nderoje fillë e për pê; se përndryshe, nuk kishte vend me qêndrue në gjînin e shoqnís shqiptare malsore. Këto zakone, ishin lidhun si verigat mbas njâna tjetrës; dhe përbâjshin opinjonin.
Ky opinjon, ishte i shênjtë për malsorët t’onë; sepse simbas rândsís, qi do t’i epshin, o do të jetojshin me nder e me krénarí, ose do të zhyteshin në mbarre e në korí, tue mbétun të përbuzun vazhdimisht. Populli malsuer, për hirë të këtyne zakoneve, pa tjetër, do të përpiqej me gjétun shprehjet mâ t’âmbla dhe ma t’idhta, për t’ia dorzue këto brezit të ri, i cilli, do t’i përdorte me vend e simbas rasës. Prandej, aj, qè në gjendje me i zhvillue shprehjet e veta me nji ndikesë mâ të theksueshme se krahinat tjera.

***
Mâ në fund, në Malsínat e Veriut, shofim se ka qenë në zbatim, Kanuni i Maleve – qi mâ vonë, ka mârrun emnin Kanuni i Lékës – i cilli, i ká rrânjët e shtrîme deri n’epokën e Perandorís Illiriane. Ky, i mbështétun dhe i forcuem prej dispozitave proceduriale dhe prej zakoneve, pat përbâmë institutin e mârrëdhanjeve njerzore në lâmën civile, e ndëshkimore në fise, ndërmjet fisesh dhe në mbarë turmën. Kishte parapamë të drejta dhe detyra; kishte parashikue masa sankcioniste e rasa shpërblimi. Kishte mârrun për sipër, simbas kohës, me pruejtun të dhunuemin e me dënue dhunimtarin. Me nji fjalë, me vendosun dhe me përmbarue vendime.
Kërkesat e palëve, qi rrugoheshin; format e pleqnís; mënyra e provave; ndigjimi i dëshmimtarëve; formulat e bésë; përmbushja e bétimit dhe stërhollimet e gjykimeve, në vetvehte; shfaqeshin delikate e me rândësi të jashtëzakonshme. Përpara këtyne shfaqjeve, gjindja; për të mund me pruejtun dhe me nxjerrun të drejtat e veta, qè e shtërngueme me përdorun gjuhën mâ të pastër e mâ tërhjekëse. Dhe, si pasojë, qè e shtërngueme me kërkue e me krijue shprehjet mâ të bulmueme.
Prandej, banorët e maleve të nâltpërmenduna; të shtyem prej kësaj nevoje, mundën me krijue e me strugue nji shprehje mâ të pasuna se ajo e krahinave tjera.
Të gjitha shka tham deri këtu; përbâjnë nji fakt të gjallë e të pamohueshëm për ata, qi e njofin mirë Shqipnín dhe gjuhën e Saj…

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

***
E Fishta këto shprehje i përjetësoi!
Si thamë, Lahuta e Malsís, âsht përpilue në gegnishten e Malsînave, të Veriut. Në këtê, Poeti i ynë i pávdekshëm; me nji mjeshtrí të hollë e me nji stil të pashoq, ka endun dhe pralmendun gjuhën e popullit të kësaj zone malsore, qi ka përdorun në lamën bujqësore, blegtorale, luftarake, zakonore dhe në lâmën e Kanunit. Jo veç; por, Fishta âsht rrékun, madje, për me shtîmë qi të flasë edhe natyra vetë. Ajo natyrë; qi, me pak fjalë, dallon prej vendeve tjera.
Fishta; qi kishte lemë dhe ishte rritun në gjînin e këtij populli, tregoi nji kujdes për t’i qêndrue besnik shprehjes së tij, pa i shtue, dhe pa i paksue gjâ nga ana e vet. Pikënisht, këtu qêndron epërsija e Poetit. Për ndryshe, Aj, nuk do të kishte përdorun fjalët ashtë, taljan, ziri e tjera për ahishtë, italjan, nxjerri… e tjera. Fundi i fundit, Aj, ka qênë mjeshtër i poezís dhe i prozës edhe në format e sodshme të gjuhës s’onë.

