back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Parathënia e Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe dhe (struktura dhe kriteret e hartimit të tij) – nga Kolec Topalli

Gazeta

Kolec Topalli - Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe
Kolec Topalli – Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe
Parathënia e Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe
nga Kolec Topalli (fq. 5-8)

Fjalorët etimologjikë janë pasqyrë e historisë së gjuhës dhe në një kuptim më të gjerë janë pasqyrë e historisë së vetë popullit që e flet atë. Me anë të tyre shkohet në thellësi deri tek rrënjët e gjuhës, aty ku janë gurët e themelit, mbi të cilët qëndron kjo ngrehinë e mrekullueshme e njerëzimit, e ruajtur në shekuj e mijëvjeçare dhe e zhvilluar dhe e përpunuar në rrjedhat e kohës.
Për gjuhën shqipe fjalorë të tillë dëshmojnë trashëgiminë e hershme të ruajtur brez pas brezi që nga periudhat më të lashta të njerëzimit, si edhe rrugën e vështire të historisë së shqiptarive përgjat shekujve, me kontakte të shumta e të vazhdueshme me kombe e popuj të tjerë, që kanë lënë gjurmët e tyre në histori e në gjuhë, në tradita e zakone, në doke e fe, në mënyrën e jetesës dhe në mendësine e shqiptarëve. Nëpërmjet këtyre fjalorëve dëshmohet karakteri i veçantë i shqipes si një gjuhë indoeuropiane pa lidhje të ngushta me asnjërën prej gjuhëve të tjera të kësaj familjeje, e cila, në pajtim me ligjet e brendshme të evolucionit të saj, ka ndjekur një rrugë vetjake zhvillimi. Duke ndjekur udhën e gjatë të historisë së kombit që e flet, ajo gjithashtu ka marrë e ka dhënë me gjuhë të tjera duke u pasuruar me fjalë e shprehje, që i janë përshtatur sistemit të saj. Nëpërmjet fjalorëve të tillë dëshmohen edhe marrëdhëniet më të ngushta që ka pasur shqipja me gjuhe të tjera indo-europiane në periudha të hershme parahistorike, lidhjet me gjuhët e lashta që janë folur në rajonin e pellgut të Mesdheut, përkimet shumënduershe me gjuhët e Gadishullit Ballkanik nga kontaktet e fqinjësisë geografike, si edhe raportet e huazimit me gjuhët e popujve që erdhën si pushtues në trevat e banuara nga shqiptarë. Me fjalore të tillë mund të dallohen shtresat e ndryshme të huazimeve historike, si edhe të ndiqen rrugët e hyrjes së tyre në gjuhën shqipe, me një fjalë, shtegtimet e fjalëve, që mund të jenë të drejtpërdrejta ose të tërthorta, nëpërmjet një gjuhe tjetër. Këta fjalorë, më mirë se çdo studim tjetër, janë në gjendje të analizojnë edhe raportin e leksikut vetjak, të trashëguar që nga periudha të stërlashta, ndaj pjesës së huazuar, të marrë në periudhën historike. Ky është një element me rëndësi të veçantë në historinë e gjuhës, që dëshmon për shkallën e rezistencës së saj ndaj elementeve të huaja. Fjalorë të tillë nxjerrin në dritë se shqipja, si një degë e veçantë e familjes gjuhësore indoeuropiane, ka ruajtur në berthamë të qëndrueshme fjalësh të trashëguara, të cilën e ka zhvilluar më tej me kuptime të reja dhe me krijime rrjedhojash të shumta duke u bërë pjesa me e rëndësishme e gjuhës, tharmi i saj, edhe pse numerikisht nuk është pjesa më e madhe. Kësaj bërthame të trashëguar vjen e i shtohet një shtresë tjetër vendase, që përbëhet nga krijime elementare dhe onomatopeike, me rrjedhojat e tyre të shumta, që shtojnë peshën specifike të brumit vetjak. Një shtresë tjetër përbëjnë huazimet e periudhës historike, të cilat, edhe pse numerikisht të shumtë, i janë përshtatur sistemit gramatikor të shqipes, sa nganjëherë është vështirë të dallohen nga fjalët e trashëguara. Në plan të brendshëm, fjalorë të tillë dëshmojnë ndarjet dialektore e krahinore të shqipes, që janë rezultat i ndarjeve historike administrative dhe i izolimit të krahinave. Nëpërmjet tyre shprehet edhe krijimtaria gjuhësore e popullit dhe e njerëzve të pendës, si një nevojë e përhershme për pasurimin e gjuhës me fjalë, shprehje e terma të rinj, që i kërkon zhvillimi i jetës, shoqëria njerëzore dhe qytetërimi modern. Se fundi, duke përfshirë pjesën më të madhe të leksikut, një fjalor i tillë jep shpjegime për fjalë të fushave të ndryshme të jetës njerëzore, duke dhënë njohuri për mënyrën e jetesës në të shkuarën dhe në të tashmen, botëkuptimin dhe jetën shpirtërore, karakterin e psikologjinë, besimet, mitet, bestytnitë dhe shumë aspekte të tjera të marrëdhënieve njerëzore. Në të gjenden shpjegime për veshjet e kostumet, enët e përdorëset, veglat e punës, armët, bimët, kafshët e egra e shtëpiake, peshqit e shpendët, me një fjalë, për gjithçka që lidhet me jetën e njeriut në të tashmen dhe në të kaluarën, duke e bërë atë një enciklopedi të kombit.

