
Pashko Gjeçi – përkthyesi i parë integral i Komedisë Hyjnore
nga Elvana Zaimi
Sot është Dantedì – Dita e Dantes, ditë kur kremtohet (kët 25 mars 2021) 700 vjetori i Komedisë Hyjnore. Më poshtë po hedh një fragment nga doktoratura ime “Skicë mbi konceptimin e një shkolle gege të përkthimit”, ku jam marrë shterrueshëm me krejt traditën përkthimore gege nga Buzuku e këtej. Ky fragment ka në qendër, natyrshëm, përkthyesin e parë të krejt “Komedisë”, Pashko Gjeçin.
Një përnderim për Danten, por ma s’shumti, edhe nji përnderim për Pashkon…
“Pasi kisha përkthyer mijra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, m’u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm…”
Kur n’anën tonë me hov i solli era,
u lshova zâ; “O shpirtna të ngashruem,
n’mos u pengofshin, eni ktu nji hera.”
Porsi pullumba prej dëshirës ftuem,
që krahëhapun prejnë ajrinë pa u ndalë
drejt s’ambelës folé, të përmalluem,
njashtu çetën, ku âsht Dido, zemërvalë,
lanë e flutruen drejt nesh n’at ajr të zi,
kaq e fortë qe thirrja, që me shpirt m’kish dalë.
(Si tosto come il vento a noi li piega
mossi la voce: “O anime affannate,
venite a noi parlar, s’altri nol niega”.
Quali colombe dal disio chiamate,
con l’ali alzate e ferme al dolce nido
vengon per l’aere dal voler portate;
cotali uscir dalla schiera ov’e Dido
a noi venendo per l’aere maligno,
si forte fu l’affettuoso grido).
(Kanga V, vv. 19-87)

***
Për Pashko Gjeçin si përkthyes kemi folur edhe më parë. Përkthyes i Komedisë Hyjnore, i Odisesë dhe i Faustit, ai, më së pari, mbetet i famshëm për përkthimin e Komedisë së Dantes. Emri i tij identifikohet rëndom si përkthyesi i Komedisë Hyjnore në shqip. Sfidën e përkthimit të kësaj poeme të vëllimshme e ka vënë në spikamë vetë Koliqi, gjithashtu përkthyes i disa fragmenteve nga Ferri, Purgatori dhe Parajsa. “Vështirësia e pakapërcyeshme e përkthimit të Dantes në çfardolloj gjuhe, qëndron në variacionet e përhershme dhe t’pafundme të thurjes ekspresive, që ndjek gjith’tue ndryshue tonin, ngjarjet e njimbasnjishme t’udhtimit të tij përtejtoksor e në gërshetimin e shpejtë të ndjesive e mbresave nga kanga në kangë. Kalohet nga stili i naltë biblik në stilin e vrullshëm popullor fiorentin, nga bisedat oborrtare në ato familjare e n’ato vulgare e banale. E pasazhe të tilla tonesh, që Dante kapërcen më natyrshmëni të mrekullueshme, bajnë me iu dridhë damarët e pulset edhe përkthyesit ma të sprovuem”. Sigurisht që këtë karakterizim paralajmërues të Koliqit e ka pasë mirë parasysh Pashko Gjeçi, edhe pse esenë e Koliqit të botuar në “Shêjzat” më 1965, s’ka pasë mundësi ta lexonte.