***
Prá, të gjithë ata; qi, për nji arsye o për nji tjetër, nuk patën rasë me i mësue veshët e tyne me këto shprehje lakonike malsore, të cilat, janë thesari i gjuhës s’onë, kanë të drejtë në tokë e ne qiell me thânun se, nuk e kuptojnë, si duhet, Lahutën e Malsís.
Vetëm, kërkoj ndiesë, sikur të kishem thânun se, mbas këndej, për ata, qi rropaten me zânun nji vend në rendin e shkrimtarëve shqiptarë, do t’ishte krejt e páhijeshme mos me e ndiem nevojën e kësaj kryevepre. E kam fjalën për ata, qi iu grafllon zemra me shkrue shqip…

***
A kishte me qênë e udhës qi përmbajtja e Lahutës; të mos preket fare, tue u lânun vetëm në dorën e pak njerzve kompetenta e tue mos u përhapun në krejt botën shqiptare?
Jo! Jo, se Poeti i ynë; me kët vepër, qi ka hjekun shum mundim për t’a përkryem, nuk iu âsht drejtue vetëm disa pak linguistave të njoftun; por, Aj i âsht drejtue krejt popullit shqiptâr. Prandej, e ka përmblédhun në kângë. Gjithashtu, prej Lahutës, jo vetëm fjalë e shprehje gjuhësije; por, duhet të mësojmë shum e shum sende tjera. Do të mësojmë domethânjen e jetës shqiptare. Prá, shkurt, do të mësojmë vehten t’onë. Ajo; âsht nji pasqyrë e së kaluemes s’onë dhe nji program i veprimit t’onë për të nesërmen…
Për kët shkak, këtu e pak vjet mâ përpara, e pata pamë të nevojshme me dhânun shpjegime mbi fjalët turkisht të përdoruna në Lahutën e Fishtës. Ky studim modest; qè botue në revistën e vlefshëme “Shejzat” dhe, mandej, në formë libri.
Mâ vonë, mendova me tfillue edhe disa fjalë shqip të përdoruna në kryeveprën e Fishtës, tue kujtue se mund të bâhem i dobishëm me kët përpunim, mbassi këto; simbas mendimit tem, nuk ishin të përhapuna an’e kand në Shqipní; por, paraqitshin nji farë veçoríje të posaçme si shprehje krahinash.

At Daniel Gjecaj (1913-2002)
At Daniel Gjecaj (1913-2002)

***
Ndokush, mund të thotë se, ç’nevojë kishte me u lodhun me shpjegimet e fjalëve shqip, mbassi përndritshmi P. Danjel Geçaj, me rasën e ribotimit të Lahutës në Romë me, 1958, i kishte bâmë të gjitha komentimet e duhuna? Dikush, tjetër: mund të thotë se, tashmâ, ata qi dishrojnë, mund të shtînë në dorë Fjalorin e Gjuhës Shqipe të botuem në Tiranë me 1954, dhe se, me ndihmën e këtij, mund t’i plotsojnë nevojat e veta…
Punën qi ka përmbushun P. Danjel Gjeçaj e çmoj me admirim; por, nuk mund të thuhet se, Aj, ka shpjegue sá i ká dashtun zemra, mbassi vëllimi i librit nuk e ká lêjue qi të shkônte mâ gjatë fjalë për fjalë e vend për vend.
Sá për Fjalorin e Gjuhës Shqipe, ky; si duket, me ndonji urdhën epruer, do të jetë sajue në rrethâna tepër të ngutshëme. Dhe, prandej, simbas mendimit t’em, – sado qi autorët e tij, janë, dikush mâ shum e dikush mâ pak, të njoftun me autoritet në lâmën e gjuhësís, – për fat të keq, – enè nuk ká mbërrîtun në shkallë qi t’i përgjegjet nevojës, si ç’e kërkojnë dashamirët e penës. Do të shkoj pak mâ gjatë: Ka gabime jo me thes; por, me thasë. Dhe në qoftë se nuk ka me iu bâmë nji rishikim e me u përmirësue, ky fjaluer, në vend qi me i shërbyem, ka me i shkaktue nji anarkí të madhe gjuhës’ s’onë: anarkí, e cilla; ka me i kushtue mjaft shtrêjt Kombit. Janë me grumbuj fjalët, të cillave iu âsht shartue pipi shtrêmbët.
Kam pasun shtek me lexue edhe kritikat, qi i janë bâmë. Âsht kot, çdo kritikë. S’ka rrugë tjetër, veçse ma fillue punën rishtas..