Prof. Kolec Topalli
Prof. Kolec Topalli (1938-2018)

Për të gjitha këto, nevoja e një fjalori etimologjik është e madhe. Ai u duhet në radhë të parë albanologëve që merren me studimin e shqipes, indoeuropianistëve, ballkanologëve, helenistëve, romanistëve, sllavistëve e turkologëve; u nevojitet dijetarëve të shkencave të tjera jogjuhësore, historianëve, gjeografëve, botanistëve, zoologëve, mjekëve, inxhinierëve etj. Një fjalor i tillë u shërben edhe intelektualëve të tjerë të çfarëdo fushe e deri studentëve e nxënësve të shkollave, që kanë dëshirë të njohin origjinën e fjalëve të shqipes, Madje, një dëshirë e tillë intrigon edhe njerëzit e paarsimuar, që rreken të gjejnë burimin e fjalëve duke bërë supozime që qëndrojnë larg shkencës së vërtetë. Dhe një dëshirë e tillë e ka intriguar njerëzimin që në hapat e parë të zhvillimit të tij duke thurur legjenda të shumta për origjinën e fjalëve dhe të vetë gjuhës.
Por me gjithë vlerat e tyre të mëdha, hartimi i këtyre fjalorëve është një punë sa e
vështirë, aq edhe e mundimshme, që kërkon përkushtim të veçante dhe një punëë disavjeçare.
Këto janë arsyet për të cilat gjuhës shqipe i kanë munguar fjalorë të tillë, dhe ata të paktë që janë botuar deri më sot, janë hartuar nga të huajt. Të tillë janë: Fjalori i Gustav Meyerit, i botuar gjermanisht para më shumë se një shekulli dhe Fjalori i Vladimir Orelit, i botuar anglisht në fund të shekullit të kaluar. Nga kjo anë, fjalorët etimologjikë janë shumë më të paktë se fjalorët shpjegues dygjuhësh, krahinorë, sinonimike, frazeologjikë etj. të gjuhës shqipe. Sidoqoftë, këta dy fjalorë për shumë arsye nuk mund ta plotësojnë nevojën e sotme për një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe, i pari i botuar para më shumë se një shekulli, i mangët në materiale dhe i vjetruar nga shumë anë; i dyti, i hartuar përsëri nga një i huaj, që nuk e njihte tërë pasurinë leksikore të gjuhës shqipe. Por me gjithë këto vështirësi e mangësi dhe me gjithë numrin e paktë të fjalorëve të hartuar në këte fushë, studimet për etimologjinë e shqipes nuk kanë munguar. Madje, ato kanë nisur mjaft herët, që me hulumimet e para në fushë të indoeuropianistikës, e duke vijuar deri në ditët tona. Të bindur në vlerat e mëdha që ka etimologjia për krahasime të jashtme gjuhësore për të përcaktuar karakterin e një gjuhe, shkencëtarët indoeuropianistë e drejtuan vëmendjen e tyre që herët në këtë degë gjuhësie për të përcaktuar përkatësine indoeuropiane të shqipes dhe lidhjet e saj me giuhët e tjera të kesaj familjeje. Prandaj kontributet e para në këtë fushë i kanë dhënë gjuhëtarët e huaj, që janë marrë me studimin e historisë së shqipes për më shumë se një shekull e gjysmë. Krahas këtyre, kontribute me vlerë kanë dhënë edhe gjuhëtarët shgiptarë e arbëreshë, me një punë që ka nisur me Dhimitër Kamardën prej Sicilie ne fund të shekullit XIX, e ka vijuar pa ndërprerje deri në ditët tona, duke arritur pikën më të lartë në gjysmën e dytë të shekullit XX, me studimet etimologjike të Eqrem Çabejt, i cili jo vetëm i arriti studimet e të huajve, por edhe i tejkaloi disaherë ato, duke dhënë shpjegime të plota për pjesën më të rëndësishme të leksikut të shqipes në formë studimesh të thelluara dhe të një fjalori etimologjik njëkohësisht, ku përfshihet edhe historia e fjalëve. Studimet e tij shërbejnë si një gur themeli për këtë fushë dhe piketa më e rëndesishme prej nga nisin studimet e sotme etimologjike. Dhe ndërmjet këtyre dy emrave e pas tyre ka një listë të gjatë gjuhëtarësh të tjerë, që kanë dhënë kontributet e tyre të vyera në këtë fushë studimi, emrat e të cilëve bashkë me veprat dhe artikujt e botuar janë shënuar në bibliografinë e këtij fjalori.
Në këtë fjalor, jo vetëm si kriter vlerësimi, por edhe si metode pune, kemi pasur si pikë referimi studimet e Çabejt, që na kanë shërbyer si pikëmbërritje dhe si pikënisje; si pikëmbërritje, meqënëse në hulumtimet e tij janë permbledhur të gjitha studimet e mëparshme bashke me kritikat përkatëse; si pikënisje, meqënese plotësimet, shtesat e zgjidhjet e reja kemi bërë duke u nisur nga ky dijetar, ashtu sikurse ai vetë në kohën e tij mori si pikë referimi studimet etimologjike të Gustav Meyerit.
Vështirësive objektive të kësaj fushe u shtohen vështirësi të tjera, që janë specifike për gjuhën shqipe. Meqënëse shqipja ka bërë ndryshime të thella gjatë rrymës së shekujve zbërthimi etimologjik i fjalëve te saj, sidomos i elementit të trashëguar, paraqitet shumë i vështirë. Tkurrja e vazhdueshme e fjalëve prej theksit të fuqishëm dinamik dhe rëniet
zanoreve e bashkëtingëlloreve në pozicione të ndryshme e vështirësojne shumë identifikimin e fjalëve të trashëguara dhe krahasimin e tyre me ato të gjuhëve të tjera. Një vështirësi tjetër është edhe dokumentimi i vonë i shqipes, që fillon në shekujt e fundit të mesjetës. Këtyre vështirësive u shtohet mungesa e një fjalori të madh të tipit thesaurus, ku të përfshihet e gjithë pasuria leksikore; mungesa e një fjalori historik, studimet e pamjaftueshme për të folmet dialektore dhe botimet e pakta të fjalorëve krahinorë.

