back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Pas letargjisë sërish zgjohet fantazma (1844-1875) – nga Shaban Brahaj

Gazeta

Shaban Braha (1928-2013)
Shaban Braha (1928-2013)

Pas letargjisë sërish zgjohet fantazma (1844-1875)

nga Shaban Brahaj

1.Përballë Panserbizmit

Shovenizmi serbomadh është një nga ato tipare me bazë racore dhe klasore që fatkeqësisht, nga koha në kohë, është shfaqur në trupin dhe në trurin e kombit serb. Ai, i ushqyer me qëllime antishqiptare, i verbuar nga mitet sllavomëdha e serbomëdha të ngjyrave më dehëse mesjetare, u kthye në devizë edhe të vetë shkencës të shkenctarëve serbë, në synim për të mohuar dhe për të shfarosur kombin shqiptar.
Shovenizmi, si nacionalizëm borgjez i trajtës më reaksionare dhe më të shfrenuar, i shprehur në urrejtjen, në armiqësinë dhe në përbuzjen ndaj popujve joserbë, i ngritur në politikë zyrtare, i injektuar nga qeveritë dhe partitë politike serbe, gjithnjë e ka rënduar ndërgjegjen e kombit serb në dëm të kombeve fqinjë, kryesisht në dëm të kombit shqiptar.
Hegjemonizmi serbomadh apo ndjenja dhe psikologjia e epërsisë serbe mbi popujt fqinjë e mbarëballkanikë përbën tiparin tjetër të qeverisjes serbe. Ai përshkohet nga ideja e mbinjeriut, e njeriut serb mbi çdo njeri tjetër në gadishull si i lindur dhe si i përcaktuar për të sunduar mbi të tjerët: mbi shqiptarët, grekët, bullgarët, malazezët, boshnjakët, kroatët, sllovenët, hungarezët, rumunët, turqit etj.
Sipas një mendësie të tillë Serbia është “çlirimtarja” e ballkanasve. Sipas saj vetëm politikani “i shkëlqyer” i shekullit të kaluar, ministri i mbrendshëm serb, Ilia Grashanin, “ishte i pari që mendoi të çliroheshin të gjithë të krishterët e siujdhesës ballkanike” e që “përgaditi një plan të gjerë për veprimtarinë dhe për lirinë e të gjithë popujve të krishterë në Ballkan” (lit. AIH, A. IV279, Dr. Dragoslav Stranjakoviç, “Shqipëria dhe Serbia në shekullin XIX”,  f.1). Kjo tregon se hegjemonizmi serbomadh mohonte rolin e popujve të tjerë në gadishull duke trajtuar veten si “dhurues” të lirisë.
Mania shtetomadhe serbe përbën tiparin tjetër të përhershëm të politikës së Beogradit, kristalizues në mbretërinë jetëshkurtër, por mjaft të shtrirë të car Stefan Dushanit. Kjo u jep atyre të ashtuquajturën “të drejtë historike” për t’i hapur rrugën oreksit të madh të Serbisë së vogël, që të zbresë deri në ultësirat e ngrohta të Adriatikut, të Jonit, Egjeut dhe Detit të Zi. Trajtat dhe emërtesat e një mbretërimi të tillë përshtatëshin në varësi me kohërat: Mbretëri Serbe, Mretëri Serbo-Kroato-Sllovene, Mbretëri Jugosllave, Federatë Ballkanike etj., ku promotori ishte Serbia. Këto tipare së bashku, i shkonin delirit për pushtim, serbizim dhe shfarosje të popullit shqiptar dhe deri diku edhe të popujve të tjerë fqinjë të Serbisë, gjë që vërehen gjerësisht në shekullin XIX në politikën antishqiptare të qarqeve sunduese serbe. Rrezikshmëria e tyre ishte në rritje gjatë shekullit të kaluar. Por panserbizmi, si gjithnjë, gjatë tërë atij shekulli hasi në dy faktorë objektivë të pathyeshëm: në faktorët lashtësi shqiptare dhe qëndresë shqiptare.
Osmanizimit dhe turqizimit, ashtu si dhe romanizimit e serbizimit, populli shqiptar i kundërvihej me çdo kusht e me çdo mjet. As nëpërmjet katolicizmit, as nëpërmjet ortodoksizmit sllav dhe as nëpërmjet myslimanizimit pushtuesit nuk mundën të shuanin individualitetin dhe kombësinë e popullit të lashtë shqiptar. Në shekullin e kaluar të huajt shpeshherë vinin në dukje këtë fakt. Anglezi Xh. K Hobhauz (J. K. Hobhause), i cili vizitoi Shqipërinë më 1809, theksonte se shqiptarët e tri besimeve nuk e quanin veten, siç ndodh me popullsitë e tjera të perandorisë, as “myslimanë”, as të “krishterë”, por në radhë të parë me emrin e tyre etnik: “shqiptar” (lit. “Historia e Shqipërisë”, Tiranë, 1984,  f.36).