***
Sikurse mârrim vesht nga mbrendija e saj, Lahuta, âsht prodhimi i tridhetë vjetve. Edhe Poeti vetë, gjatë kësaj perjode, ka bâmë evolucjone. Për tregim, në kângët e para, ká ndjekun mâ tepër stilin e anës djathtë të Drinit e, sidomos, të popullsís shqiptare në kufi me Malin e Zi. Në të vërtetë dhe luftat heroike, bashkë me ndodhinat e ndryshëme, qi përbâjnë lândën e lavdishëme të kângëve të para, këtu ishin zhvillue.
Poeti, mâ para, y-n e ká përdorun ma shpesh; kurse mâ vonë, këtê e ka zavendësue me i. Po kështu ndodhë edhe në njânën nga format ndajfoljore si rrmyeshim, tërmegshim, furishim e tjera, qi mâ vonë, janë përdorun rrmyeshëm, tërmegshëm, furishëm e tjera. Dikuer, Poeti tue ndjekun zhvillimin e ngjarjeve, ká kapërcyem në Kosovë, e në Merditë, ku edhe shprehjet e këtyne krâhinave, i ka ringjallun mjeshtërisht, tue i shoqnue e forcue me ato të Lumës, të Dibrës dhe të Krujës. Në kët mënyrë, Poeti, prej formave krizmë, taroç, kerp, kryqeli, palmuq, sot, rrâzë e tjera, ka kalue në krismë, tarak, kep, kryqali, palmuç, sod, rrânzë e tjera, të cillat, kanë nji përdorim mâ të gjânë.
Të gjitha këto; tregojnë se, a) autori, i âsht shtrue evolucjonit të kohës; dhe se, b) autori, ka dashtë me ia paraqitun lexuesit fjalën ashtu si e ka ndigjue prej popullit. Disá fjalë, si tî, ‘i, î, i’n, ki’n e tjera, janë ndukun për s’tepërmi prej popullit. Disa fjalë kanë pusue nji farë ndryshimi për nevojë mase e rime. Në kët rasë, duhet të llogarisim se, janë bâmë edhe gabime shtypi e, sidomos, ë-ja shurdhake, shpesh herë, ia ka lânun vendin e-s. Kur e pyesim mbi dishka, qi nuk ka dijeni për tê, malsori, përgjegjë: “As s’e k’ paa, as s’e k’ ndie, zotni!” (As s’e kam pamë, as s’e kam ndiem, zotni!)…
Prandej, lexuesi i Lahutës, qi nuk âsht në gjendje për t’a trètun, pak a shum, duhej ndriçue edhe mbi këto ndryshime.

***
Na; nuk duhet të qêndrojmë me duer lidhun. Puna, qi rândon mbi brezin e sodshëm shqiptár; âsht, përnjimend kolosale. N’okolin e botës së përparueme, ku ndodhemi, Shqipníja; si shtet, âsht i ri; dhe shqiptarët; si komb: mjerisht, kanë ngélun mbrapa. Gjuha e jonë; nuk âsht e pa pasun; por, elementet e para, i ka të shpërndame andej këndej nëpër katunde e nëpër krahina. Fjalët e saja, në pjesë bukur të madhe, enè nuk jànë ngulun në vendet e tyne të përshtatshëme nëpër fjalina; tue u përdorun, simbas nevojave të kohës.
Me fjalë tjera, gjuha e jonë; âsht e pa punueme, në krahasim me gjuhët tjera të kombeve, qi kanë pasun fatin e bardhë me hymë të rrugën e përparimit para shum e shum shekujsh. Kemi mbétun shum vonë, Jo, për mungesë vullneti; por, për shkak forcash madhore.
Prandej, jemi të shtërnguem qi të hecim vrap e me siguri.
Ká njizet e sa vjet qi Lahuta, âsht e ndalueme prej regjimit komunist në Shqipní. Kjo; do me thânun se, qé njizet vjet e fju, linguistit shqiptár, nuk i âsht dhânun lêje për t’a lexue e për t’i bâmë ndonji kritikë. Nji kohë e gjatë, kjo, e humbun kot, si uji ndër urë e qi nuk këthen mâ…
Gjuha; âsht arma kryesore për vetëmbrojtjen t’onë nga tallazet, qi mund të na vërsulen edhe mbas këndej. Kush ka ruejtun gjuhën, ka ruejtun kombsín dhe kombin. Të gjitha tjerat, janë të rândësís së dorës së dytë.