Gjeçi qe marrë në vitet ‘40 kryesisht me përkthimin e poetëve modernë italianë, me romantikët, sidomos me Leopardin, përkthime që i botonte në revistat e kohës, kryesisht tek “Cirka”, por kur filloi të përkthente Danten, ai thotë “se i harroi të tjerët”. Përvojat përkthimore të Pashko Gjeçit me Danten, pavarësisht botimit të vonë të vëllimeve të Komedisë (1961), ai i ka nisur në moshë fare të re: “Kur kam fillu Danten? Po, kshtu, 17-18 vjeç kam ken. S’m’kujtohet mir, koh t’vjetra… Danten e kam fillue me e përkthy qysh se ishem nxans n’gimnaz. At’her kam pas botu diçka, disa vargje n’revistën “Cirka”. Pastaj, kshtu, javash-javash, nuk e di mir sa koh, po nji koh e giat kje ajo. Se ishte edhe e vshtir, jo veç si kuptim… Ishte edhe çeshtja e rimave. Un e kam përkthy me rimat e origjinalit dhe me tercina… E kam përfundue, po s’maj men vitin, kur ishem msues n’Fush-Krujë… Manej u përpoqa ta botoj, ma përpara “Ferrin”, manej “Purgatorin” e “Parajsën!… Përkthimi i kësaj kryevepre botërore për Gjeçin, që kishte ende të freskët dënimin politik me 5 vjet burg, ka qenë çështje delikate, por përkthyesi, siç e thotë vetë, gjuajti rastin e përshtatshëm si alibi politike: “Përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthye edhe në Bashkimin Sovjetik, e përkthyesit të saj i ishte dhanë çmimi “Stalin”. Kështu, tue kenë mësues në nji shkollë fshati të Fushë-Krujës, përkthyesi kujton: “Meqenëse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthye mija vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, m’u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”. Gjithsesi, në thelb, një ndër motivet që e kanë shtyrë të përkthejë Danten, ka qenë sipas tij përvoja e burgut dhe se pjesën e parë, Ferri, nëse jo të plotë, shumicën e ka përkthyer gjatë dënimit në burg, sikundër pohon në intervistë: “Po, po, po. Burgu m’ka ndimu (qesh). Ato kjamete m’kan shty me e vazhdue. Se, në fillim, un kishem përkthye pak nga “Komedija Hyjnore”. Kur dola nga burgu, mbas disa kohve, kur isha msus – n’Fush Krujë kam kenë msus – e kam vazhdue mjaft giat. Aty ishem n’vetmi, fshat gati krejt, edhe kishem qejf, kshtu, merreshem, pothujse përdit me përkthimin e vargjeve t’Dantes”.

Procesi i përkthimit, me sa duket, ka qenë i vështirë, i ngadaltë, sepse krahas besnikërisë së origjinalit, duhej ruajtur rima: “Si, sa përkthejsha? Po pak vargje, se ai me rima i ka. Nuk ishte çeshtja e vështirsis s’vargut, kuptimit, po ishte te rimat: tri rima âsht vshtirë me i gjet. Dy rima gjinden, po tri rima, tuj i qëndru besnik edhe origjinalit… Jo rima me fut kshtu për qejf, si i thojnë nji fjalës. Edhe kto m’kan ba t’punoj dalkadal…” Në mënyrë të posaçme Gjeçi e vë theksin tek vështirësia e përkthimit, sidomos e Parajsës, për të cilën na jep një kënvështrim me vlerë nga pikëpamja e përkthimit: “Ma e vshtirë asht “Parajsa”. Ma e vshtir se ka teologji, ka vështirsina kuptimi, domethan vështirsina t’shumanshme… Po un jam përpjekë shum ta përkthej sa ma mir. Pse vargjet e Dantes jan, si me thanë, ka’iher edhe t’mrekullueshme, t’bukra, t’thjeshta, t’pastra. Kshtu qi asht vshtir me i dhan në nji gjuh tjetër, se tuj kalu nga ‘i gjuh në nji gjuh tjetër, sikur prishet ai uniteti i dikurshëm i poezís së Dantes. Po “Parajsa” âsht mâ e vshtirë. “Parajsa” âsht shum e vshtir m’u kuptue, jo ma me u përkthye me rima e, sidomos, në nji gjuh sikur e jona, qi nuk ka pasë noj zhvillim t’jashtzakonshëm, si i thojn nji fjalës. Kjo m’ka ba me provu bukurin e gjuhës sonë. Vështirsia e përkthimit të Dantes qëndron tek rimat. Se ato tercinat duen tri rima: dy rima në nji strof, në nji strof tjetër nji rim, ose dy rima. Mirpo, t’bash tri rima asht vshtir. Tri rima asht vshtir t’i gjesh, për me ruejtë edhe kuptimin e origjinalit”.