Populli shqiptar kishte hapsirën e vet territoriale, ku mbijetonte përballë robërisë osmane dhe rreziqeve që e kërcnonin nga fqinjët gllabërues. Kombi shqiptar, siç shkruante gazeta e Napolit “La liberta”, që prej kohësh shumë të lashta shtrihet në territorin e tij “…nga Ulqini deri në gjiun e Ambrakisë dhe pastaj, nëpër Pind e nëpër Kaldiki, arrin deri afër maleve të Rodopit”; ai u bë pikësynim i aspiratave të fqinjëve, të cilët do të shpifnin “pranë Oborreve të Evropës me qëllim që të krijohet shteti i lashtë i Dushanit, por Lidhja Shqiptare do të jetë shkëmbi, në këmbët e të cilit do të coptohen valët sllave…” (lit. “Akte të Rilindjes Kombëtare, 1878-1912”, Tiranë, 1978, f.49).
Personalitetet e larta të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare të Stambollit bashkë me personalitete të tjera, kur i kërkonin Kongresit të Berlinit respektimin e terësisë territoriale, përcaktonin shtrirjen e trojeve tona nga Tivari, Shkodra me të gjitha malet e banuara nga katolikët, nga Peja, Kurshumlia, Prishtina, Leskovci, Vranja, Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebenaja, Pindi, Kalarita dhe Narta e deri në gjirin e Ambrakisë. (lit. “Akte të Rilindjes Kombëtare, 1878-1912”, Tiranë, 1978, f.49).
.
Revista Studime historike 1983
Revista Studime historike 1983
Në “Historinë e Shqipërisë” thuhet: “Shqiptarët banonin në ato troje ku kishin jetuar gjatë gjithë historisë së tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në mes të shekullit XIX vendbanimet e tyre mbulonin një sipërfaqe prej 75.000 kilometrash katrore. Ato shtriheshin në veri deri në Tivar, Rozhanjë dhe Jenipazar, në verilindje deri në Nish, Leskovc dhe Vranjë, në lindje deri në Kumanovë, Shkup dhe Manastir, në jug deri në Kosnicë, Janinë dhe Prevezë…” (lit. “Historia e Shqipërisë”, II, Tiranë, 1984, f. 37).
Sami Frashëri thoshte se sipërfaqja e vendit është afro 80 mijë kilometra katrore. Kështu, “me gjithë ngushtimin që kishte pësuar gjatë shekujve të mesjetës, trungu etnik në mesin e shekullit XIX përfshinte viset e Gegërisë, Kosovës dhe Toskërisë së bashku me Çamërinë… Një burim polak, hapsirën shqiptare e llogariste në 91.400 kilometra katrore. (lit.Wlodzimiers Trmezynski-Vlaxhimiesh Tromçinski, “Shqipëria dhe Maqedonia”, Varshavë 1903, f,102).
Në një memorandum të vitit 1879 drejtuar opinionit publik thuhej: “Llogaritet që banorët e Shqipërisë të jenë 2.500.000 banorë. Vaso Pasha llogariste 3 milionë. Një burim i huaj vë në dukje se në Pax Romana jetonin 4.000.000 banorë. (lit. George Fred Williams, “Shqiptarët”, Tiranë 1934, f.14).
Burimi i mësipërm polak thekson se Shqipëria kishte dy milion e gjysmë banorë. Lidhur me numrin e popullsisë është me interes të sjellim edhe faktin se Shqipëria arrinte të nxirrte 300.000 njerëz të armatosur, (lit. Shemsi Ajvazi “Gjurm. Alb. seria shkencë , hist. VII-1977, Prishtinë,f.192), siç shkruante gazeta ruse “San-Peterburg” me 1879, e nisur nga një petecion i përfaqësuesve shqiptarë drejtuar kabineteve të Evropës. Këto të dhëna duket se plotësojnë njëra tjetrën.
Në këto aspekte po u referohemi pjesërisht edhe vilajeteve. Më 1853, F. Engelsi theksonte se bregdeti shqiptar shtrihej nga Tivari deri në Artë. (lit. Karl Marks, Frederik Engels, “Mbi çështjen lindore”,Tiranë 1976,f.16). Milan Shuflai shënonte se shqiptarët nga Shkodra deri në Himarë në fund të shekullit XVI mund të jepnin 40.000 luftëtarë. (lit. Sadullah Brestovci, “marrëdheniet Shqiptaro-serbe 1830-1878”, Tiranë 1982, f.188). Jovan M. Jovanoviq shënon se në vilajetin e Kosovës ka 1.200.00 banorë, nga të cilët në Sanxhak të Jenipazarit, në Kosovë e në Dukagjin, deri në malet e Sharrit ka patur 472.000 serbë. (lit. Dr. Emin Pllana, “Kosova dhe reformat në Turqi”,1839-1912, Prishtinë, 1978, f.31). Ndërkohë sipas burimeve arkivore të Vjenës, Kosova si vilajet, kishte 28.000 kilometra katrore. Shifra e banorëve serbë, nisur nga qëllime të caktuara, duket se është e zmadhuar. Një burim bullgar vinte në dukje se “në Kosovë e Maqedoni nuk flitej gjuha serbe, përveç një pakice të vogël që janë djergur prej Serbie e se banuesit e Kosovës më se tre të katërtat janë shqiptarë, të cilët janë elementë vendas, mandej vijnë bullgarët, kucovllehët e turqit, shumica e të cilëve nuk e kalon një të katërten. (lit. Revista “Agimi” nr. 5 shtatuer 1920, Elbasan, f.66).
.
Hartat e San stefan Kongresit te Berlinit - 1878
Hartat e San Stefan e Kongresit te Berlinit – 1878