Kolec Topalli - Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe
Kolec Topalli – Fjalori Etimologjik i Gjuhes Shqipe

***
Fjalori etimologjik që po u paraqitet lexuesve e ka zanafillën shumë kohë përpara, në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, atëherë kur nisëm kërkimet dhe hulumtimet në fushë të historisë së gjuhës shqipe, dhe mungesa e një fjalori të tillë qe një pengesë serioze për të arritur rezultatet e dëshiruara. Gjatë kësaj pune 45 vjeçare, që filloi me fonetikën e vijoi me gramatikën historike duke botuar gjithsej 14 monografi, u detyruam të hulumtojmë shumë etimologji të pastudiuara më parë dhe të ndreqim mjaft prej tyre, të cilave u ishte dhënë një shpjegim tjetër. Për këtë qëllim hartuam dy skedare me etimologii të fjalëve të shqipes: njërin për fondin e trashëguar nga indoeuropianishtja e tjetrin për huazimet e periudhës historike. Duke u mbështetur në përfundimet e arritura gjatë punës sonë dhe duke shfrytëzuar studimet e kryera në këtë fushë prej më shumë se një shekulli e gjysmë nga dijetarë të tjerë, Demetrio Camarda, Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese. Livorno, 1864; Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese. Prato, 1866. ‘Egrem Cabej, Studime rreth etimologjisẽ sẽ gjuhes shgipe, I-XXVIII. BUST SSS 4, 1960 – 4, 1963; SF 1, 1964 – 3, 1968; Studime etimologjike në fushe tẽ shqipes. Tiranë, I 1982, II 1976, III 1987, IV 1996, V 2014, VI 2002, VII 2006, në fillim të vitit 2011, nisëm punën për hartimin e këtij fjalori, të cilin arritëm ta përfundojmë pas 6 vjetësh punë intensive.
Vepra që po paraqesim është për të tashmen dhe për të ardhmen. Për të tashmen është një pasqyrë e rezultateve më të fundit që ka arritur shkenca e etimologjisë që nga zanafilla e deri në ditët tona, me përpjekje për t’i çuar ato me tej; për të ardhmen do të jetë një pikënisje për studime të tjera të kësaj fushe. Jemi të bindur se një vepër e tillë, për vëshirësitë e mëdha që ka kjo fushë dhe për mangësitë e tjera që paraqet studimi i shqipes, nuk mund të quhet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Megjithatë, ajo përbën një piketë të re në udhën e gjatë të studimeve etimologjike për gjuhën shqipe, e cila do të pasohet nga shumë të tjera në të ardhmen, me studime më të thelluara, me mbledhje më të plota të materialit gjuhësor, me metoda më të përparuara dhe me teknika me të përsosura për përpunimin e lëndës dhe mbi të gjitha me njq ekip studiesish me pqrgatije tq veçantë për këtë lëmë të dijes. U takon brezave të ardhshëm të albanologëve t’i çojnë më përpara studimet e kësaj fushe.
Para botimit, vepra u diskutua në Departamentin e Leksikologjisë dhe të Gramatikës së Gjuhës Shqipe të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Të gjithë kolegëve që morën pjesë në diskutimin e saj duke bërë vërejtje e sugjerime, u shpreh falënderimet e mia. Falënderoj gjithashtu gjuhëtarët që më kanë ndihmuar prej shumë vitesh të siguroj literaturën e domosdoshme për hartimin e kësaj vepre, në radhën e të cilëve po lejohem të përmend: Eqrem Çabej, Martin Camaj, Kolë Ashta, Mahir Domi, Besim Bokshi, Shaban Demiraj, E. Hamp, Idriz Ajeti, R. Ismajli, Francesco Altimari, Bardhyl Demiraj, Matteo Mandalà, Italo C. Fortino, R. Ködderitzsch, David Luka, S. Pepa, T. Osmani, V. Memisha, Sh. Sejdiu, A. Spiro, Robert Elsie, B. Kabashi, E. Prifti, A. Filippin, M. Çeliku, A. Avram, Anila Omari, C. Vatasescu, Ferdinand Leka, Z. Simoni, Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe, Kolec Çefa, Sh. Hoxha, M. Gabinski, Xh. Lloshi, I. Saëicka, P. Di Giovine, Dhori Qiriazi etj. U shpreh mirënjohjen time grupit të 12 filologëve, që ndihmuan për skedimin dhe alfabetizimin e bibliografise gjuhësore, si edhe punonjëseve të dendrës së Studimeve Albanologjike E. Karaj, E. Cenka-Lamaj, I. Sojli, J. Mehmeti, që punuan në kartotekën e leksikut të shqipes të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë.

Autori

*Gustav Meyer, Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strassburg. 1891.
*Vladimir É. Orel, Albanian Etymological Dictionary, Leiden, 1998

Vepra e botuar e Kolec Topallit
Vepra e botuar e Kolec Topallit

Struktura e Fjalorit Etimologjik dhe kriteret e hartimit të tij

pjese nga Parathanie e Fjalorit Etimologjik te Shqipes (fq. 9-13)