***
Përbâjnë nji sasi të madhe, ata, qi, tue mos e çamë kokën me kërkue fjalën shqipe, përdorin të huejën; kurse ajo e shkreta; i pret me mallëngjim në ndonji skâj libri, ose në ndonji skutë të ndonji krahine.
Edhe nji mendësi tjetër e përbuzshëme, na ka shterpsue në fushën e gjuhës: Shum prej nesh, jemi mësue me imitue njerz sido kudo, tue mos shkue në gjurmat e shkrimtarëve, qi gëzojnë merita për t’i pranue si shembuj. – “Neve, e mbyllëm llogarinë!”, thotë, tjetri. T’u mbylltë dera me ferra! Enè nuk âsht ne gjêndje me dijtun se, shumsi i vehtës së parë i përemnave vehtorë, në rasën emnore, në toskënishten vjen nè e në gegënishten vjen na. Por, për të shkrue, i grahë sa mundet dhe, shka âsht mâ zi, i mbushet mendja se, ka zânun vend në radhën e shkrimtarëve.
Profesori i mirënjoftun, Karl Gurakuqi, ka shum vjet qi gadi plasi për me na mësue “rasë”-n shqipe; por, pa asnji dobi. “Rast”-i persisht, nuk qè e mundun qi të leçitet prej shkrimtarëve(!) t’onë. A nuk janë me duzina, ata, qi shkruejnë kombe të bashkuar, shtete te bashkuar e llomotitje tjera kësodore, tue shkue në kundërshtim të hapët me përdorimin e popullit dhe tue u përjekun me na diktue rregulla të rèja?
Shpend Bardhi, dritë pastë, pyette: “Mbassi shkruejni i madhi, e madhja, madhëri, madhështi, madhështor e tjera, atëherë, pse i math e jo i madh?”.
Disa; nuk e kanë të shkruem në rrabushin e tyne qi t’a mârrin vesht, se sá âsht ora, vetëm me nji të rame…

***
Kam mbushamendje të plotë se, Lahuta, nji herë âsht shkrue; e nuk mund të shkruhet mâ, s’dyti. Fishta, kësaj ia ka vûmë vulën si kryevepër klasike shqiptare, qi ka për t’a ruejtun vleftën dhe rândësín e saj deri në botëmbarim!…
Kanë për t’u shkrue edhe shum kangë e shum vargje: por, Lahutë, kurr, nuk kanë për të qênë. Qè zemra e Fishtës, ajo, qi gufoi mà s’pari dhe këndoi me nji tingull aq tërhjekës e me nji shkëlqim të pámatshëm në majen mâ të nâltë të letërsís shqiptare.
Mendimtarët e brezave t’ardhshëm: kanë me shkrue volume e volume mbi Lahutën e Malsís. Njâni, do të bâjë komentíme mbi përmbajtjen e saj në pikëpamje zakonesh; ndërsa, tjetri, do t’a komentoje nga pikëpamja gjuhësore e letrare. Dikush; do të flasë mbi përmbajtjen e saj në lidhje me Kanunin; e, dikush tjetër; në lidhje me atdhédashunín… Ndonji tjetër, i prîmë prej Lahutës, në mënyrë të veçantë, ká për të shpjegue mitologjín shqiptare, mbassi të ketë mbledhun edhe njoftime tjera nëpër popull.
Prandej, çdo përpjekje e punim, qi âsht bâmë, deritash, për mbi Lahutën e Malsís – bashkë me kët fjaluer t’emin modest -, jo qi të cillësohet i tepërt; por, do t’ishte gabim, sikur të cillësohet i mjaftë.

