back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Parathënia e librit “Rrezja e Territ” eLeka Ndojës

Gazeta

Leka Ndoja & Jozef Radi janar 2010
Leka Ndoja & Jozef Radi janar 2010

Parathënia e librit “Rrezja e Territ” e Leka Ndojës

nga Jozef Radi

Libri i parë poetik i Leka Ndojës “Rrezja e Territ”, nuk kishte nevojë as për parathënia, as për pasthënie… ai kishte nevojë vetëm të botohej (bile duhej të ishte botue kohë ma parë), megjithatë ajo sëmndja jonë e zakonshme, me e paraqitë dikë, para se ai të dalë vetë dhe të flasë lirisht, u ba shkaku i kësaj quasi-parathënie, për të cilën unë gjithsesi do dëshiroja që ajo ta justifikonte vlerat e këtij libri të parë të autorit Leka Ndoja, libër i cili fatmirsisht është libër i vërtetë…
Në korpusin poetik të autorit që tenton të tridhjetat, hyn si në nji qytet të panjoftun, sa modern aq edhe klasik, ku gjithçka duket e projektuar qartë dhe studiuar hollë, e rafinuar deri në detajet ma të imta, ku falë finesës së hollë, mjeshtërisë së punës magjike me fjalën, fjalisë dhe figurat shpaloset nji botë sa interesante, po aq e thellë dhe e ndërlikuar…
Loja e dritëhijeve që fshihen mbas ndjenjash që ndrydhen ndër figura të shprehura me nji verb origjinal poetik, e ku spikat ndërthurja e gjuhës letrare me variante ma të ëmbla të gegnishtes, tregojnë se nji brez i ri, po kërkon të ecë seriozisht, në shtigjet e reja të nji tradite që vlen të rishihet dhe të rivlerësohet…
Nëse futesh së pari në stacionet e Leka Ndojës, të ndodh që shumë gjëra të kalojnë të pavëna re, por nëse kalon së dyti, e ndjen se duhet të kalosh ma shpesh andej pari, që ta shijosh e kuptosh se edhe pjesa më e errët e më abstrakte e botës së tij artistike ka nji dritë të brendshme joshëse, që aq shumë i ngjan nji vegimi të largët e të afërt njiherësh…
Kjo ndodh ndoshta edhe pse Leka Ndoja është bir arti!
Edhe pse të qenit bir arti, po aq sa mund të jetë fat, mund të jetë dhe fatkeqsi!
Mund të jetë fatkeqsi, nëse dëshiron, por s’e ngjit dot parnasin e pararendësit tand dhe detyrohesh me u mshehë mbas një modeli duke mbetur gjithë jetën hije, po mund të jetë edhe fat nëse arrin të ngjitesh ma nalt se pararendësi yt, duke hedhë nji dritë të re, mbi atë dritë që ka lanë ai që ka ikur…
Dikush mund të thotë se është tepër herët për me thanë diçka të tillë për Leka Ndojën, por unë e gjej të domosdoshme ta mendoj, ta besoj dhe ta them këtë gjà…
Bile, ky libër, më detyron ta them!
Tiranë, 10 dhjetor 1993

Leka Ndoja - Rrezja e Territ - 1994
Leka Ndoja – Rrezja e Territ – 1994

Pesë poezi – nga Leka Ndoja

(nga “Rrezja e Territ”)

Në derë

Në s’do ketë shpatulla
me e bartë
kët vajin tim
me krye për shkamb
le të plase agimi.

E dashtun
që shklet ca re me rrufe
kur puqen dy kangë të ndryshme:
këtu nji notë do ndrrue
në mos
“mizore” të thërrasin
si thonë për pak të tjera

në derë të tingullt troket nji bonjak
në derë të bonjakut nji tingull troket

Epitafist

Kam punën ma të thjeshtë në botë
epitafe thur e shkruej
njerzisë e mesnetëve
kur lindin…
Ngjyej penën në bebzën
e syve
dhe vargje radhis
në faqet e vdekuna të hanës
ku s’do mundet kush
kurrë të m’i shkyej!

Rrezja e Territ - dhe dedikimi ndaj "Profetit"!!!
Rrezja e Territ – dhe dedikimi ndaj “Profetit”!!!

Vaksinë

Jepini njomzakëve
o njerëz
çdo darkë
nji pikëz
të langët
Ferri
bashkë me gjinin e nanës…

Trokitje

S’kish pse të rreshte ky shi. Jo!
Në mot të vranët shikimi mpreh durim.
e vërteta hidhet aty këtu
ndër zgafella të egra.
Urrejtja mbyll kapakët dhe pret…
trokitjen e paqes me gishta drite…
S’kish pse të rreshte ky shi. Jo!

Bota e Poetit

Poeti pse shkambin e ka fron?
Detin me dallgë, pse n’gjoks e pret?
Pse kartë ka blunë qiellore e pendë
vetullën e ylberit
q’e ngjyen n’kupë t’amshimit
e shkruen me shkrim Hyjnor naltsive?
Pse gjunjët ka tryezë, e shpirtin banesë
ku përkund dhe rrit dashuninë si fëmijë?
Pse me nji shenjë ban Diellin t’vallzojë;
dhe vetë vdekjen varros në skëterrë?

Lutje

Ma hiqni kët pije të lumtunish!
Unë pij veç pikëllimet e shiut
që krisin dhambët e mermerta
të varrezës.

(pjesë nga libri “Rrezja e Territ”)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.