Fjalori që po u paraqesim lexuesve shtjellon nga ana etimologjike një pjese të madhe të pasurise leksikore të gjuhës shqipe, të cilën e kemi vjelë nga fjalorët e botuar, materialet folklorike e dialektore dhe shkrimet e autorëve të vjetër e të rinj. Ai përmban fjalë të fondit të trashëguar indoeuropian, krijime të brendshme të shqipes, huazime të periudhës antike e mesjetare, ndërkombëtarizma, akronime dhe elemente fjalëformuese me
burim të huaj, leksikun e trojeve shqiptare dhe të ngulimeve jashtë atdheut, fjalë të mbarë gjuhës, dialektore, krahinore e lokale, fjalë të gjuhës së shkruar, bisedore, familjare e poetike, arkaizma, historizma e neologjizma, leksikun e autorëve të vjetër, fjalë të parme, të prejardhura, të përngjitura e kompozita, toponime, antroponime e patronime me burim nga apelativa etj. Ai përfshin gjithashtu edhe disa fjalë të moçme të shqipes, të cilat, megjithëse mund të kenë dalë nga përdorimi në gjuhën e sotme, janë ruajtur në rrjedhojat e krijuara prej tyre ose në toponimi duke shërbyer si tregues të pasurisë leksikore të shqipes. Megjithëkëtë, një fjalor i tillë nuk mund të përfshijë tërë thesarin leksikor të gjuhës. Ai përqëndrohet në pjesën aktive të shqipes së gjallë, kryesisht në fjalët me shtrirje mbarëgjuhësore, por është më i kursyer në fjalët krahinore dhe në krijimet e reja të shkrimtarëve, që nuk kanë hedhur ende rrënjë në gjuhë. Materialet onomastike, që përfshijnë toponimet e hidronimet, antroponimet e patronimet, emrat e popujve, të fiseve etj., nuk do të trajtohen me zëra të veçantë në këtë fjalor, meqënëse kjo fushë ka specifikën e saj të studimit dhe ligje të veçanta gjuhësore. Por në analizat e fjalëve janë shpjeguar disa toponime që kanë për bazë një apelativ. Kështu p.sh., në zërin ballë janë shënuar toponimet Iballë, Ballsh, Ballçore, Balldren. Një rrugë e tillë është ndjekur edhe për shpjegimin e patronimeve e antroponimeve. Sidoqoftë, një fjalor onomastik etimologjik për gjuhën shqipe do të ishte një sipërmarrje shumë e dobishme, por edhe ndër punët më të vështira e më të mundimshme, që mbetet për t’u realizuar në të ardhmen.
Prej huazimeve të reja që kanë hyrë kryesisht prej librash, janë marrë në shqyrtimato që janë të rrënjosur në gjuhë dhe kanë përdorim të gjerë, si p.sh. akt, dokument, normë, kolektiv; si edhe ato që janë treguar prodhues përbrenda shqipes duke krijuar fjalë të reja; si: absolut (khs. absolutësi, absolutisht, absolutizoj), abstrakt (khs. abstraktoj, abstraktësi, abstraktim) etj. Të gjitha këto fjalë, që i kanë edhe shumë gjuhë të tjera duke u trajtuar si ndërkombëtarizma, janë analizuar në fjalor; por janë lëne jashtë termat e shumtë shkencore e teknike të degëve të ndryshme të shkencave, si: amputacion, termostat, punksion, celenterate etj., që kanë përdorim të kufizuar dhe njihen vetëm nga specialistët e fushave të