“Tabu defteri” turk i vitit 1536 i Krushevcit i përmend shqiptarët dhe lagjet e tyre në Pllanë, në Kopaonik (Kreshtabardhë) dhe përgjithësisht në sanxhakun e Krushevcit. Dhe në gjysmën e dytë të atij shekulli shqiptarët përmenden si banorë të Jenipazarit, të Kryshevcit, të Përkupës, Vidinit, të Nishit e madje ehe të Qyprovicit të Bullgarisë. (lit. Sadullah Brestovci, “Marrdh. shqip.-serbe-malazeze 1830-1878”, Prishtinë, v.1982, f.22). Elementi serbo-sllav edhe në shekullin XIV dhe në gjysmën e parë të shekullit XV, sipas të gjitha gjasave ishte element ardhacakë nga Serbia në territorin e sotëm të Kosovës, ku siç duket këta ardhacakë paraqitnin një llojë kolonizmi të jashtëm në këtë trevë. (lit. Muhamet Tërnova, “Kosova”, nr 5, Prishtinë,1967, f.293-294). Ardhacakët në viset shqiptare vinin nga Serbia, ndërsa nga vilajetet tjera shqiptare në Kosovë deri në gjysmën e dytë të shekullit XVI nuk ka ardhje. Misionari Apostol shënonte në vitin 1623, se Prizreni kishte 12.000 banorë myslimanë, gati të gjithë shqiptarë, katolikë shqiptarë 200 dhe serbë 600 frymë. (lit. Hivzi Islami, “Gjurm. Alb.” ser. Shkenc. hist. I-1971, Prishtinë 1972, f.155).

