back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Partia Demokratike, 1992, Muzeu Kombëtar – nga Faruk Myrtaj

Gazeta

Themelimi i Partise Demokratike
Themelimi i Partise Demokratike

Partia Demokratike, 1992, Muzeu Kombëtar

nga Faruk Myrtaj

Ajo “mbëledhje” e zgjeruar e Këshillit Drejtues të PD-së, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, pas verës së trishtë elektorale lokale, dukej se shëmbëlleu me plenumet dikur…
PD përmbysi bashkë me sistemin edhe çmimin e bukës, humbi zgjedhjet lokale, u ngritën të pakënaqurit, “mocionistët”, Imami, Ceka, Zogaj, Peshkëpia, natyrisht Pashko i Çekut të Bardhë – ish zv/kryeministri nën Bufin e krizës së bukës, të tjerë që vërejtën autoritarizëm, në merak se PD po zhvendosej djathtas…
Slogani, “autoritarizma” e Berishës, ku tërë të Ikurit u rikthyen…
Nuk di pse i mbetem idesë se kjo dukje për profil “djathtas” iu faneps Berishës pas vizitës në Amerikë (bashkë me kryeredaktorin e parë të RD-së, si gjithë të tjerët më pas, të gjithë nga eksperienca e ZP-së). Mbase u ndje në aurën tjetër të Diasporës. 
Berisha hyri në sallën e Muzeut Historik si me kast, t’u kujtonte të pranishmëve shokun enver (që… ende s’e kishim parë, do ta shikonim më vonë, kur arkivat të hapeshin për Blendi Fevziun thotë Agron Llaka!) 
Nuk ia le Partinë Demokratike Sigurimit të shtetit unë…!”
Kështu tha Sali Berisha, duke ardhur në skenë nga prapaskena e Muzeut Kombëtar…
Hoqi pardesynë e tij të bardhë si pothuaj gjithë të tjerët dhe, si në një funeral që s’mund të refuzohej, e nderi “bardhë-dë-synë” e tij në mbështetësen e karriges në qendër të presidiumit. Mbase as atij vet nuk i duheshin duartrokitje në këtë orë. 
Më në fund ishin ulur të gjithë, salla e populluar dhe urtuar qysh prej lindjes së dekretuar në bodrumet (e Vilës së Pashkove – që kurrë nuk ju kthye pronarëve të saj legjitimë), po dëgjonte dy prej atyre në presidium që shaheshin rëndë privatisht (me nënë e me motër, thuhet në Vlorë…!)
Vetëm tri figura gjendeshin në Presidium: Berisha dhe Arbër Imami. Në mes të tyre, si meit i bardhë, duke u ndjerë ngushtë dhe djersitur gjithnjë e më shumë, Eduard Selami…
Foli Preçi, Zogaj. Fjalim me letër. Mes tyre dihej si mjeshtër i fjalës. E tillë ishte edhe kjo Predikatë. (Më vonë do shfaqte të shkruarat gjithnjë në simpati për presidentët, kryeministrat, edhe shoqërimin nga “Naim Frashëri” deri te “Hotel Dajti” i përgjuar të Ismail Kadaresë, që do ekzilonte fill pas kësaj për t’u kthyer, natyrisht, pas reshtjes së ujërave -jo të bardha – që parashikoi të plasnin…) 
Shumë bukur fole, por s’të morëm vesh: a e dhe dorëheqjen?!” – e pyeti Berisha.
Më ka mbetur në sy Preçi i asaj dite, me duart në ije si në dilemën e përjetshme: “A duhet me u ngatërrue Fjala e kushtuar në politikë?!”
Salla nisi të trazohej. 
“Ah, tani u bë me ne ky…!”, u dëgjua të thoshte Uran Kostreci, duke fërkuar duart, çliruar prej prangave të dikurshme.
Tri a katër radhë përpara vendit ku rrija, nga fundi në sallë, e prekur, poetja Natasha Lako, u ngrit dhe si për të qarë, provoi t’u lutej të dy krahëve: 
Amani ore pse grindeni?! Jemi të gjithë tanët, s’na ndanë asgjë…!”
Mbase notat lirike duhet të heshtin, si tërë minoritetet, aty ku gjëmon politika. Tollovija, si shenjë lirie, frynte si erë që rreket të shndërrohet në shira.
Sikur pikërisht ai mezi-pritej, më në fund u ngrit të fliste Azemi Hajdari, mbase më i sinqerti i atyre që folën. (Po ta vëreje, në distancë, fjalori i tij përfitonte nur oksidental nga shoqërimi me avokat Ngjelën…)
Hajdari, formalisht iu drejtua si në hakërrimë atyre, mocionistëve. Për ta dëgjuar tërë salla. 
S’di pse besova se ai nuk e kishte dëshirën që këto fjalë të atyshme t’i dëgjoheshin edhe jashtë saj: “Çfarë doni ju, miqtë e mi Gramoz dhe Arben? Doni që ta marrë pushtetin Tomorr Dosti e Leka Toto, ë?! Po ata s’mundën dot as etërit tanë, që ishin pa shkollë, jo të na mundin neve, që i kemi edhe shkollat, dhe i kemi të gjitha në dorë… Prandaj u bëj thirrje të mbetemi bashkë siç jemi, të gjithë…”
Ata që e marrin në mbrojtje, as ata që e kanë sharë Azem Hajdarin, nuk ia përmendin këto fjalë… 
Mbase do ishte mirë t’i dinte edhe Rudina…
.
(Rrëfyesi i këtyre momenteve ishte me ftesë në këtë takim, edhe pse i sapo-liruar si sekretar i Kolegjiumit të RD-së, rrëfim ky që mund të vazhdoj nën një subjekt tjetër…)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.