veçanta. Këta terma shkencore e teknike, që janë prej burimi të huaj, mund të trajtohen në fjalorët terminologjikë sipas degëve të shkencës. Edhe nga huazimet turke janë shqyrtuar ato që kanë përhapje të përgjithshme, si: xhep, baba, mashë, xham, pambuk, sheqer etj.; por janë lënë jashtë huazimet me përhapje krahinore a lokale, si: alldysy, masllahat, basyret, dygeç etj., që s’kanë gjasë të hyjnë në përdorim të përgjithshëm. Ndonjë prej këtyre huazimeve, megjithëse ka dalë nga shqipja, ka lënë gjurmët e veta në toponimi, në emra familjesh a personash, siç është p.sh. emri bazhdar “nëpunës që peshonte mallrat”, që ka dalë jashtë përdorimi si fjalë e leksikut të përgjithshëm, por ruhet si emër familjesh dhe në ndonjë shprehje frazeologjike (khs. ai do dru bazhdari).
Në pajtim me karakterin e fjalorit dhe për të mos e rënduar atë, kemi lënë jashtë variantet e shumta nëndialektore dhe kuptimet e shumta që kanë marrë fjalët në krahina e kontekste të ndryshme, duke marrë vetëm ato kuptime e forma që janë të nevojshme për të hetuar burimin e fjalës. Jashtë fjalorit janë lënë edhe shprehjet frazeologjike, të cilat, nga njëra anë, janë të shumta e do ta rëndonin atë, nga ana tjetër, nuk ndihmojnë për hulumtimin e burimit të fjalës. Por për shumicën e fjalëve kemi shënuar përhapjen e saj, shtrirjen në të folme të gjuhës shqipe, çka ndihmon edhe për hetimin e burimit, sidomos në rastin e huazimeve.
Për këtë jemi mbështetur në të dhënat e leksikografisë shqiptare, të botuara nëper fjalorët e shqipes dhe kemi shfrytezuar kartotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Por ky aspekt dialektologjik duhet marrë gjithnjë me njëfarë rezerve, meqënëse lëvizjet e popullsisë janë të pashmangshme e bashkë me njerëzit shtegtojnë edhe fjalët. Për të mos e rënduar fjalorin janë lënë jashtë mendimet e dhëna për etimologjinë e fjalëve prej gjuhëtarëve bashkë me kritikat përkatëse; si rrjedhim, fjalori ka karakter informativ e shpjegues. Ndërmjet tezave të shumta të studiuesve të kësaj fushe për fjalë të veçanta kemi zgjedhur atë që na është dukur më e argumentuar dhe më e mbështetur në të dhënat e gjuhës shqipe. Për shumë etimologji kemi dhënë zgjidhje të reja, pa hyrë në polemika me mendimet e mëparshme, çka do t’i kapërcente caqet e një fjalori të tillë, i cili u drejtohet një mase të madhe intelektualësh, jo vetëm shkencëtarëve e dijetarëve të gjuhës, por edhe mësuesve, studentëve e profesionistëve të ndryshëm, që kanë dëshirë të njohin burimet dhe historinë e fjalëve të shqipes.
Për disa fjalë kemi shënuar se kanë burim të errët a të paditur, edhe kur për to mund të jenë dhënë mendime që nuk janë të argumentuara sa duhet dhe nuk pajtohen me ligjet e përgjithëshme të zhvillimit gjuhësor të shqipes. Shkenca gjuhësore në të ardhmen do te vijë duke e rrudhur gjithnjë e më shumë këtë numër fjalësh.