Sjenica si qendër kishte treqind shtëpi myslimane dhe vetëm katër të krishtera, shumë nga të cilët e kishin harruar shqipen. Popullsia në fushën e Sjenicës ishte e ndarë gjysmë përgjysmë në shqiptarë mysliman dhe në ortodoksë. Banorët e Sjenicës vishnin kostume popullore shqiptare si në veri. Rreth Soçanit (Janipazarit) jetonin myslimanë shqiptarë të vrazhdë, ndërsa të krishterë kishte fare pak, siç raportonte me 22 janar 1838 nëpunësi konsullor i konsullatës perandorake aust-hung. J. Mulleri.
Në Sanxhakun e Nishit kishte vise të tëra qa banoheshin nga popullshija shqiptare. Treva të populluara tërësisht ose pjesërisht me shqiptarë kanë qenë Topica, Pustareka, Jabllanica, Veternica, Gërdelica, Polanica, Masurica, Fushëgropa e Pçinjës së Vranjës, treva e Leskovcit dhe ajo e Nishit. Banorë shqiptarë kishte edhe në Krushevc, në Qupri, në Aleksinc, në Karanovc, në Beograd, në Vidin, në Klladovë, në Smederevë, etj… Qendrat e sanxhakut të Nishit, ku ishte përqendruar një pjesë relativisht e madhe e shqiptarëve qenë: Prokupla, Kurshumlia, Leskovci, Vranja, Nishi, Piroti, si dhe Bellapallanka, kurse numri i fshatrave e kalonte shifrën 500. Po të vështrojmë këtu edhe trevat e Kosovës dhe trevat e Bujanovcit (Llap, Gollak dhe katundet e Malësisë së Vranjës (Hashanllëk) del se shtrirja e familjeve shqiptare në trevat e Toplicës e në trevat e cekura më lartë kanë qenë vetëm si shtrirje natyrore e pandarë e mëtutjeshme. (lit. Sabit Uka, “Kryengritjet shqiptare të sanxhakut të Nishit. 1776-1797) Shqiptarë kishte në Masuricë, në shpatijet veriore të Karadakut (Mesamalit) në kalim nga Karadaku i Bullgarisë, në Malin Rujan, nga shpatijet veriore të Karadakut në grykën e Moravës bulgare përmbi Vranjë e nën Gjilan. Shqiptarët popullonin pothuajse vetëm viset në jug dhe në perëndim të Përkupës në malin Pasjan, si dhe në luginën e Toplicës dhe të Banjës e gjer në Igrishtë. Viset ndërmjet Toplicës e Llapit po ashtu ishin të banuara nga shqiptarë. (lit. “Studime Historike, nr.1, Tiranë 1990, f.175). Është fjala për vitet 60-ta të shekullit të kaluar.
Toma Kovaçeviç shënon se në nahijen e Leskovcit kishte 320 fshatra nga të cilat 180 ishin shqiptare, në nahijen e Përkupës kishte 120 fshatra shqiptare dhe 70 serbe, në pjesën e Aleksinicit 7.000 turq dhe 38.000 serbë të aftë për luftë, ndërsa në Pirot 1.300 turq e 1.200 serbë për luftë. Para vitit 1876, në qarkun e Toplicës gjendeshin 246 fshatra të pastra shqiptare dhe vetëm në nagijen e Leskovcit e të Përkupës ishin 300 fshatra shqiptare pa përfshirë këtu fshatrat e përziera. Jovan Haxhi-Vasiljeviç në “Arnautska Liga” shënonte se në Prokupë me rrethinë ka pasur 2.505 shtëpi shqiptare, 2.031 shtëpi serbe dhe 27 shtëpi turke, ndërsa në Kurshumli ka patur 1956 shtëpi shqiptare, 638 shtëpi serbe dhe 60 shtëpi rome.
Burimet austro-hungareze, angleze, gjermane, franceze etj., dëshmojnë në atë kohë se në kazanë e Leskovcit ka pasur 24.000 shqiptarë dhe 22.500 serbë, në kazanë e Kurshumlisë 19.00 shqiptarë e 500 serbë, në kazanë e Përkupës 15.000 shqiptarë e 15.000 serbë, në kazanë e Vranjës 25.000 shqiptarë e 6.500 serbë. Kështu, vetëm në këto katër rrethe kishte 83.000 shqiptarë, pa përfshirë rrethet e tjera në sanxhakun e Nishit.
Burimet dokumentare japin të dhëna të shumta edhe për vilajetet tjera. Kjo tregon se populli shqiptar ishte një ndër popujt më të mëdhenj e më kompaktë në Ballkan. Prandaj fanatizma serbe, pas një letargjije dimërore nën Perandorinë Osmane, përgaditej të jepte goditjet vdekjepruese për të dobësuar e pastaj për të zhdukur fizikisht, siç ëndërronte, viktimën e vet të fuqishme. Nga ana tjetër, populli shqiptar kompaktësonte forcat për t’i hyrë një beteje të gjatë, ku armiku nuk zgjedh mjetet as format për t’ia arritur qëllimit.
 
Nxjerrë nga libri: “Gjenocidi Serbomadh dhe Qëndresa Shqiptare” Autor: Shaban Braha
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.