Përkthimi i plotë i Komedisë Hyjnore mbushi një boshllëk të madh në njohjen thelbësore të Dantes në Shqipëri. Përkthimi i Pashko Gjeçit zëvendësoi në tekstet shkollore të gjitha fragmentet e përkthimeve të mëparshme. Siç ndodhte zakonisht edhe me veprat e tjera, ky përkthim u shtri edhe në Kosovë dhe viset shqiptare jashtë republikës. Por një jehonë të madhe përkthimi i Pashko Gjeçit pati në diasporë, ku edhe i dhanë atë meritë që i takonte dhe për të cilën në Shqipëri nuk shkruhej as edhe dy rreshta. Vlerësimi i lartë i përkthimit të Gjeçit bëhet më i çmuar, kur vjen nga njohësit e thellë e të imtësishëm të poezisë klasike dhe kryesisht të Dantes. Le të ndalemi më parë tek vlerësimi i Ernest Koliqit në faqet e “Shêjzave” tek eseja që i jemi referuar tashmë “Dantja e ne Shqiptarët” (1965).

“Gjeçi, lexues i vazhdueshëm i poemës danteske, prej së cilës njeh me siguri shumë pjesë përmendësh, lëshohet mbas ritmit të njimbëdhjetërrokshit e lojnave të shumta t’rimës së tretë, do t’thoja me epsh. Shfaqet e përkryeme teknika e tij prej vargëzuesi në mbrojtjen e njimbëdhjetrrokshit teksa përpiqet, dhe në të shumtën e rasteve ia del mbanë, me mbetë i pranishëm në harmoninë e mbrendshme të tekstit. Edhe n’ato pasazhe ku nuk arrin me e kapë veçantinë e koloritit dhe skalitjen e artit të gjanë dantesk me mijra e mijra forma e sfumatura, përkthyesi ynë ruen gjithnji nji nivel të naltë mjeshtrie stilistike. Vështirsia e pakapërcyeshme e përkthimit të Dantes në çfardolloj gjuhe, qëndron në variacionet e përhershme dhe t’pafundme të thurrjes ekspresive, që ndjek gjith’ tue ndryshue tonin, ngjarjet e njimbasnjishme t’udhtimit të tij përtejtoksor e në gërshetimin e shpejtë të ndjesive e mbresave nga kanga në kangë. Kalohet nga stili i naltë biblik në stilin e vrullshëm popullor fiorentin, nga bisedat oborrtare në ato familjare e n’ato vulgare e banale. E pasazhe të tilla tonesh, që Dante kapërcen më natyrshmëni të mrekullueshme, bajnë me iu dridhë damarët e pulset edhe përkthyesit ma të sprovuem.
Mund të pranojmë se Gjeçi, i cili ia ka dalë mbanë me aftësi dinjitoze edhe ndër pikat ku kërkesave tiranike të rimave u shtohet vështirsia e ruajtjes së timbrit të veçantë dhe riprodhimi i atmosferës së veçantë t’origjinalit. Episodet e Ferrit, të Françeskës nga Rimini, Skotës së Umbert-ëve, Uliksit, janë realizue me t’vërtëtë gjallnisht në përkthimin e Gjeçit. Në përgjithsi, kantiku i parë, scultorea, e ka ma të lehtë me e gjetë në leksikun shqiptar mjetet ekspresive për nji përkthim të suksesshëm, falë karakterit plastik e konkret të materies poetike që trajtohet. Purgatori, piktoresk, kërkon tansinë e nji lloji fjalësh e frazash me të cilat shqipja nuk asht edhe aq e begatë. Nivelin ma t’naltë të mjeshtrisë së tij, përkthyesi ynë do t’na e japë nëse do arrijë me i kapërcye vështirsitë që paraqet përkthimi i Parajsës muzikale”.
P.S. Shënimet në fund të faqes dhe referencat nuk dalin këtu, por janë 776-782, fq.321-323 Elvana Zaimi 25 mars 2021