Fjalorit Etimologjik i Shqipes - të dhëna për librin.
Fjalorit Etimologjik i Shqipes – të dhëna për librin.

***
Struktura e fjalorit është e tillë që mundëson, krahas analizës etimologjike, edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, që janë të domodoshme për të arritur te burimi i fjalës, duke dhënë kuptimet e saj, trajtat e ndryshme fonetike nëpër dialekte e të folme të shqipes, format gramatikore dhe formimet e prejardhura e të përbëra që janë krijuar nga rrënja e fjalës. Në hulumtime të tilla është e domosdoshme të shqyrtohet edhe gjeografia e historia e fjalëve, domethënë përhapja dhe shtrirja e tyre në hapësirë e në kohë, nëse fjala ka shtrirje në mbarë gjuhën, apo ka karakter dialektor, krahinor a fare lokal; si edhe kur është dokumentuar për herë të parë, gjë që nuk mund të realizohet për të gjitha fjalët e shqipes.
Zërat e veçantë në fjalor janë shënuar sipas radhës alfabetike në trajtën e tyre themelore. Një trajtë e tillë për emrat është e pashquara e rasës emërore numër njëjës (lis, lule); për mbiemrat është gjinia mashkullore e rasës emërore të numrit njëjës (i mirë); për përemrat është rasa emërore e vetës I numër njejës (unë, ti), dhe për foljet veta I numër njejës e kohës së tashme të mënyrës dëftore në formën veprore (hap, mbyll). Për foljet njëvetore është marrë si formë përfaqësuese veta III numër njëjës (bubullin), ndërsa për foljet që nuk kanë formë veprore është marrë forma joveprore (dukem, kollitem). Për foljet supletive formë përfaqësuese është marrë veta I numër njëjës e së kryerës së thjeshtë (qeshë, rashë).
Për çdo fjalë shënohet kategoria leksiko-gramatikore; p.sh. ha fol. (= folje), ai p. (= përemër), atje ndf. (= ndajfolje). Vetëm për emrat është shënuar kategoria gramatikore e gjinisë (m. = mashkullore, f. = femërore) duke nënkuptuar se në këto raste kemi të bëjmë me kategori leksiko-gramatikore të emrit. Për të mos krijuar keqkuptime, për çdo fjalë është shënuar shkurtimisht kuptimi themelor. Në disa prej tyre janë shënuar edhe kuptimet e tjera që ndihmojnë për hetimin e burimit. Por janë lënë jashtë kuptimet e shumta, që mund të kërkohen në fjalorët shpjegues. Nuk janë shënuar gjithashtu as kategoritë gramatikore që ndjekin sistemin (format e shumësit, kohët e mënyret e foljeve etj.), meqënëse ato gjenden në fjalorët shpjegues dhe në gramatika; por janë shënuar në rastet kur fjalët kanë forma të parregullta, që dalin jashtë sistemit dhe kanë nevojë për shpjegime të veçanta. I tillë është p.sh., për emrin kalë shumësi kuaj, për mbiemrin i zi trajta femërore e zezë, për foljen vetë e kryera e thjeshtë vojta/ vajta etj.
Për vendosjen e fjalëve që kanë të njejtën formë por dalin me kuptime të ndryshme, është ndjekur parimi etimologjik; si rrjedhim, fjalët që kanë burim të njëjtë, janë shënuar në të njëjtin zë. E tillë është p.sh. folja bie, që ka kuptimin “sjell diçka” me të kryerën e thjeshtë prura, por ka kuptimin “rrëzohem” me të kryerën e thjeshte rashë. Ndajfolja keq e mbiemri i keq kanë gjithashtu burim të njëjtë, prandaj ato janë shënuar në të njëjtin zë. Edhe emri rreth, që përdoret si emër, parafjalë a pjesëz është shënuar në të njëjtin zë. Por fjalët me formë fonetike të njëjtë që janë prej burimesh të ndryshme, shënohen në zëra të veçantë.
