Partitë e Reja me kokën si struci
nga Klodian Tomorri
Thuajse të gjithë partitë e reja, të cilat premtojnë të ndajnë shqiptarët një herë e mirë nga korrupsioni dhe politika e vjetër 30 vjeçare, javët e fundit kanë futur kokën si struci dhe nuk e shikojnë se çfarë ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës.
Përtej disa deklaratave publike të Arlind Qorrit, që edhe këto janë shumë pak, në frontin e të rinjve nuk ka asnjë reagim. Aq më pak veprim politik për skandalin e madh që është në sytë e të gjithëve. Arsyet se pse, mbeten mister. Mbase edhe nuk e kuptojnë mirë se çfarë ka ndodhur. Nëse është kjo, atëherë mund t’u vijë në ndihmë një shpjegim i thjeshtë.
Bashkia e Tiranës de facto ka qenë një korporatë private. Pra, një institucion publik, i cili është administruar me qëllim maksimizimin e interesave private të zyrtarëve të tij, të cilët kishin në dorë vendimarrjen publike. Kjo e bën atë SHPK-në më të madhe në Ballkan.
A nuk është kështu?
Drejtori i policisë bashkiake, ende në detyrë, ndiqte dhe dhunonte fshatarët që shisnin prodhimet e tyre në rrugët e kryeqytetit për të monopolizuar tregun. Më pas me kompaninë e tij private merrte lejet përkatëse dhe ambientet publike nga bashkia e Tiranës për t’ua u dhënë me qira fshatarëve ose tregtarëve.
Administratori i kompanisë publike Tirana DC merrte vendim për shembjen e pallateve nën pretekstin e tërmetit, me qëllim që kompania e tij private 5D të fitonte miliona euro nga prishja dhe rindërtimi i tyre. Qytetarët banorë në pallatet që shembte 5D nxirreshin në rrugë të madhe. Gjithë qytetarët e tjerë paguanin nga xhepi tenderin e prishjeve dhe koston e ndërtimit të pallateve të reja.
Ky ka qenë një sistem kapilar. Çdo ditë në media publikohen fakte të reja, që dëshmojnë se thuajse çdo drejtues i rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës, e madje edhe specialistët, kanë nga një kompani private në sektorin që ata mbulojnë.
E megjithatë partitë e reja ende nuk kuptojnë. Gjatë këtyre javëve të fundit, për disa prej tyre çështja më e rëndësishme duket burgosja e Ilir Metës. Madje njëri prej drejtuesve të lëvizjeve të reja shpjegoi edhe pse kjo ishte më e rëndësishme. Sipas tij, Ilir Meta ka vjedhur para shumë kohësh dhe rrezikon që t’i parashkruhet vjedhja ndaj kjo çështje duhet mbajtur në fokus. Kjo nuk është shaka.
Shqipëria është një vend qesharak. I qeverisur nga zyrtarë qesharakë dhe që ka prodhuar edhe shumë opozita qesharake. Kjo e strucit është prova e disatë. Fatkeqësisht. Por këtu ka nevojë për një sqarim. Të paktën, struci kokën e fut në rërë. Në këtë rast është shumë më keq. Këta e kanë futur në një vend shumë më të sikletshëm. Vetëm e vetëm që të mos shohin se çfarë ka ndodhur.