Tahir Kolgjini (1903 - 1988)
Tahir Kolgjini (1903 – 1988)

***
Me rasën e këtij përpunimi:
1.Fjalët, i kam radhitun, simbas rendit alfabetik, me qëllim qi lexuesi, të ketë nji lehtësi në konsultimet e veta.
2.Me të vërtetë, fjalët e tfillueme, kanë mbërrîtun në nji sasí bukur të madhe; por, sido qi të jetë, për nji pjesë të lexuesave, mund të jenë të dobishëme.
3.Nuk jam shtrîmë me dhânun shpjegime e mendime mbi ndonji fjalë, qi, ndoshta, mund të jetë e hueja; sepse, atë kompetencë, nuk e pashë në vehten t’eme. Qëllimi i em, ishte qi të kuptohet, vepra.
4.Shpjegimet, qi i kam lidhun me Sh. i L. (Shpjegimtari i Lahutës = Danjel Geçaj) dhe me Fj. Gj. Shq. (Fjalor’ i Gjuhës Shqipe), janë të tyne.
5.Me shpresë se mund të jetë nji lehtësi për ata, qi duen me krahasue rasat e ndryshëme të përdorimit të fjalëve, kam shënue, deri diku, kângët dhe rreshtat, ku janë përdorun.
6.Me qëllim qi të merret si lândë shqyrtimi, kam shënue edhe ndonji fjalë, e cilla, tashmâ, gadi âsht lânun mbas dore e nuk po përdoret. F.v. si “mje”.
7.Nuk jam mârrun me gabime shtypi, mbassi kjo, ishte jashta qëllimit t’em. Por; me gjithë qi P. Danjel Geçaj, Prof. Camaj dhe Dr. Vuçani, kanë punue me nji shpirt fétari, gabime shtypi ka mjaft. Fv. si në 28/421: “Vrap kah prroskave edhe shtiqeve”, kurse duhej të jetë: “Vrap kah prroskat edhe shtiqet”; dhe në 29/163 – “E si ‘i shkam, qi shkrepë prej s’naltit”; kurse duhej të jetë: “E si ‘i shkam, qi shkepë prej s’naltit” – (shqepun).
E dij. Poetit nuk i mbërrîjti jeta me e qortue Lahutën, vetë. Tjerët, natyrisht, nuk mund t’a kenë at guxim.
8.Në pjesën mitologjike, nuk jam zgjatun. Kët problem le t’a rrahin kompetentat.
9.Nuk jam mârrun me studjimet e çashtjes, në se Poeti, ka bâmë ndonji neologjizmë të rrallë, mbassi kjo, përbân nji argument të veçantë, simbas mendimit t’em.

***
Unë, e mora guximin me i hymë kësaj pune, mâ tepër si nji njeri i lemë dhe i rritun në nji katund të Veriut e qi ka pasun takime; bashkëjetesë, për shum vjet me radhë, me katundarët e krahinave të ndryshme të Malsinave të Veriut. Sigurisht, edhe unë, do të kem gabime; sepse, nuk âsht aq e lehtë puna, qi ia kam ngarkue vehtes. Por, më rrênë mendja se, diku në nji skâj, nji farë shërbimi të vogël bâmë e kam. Në mos tjetër, me vullnet e mirëbesim, rrugën e diskutimit për nji ndërmârrje kësodore me rândësi, e kam hapun.
Le t’i mshojnë, tjerët, qi janë mâ të përgatitun!…