I tillë është emri bar, që ka dy kuptime: “bimë që del në livadhe” dhe “lokal i vogël”, ose gaz “gëzim” dhe “trup i padukshëm si ajri” duke pasur këto fjalë burime të ndryshme. Parimi etimologjik është ndjekur edhe për format e ndryshme dialektore, të cilat janë vënë në të njëjtin zë kur kanë burim të njëjtë, si p.sh. dhembje e dhimbë, por janë vënë në zëra të ndryshëm kur nuk kanë burime të njëjta, si p.sh. barkë e varkë, e para huazim nga italishtja, e dyta nga greqishtja e re.
Fjalët që dalin me rrënje supletive, shënohen në zëra të veçantë, Kështu për shembull përemrat unë dhe mua, megjithëse janë forma të një paradigme, shënohen në zëra të veçantë, meqënëse kanë burime të ndryshme. Por format mua ~ meje, që bëjnë pjesë në të njëjtën paradigmë dhe kanë dalë nga e njëjta rrënjë, shënohen në të njëjtin zë.
Theksi, si një shenjë që shënon zanoren e theksuar, është përdorur në të gjitha rastet në fjalët-bazë për të siguruar shqiptim të saktë. Për të folmet gege është përdorur edhe theksi hundor për të shënuar karakterin e tillë të zanoreve, duke shërbyer edhe si theks fjale. Një gjë e tillë është e domosdoshme në një fjalor etimologjik, ku karakteri i zanoreve ndihmon për të shkuar te burimi i fjalës. Është përdorur gjithashtu apostrofi pEr rastet kur ka qenë i domosdoshëm për të siguruar një lexim ndryshe të shkronjave dyshe (khs. an’je).
Fjalët e prejardhura me parashtesa e prapashtesa, burimi i të cilave është i qartë, nuk shënohen si zëra më vete, por vihen të fjalët rrënjë prej të cilave janë krijuar. Kështu p.sh., emrat mësues, mësim shënohen të folja mesoj, prej së cilës kanë dalë. Por shënohen si zëra më vete rastet kur morfemat nga të cilat janë formuar, kanë pësuar ndryshime fonetike duke mos u dalluar si të tilla. Kështu p.sh., folja përcjell është formuar nga për+sjell, por ajo trajtohet si zë më vete për hir të ndryshimeve fonetike që ka pësuar rrënja e fjalës. Si zëra më vete janë shënuar edhe rastet kur morfemat e kanë humbur mëvetësine e tyre e nuk dallohen si elemente formuese, ose kur ka humbur rrënja e fjalës dhe del rrjedhoja e saj. Кёshtu p.sh., folja prier është krijuar nga për + er-, ku rrënja nuk del gjëkund si fjalë më vete; ose folja prodhoj është formuar nga emri prodhë, që sot nuk përdoret më, megjithëse është përdorur dikur dhe ka hyrë edhe nëpër fjalorë. Kriteri i mësipërm është zbatuar edhe për fjalët e përbëra (kompozitat), të cilat nuk janë shënuar si zëra më vete, meqënëse elementet e tyre formuese dallohen lehtë. Madje, shumica e kompozitave, që janë krijime të vona intelektualësh dhe nuk kanë nevojë për shpjegime etimologjike, janë lënë jashtë fjalorit. Por janë trajtuar brenda zërave përkatëse ato kompozita që kanë një kuptim të ndryshëm nga ai i gjymtyrëve të saj përbërëse ose ato që kanë pësuar ndryshime të thella fonetike. Shpjegime etimologjike janë dhënë edhe për fjalët e përngjitura, ku elementet formuese janë bashkuar duke mos u dalluar nga njëri-tjetri; p.sh.: tutje nga (kë-)tu + (a-)tje, sonte nga (kë-)so nate etj. Duke u mbështetur në këto kritere, shumë fjalë të prejardhura duhen kërkuar më së pari në treguesin e fjalëve, i cili të çon në faqen ku ndodhet fjala-bazë. Kështu p.sh., foljet zbaltem, mbëltoj e bultoj “mbjell një bimë duke e ngulur në dhè” duhen kërkuar te zëri baltë, ku jepen shpjegimet përkatëse për të gjitha rrjedhojat e fjalës.
Bibliografia e çdo fjale është përzgjedhur aq sa mund të vihet në një falor, duke shënuar ata autorë që kanë dhënë më së pari etimologjinë e saktë, si edhe të tjerët që kanë dhënë shpjegime plotësuese dhe me interes për etimologjinë, edhe kur kanë pëlqyer nje burim tjetër. Gjatë shtjellimit të lëndës, bibliografia është shënuar vetëm në disa raste, sidomos për fjalët e trashëguara dhe huazimet e moçme, duke shënuar autorin që ka dhënë kontributin e parë për hetimin e burimit të fjalës, gjë që nuk është e lehtë të bëhet për të gjitha rastet. Në rastet e tjera nuk e kemi prishur rrjedhshmërinë e shpjegimeve, nisur edhe nga fakti se bibliografia u intereson vetëm gjuhëtarëve që merren posaçërisht me këtë fushë studimi. E këta sigurisht janë shumë të pakët në krahasim me masën e madhe të atyre që do ta shfrytëzojnë këtë fjalor.
Sipas këtyre kritereve, për fjalët e trashëguara dhe huazimet e vjetra, që kanë bërë një jetë të gjatë në gjuhën shqipe, janë dhënë informacionet e mëposhtme: forma themelore e fjalës; kategoria leksiko-gramatikore; kuptimi kryesor; përhapja e saj në gjuhën shqipe: fjalë e përgjithshme, dialektore, krahinore a lokale; format dhe kuptimet e veçanta nëpër dialekte, që ndihmojnë hetimin e burimit te saj; mosha e fjalës në gjuhën shqipe, koha kur dëshmohet së pari; format e veçanta gramatikore që kanë nevojë për shpjegim; prodhimtaria e saj: fjalë ts prejardhura, ts krijuara me prapashtesa e parashtesa dhe fjalët e psrngjitura e kompozitat; burimi i fjalës, afrits gjenetike me gjuhët indoeuropiane dhe rruga e hyrjes së saj ne gjuhën shqipe, shtegtimi i fjalës prej shqipes ns gjuhët fqinje; bibliografia e përzgjedhur. Këto informacione janë më të rrudhura për huazimet e reja dhe për formimet e brendshme gjuhëësore.
Në fund të tij fjalori ka Treguesin leksikor, ku janë shënuar të gjitha fjalët që kanë gjetur shpjegim bashkë me faqet përkatëse. Këtu përfshihen fjalët-baze (zarat), rrjedhojat e formuara me ndajshtesa (parashtesa e prapashtesa), kompozitat e fjalët e parngjitura, si edhe trajtat dialektore që kanë pësuar ndryshime të thella fonetike duke u larguar prej fjalës-bazë, çka bën të nevojshëm shpjegimin e tyre etimologjik. Treguesi ndihmon për të gjetur shpejt sidomos fjalët e prejardhura, të përngjitura e kompozita, që nuk janë zë më vete dhe në mjaft raste nuk ndjekin rendin alfabetik. Pas tij, vjen treguesi onomastik, që përmban emra të përveçëm vendesh (toponime), njerëzish (antroponime), familjesh e fisesh (patronime) etj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.