***
Nuk jam i zoti me shkue mâ përtej për Ty, o Poeti i ynë kombtár, Fishta i Madh!
Ti, tue njomun ndiesinat e Kombit me kryeveprën t’Ânde të përjetshëme, e ké kryem përsosunisht detyrën t’Ânde shqiptare dhe, prandej, e ké fitue të drejtën me qêndrue i qetë e me krénari burrënore edhe atje në jetën e amshueshme. Në krye të vendit…
Përulem me heshtje e me nderime përpara Teje…
Po vij me dëshmue përpara Teje se, shpirtëzimi i Yt âsht ajo forca e mrekullueme, qi Zotni Prof. Ernest Koliqi-n – me bashkëpuntorët e Tij të vlefshëm – po e shtjè me bâmë, pa asnji kursim, kaq sakrifica morale e materjale, tue ia kushtue të tâna mundimet dhe energjinat e veta gjuhës t’Ânde t’âmbël dhe çashtjes shqiptare e tue iu hapun shtyllat e Shejzave atyne, qi dëshrojnë me vûmë ndonji gûr, qoftë edhe i vogël, në themelin e ndërtesës kombtare.
Prá, jam tepër i kënaqun qi po kam rasën me bâmë nji detyrë, tue i parashtrue falënderimet e mija me mirënjoftje Profesor Koliqi’t dhe shokëve, qi e ndihmojnë me plot zéll e vetëmohim.
Tahir Kolgjini
Istanbul, me 3 Gusht 1965

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

Letër e Tahir Kolgjinit për Ernest Koliqin

Me 3/12/1965
Istanbul

I dashtuni Ernest,
Flîjimet, qi ké bâmë, gjatë jetës t’Ânde, për gjuhën t’onë, bashkë me shërbimet e vlefshme, qi i ké sjellun, gjithnji, i kam pasë pritun e çmue si përpjekje të njij vigâni. Nuk të çarmatoi, mosha; nuk të lodhi, jeta e mërgimit; nuk mundi me t’i cungue shpresat; as jeta e vështirë e mërgatës s’onë, e cilla, shpesh herë, na u shfaq, disi, edhe me ngatrresa zimëtuese. 
Përpara vullnetit: t’Ând të pathyeshëm, të gjitha këto rrethâna pengimdhânëse, u hallakatën, tue u shkatërrue e derdhun, mû si ato valët e detit, kur përplasen për nji shkâmb të gjallë e të patundun. Kjo e Jotja âsht qëndresa e burrave të fortë përpara duhinave gjëmuese e zharruese të jetës…
Qendrimi i Yt jashtzakonisht i zellshëm, për t’i shërbyem gjuhës s’onë me përpunime të pashoqe, më pat ndikue me bâmë nji studjim mbi disa fjalë në Lahutën e Malsís, të cillat, si shprehje të krahinës veriore t’Atdheut t’onë, kërkojshin nji tfillim, për t’u shtrimë në krejt Kombin. Edhe unë, iu përvjela punës e, thom se, bâna dishka, për sá më lejuen e më ndihmuen konditat e ngushta të gjêndjes seme të sodshme.
Me këto, qi po të përcjellij, sod, shkrimet e mija modeste, mârrin fund, për kët shtek. Prandej, kishem me t’u lutun qi të më vêsh në dijeni, nëse të kanë ramë në dorë, të gjitha. 
Shtoj se, për çdo të drejtë e nga çdo pikëpamje, kët vepër të vogël, ia kam kushtue revistës “Shêjzat”, e cilla, sikurse ka emnin, po shkëlqen në lâmën e shërbimit kombtár me nji cillësi e ngjyrë të shqueme prej shoqeve, kudo qi të jenë.
Po vij me të përqafun me dashuni e nderime. 
I Yti:
L. Limthi

Shënim: Mbassi, për madhësi vëllimi, kjo vepër, nuk mundi me u shtypun në “Shêjzat”, m’u dasht me e botue vetë n’Îstanbul. Me gjithë këtê, shprehjet dhe ndiesinat e mija, qi përmban kjo letër, kundrejt profesor Koliqit, janë të pandryshueshme.
Tahir Kolgjini
Marrë nga Muri i Fb, i Neritan Kolgjinit, 11 mars 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.